Lajmërim
nga Muci Xhepa
Telefoni filloi të bjerë pandërprerë. Petro Zheji, që ishte pranë tij, e ngriti receptorin ngadalë. Ishte orar pune për të. Po i jepte dorën e fundit një broshure, ku nëpërmjet dialogut me studentin, që në atë rast isha unë, e pajiste me njohuri të mjaftueshme për të lexuar dhe kuptuar veprën madhore, “Shqipja dhe Sanskritishtja”.
-Po, Petro jam!
Personi në anën tjetër u gëzua.
-Këtu kam qenë, – vazhdoi Petro.
Dola jashtë në ballkon, t’i lija vetëm. Folën gjatë.
-Iliri dëshiron të flasë edhe me ty.
Më dha telefonin kordlis. Në anën tjetër, në Haidelberg, Gjermani, ishte Ilir Spahiu. Në shkollë vetëm unë e thërrisja ashtu dhe ai nuk më kundërshtonte. Të tjerët e thërrisnin Kroi, me mbiemrin e nënës tij.
-E di përse nuk të fola muaj me radhë?
Iliri pyeti për diçka, që kishte ndodhur tridhjet vjet të shkuara.
-Them se po. Nuk të erdhi mirë që të fola për babanë.
Ishte fillimi i vitit të parë në universitet. Unë kisha shkuar dy vjet me vonesë, Iliri një. U bëmë miq që ditët e para. Iliri ishte ironik me sistemin, dhe kjo më gëzonte përbrenda. Babai i Ilirit ishte goditur rëndë nga Neroni dhe për pasojë familja ishte copëtuar, kurse e ëma bashkë me Ilirin kishin mundur të mbijetonin nëpërmjet dajos, vëllait të nënës. Ishte ditë me diell. Pasi u ndava me Ilirin pranë muzeut, mora rrugën për te restoranti në kthinën pranë qendrës, te Rruga e Durrësit, ku ushqeheshin ekipet e sportit. Vendosa të ha diçka të pastër për drekë. Në katin e parë ishin dy salla ngrënie të mëdha, në krahun e djathtë të hyrjes hanin sportistët, në të majtin klientë të zakonshëm. Ora po shkonte tre, dhe disa tryeza ishin boshatisur. Unë u ula në rreshtin e mesit nga fillimi. Kisha bërë porosinë, kur në tryezë u afrua një burrë i thyer në moshë, me kostum ngjyrëkafe të dalë boje. Rreth qafës kishte lidhur një shall të trashë. Mbulonte me të një lungë të madhe që arrinte deri te mjekra. U afrua i ndruajtur. Në kokë mbante kasketë gri.
-Mund të ulem? – pyeti me sy të pikëlluar.
E ftova në drejtimin e karriges pranë tij.
-Të kërkoj ndjesë që nuk u ula në tryezën tjetër të pazënë.
Ngriti shallin mbi buzë. Fliste me mundim.
-Nuk më njeh?
Zëri i dridhej dhe i dilte i paqartë.
-Kam disa javë që të ndjek.
Sytë iu mbushën me lot. Dukej se vuante shpirtërisht.
-Jam i sëmurë rëndë. Siç më sheh. Më ka mbërthyer në grykë, – vuri dorën mbi lungën e mbuluar.
-Nuk u mjaftua me shkatërrimin e familjes. Ja, tani edhe fati i zi, kanceri, – u afrua, ruhej mos ta dëgjonin.
-Ti je shoku i djalit tim. Kam pyetur për ty, je njeri i mirë, – zgjati dorën dhe më ra lehtë në krahun e majtë.
-Dua të ofroj një birrë. Djali sot ka ditëlindjen.
Kamerierja solli porosinë time. Ai vazhdonte të më shikonte me sy që luteshin. U ndjeva ngushtë.
-Ju jeni ulur në tryezën timë, birrat do t’i paguaj unë.
Më preku përsëri me dorë; këtë radhë i mallëngjyer.
-Të kam pranë, sikur kam djalin këtu. Më ler të të qeras me një birrë. Për shëndetin e djalit tim. Të lutem!
Pranova. I panjohuri i kërkoi kamerieres t’i sillte shpejt birrat. Ashtu bëri. Me fytyrën jomiqësore ndaj tij, kamerierja shërbeu birrat, sa të hapje e të mbyllje sytë. Dukej sikur donte ta përcillte sa më parë jashtë restorantit.
-Gëzuar, u bëftë njëqind, me fat të mirë në jetë!
Përplasëm gotat, ai vetëm sa e vuri në buzën e mbuluar.
– Të lutem ruaje Ilir Spahiun nga njerëzit e ligj! Ka shumë. Po ta le amanet. Unë ndoshta nuk kam për ta takuar kurrë.
U ngrit. Edhe unë. E përqafova, u tërhoq me kujdes, të më mbronte nga sëmundja. Largohej me hap të ngadaltë; më përshëndeti edhe një herë me dorë te dera, ndërsa dilte jashtë. Iku në dhimbjen pafund njerëzore të ferrit komunist. Nuk e pashë më dhe nuk dëgjova të flitej për të edhe kur ndërroi ngjyrë kuçedra. Të nesërmen u takova me Ilirin. E urova për ditëlindjen. U habit. Kërkoi të dinte se nga kush e kisha mësuar. Fillova t’i tregoj ngjarjen. Ma ndëpreu menjëherë.
-Zëre sikur nuk më ke thënë gjë!
E mirëkuptova. Diçka e rëndë mund t’i kishte ndodhur që kërkonte ta mbante për vete.
-S’të fola, jo prej babait, por sepse më the Enver Hoxha është gangster.
Nuk po e kuptoja mikun tim në telefon. S’dyshoja që ashtu mund t’i kisha thënë, ndoshta edhe më rëndë se aq.
-Për Hoxhën më paske mbajtur mëri? Ç’të shtyu të ndryshosh qëndrim e të bëhesh mik me mua pasandaj? – e pyeta i habitur.
-Njerëz të dajos më sollën lajm. Shoku nuk i ka punët mirë për vete, e le pastaj të dëmtojë ty.
Mbeta i pagojë. Provimet e vështira i përgatisnim te shtëpia e Ilirit. Nëna e tij rrinte zgjuar tërë natën dhe na bënte biskota, që i shoqëronim me çaj. Iliri kishte filluar të shoqërohej me një vajzë të grupit tonë. Iliri ishte serioz, lidhjen e konsideronte të shenjtë dhe ashtu përfundoi. U martuan e vazhdojnë të jetojnë të lumtur bashkë. Iliri shquhej për thëniet e tij të mençura.
-Ilir nuk gjete një vajzë përreth nesh? – e pyeti nëna e tij.
-Kam gjetur nënë, jo përreth, që e mjelin shumë duar, por në mal, që pranon vetëm duart e mia.
Thënia e tij u kthye proverbiale në universitet. Por, disa vajza u xhelozuan, ndërsa një pedagoge u shqetësua. Ajo filloi ta trajtojë jo si të tjerat studenten. Po e rrezikonte ta linte në klasë. Bile në prani të vetë studentes i kishte thënë një kolegeje.
-Ja fshatarja, po t’i vemë notë të mirë, vjen e na zë vendin.
Ishte revoltuar Iliri. Më kërkoi të flisnim me një pedagog të arsyeshëm, që sapo ishte kthyer nga Amerika. Pedagogun Kapllani e ndaluam te shkallët e katit të parë. Me mirësjellje na tha se do ta bisedonte me Dianën. Por, ajo nuk e dëgjoi. Atëherë Iliri mori aktin ekstrem, vendosi ta godasë në publik. Diana Kristo kishte qenë shoqe e afërt me një studente tjetër, Marietën. Nuk i jepte mësim, sepse ajo mësonte gjuhë tjetër, por Diana s’i ndahej dhe ajo lidhje e bënte Dianën më të fortë.
Marieta ishte gruaja e djalit të kryeministrit vendit, Shehut. Kryeministrin e hëngri Neroni. Si shumë të tjerë, i njëjti fat ndoqi edhe Marietën, të cilën e internuan, ndërsa djalin e kryeministrit e burgosën. Diana që sipas rregullit të kohës duhej të pësonte goditje, nuk i hyri gjemb në këmbë. Iliri thoshte se mund të kishte lidhje të tjera, më të forta sesa ato me kryeministrin e vrarë me dy plumba në gjoks. Në Nju-Jork një ish-oficer i lartë i Neronit kishte deklaruar, se kishte qenë i pranishëm kur e tërhiqnin kryeministrin e vrarë jashtë nga zyra e Neronit.
-I kërciste koka si poçe nëpër shkallë.
Herët në mëngjes, te hyrja e fakultetit, Iliri vari një fletë të madhe, “Lajmërim”. Me të cilin i bënte thirrje studentëve të ruheshin nga pedagogia Diana Kristo. Iliri e kishte hartuar në formë lajmi gazete. Studentët shtyheshin ta lexonin. Ai kishte rreshtuar fakte që studentët i dinin, përjetuar ose pësuar vetë. Guximi i Ilirit ishte përtej heroikes. Dashuria për Mynin nuk njihte kufij.
Në orën e dytë të mësimit e hoqën. Filluan presionin ndaj Ilirit. Nisën t’i bëjnë hetuesi. Kërkonin të mësonin se cila dorë fshihej pas tij. Iliri thoshte të vërtetën. Pas tij nuk fshihej njeri tjetër veç vetes. Dianës edhe këtë radhë nuk i hyri gjemb në këmbë. Iliri besonte se ajo kishte lidhje të forta me sigurimin. Si rrufeja në qiell të pastër, zemërimi i Dianës ra mbi mua, shokun e Ilirit. Në provimin e fundit Diana, ulur pranë Hamlet Bezhanit, diçka i tha për mua kur po afrohesha në tryezën përballë tyre. Hamleti me zë, që ta dëgjoja edhe unë, i tha:
-Ky ka probleme më të mëdha sesa nota. – Dhe, pa iu dridhur qerpikët të dyve mirë që nuk më lanë në klasë.
Uashington. Një delegacion i nivelit të lartë nga Shqipëria merr pjesë në takime të rëndësishme me agjenci të sigurisë kombëtare amerikane. Përkthyese nga pala amerikane është Diana Kristo, me top “Security clearance”.
Të ketë qenë Neroni agjent amerikan?
.
Shkëputur nga libri me tregime “Në sirtar” i autorit Muç Xhepa.
.
Marrë nga Muri i fb i Muçi Xhepës me 3 korrik 2020