Kushtim Xhelal Koprenckës së pushkatuar…
nga Avni Delvina
Në grafikë është paraqitur një portret i Xhelal Koprenckës… cigaret e tij…. dhe në pjesën e lartme, pallati i bukur i Presidencës së bashku me dekoratat…
Këtë grafike ja dedikoj dajës tim Xhelal Koprenckës (kushëri i mamasë sime), këtij shqiptari të rrallë, trim dhe liridashës. Një njeri, që gjithë jetën e tij e kaloj nëpër burgje dhe sot që ai mungon, gëzon adhurimin dhe dashurinë e gjithë shokëve të fatit të përbashkët dhe shumë shqiptarëve që e njohin qëndrimin e tij.
Natyrë e veçantë, i paepur, me shumë kulturë, i shkathët, i pamposhtur… Zoti i kishte falur gjithë këto cilësi dhe i përcaktoi fatin, që ai t’i përdorte duke ju kundërvënë diktaturës së proletariatit.
Herën e parë e dënuan me 7 vjet burg, për tentativë arratisje. Ditën kur doli nga burgu e kam si tashti parasysh… u shfaq ashtu elegant, krenar, me kokën lart, i sigurt dhe shpërfillës me ata të lagjes sonë…
Më donte shumë dhe mund të them që isha nipi i tij i preferuar! …Më ka marrë disa herë me vete kur peshkonte në Bunë, dhe si tashti e kam të gjallë në kujtesën time prej fëmijë numrin e peshqëve që kapi… 52 copë.
Më vonë në burgun e Tiranës i kam shkuar disa herë me një tezen tonë të moshuar… Takim me dy palë hekura që na ndanin… tashmë qe i trasformuar nga vitet dhe shumë i dobët, por me sy të ndritshëm, me krenarinë dhe mospërfilljen si gjithmonë…
Isha vetëm 10 vjeç… u trondita shumë dhe ajo ditë ka lënë shenja të pashlyeshme në kujtesën time. Mbaj mend nënën time dhe tezen plakë, që bridhnin nëpër kushërinj për të mbledhur 20 leksha dhe për t’i bërë ndonjë pako dhe duhanin e tij të dashur…
Në burg rrinte ulur dhe nuk çohej asnjëherë në këmbë, kur i vinin për kontroll ata, që më vonë i vranë dhe vetë sipas rradhës, së bashku me fëmijët e tyre, ju prenë gjuhët, apo ata që edhe para pushkatimit thërrisnin përsëri “rroftë…”. Pasi i bëri një letër babait të përjetshëm të kombit në vitin 1979, dhe ku i thoshte copë, se po e çonte Shqipërinë drejt shkatërrimit, vendosën ta pushkatojnë…
Në burgun e Spaçit, gjatë një rreshtimi, doli një përfaqsues i babait të kombit nga Tirana dhe thërriti nga një si podium: Xhelal Koprencka, në emër të popullit je i dënuar me vdekje! …dhe Ai ja ktheu aty për aty: në emër të armiqve të popullit!… u tall me ta kur vajtën t’i vënë prangat…
Një herë ua vinte duart para dhe një herë mbrapa! …e morën me gazin e tyre dhe e çuan në një vend për ta pushkatuar… edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku e ka varrin!!!
Kur e pyetën para se ta qëllonin me revole në koke së cila është fjala e tij e fundit, ai ju tha: “Më jepni një cigare se për të folë kundra jush kam folë si më ka dashur qejfi gjithë jetën!
Ironi e fatit! Prokurorin, i cili e dënoi me vdekje Xhelal Koprenckën në vitin 1979, Presidenca e Republikës së Shqipërisë e dekoron para një viti me një dekoratë të rëndësishme. Shumë debate pati për këtë dekorim si në shtyp dhe nëpër gazeta, etj…
Ne të afërmit e Xhelal Koprenckës në fillim u prekëm, por pastaj në një farë mënyre u bëmë realistë… Ne, disa kushërinj të tij, kemi vendosur së shpejti të krijojmë fondacionin “Xhelal Koprencka”… Ky fondacion midis shumë veprimtarive, do të shpërndajë herë pas here dhe medalje e dekorime… midis tyre do të organizojë dhe një festë madhështore, ku do të kryejë edhe dekorimin e gjithë punonjësve të Presidencës, nga i pari tek i fundit!
Sa për informacion Xhelal Koprencka i pushkatuar, mbante emrin e gjyshit të tij: Xhelal Koprenckës, përfaqësuesit të Skraparit në Vlorë më 28 nëntor 1912…
Firma e Xhelal Koprenckës është e gdhendur përjetësisht në aktin e firmosjes së pamvarësisë me 28 nëntor 1912… Kurse në Presidencë, përkrah dekorimit të Xhelalit të Spaçit si pishtar i demokracisë, gjendet dhe dekorimi i prokurorit që e dënoi me vdekje!… bile bile… ne si fondacion i ardhshëm, po i rrasim dhe prokurorit një dekorim dhe po e mbyllim këtë histori një herë e mirë!
Marrë nga muri i fb. Avni Delvina
Ilir Demalia:
Jozef Radi, kam respekt për faqen tuaj, për punën që bëni për evidentimin e krimeve të komunizmit dhe dishepujve të fjalës lirë ku padyshim, hyn dhe Xhelal Koprencka. Por duhet të jeni të kujdesshëm në atë çfarë botoni! Duke botuar gjëra të paqëna dhe manipulime për simulime postdiktatoriale nga… bëjmë diktaturën qesharake dhe, njerëzit që i rezistuan diktaturës më të egër në lindjen komuniste duke i larguar nga kjo jetë me vrasje për fjalën e lirë të pavlefshme. Kjo histori që lexova këtu dihet dhe nga ata që u dënuan me grupin e Xhelal Koprenckës dhe grupi tjetër Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho etc, por, edhe nga dosja hetimore dhe gjyqsore që gjendet në arkivën e shtetit. Për mos u zgjatur, Koprencka, u arrestua ne oborrin e Spaçit, ku kanë qenë dhjetra të burgosur dëshmitarë.
2. Nuk u mor nga oborri dhe u çua në pushkatim, por në hetusi ku zgjati 5-6 muaj pra, nga nëntor ne maj te 1979, dhe gjyqi i bërë në burg i dha dënimin me vdekje. Ku: fjala tij e fundit është krejt e ndryshme…, dhe siç shkruajta më lart, gjendet në dosjen e gjyqit në arkivën e shtetit dhe jane të gjallë pjestarët e grupit. Është e pamoralshme të bësh mburrje sot me ballimin para vdekjes me jetë e një njeriu që duhet përulemi me emathy për atë që kaloj dhe e larguan nga jeta në mënyrë kriminale, regjimi kriminal me shërbëtorët e tij dhe spiunët e burgjeve dhe birucave që dolën dëshmitarë si ata që i kishin dalë kur ishte në burgun e madh 28 mijë km katror.
Mbetem me respekt.
Jozef Radi:
I nderuar z. Demalia,
sigurisht shkëmbej të njëjtën konsideratë ndaj jush dhe gjithë punës suaj dinjitoze të shtrirë në kohë, dhe mund ta kuptoj fare lehtë e të marr edhe një pjesë përgjegjsie në indinjatën tuaj për disa detaje të shkrimit në fjalë, që mund të ishin të verifikueshme… por toni në adresë sime, “që unë të jem tejet i kujdesshëm”, në gjithçka paraqes, kur shumëkush mund të mbajë përgjegjsi për shkrimet e veta, sinqerisht m’u duk disi i padrejtë. Unë kam paraqitur edhe të tjera shkrime për Xhelal Koprenckën, dhe sigurisht e vlerësoj jetën dhe veprëndhe fundit e tij tragjik… Pikërisht kjo më shtyn ta pasuroj me dëshmi, gjë të cilën shkrimi deridiku në fjalë e mbulon simbas meje… Sa për fjalën e fundit të Koprenckës, shkrimi ka autor, çka nuk figuron në vërejtjen tuaj, aq sa mu krijua përshtypja se “po i bie derës të dëgjojë dritarja…”
Unë përgjegjësi të plotë mbaj për shkrimet e mia, ku është qartësisht shkruar emri dhe mbiemri im… për të tjerat jam fasadë dashamirë (gjë që e kam bërë edhe ndaj jush), por në asnjë mënyrë s’kam lejuar as lejoj të paraqiten shkrime spekullative…
Ju shpreh konsideratë dhe sigurisht vërejtja juaj mbetet në vëmendjen time…
Pjetër Delia
Kur me të drejtë ndoshta… kujtohen e nderohen vdekjet e partizanve që ranë për liri… për atë liri që shqiptarët trashëguan për 50 vjet, pse nuk duhet kujtuar ata që dhanë jetën për Lirinë që Gëzojnë sot të gjithë Shqiptarët… A nuk ju duket se midis dy idealeve është nji diferencë abisale, sinqerisht, besoj se shumica e atyre partizanve luftuan me besimin që të çlirojnë Shqipërinë nga armiqtë e huaj dhe për të ardhmen e lumtur të fëmijve të tyre… Ata të shkretë nuk e njihnin këtë fjalë të re “partizan” që fëmijve të tyre do ju përkthehej në: kooperativa bujqësore, bukë, qumësht, vezë, djathë, e çdo gjë me racion… pa çizme në dimër dhe pa ujë në verë, nuk e dinin që “armikun e popullit” e kishin krijuar me gjakun e tyre të derdhur… nuk e dinin që fëmijët e tyre do të luftonin për 50 vjet fëmijën e komshisë, që për qindra vjet kishte qenë krahu i djathtë i gjyshit e i babës së tij; nuk e dinin që do luftonin fëmijët e atyre që ishte shqiptarë si ai… Zoti Avni e Jozef: Ju falenderoj për punën që po bëni në përkujtimin e këtyre herojve të vërtetë, që e ndienë rrezikun që po e kërcenonte Shqipërinë dhe dhanë jetën për lirinë… që sot jetojmë me vdekjen e tyre, vdiq kultura e vllazëria e kombit shqiptar… Prandaj shkruani pa pushim për ata që vdiqën për nji Shqipëri si sot, e jo për nji Shqipëri të viteve ’45-’90… Falja është kulturë e burrëri… të shkuara e të paharruara… por me falë është gjithmonë burrërore… Me nderime
(Marrë nga muri i fb. 15 dhjetor 2013)