Laci i lagjes admiron përdhunuesin serial të demokracisë
nga Ardian Ndreca
Monumenti i shehitëve të Erdoganit në Tiranë ka vetëm nji domethanie dhe s’ka të bajnë me “krijimin e kujtesës” për të cilin flet Herodoti, por me zonën e përmjerrun që felini i Azisë së Vogël ka shenjue në Ballkan. Ai memorial ka kuptimin politik të të qenit zorrë qorre, miletbahçe private e nji diktatorit që tashma vetëm Putini i hapë krahët.
Memoriali asht nji monument dhe skaji rrjedh prej latinishtes “monere”, me kujtue! Çka t’i përkujtojnë shqiptarët 15 korrikut turk! Asgja. Ndoshta i vetmi turk që meriton me u kujtue asht Ati i Turqisë moderne, por ai siç dihet i ban hije Erdoganit për shkak të shpirtit laik të politikës së tij.
Pse duhet që ne të marrim pozicion ndërmjet luftës së mbrendshme mes ish shitësit të limonatave të Bosforit dhe predikuesit Gülen! Se mos i zgjidhëm problemet tona ne që të bahemi arbitra në punët e të tjerëve!
Në Tiranën bihude kremtohet në mënyrë transversale pikërisht ajo demokracia e rilindun e Erdoganit për të cilën Europa ia ka mbyllë definitivisht derën. Emnat e atyne të ramëve për ne s’mund të kenë asnji kuptim politik dhe peshë historike. Prania e tyne në Tiranë asht thjeshtë falë lidhjeve personale mes dy kapove dhe jo fryt i miqsisë së ndërsjellë mes dy popujve. Fryt i arbitraritetit maksimal dhe i arrogancës së padurueshme të nji deliranti. Po në qoftë se nesër Rama do të miqsohej me diktatorin e Burundit Nkurunziza, çka do të shpikte, do të vendoste në Tiranë nji memorial për milicët hutu që e mbrojtën prej nji grushti shteti?!
Asht jashtë çdo diskutimi se tek ne nji memorial i tillë asht i pavend siç do të ishte ai i hutuve apo i kujtdo tjetër. Po të kishte këtë ndjeshmëni Rama do të duhej të kishte përkujtue katër të vramët e 21 janarit, të cilët u sakrifikuen për karrigen e tij dhe nuk gjetën drejtësi në zululandin ku mbretnon deliri i nji njeriu që kujton se din gjithçka dhe mundet me ba gjithçka.
Shqipnia nuk asht pronë e jueja që ta poshtnoni dhe ta dhunoni sistematikisht, ju jeni të përkohshëm, madje shpresojmë shumë të përkohshëm dhe ne na vjen turp që politika shqiptare përfaqsohet prej Ramës, Bashës, Kryemadhit, Berishës dhe Metës me rropulli.
Ndër gjithë këta Rama ka nji veçori, i pëlqen shoqnia e të fortëve, e kujton të fortë Erdoganin. Por ish limonataxhia i Bosforit nuk asht siç i pëlqen me u dukë, edhe pse ka krijue nji parajse për miqtë e tij që kanë probleme me pasuni të pajustifikueshme para ligjit.
Ramës i përshtaten disa rreshta me të cilët Teofrasti (nuk hyn ndër autorët e lexuem as prej tij e as prej Erdoganit) portretizon karakterin e “philoponeros”: atij që vdes për me qenë mik i zuzarëve, i të ashtuquejtunve të fortë në politikë e në jetë, i atyne që shkelin ligjin, i hajdutëve dhe mashtruesve, pse kështu i duket vetja i fortë tue mbajtë krahun e tyne. Të ngjashmit gjejnë njeni tjetrin – thotë Teofrasti.
Laci i lagjes admiron përdhunuesin serial të demokracisë, ky asht titulli i memorialit turk. Zakonisht të sëmurëve u shtohet deliri kur u vjen fundi dhe ne atë fund do ta presim pa keqardhje dhe me shumë neveri.
Marre nga muri i fb i Ardian Ndreces, 10 gusht 2019