back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kush ishte Tahir Kastrati, ideatori i “Karajfilat që ka Shkodra”

Gazeta

Tahir Kastrati
Tahir Kastrati 

Kush ishte Tahir Kastrati,

ideatori i “Karajfilat që ka Shkodra”

Formacioni popullor “Karajfilat që ka Shkodra” 7,
një ndër arritjet më të mira të qytetit të Shkodrës
pati si ideator dhe arkitekt të tij z. Tahir Kastrati.

Ishte hera e parë që një grup i përbërë prej 10 burrash do të hynin në historinë e këtij qyteti si një kompleks e do ta çonin këngën shkodrane më tej.
Të gjithë këngëtarët që performuan në këtë grup ishin pjesëtarë të një kori të Shtëpisë së Kulturës të qytetit të Shkodrës. Ishte ideja e Tahir Kastratit, që me më të përzgjedhurit e këtij kori, të krijohej një grup, i cili me një repertor këngësh që buronte nga tradita shkodrane, të paraqitej përpara publikut.
Këtë ide e përkrahën edhe muzikantët dhe kompozitorët shkodranë si, Mark Kaftalli e Nazmi Lishi, por në mënyrë të veçantë mjeshtri Luan Borova, i cili ishte edhe udhëheqësi artistik i grupit.
Por sot veçanarisht dua të ndalem te portreti i dashur për shumë shkodranë, tek vetë ideatori i grupit z. Tahir Kastrati i cili njihej veç gjithë të tjerave edhe si një njeri me shumë energji pozitive e humor të hollë.
Tahir Kastrati, i datëlindjes 1945, ndoqi shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” dhe njëkohësisht u inkuadrua si solist i grupit artistik të shkollës.
Më pas mbaroi studimet e larta për Gjuhë-Letërsi Shqipe, duke treguar gjithashtu prirje edhe për gjuhët e huaja. Ai zotëronte italishten, frëngjishten, serbo-kroatishten dhe anglishten.
I inspiruar nga emisionet e huaja që ndiqeshin fshehurazi në shtëpinë e madhe të Kastratëve si dhe prej ahengut të përhershëm me familjarët e shokët e tij, ai ëndërronte të moderonte e të linte gjurmë zhvillimi në këngën shkodrane.
Kështu, në verën e vitin 1983, ndërmori iniciativën që të krijonte së bashku me kushëririn e tij z. Nesret Kastrati kompleksin e burrave “Karajfilat që ka Shkodra” i vetmi kompleks këngëtarësh të muzikës shkodrane, fatmirësisht akoma aktiv mbas 39 vitesh.

Tahir Kastrati dhe grupi "Karajfilat qe ka Shkodra"
Tahir Kastrati dhe grupi “Karajfilat qe ka Shkodra”

Në bashkëpunim me udhëheqësit artistikë të grupit si: Luan Borova e Zef Çoba, kompozitorin Pjetër Gaci dhe anëtarët e devotshëm të grupit, mbrritën t’i jepnin zë e ta bënin “Karajfilat që ka Shkodra” pjesë të pandashme në të gjithë aktivitetet artistike, festivalet kombëtare e emisionet e fund viteve.
Tahir Kastrati ka marrë pjesë edhe në operën “Celula e Kuqe” dhe kontribuoi për shumë vite në bankinën e tenorëve të korit të filarmonisë së Shtëpisë së Kulturës.
Ai ishte anëtar i Formacionit të Folklorit të Malësisë dhe pjesëmarrës në Ansamblet Folklorike në Festivalin e Gjirokastrës.
Profesioni i tij ishte ai i mësuesit të Gjuhës Shqipe, por edhe i mësuesit të muzikës në shkollat e Trush, Melgushë, “7 Nëntori” e “Azem Hajdari”, duke gjallëruar veprimtaritë e tyre artistike me organizimin e grupeve të fëmijëve për pjesëmarrje në aktivitetet muzikore të përvitshme.
Shquhej gjithashtu për humorin e hollë e improvizimin e bejteve, ashtu si gjyshi i tij Haxhi Tahir Kastrati.
Po ashtu Tahir Kastrati la dëshmi konkrete e mendim të vyer në këngën e re qytetare shkodrane si tekstshkrues. Ndër këngët më të spikatura që shkroi janë, “Nusja na ka ardhë” “Lule asht qyteti im”, “Buliera” ,“Vajza ime lule në Maj” .
Në një nga tekstet e tij ai shkruan: “Jeta në Shkodër bëhet shumë më e bukur më një këngë të re, pa këngën s’ka lezet asgjë”

Ref. Libri “Bylbyla të shastisun” Xhemal S. Uruçi/ Tahir Kastrati
Sendi Kastrati; Teona Bushati

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.