back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Lahuta në rrezik zhdukjeje Alma Mile (panorama)

Gazeta

Lahuta e Eposit Shqiptar (2012)
Lahuta e Eposit Shqiptar (2012)

Lahuta në rrezik zhdukjeje Alma Mile (panorama)

Në vitin 2012 u hap një ekspozitë me 30 ekzemplarë të rrallë nga ky instrument muzikor. Vëmendja e pakët nga trashëgimtarët e rinj dhe etja e blerësve të huaj po zhdukin veglën muzikore të legjendave shqiptare.

Lahutat e Eposit Shqiptar
Lahutat e Eposit Shqiptar

Dikur, shtëpia pa lahutë quhej “shtëpi e lanun”. Ishte marre për malësorin të mos e kish një pushkë e një lahutë. Me telin e saj rapsodët i kanë kënduar Mujit e Halilit, kreshnikëve me mustaqe të gjata që shtrinin 7 pashë nën dhé bajlozët e zinj me topuzë të rëndë… Koha ka lënë gjurmë mbi to, ashtu si dhe historitë e këngëve dhe trimave që u kanë kënduar. Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore dhe Instituti Shqiptar i Shkencave hapën në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar ekspozitën “Lahuta e Eposit Shqiptar”. Sipas specialistëve, kjo vegël muzikore përfaqëson arketipin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit europian, shpesh e mbiquajtur instrument etnik i shqiptarëve. Në ekspozitën e hapur në MHK, janë paraqitur 30 lahuta unike në llojin e vet. Ato i përkasin kryesisht shek. XIX-XX dhe i përkasin fondit të Muzeut Historik Kombëtar, por edhe koleksioneve private, ai i piktorit të njohur Nikolet Vasia, muzikologut Vaso Tole etj. Çdonjëra prej tyre ka nga një histori. Shumë janë të gdhendura bukur. Në kokat e tyre sheh të gdhendura simbole të njohura që hasen në mitologjinë gojore shqiptare e sidomos në Eposin e Kreshnikëve, të tilla janë Orët e malit, Zanat, gjarpri shërues, kreshniku, dielli, hëna me yjet, por edhe koka e dhisë, e cila ndeshet rëndom te ky instrument. Në një kënd të sallës qëndronte i ulur një rapsod, jo i moshuar, por që ka trashëguar artin e interpretimit me lahutë. Dhe vizitorin që sheh me kureshtje instrumentet, por edhe disa tablo, ku paraqiten elemente të këtij instrumenti, shoqërohen nga tingulli i thatë dhe i veçantë i lahutës. Eposi i Kreshnikëve dhe mjeshtëria e punimit të veglave muzikore tradicionale janë shpallur “Kryevepra të Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare” dhe, sipas specialistëve, tashmë është afati i fundit për ta mbajtur gjallë këtë trashëgimi.

Lahuta - Nji nder veglat ma te vjetra muzikore
Lahuta – Nji ndër veglat ma të vjetra muzikore

Rreziku i zhdukjes së lahutës…

E ndërsa vizitorët shijojnë me ëndje këtë instrument, të trashëguar brez pas brezi, specialistët ngrenë problemin e zhdukjes së këtij instrumenti, i cili sa vjen dhe ndeshet gjithnjë e më rrallë. Sipas specialistit Jaho Brahaj, krahas rëndësisë së veçantë që ka ky instrument, thekson se dy janë faktorët që po çojnë në zhdukjen e këtij instrumenti. “Janë dy faktorë që po e zhdukin nga Shqipëria. Së pari, po tregohet pak vlerësim nga ata që e kanë trashëguar këtë instrument dhe së dyti, blerësit e huaj po tregohen të uritur për ta pasur, për ta blerë këtë instrument muzikor, i cili është unik dhe më i vjetri në llojin e vet në Europë”, thotë Brahaj. Lahuta është një instrument, i cili lidhet ngushtësisht me Eposin Shqiptar dhe, bashkë me mospërdorimin e Eposit, po zhduket edhe vegla muzikore.

Vepra e Fishtës "Lahuta e Malcis"
Vepra e Fishtës “Lahuta e Malcis”

Kjo është edhe arsyeja pse organizatorët realizuan këtë ekspozitë, për të tërhequr vëmendjen ndaj një dukurie që po shmang vazhdimësinë e traditës. Specialistët shprehen të shqetësuar se në rastet e riprodhimit të këtij instrumenti vihen re elemente të reja, jo sipas traditës sonë kombëtare, por të kopjuara nga kultura e huaj. “Synimi i ekspozitës është të tërheqim vëmendjen për njohjen e këtij instrumenti muzikor, më i lashti në Europë, që të përfshihet në koleksionet tona muzeore dhe të institucioneve shtetërore të specializuara për studimin dhe promovimin e saj. Tashmë është faza kohore e fundit që mundet të kryhet kjo nismë. Të nxisim koleksionistët shqiptarë që të koleksionojnë këtë instrument para se të jetë vonë dhe kështu t’i presim rrugën ikjes së kësaj vlere drejt koleksioneve të huaja muzeore dhe private. Të popullarizojmë këtë vlerë trashëgimie kulturore tek opinioni publik dhe në mënyrë të veçantë te rinia dhe nxënësit”, thotë specialisti Brahaj.
(panorama 28 maj 2012)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.