back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ky diell i zemruem maji… cikël poetik nga Viola Doko

Gazeta

Mendueshem...
Mendueshem…

Ky diell i zemruem maji… cikël poetik nga Viola Doko

Shpesh m’duhet më përsëritë fjalë të thanuna, me inkurajue miqtë e mi për ato gëzimet dhe trishtimit e tyne të vogla që më dhurojnë, si të ndanim nji hise të vogël buke, që në të vërtetë s’ngop askënd, por që dëshmon atë mirësinë e shpirtit të atyne që jetojnë ditë të vështira…
Kjo gja më ka ndodh shpesh me Violën, miken time të hershme, miken time të mirë, me të cilën ndajmë shpesh largësi të afërta e afërsi të largëta, përshëndetjesh, kafesh, cigaresh, vargjesh po ma shumë heshtjesh… Viola asht poete në thellësi të shpirtit të saj, por jeta aq shumë ia ka rrahë kët magji të thellësisë së saj, sa ajo shpërfillshëm kët shuplakë na e vërvit gjithë ne tjerëve ndër fytyra… sepse Viola me vargjet e saj si drejtohet askujt veç vetes dhe fatit të saj, po njiherit i drejtohet nji njeriu të vetëm i cili mund të jetë gjithkush prej nesh, po edhe krejt nji pafundësie njerzish, ndoshta edhe krejt kësaj bote, që vazhdon të sillet aq keq me ata që ndjejnë bukur e thellë, dhe sillet aq mirë me ata që janë të paskrupullt e të paftyrë…
Ia mblodha me kujdes krejt këto relike të shpirtit të Violës, të hedhun pa shumë kujdes… dhe po ia rikthej asaj… po edhe gjitha atyne që janë miqtë e saj, e që shpesh e kanë prekë me gishta, me sy dhe me shpirt mirësinë e saj… dhe kambngul që ka ardhë koha që shpirti i saj që derdh pakujdes gulshe të trazueme ndjenjash aq delikate të bahet nji libër, nji libër për të cilin Viola as e ka ça kokën ndonjiherë dhe as do me ia ditë për të…
Ndoshta të gjithë bashkë i kemi thanë shpesh Violës: falemnderit për emocionet që na dhuron prej shpirtit tand të trazuem, po askush s’asht kujtue se ajo asht thellsia e saj e pangushllueshme…
Urimet e mia Violë për kët cikël poezish, titullin e të cilit e mori prej nji vargut tand…
jozef radi, 2 korrik 2014

...tash e ndjej se t'kam pritë kot...
…tash e ndjej se t’kam pritë kot…

Ky diell i zemruem maji… cikël poetik nga Viola Doko

 

***
Si kuçedra e prrallave, koha
përpin vite e vite si e babëzitun,
i zbeh ikonat, i ndrron perenditë
ditët m’i kthen në harresë të venitun.

Si kuçedër
koha vitet m’i përpin…

***
S’desha ndonji yll qiellor
që çdo gja rreth meje
me dritë ta lëmojë,
ty shpirt engjëllor
të kërkoj
te gjunjët e tu,
të vdes,
e të shkoj…

***
Ma zvenite mallin
at mall që larg m’u tret,
u ndjeva e huaj
gjurmat m’ishin burgosë
n’asfaltin e ndotun,
e fytyra të mjerueme
ndesha gjithkah
fajtore e pa faj
u ndjeva para tyne
i ula sytë e shiu
lotët m’i fshiu…

Ti,
si atdheu im
mallin ma zvenit …

n'se vjen ndojherë atje n'vendin tim, do të qeras veç me ditë e dritë...
n’se vjen ndojherë atje n’vendin tim, do të qeras veç me ditë e dritë…

***
Barmen, të lutem nji teke natë
Ah, jo… jo, nji dopjo ma mirë,
ta shoqnoj me yjet e mshehun reve
e me kët hanë që m’thotë herë rri, herë ik.

Jo, s’jam e çmendun o barmen
keqardhje ndjej që ti dremit,
n’se vjen ndojherë atje n’vendin tim,
do të qeras veç me ditë e dritë
e s’do t’pranoj nji qindarkë bakshish.

***  
Sa herë mundohem të largohem,
rend drejt theqafjes, larg,
sa herë…
por koka
ah kjo koka ime mbetet pas,
sa herë deshta të mbetem muranë,
muranë e gurtë rrahun stuhish
të harroj deshta… shumë deshta,
po qenkam… kjo që për dreq jam…

***
Nji natë
veç për nji natë,
tinzisht,
sytë tanë u kapën përdore.

Ike… dhe lumenjtë u lëshuen
vërshuen deteve,
dhe detet njish
me qiell u trazuen.
Nji natë
veç për nji natë
tinzisht…
sytë tanë u puthën,dhe ike…
Ernat
shkyen bravat e ndryshkuna
dhe hynë ku s’ishte askush.

Nji natë
veç për nji natë…
e njeni tjetrin ma s’e gjetëm!

Përhumbshëm…
ndigjoj ende do hapa
parfumi yt n’lëkurën time
më tundon
Mbeta…
midis zjarrit të dëshirës…
në pragun e ferrit mbeta…

Nji natë
veç nji natë ishte…

Tash as hanën, s'e shoh dot me sy...
Tash as hanën, s’e shoh dot me sy…

***
Në don me ardhë po të pres sonte
rreth e m’rreth jam krejt lule ermirë,
hajde, mos me len krejt vetëm
nji fërfëllimë ndiej nën këmishë.

Si e hutueme ndjehem kët mbramje
hajde t’lutem krejt e vetme jam,
kam me të dehë me aroma lulesh
e s’ke me dashtë me ikë kërkah…

***
Kjo verë për ty
m’nxuni me mall
lotët m’i msheh ky shi,
i zemruem dielli në kët maj
të zemruem edhe sytë e mi.

E harrume krejt nën strehë pa strehë
këtu nadjet janë pa qiell,
o ndoshta unë verbue prej mallit
s’po shof kund as qiell as detë.

Për dreq kjo verë
m’nxuni krejt mall.
E gjatë kjo natë, shi bie,
pagjumsia jote flenë n’emnin tim,
e m’kot i saldon cigaret nji mbas nji,
t’më harrosh, ncek mos më kërko
ndër tjera kur puthesh me pasion
buzët e mia janë aty, përvëlojnë,
shtërngimi yt djeg, kur të kthehesh
mallin e penduar mbi lëkurën time
si hi e ka lanë.

***
Mos e lyp shtegun ndër fjaltë e mshehuna
prej syve t’mi ti mos u msheh,
un e di mirë se n’mos me kambë
me shpirt kah un ti je tuj ec.

Si t’hime n’dhe fjaltë e tua
nuk dojnë me dalë, dënue i ke,
ti flet me lutje si me kenë murg
e n’pritje të mëkatit
un lutem si murgeshë.

shkujdesjen e buzëqeshjes time, diellit ia kam borxh...
shkujdesjen e buzëqeshjes time, diellit ia kam borxh…

***
S’ka randësi
ngjyra e kaltër e syve të mi
detit të trazuem janë mbytë,
loti që ia turbullon shikimin
ai ka shumë randësi
mbarsë me trishtimi.

S’ka randësi
shkujdesja e buzëqeshjes time
diellit ia kam borxh,
fytyrës time lanë mbas dore
ia baj veshje e i jap formë.

S’kanë randësi
thinjat ndër flokët e mi
pasqyra çdo ditë m’i shumon,
po sa më shtohen përditë nga ti
nga prapësitë tua… nga malli im
kilometrat me emnin largësi…

***
Mëkat me t’dashtë ty,
tuj e hup vedin n’theqafje
n’padije t’udhës veç tuj ecë,

Mëkat me t’dashtë ty,
tuj u tretë si qiri
kur dita ndër rreze dielli rrëshqet.

Mëkat me t’dashtë ty,
si me hjedhë nji t’mirë n’detë
veç s’ban me thanë se dikur vyen.

Mëkat me t’dashtë ty,
ma mirë vir’gjneshë e gjunjzume
dashnia le t’jesë n’harresë.

Mëkat me t’dashtë ty,
si me prek dreqin me krane
e n’buzë prej puthjes
me t’mbetet ithti i helmit
atherë s’ka ma shlymje,
se bahem pre e t’zezës tande.

Mëkat,
mëkat që po t’due ty!!

Përhumbshëm... endi i ndigjoj do hapa
Përhumbshëm… ende i ndigjoj do hapa

***
Nji penel piktori,
nji tablo me stisë
e dashnisë me ja qendisë.
Nji daltë skulptori,
zemrën t’ma gdhendë në gurë
që t’rrahë fort
e të mos ndalet kurrë.

Fjalën e poetit,
vargjet që shkruaj
t’veshuna me dritë ylberi
nanurimë mbi detë t’valzuar,
puthje mbi pupla pëllumbi
naze me këmishën rozë
dhe përhumbjen e pa ‘emën’
në krevat duke bà pozë.
Dua, oh sa pak dua,
gdhendun jetën e jetueme
s’e dua t’shueme
por t’kujtueme.

***
Demode, si nji relike
si nji relike kohnash antike,
vendosë në dekorin e çveshun
të kohës “moderne”.

Ulun n’nji qoshen time
sy kureshtarë më percjellin,
sy të verbuem deliri
e “madhështie” veshë me flliqsi.

Ironia ime asht mëshira
mëshirë që ndjej
për ata rrëshqanorë të mjerë,
unë relikja e dalë mode!!!

***
Të prita,
tash e ndjej se t’kam pritë kot,
ra prej qielli edhe dielli i ndritun.

Tash as hanën,
s’e shoh dot me sy,
yjet më kqyrin trishtë
e më bajnë shoqni n’heshtje.

Askund s’je
nata e përcolli diellin,
era gjethet lehtas ledhaton
e yjtë lotojnë vesë,

çapitem ndër udhë andrrash
mbi stol lashë sharpën time
sharpën me parfumin tim
që presë ndokënd n’se vjen…

Të prita,
shumë të prita
por kot, krejt kot!!!

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Je e bekuar Violë,
    që zoti të ka paisur me kët dhunti dhe që ke mundësinë të shprehesh në vargje çdo ndjenjë shpirtërore emocionuese, misterioze, magjike dhe unë ndjehem shumë e nderuar që kam pasë mundësinë t’i lexoj vazhdimisht këto poezi. Aq sa magjike janë këto vargje që shkruan, po aq magjik uroj të jetë edhe suksesi i këtij libri me poezi!!
    Përgëzimet e mia!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.