Ky është Turp
nga John Vasili
Për ata që nuk e njohin turpin, ua tregoj unë. Ja, ky është turp!
Të mblidhen pesë a gjashtë zëdhënës burokratë, që i lidh me ne vetëm interesi i qeverive të tyre të korruptuara, të ulen në mes të shtëpisë, e të bëjnë “Trupin Gjykues” për të zgjedhur ata se kush duhet ta marrë drejtimin e një partie politike, dhe të vendosin ata se çfarë drejtimi duhet të marrë, e kujt duhet t’i thonë po e kujt duhet t’i thonë jo, kur duhet të mbyllin gojën e kur duhet të ulin brekët… Ky është turp!
Imagjinoni këtë trupë gjykuese në një sallë gjyqi ku mbahet krahu i atij që puth dorën e tyre ndërsa dënohet ai që nuk i rri varur si bisht nga prapa atyre?! Dhe për më tepër, janë këta që na tregojnë vlerat që duhet të ndjekin edhe gjyqtarët dhe prokurorët e reformës se tyre, meqë janë “investuesit” e asaj reforme, që këta gabimisht ose qëllimisht e trumpetojnë si Drejtësi!
Por kjo nuk është e drejtë.
Nuk e di për ju, por unë si shqiptar ndihem i ofenduar dhe i turpëruar. I ofenduar nga ata, dhe i turpëruar me veten dhe me bashkëkombasit e mi (pa dallim përkatësie partiake).
Si arritëm deri në këte pikë? A nuk ju vjen pak turp edhe ju?!
Më gjeni ju një vend nga fundi i botës, nga fundi i Afrikës apo mesi i Amazonias, mbi tokë ose nën tokë, në majë të malit apo në fund të oqeanit, ku kjo mund të lejohet sot e të pranohet të ndodhë si pa të keq… veçse në Shqipëri.
A ndjeheni krenar ju për këtë?! Se unë nuk ndjehem aspak krenar. Përkundrazi ndjehem i turpëruar, i poshtëruar, i pushtuar dhe i përdhunuar në shtëpinë time.
Por fajin ma kanë të mitë. Ata të pacipë, të pa dinë e iman, të cilëve u besova shtëpinë, por që ma kthyhen në hale publike që vjen era turp, ku mund të vijë të na shurrojë e të na shkërdhejë çdo kalimtar që mban në dorë një flamur dhe një çantë jeshile.
Dhe ky është turp! Turpi i atyre që vetëm turpin nuk e njohin.
Po helbete, janë ata që janë mësuar të dalin në publik edhe pa brekë dhe nuk kanë turp. Prandaj na i kanë zgjedhur. Dhe brekët e tyre na i kanë vënë në mbi kokë.
Turp!
.
Marrë nga Muri i Fb i Elona Casllit, me shënimin, Gurë në stomak… 15 dhjetor 2021
.