back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ky libër – si Monument i Grues Shqiptare përballë Përbindshit Komunist! – nga Arben Borshi

Gazeta

 

Mri Dedja e Merrnaçajve
Mri Dedja e Merrnaçajve

Ky libër – si Monument i Grues Shqiptare

përballë Përbindshit Komunist!

nga Arben Borshi

Mora shkas me ba nji koment për librin e fundit të Jozef Radit: “Mrì Dedja e Merrnaçajve – Zoja e hekurt me shpirt florini”, mbasi e ndigjova si audio-libër. (Kët audio-libër, pata mundësi me e ndigju falë bujarisë të Jozefit)
Libri ndigjohet i tani për 10 orë e 40 minuta. Asht i regjistruem, ashtu si dhe i shkruem në nji gegnishte mjaft të pasun.
Gjaja e parë që vuna roe, asht nji punë kolosale që Jozefi ka ba bashkë me të tjerë që kanë kontribue për këtë vepër të madhe. Nuk asht libri i parë që lexoj prej autorit. Edhe “Njeriu përballë përbindshit” asht po rezultat i nji punë dhe dedikimi të lodhshëm. Konsultim dokumentash me orë e me ditë, hedhja e tyne në faqe, përpunimi, përcaktimi e shumë herë edhe mundimi i deshifrimit të zhgarravinave të injorantëve të sigurimit nëpër dosjet e panumërta, përbajnë në vedvedi nji punë të lodhshme, por edhe të frytshme. Sepse kur ia del me krye nji vepër të tillë, ndjen nji knaqsi të veçantë, ke ndjesinë se ke kry nji “amanet”. Kah ana tjetër, libri ndër fjalë, mos pritni se asht nji pjellë fantazije, siç janë shumica e romaneve. Asgja s’ka t’përbashkët me romanin autobiografik fantazisti të “profesoreshës” të marksizmit, Lea Ypi, edhe pse trajton të njajtën temë pothuej: Lirinë e Individit, ose ajo çka ndodhë kur kjo liri shtypet me gjak!!! Por ndryshimi ma thelbësor, përveç mbrendisë të librit, asht propaganda trumbetuese e bame prej autoriteteve shtetnore “ma të nalta”, për prezantimin e librit marksist të Leas nëpër ambjentet e vilës ku rrnoj e ngordhi diktatori, dhe prezantimit “modest”, por plot dashni që bani Jozefi në ambjentet e mbushura plot për plot me familjare dhe dashamirës të vetë Heroinës, Mrì Dedja e Merrnaçajve – në New York.
Me kët që thashë ma sipër, s’e kam ndër mend të çensuroj as Lean e as ndonji tjetër, edhe për faktin se vetë kam lindë dhe rritë në nji ambjent ku çensura ishte “buka e përditshme”. Jam besnik i thanijes të Evelyn Beatrice Hall: “kundërshtoj mendimin tând, por jap jetën po qe nevoja, që ti të mundesh me e shprehë atë!”
Prandej, tue ia ditë shijen, e mendoj se kushdo ka të drejtë të shprehet në mnyre të lirë për çka mendon.
E ktu duhet hapë nji diskutim moral për sa i takon letersise, asaj letërsije që aq shum iu tremben dhe vazhdojnë me iu trembë korifejtë e realizmit socialist, që ende sot pretendojnë dhe kanë edhe përkrahjen e partisë në shtet, të mbajnë skeptrin e kësaj pjesë të artit të quejtun Letërsi! Harxhohen me qindra e mijra euro për të promovue libra të autorëve që ende, bile edhe ma fort se ma parë, vazhdojnë të mashtrojnë me narrativën e tyne të mbushun me bojnat e errëta të realizmit socialist. Nuk mundem me ndejtë pa përmendë nji frazë të profesorit dhe historianit Francez, Stephane Courtois, te kryevepra e tij dhe e bashkautorëve, “Libri i zi i komunizmit”: “Përfshimja e të gjithë atyne që vullnetarisht iu skllavnuen regjimit, nuk ka kenë dhe nuk asht gjithmonë teorike, abstrakte. Edhe vetëm fakti i përfshimjes apo të ndërmarrjes të nji propagande mashtruese që msheh realitetin, përban gjithmonë nji përfshimje aktive!”
Mendoj se përcaktim ma të saktë se ky nuk mund të gjindet për me i vu emnin e përshtatshëm këtyne individëve: ingranazhet e terrorit dhe krimit komunist!!!
Ajo që sot bjen në sy dhe të preokupon (të paktën mue) asht fakti se libra të ktillë që trajtojnë tragjedinë ma të tmerrshme që njerëzit kanë kalu për nji periudhë gjysëshekullore, lihen në harresë të qëllimshme, ose kur vjen rasti, nji dorë e padukshme në mënyre misterioze e hjek prej listës ku gjinden libra tjerë me autorë dashamirës të regjimit aktual dhe tifoza të regjimit kriminal komunist!
Nëpër panaire të librave mbrenda kufijve, por ma shumë jashtë, ku nevojitet nji investim jo indiferent, ndërhyn “shtetari” dhe kontribuon ekonomikisht, bile siç ndodhi pak kohë ma parë, çoi dy ministresha në Panairin e Librit në Torino, që të vigjilojshin në ndërtimin e pavionit shqiptar, rigorozikisht në formën e nji guri (shkam) të madh të çamë përgjysë, siç e kishte konceptue qeverriu, tue ia përngja “Kronikës në gur” të gurùsë të realizmit socialist! Asnji autor i librave që denoncojnë krimet komuniste. Asnji autor të mbijetuem ferrit komunist. Edhe në listën prej 500 titujve që ministresha e kulturës ka hartue për shkollat shqiptare, deri në universitet, nuk figurojnë autorët e të ashtu emnueme me përçmim prej korifejve të realizmit socialist: letërsia e të dënuemve!! Dhe kjo jo vetëm për autorët që janë në jetë sot, por edhe autorve që nuk jetojnë mâ. E sidomos të autorëve “shkodranë”, ndaj të cilëve aplikohet e njajta politikë e apartheid-it që u trashëgue prej baballarëve kriminelë të Tiranës, veçse tashma nuk mund të përdorin metodat drastike të eliminimit fizik me “varje në konop apo pushkatim”, por përdorin metodat “moderne” të harresës të qëllimshme ose të mospërfshimjes!

Diktatura e Bindjes së Hekurt
Diktatura e Bindjes së Hekurt

Kjo ndodh për dy arsye, simbas meje: e para sepse kurrë nuk u ba nji gjyq edhe vetëm moral kundra bashkëpunëtorëve të regjimit kriminal komunist, dhe e dyta prej frigës se e vërteta historike e hidhun që lexohet nëpër këto libra, do të ndryshojë mendimin e të gjithë atyne që janë të lëkundun në arsyetim, sepse janë të bombarduem me rrena dhe mashtrime!
Ka edhe nji aspekt tjetër shumë të randsishëm: historija! Ashtu siç ndodh zakonisht, historija shkruhet prej fituesve. Në rastin tonë konkret, në praninë e nji terrori të pashoq, historianët që u prostituen vullnetarisht këtij regjimi, banë garë me njeni-tjetrin se kush e shkruen ma “bukur” historinë që t’i pëlqente kryekriminelit e.h. dhe partisë-bandite komuniste.
Por, historija e vërtetë del në dritë nëpërmjet librave, narrativave të asaj periudhë, të shkruem me dokumenta, pikërisht njato dokumenta të vetë sigurimit, ksaj armë terroriste dhe kriminale të partisë komuniste, që Jozefi ka shfletue, por edhe prej tregimit gojor të individëve të mbijetuem holokaustit komunist.
Sot, nji mendje e shëndoshë, asht në gjendje me kuptue se “Dimni i vetmisë të madhe” apo “I Teti në bronz”, ashtu si çdo poemë apo krijim tjetër i autorëve të asaj periudhe (që ende sot s’kërkojnë të falun për bashkëpunimin e zellshëm në krim!!), nuk ishte asgjâ tjetër veçse nji narrative mashtruese, e rremë, me qëllim shplamjen e trunit të turmës “intelektualisht të dobët” që ishte shumica e popullsisë! Dhe ky përban “bashkpunim aktiv në gjenocid”, pikërisht atë që shkruen Stephane Courtois.
Nji pushkë vret 1, 10, 100 apo ma shumë njerëz. Nji “pendë” në dorën e nji autori djallëzor, vret me qindra mija, bile miljona ndërgjegje njerzore! Sepse me të drejtë thuhet se, “letërsia ka për detyrë përmirsimin e ndërgjegjes njerzore”, por kur kjo letërsi përdoret “si artileria ma e tmerrshme e parties” (thanie e Stalinit!), rezultati nuk ka si me kenë ndryshe, veçse krijimi i “njeriut të ri”, nji përbindsh me fytyrë humane!
Ato pak individë që i mbijetuen gjenocidit nazist të hebrejve në L2B, siç asht rasti i Sami Modiano këtu në Itali, thirren nëpër shkolla dhe institute të ndryshme, çdo herë që kujtohet me nderim ndaj viktimave të Shoah-s, për me bashkbisedue me të rijtë dhe si dëshmitar i atij gjenocidi. Kujtesa asht elementi themelor i nji populli, që çdo regjim terrorist kërkon ta eliminojë. Kjo asht e pasqyrueme në mënyrë fantastike te romani distopik i George Orwellit, “1984” ku protagonisti Winston, punonte në nji prej zyrave të shumta të propagandës, ku fshihej e kaluemja e shkrueme nëpër gazeta apo libra, tue e zëvendsue me direktivat që vijshin prej kupolës së “Vllaut të Madh” tue ia ndryshu komplet realitetin. Parulla e “Big Brother-it” ishte: “Kush kontrollon të kaluemen, zotnon të ardhmen: kush zotnon të tashmen kontrollon të kaluemen!” Kjo po ndodh aktualisht në Shqipni, por jo ma si në romanin e Orwell-it apo ashtu siç e përjetuem na, por simbas librit tjetër distopik, të Aldous Huxley: “Bota e Re”, ku teknologjia e të ardhmes ishte ajo që zëvendësonte mjetet “arkaike” të krimit shtetnor.
Në fakt, nëpërmjet teknologjisë të “erës Ford”, bahej e mundun jo vetëm programimi i embrioneve njerzore, por edhe trajtimi i individëve në shplamjen e trunit me anë të ipnopedisë dhe çka asht ma shqetsuese, tue i bashkangjitë ksaj teknologjie përdorimin e detyrueshëm me doza të caktueme të “Soma” nji drogë e tipit të kokainës me përdorim të lirë, që shkaktonte nji gjendje euforike dhe palodhshmërie.
Sallat e Kinemave, ku shpërndahej nji erë haluçinante nëpër karriget, kryente veprën e dehjes të mendjes dhe largimin e mendimeve aksidentale që mund të shfaqeshin papritmas në turmë. Seksi i shfrenuem dhe pa ndjenja i predikuem prej “drejtorëve”, i vente kapak zhdukjes të ndjenjave njerzore, aq të randësishme në krijimin e bërthamës të shoqnisë njerzore: Familjes!
Fatkeqsisht, Huxley e ka parashikue këtë situatë rreth 600 vite në të ardhmen, ndërsa shenjat e padyshimta te ktij parashikimi janë shfaqë shum ma herët se viti 2532, qysh në fillim të viteve 1990, të paktën në vendin tonë ku në 10 vitet e fundit po aplikohet me saktësi “inxhinjeria sociale”!!!
Tash le t’i kthehem pak librit të Jozefit.
Larg mendsh të pretendoj të jem kritik letrar e aq ma pak shkrimtar. Edhe pse, profesioni me t’cilin jetoj, asht krejt i nji fushë tjetër!
Jam thjesht nji njeri që i pëlqen më shfletue ndoj libër, kur gjen kohë.
Në fillim, libri na ban nji panoramë të ambjenteve familjare të protagonistes, zojës Mrì Dedja e Merrnaçajve. E bija e Bajraktarit te Vuklit, Ded Gjonit, t’birit te Gjon Ucit, në Kelmend, që në moshën 5 vjeçe përballet me krimet mostruoze të komunistave: asiston bashkë me t’amën shtatzanë në muaj të tetë dhe familjarët tjerë, e ngrime në djegien e të jatit, i plagosun e me 6 plumba në shtat e i pamujtun me lëvizë, për së gjalli në kullën e tij. Urdhnin për me e djegë Dedë Gjonin të gjallë, partizanët e partisë komuniste nuk e thyen edhe përballë lutjeve t’nji nane: “Ma nxirrni djalin jashtë prej flakve e mandej mund edhe ta vritni e bani çka të doni!!”
Vetëm me e imagjinue kët skenë makabër, tronditesh shpirtnisht e moralisht. Si ka mundësi njeriu me harrue se asht njeri? Si ka mundësi që me torturu nji familje të tanë dhe në praninë e nji vajzë vetëm 5 vjeçe, me i djegë të jatin për s’gjalli? As bisha ma e egër në botë nuk mund ta kryejë nji krim të tillë ndaj të ngjashmit të vet!
Kjo zojë, Mrì Dedja, përballet me t’keqen qysh 5 vjeçe. E keqja do ta ndjekë vazhdimisht këtë grue fisnike, sepse kategorizohet si “familje anmiqsh”! Apartheidi klasor, urrejtja klasore marksiste, do ta shoqnojë deri edhe n’emigracion, në SHBA, ku ksaj here viktimë do t’bahej djali 30 vjeçar i Mrìsë, Nishi, apo Niku!
Asht nji tragjedi, nji dramë e përjetueme realisht: Përballja e Grues me Regjimin! Kam lexue dikur tragjedinë e Sofokliut, “Antigona”, ku motra Antigona përballet me pushtetin e mbretit të Tebës, Kreontit, që urdhnon Poliniçe, vllau i Antigonit, të mos varrosej, por të lehej në qiell të hapt që të masakrohej kufoma prej bishave te pyllit, sepse kishte luftue e mbet i vramë si tradhtar i Tebës. Motra, thyen urdhrin e Kreonti, dhe varros me duert e veta vllaun e vramë në luftë, tue kenë e ndërgjegjshme se po shkonte drejt vdekjes të sigurt, por e bindun se ligjet ose rregullat e moralit, etikës, janë ma t’forta se urdhnat e mbretit. Kto figura janë emblema e fisnikrisë njerzore.

Mri Merrnaçaj - pikture nga Anthony Perdoda
Mri Merrnaçaj – pikture nga Anthony Perdoda

E Mrì Dedja përballet me t’keqen komuniste, pra, me regjimin kriminal qysh 5 vjeçe, nji kohë kur moshatarët e saj gzohen në krahët e prindve. Ajo që verën në këtë libër, asht sasia e konsiderueshme e personazheve, ku secili si në nji mozaik, zen vendin e vet për të na dhanë kornizën e së tanës.
Ikja aventureske në nji natë dhjetori prag feste Kshndellash e të gjithë familjes ku asht martue Mrija, nuk ia lehtëson barrën e jetës. Me karakterin e fortë t’nji Burrneshë Kelmendase, ajo përballet me vështirësitë e pafundme edhe të jetës të nji ekzilanti në dhè të huej. Por asht pikërisht karakteri i pathyeshëm dhe fisnik që e karakterizon dhe besimi në Zot që ma në fund, mbas kaq vuejtjesh e peripecinash, ia del me mbajtë familjen dhe emnin e saj nalt. Kujtesa e ksaj zoje të hekurt, asht e jashtzakonshme. Asht kjo kujtesë, që Jozefi, me aq dedikim ka mujtë me shkrue këtë vepër. Thjeshtësia që karakterizon këtë zojë Kelmendase, të mahnit dhe e çon figurën e saj edhe ma nalt. Mendoj se Mrì Dedja e Merrnaçajve, asht personifikimi i grues, i zojës të Kelmendit, por edhe i shumë grave tjera që vuejten nën terrorin komunist ashtu si Mrìja e edhe ma keq. Ka shumë prej tyne që kanë mbushë gropat masive, të pushkatueme ose të vdekuna në burg. Ka prej tyne që kaluen tanë jetën nëpër kampet-gulage dhe vdiqën prej mundimeve. Ka prej tyne që pa iu ndi zani, kapërdinë vuejtjet e vrasjet e prindëve e vllazënve. Ky libër besoj se asht nji Monument i Grues Shqiptare përballë Përbindshit Komunist! I atyne grave që “nuk u gjinden në krahun e duhun të historisë!!!”
Prandaj, koncepti i “lirisë” asht nji koncept me vlera relative! Lea Ypi ka shkrue librin “E lirë”! Ç’ka kupton me fjalën “e lirë” nji fmi i llastuem që kurë nuk i ka ndeshë kamba ne baltën e fushave apoe shkambinjtë e maleve, që s’ka ra me fjetë me barkun bosh apo veç me shllinë e bukë kallamoqe?
Mungesa e qëllimshme e ballafaqimit të shoqnisë shqiptare me dokumenta dhe libra që trajtojnë këtë temë, asht nji prej shkaqeve të ktij “tranzicioni të pafund” dhe i degradimit moral!!
Nuk më mbetet tjetër gjâ veçse me falnderue mikun dhe autorin e librit, Jozef Radi, me i kujtue miqve dhe dashamirësve se asht e nevojshme me lexue këtë libër, dhe me i urue Zojës Mrì Dedja e Merrnaçajve, edhe pse nuk e njof personalisht, nji jetë të gjatë përtej asaj të shkambijve të Kelmendit!
2 tetor 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.