back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Lame Fandi ose humanizmi i madh në një libër të “vogël” – parathënia e librit nga Jozef Radi

Gazeta

Harallamb Fandi - Pranverë brenda vjeshtës - Tregime
Harallamb Fandi – Pranverë brenda vjeshtës – Tregime

Lame Fandi ose humanizmi i madh në një libër të “vogël”

parathënia e librit nga Jozef Radi

Harallamb Fandi, sjell së fundi librin me tregime: “Pranverë brenda vjeshtës” ku, edhe pse në kufijtë e të tetëdhjetave, rrëfen me një frymë rinore mahnitëse, duke na dëshmuar sa e fortë ka mbetur brenda tij lidhja shpirtërore me artin dhe letërsinë në veçanti.
Përmes kësaj vepre, (uroj të sjellë të tjera), ose më saktë përmes 14 tregimeve të këtij libri, ai na dëshmon se përmasat e mëdha humane gjenden shpesh edhe në ngjarjet më të zakonshme të jetës, edhe te personazhet më të pazhurmshëm, duke lënë kështu dëshmitë e një dashurie, e cila në shpirtin e tij ka zgjatur një jetë.
Ndonëse ka ushtruar profesione të ndryshme nga ai i letërsisë apo pikturës, duket se shpirti i Lame Fandit ka qenë përplot me pengje të artit, të cilat ai asnjëherë nuk i lejoi të mbeten thjesht pengje. Me talentin prej shkrimtari i shndërroi ato në zanafilla subjektesh letrare e artistike në një betejë të pafundme të mosbraktisjejes së krijimtarisë së vet. Trupin dhe mendjen ai e mbajti te profesioni, të cilit iu përkushtua si misionar i vërtetë i “Urdhërit të Farmacistit”, ndërsa shpirtin e la të jetonte te arti: te piktura, proza poetike, kritika eseistike, përkthimi e së fundi edhe ky vëllim me tregimet e tij.
Libri që vjen sot për lexuesit titullohet: “Pranverë brenda vjeshtës”, një simbolikë reflektuese, ndoshta e lidhur kjo fort me natyrën o me gjendjet e tij shpirtërore. Po jo rrallë mendja të shkon edhe te diçka tjetër: mos ndoshta njeriu dhe natyra, në sinkron, kanë gjetur te Lame Fandi atë të mesmen e artë për krijime kaq të ndjera?! Kushedi. E pse të mos jetë e vërtetë?! “Suita e udhëtimit të largët”, ku muzika shoqëron “në heshtje” tregimin tepër tërheqës i përgjigjet për mrekulli dhe pa sforcim kësaj pyetjeje. Kur ma solli librin në fazën përfundimtare, atë të botimit, autori më tha thjesht: “Hidhja edhe ti një sy këtij libri, para se të mbrrijë te lexuesit!” Ndërkaq, unë ndjeva atë kënaqësinë e besimit e të qënit ndër të parët që e kishin në duar!

Harallamb Fandi - Pranverë brenda vjeshtës - Tregime
Harallamb Fandi – Pranverë brenda vjeshtës – Tregime

Edhe pse disa prej tregimeve të librit i kisha lexuar prej kohësh, bile ndonjë edhe e kisha botuar në faqen time të ëebit, duke e përgëzuar sinqerisht qysh herët për kënaqësinë e madhe që kisha marrë prej leximit të tyre… sot, ndërsa mbyllja faqen e fundit të librit, ndjeva që profesor Lamja duhet përgëzuar nga thellësia e shpirtit për sjelljen me mjeshtëri artistike të dashurisë ndaj njeriut dhe mjaft vlera të tjera, sepse nëpër faqet e librit takova një galeri personazhesh të gdhendura me ngrohtësi dhe udhëtova nëpër ngjarjesh ku shihet krejt pastër e vërteta. Këto dhe shumë arsye të tjera ma bënë të dashur këtë libër. Edhe pse mund të thuhet se “Pranverë brenda vjeshtës” ka edhe nota biografike apo autobiografike, autori s’e ka lejuar veten të mbetet thjesht në to, përkundrazi. Ai i merr e i fut ngjarjet dhe personazhet në shtigjet e duhur për në rrugë të gjera për t’i çuar në atmosferën me frymën e thellë të jetës dhe të kohës, duke na bërë njëherësh me ta edhe ne pjestarë të relievit me dritë të botës së tij shpirtërore.
Një pjesë e tregimeve të Harallamb Fandit është e lidhur me periudhën e diktaturës, ku secili prej nesh ka përvojat e veta, dikush negative, dikush pozitive e dikush që e ndjente të keqen dhe përpiqej ta shmangte. Këto të lidhura te secili me pozitën shoqërore ku të vendoste Partia në atë kohë të vështirë. Autori nuk valvit flamurin e ndonjë përndjekjeje, as të ndonjë devotshmërie “artistike” ndaj pushtetit. Trau i së keqes vërtet nuk ra mbi të, po duket qartë se ai ka qenë dhe mbeti i papajtueshëm me diktaturat. Mund të thuhet pa dyshim që tregimi “Biçikleta” është modeli se si ai e trajton njeriun e pafajshëm dhe të ndershëm, përballë makinës vrastare të pushtetit, duke e monumentalizuar me thjeshtësi personazhin e tij fjalëpaktë. Fandi rrëfen shtruar, me një gjuhë të mëndafshtë e dinamike, plot pasion e sinqeritet në të vërtetat e përjetuara prej tij në atë kohë. Ai na e dëshmon me besnikëri se sa e vështirë ishte ruajtja e dinjitetit dhe se çfarë mund të bëhej mirë edhe brenda asaj së keqeje të madhe, për të mos e lënë dinjitetin njerëzor dhe vlerat e spikatura të një shoqërie të zbresin në shkallët me të ulta të saj… Kjo përbën simbas leximit tim, esencën në pak rreshta të asaj që mund të quhet shpirti letrar i Harallamb Fandit, i depozituar përgjat një jete, ditë për ditë, si ajo pika e nektarit të luleve që e solli këtë libër, e që për jo pak njerëz besoj të jetë një Bibëlz humanizmi!
Në mbyllje të këtyre pak rreshtave reflektivë, uroj që vepra që keni në duar të mos jetë libri i fundit i Lame Fandit, sepse mbetem i bindur që përvoja e tij, mbas këtij botimi, do të jetë më e madhe dhe shpirti i tij i dritës dhe humanizmit, me siguri më i thellë…
jozef radi, 29 qershor 2022

Harallamb Fandi
Harallamb (Lame) Fandi

Harallamb Fandi – (Lame Fandi)

Lindi në Vlorë, më 5 shtator 1942. Mbaron gjimnazin “Ali Demi” “shkëlqyeshëm” e po kështu edhe studimet për farmaci në USHT. Ka punuar si farmacist, si drejtues, si mësues dhe si pedagog i shumë brezave. Ka shkruar tekste mësimore dhe botoi librin: “Si të përdoren barnat në shtëpi”, i pari i këtij lloji në vend. Ka qënë kryeredaktor i revistës “Farmacisti” dhe ka “Mirënjohjen e Urdhërit të Farmacistëve”. Njëherësh me studimet universitare ndjek edhe liceun artistik “J. Misja” për pikturë, nga e cila s’u shkëput asnjëherë, madje kreu edhe studimet pasuniversitare për “Kritik arti” në Akademinë e Arteve.
Në moshë të re ka shkruar e botuar esé dhe tregime, një prej të cilave fitoi edhe çmim vjetor të gazetës “Drita”. Ka shkruar katër drama të shfaqura në teatrot profesioniste të Vlorës, Shkodrës e Korçës. Drama “Fotografitë me flamur” u shfaq për 10 vite rresht në RTSH, e klasifikuar ndër dy dramat më të suksesshme për fëmijë përgjat 25 vjetëve. Si veprimtar i dalluar në fushën e kulturës dhe arteve drejtoi me sukses Pallatin e Kulturës në Vlorë. Për shkaqe shëndetësore, prej vitesh banon në Itali, megjithatë, veprimtarinë letrare e artistike e ka vazhduar me ngulm, duke publikuar artikuj kritikë, esé si dhe librin “E kam ende midis buzëve”, me shqipërime poezish të 50 poetëve nga bota, midis të cilëve disa nobelistë. Libri me tregime “Pranverë brenda vjeshtës” vjen si plotësim i një dëshire të madhe e të hershme të tij.

Në kopertine “Vajza mes luleve” vepër e piktorit Juri Krotov.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.