back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kush nuk flet me emna?! nga Fritz Radovani

Gazeta

Dosjet... nga Arkivi i M.P.B. (foto K. Dervishi)
Dosjet… nga Arkivi i M.P.B. (foto K. Dervishi)

Kush nuk flet me emna?!

nga Fritz Radovani

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Në çdo metër katror… vetëm dosje…!!!”

Besoj, ju kujtohet shprehja popullore: “Më ka çue Nana, me la gojën!”…
Me rasën e shumë të përfolunave “hapje dosjesh”, lexoj artikuj e shumë mendime që jepen për këte veprim që asht një “dëshirë” ma shumë se 24 vjeçare e zhvillimeve demokratike në Shqipni. Më kujtohet mirë kur kam kerkue në mbledhjen e zhvillueme në Komitetin Ekz. K.P. të Rrethit Shkodres, në Shtator të vitit 1991, nga z. Gramoz Pashko, formimin e “Shoqatës së të Përsekutuemëve Politik të Shkodres”, dhe mbas pak ditësh, z. Pashko, erdhi në Shkodër dhe komunikoi kërkesën time, që bana në emnin e BSPSh së Shkodrës. Me komunikimin e Tij, shoqnohej edhe një porosi: “Kini kujdes në zgjedhjen e drejtuesit, që të përfaqsohet nga një figure e pastër!..”. Për këtë figurë kam shkue tek z. Bardh Shiroka, Karlet Luka, ku ishte prezent Dedë Gjomarkaj… dhe mbasi këta nuk u zotuen, kryesisht nga mosbesimi tek e ardhmja, dhe jo nga papastërtia e vet, kemi bisedue me Lin Martinin, për të cilin ishe plotsisht dakord, mbasi kishe edhe një thanje për Te, vite ma parë nga At Pjeter Mëshkalla: “Ndër djelmët shkodranë që kanë vuejtë dënimin në Burrel, Lini asht kenë ma i miri djalë me qëndrimin e Tij”. Dhe Lini u zgjodh Kryetar i Shoqatës. Një ditë pa u kujtue askush, mora vesh se Pjeter Arbnori dhe Ali Kazazi, kishin formue një fraksion tjetër me epitetin “shoqata ‘antikomuniste”…

Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)

Kështu, si gjithkund, “demokratët”, edhe këtu filluene përçamjen…
Në vitin 1992, PD fitoi zgjedhjet, dhe qeverisja kaloi në drejtimin e saj.
Me zgjedhjen e Filip Guraziut kryetar Bashkije i Shkodrës, kam shkue dhe i kam paraqitë edhe një projekt të vizatuem për një Monument të Viktimave të komunizmit në Zallin e Kirit, pikrisht aty, ku janë krye vrasjet ma të shumta. Shoqata bani edhe një njohtim në gazeten “Pishtari” për idenë time në lidhje me Monumentin, dhe mbas pak ditësh u njohtue se nga Amerika kishin dërgue “disa” dollarë ndihmë për ndërtimin e tij.
Deri sot, me sa dij unë, nuk asht ba asnjë veprim në këte drejtim. E hapa këte temë, mbasi “Hapja e Dosjeve” ka me tregue edhe kush i saboton veprimet e Shoqatave të të Persekutuemve Politikë në Shqipni?
– Po, si do të merren vesh këta sabotime?
Kryesisht, veprimet antidemokratike, duhet të publikohen me Emna! Autorët që veprojnë ashtu, duhen publikue haptas dhe PA FRIKË, kush nuk do me shkrue haptas të mbyllin gojën dhe të mos gabojnë me shkrue me sigla, ose njeni apo dikush… Ata që do të vazhdojnë me shkrue me “nënkuptime” ase sigla, nuk kanë nevojë fare me ua hapë dosjet, mbasi ua kanë hapë vetes së vet. Shkrimet me sigla kanë autorë të gjithë “ata”, që “i ka çue e ama, me la gojën…”, deri ndër tavolinat e Kuvendit Popullor apo Presidencë, dhe nuk kanë kurajo me thanë haptas: “Ne nuk jemi për këte vend, mbasi na mungon kryesorja, Pastërtia e figurës së Shtetasit Shqiptar”! Ka ardhë koha me ua thanë haptas: “Pusho, dhe qerou nga ky vend, se ishe dhe mbetesh agjent i Sigurimit të PPSh”!
Hapja e Dosjeve vërtetë asht një pastrim i dëshrueshëm prej shumë vitesh, nga të gjithë ne që endè nuk njohim vrasësit e njerëzve tanë shumë të dashtun, po njëheri asht edhe një qetësi shpirtnore për të gjithë ata që me dekada kanë jetue tue mendue me vete: “Kush ishte gjakbasi i njeriut tim?!”, dhe kjo, asht ma e randsishmja e hapjes së tyne.
Porsa, rifilloi tashti diskutimi i “Hapjes së Dosjeve”, rifilloi njëheri edhe akuza ndaj të burgosunve politikë, që kishte bazë imorale shpifjen! Agjentët e vjetër fillojnë me shpifë kundër mjaftë figurave të Nderueme Atdhetare, madje deri tek i pavdekshmi dhe i panjollosuni asnjëherë, Martiri Prof. Arshi Pipa! Edhe ajo shpifje ka bazën e vet, po aty, ku asht “fabrikue” gjithmonë ma e flliquna mënyrë njollosje ndaj Atyne Figurave!
Sot, lexova, z. Kolec Traboini, botoi emnat e nënshkruesëve për pushkatimin e të Ndjerëve Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Hajri Pashaj, me 24 Maji 1973…
Nënshkruesit ishin: “Haxhi Lleshi, Rita Marko, Myslim Peza, Shefqet Peçi, Bilbil Klosi, Pilo Peristeri, Kahreman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo dhe Spiro Moisiu.”

Të përndjekurit politikë në protestë
Të përndjekurit politikë në protestë

Asnji nga këta emna nuk më çudit. Ishte vendi dhe detyra!
Madje, as edhe ata që do të vijnë ma vonë ndër shkrimet pasuese. Ky dokument u thotë shpifësve haptas dhe “me shkronja të mëdha”, si dikur, “fletë rrufetë”: “Ndaloni pak “vrapin” kur kërkoni me akuzue njerëz të pafajshëm, dhe vështroni me kujdes se deri ku kishte mërrijtë “pushka dhe thika e pabesë” e agjentave të vjeter dhe të rij e komunistëve agjenta: “Me nënshkrue me vra njerëz të Pafajshëm”… Ministri i arsimit Kahreman Ylli, dhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipnisë, Dhimitër Shuteriqi… apo do të shohim shpejtë edhe “dr. prof. e akademikët”, që nuk asht larg mjerisht ajo kohë, bashkë me publikimin atyne që sot predikojnë “demokracinë”…
Po kje se, asht thanë se vërtet do të hapen dosjet, ato duhen hapë pa kushte dhe pa asnji ndryshim nga e vërteta, sado e hidhun kjoftë për ata që i kanë shërbye atij vendi vllavrasës, torturues, shpifës, hakmarrës, shnjerzor, shnderues, kriminal dhe terrorist!
Betimit të Presidentit dhe Figurave të tjera të Shtetit Shqiptar, duhet t’i shtohet se: “Nuk jam kenë as nuk jam agjent i Sigurimit Shtetit komunist, dhe agjent i huej… etj.” Nëse, mbas Betimit vërtetohet e kundërta, ai duhet dënue për tradhëti të naltë!
Unë jam për publikimin e plotë të listave emnore të nëpunësve agjentë, dhe të gjithë atyne që kanë marrë edhe rroga apo dekorata e shpërblime për agjenturë, tue fillue nga viti i parë i themelimit të Sigurimit Shtetit komunist, 21 Prill 1943, dhe me vazhdue me organet e Ndjekjes, brigadat e pushkatimit, hetuesitë, gjykatat, vrasësit e msheftë të organeve të PKSh (PPSh), që mshefeshin nën maskën e Frontit Demokratik… dhe, kur të jenë ba të njohun këto bisha, duhet vazhdue me emnat e viteve pasuese deri në vitin 1992. Atëherë, mund të fillohet me të “dhunuemit” ndër hetuesi apo kampe pune, reparte ushtarake, etj… për me mbrrijtë në vazhdimsinë e tyne deri ndër ditët tona, ku nuk duhet të përjashtohen asnjiherë, datlindja, vendlindja, vendpunimi, koha e saktë e shërbimit, dhe vdekja, për mos me krijue analogji tjera me emnat e vërtetë të agjentëve.
Ata persona që kërkojnë saktësi për shpifsat, vrasësit apo dhunuesit ndaj tyne, duhet me çdo kusht, t’i drejtohen Zyrës përkatëse të Arshivave dhe dokumentave, që asnjëiherë, nuk duhet të jenë në varësinë e institucioneve të njollosuna me ato krime!
Njerzit ma të “pafalshmit” e të msheftit deri sot, janë hartuesit dhe projektuesit e Dosjeve Konsultative, ku projektohej arrestimi, dënimi dhe përfundimi i Viktimave të Pafajshme, për me ushtrue terrorin që kërkonte ideatori terrorist: Enver Hoxha.
Rrugët tjera të çojnë vetëm tek thanja popullore: “Më ka çue nana… me la gojën”!
Melbourne, 2014.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. E kam thënë edhe në një koment tjetër, të mos shpresojmë shumë nga hapja e dosjeve, se dhe nëse hapen,janë si ato kukullat butafori që kanë vetem formë, por brenda jane bosh. Dosjeve ju kanë mbetur vetëm kapakët, mjeshtrat i kanë spastruar më së miri…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.