back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Lame Kodra dhe “Bota e Re” nga Luan Çipi

Gazeta

Sejfulla Malëshova (1900-1971)
Sejfulla Malëshova (Lame Kodra) (1900-1971)

Lame Kodra dhe “Bota e Re”

nga Luan Çipi

E kam pasur që nga fëmijëria “merak” Lame Kodrën, qysh në vitet e para “pas çlirimit”, kur babai im, ardhur nga Amerika me ide “Fanoliste”, më dhuroi “Artikuj dhe Ligjërata’’ një libër me shkrime të tij politike. Unë, i dhënë pas poezisë së bukur bektashiane, thuajse i kisha mësuar përmendësh vargjet e tij muzikale e gjurmëlënëse, që më pas u bënë model imitimi dhe deklamimi.
Ruaj, prej atyre viteve, çdo gjë që lidhet me “të famshmin” Sejfulla Malshova dhe midis tyre një seri të revistave “Bota e Re”, që në numrin e saj të parë në Korrik të vitit 1945, vetëm pak muaj pas “çlirimit” niste me një shkrim të gjatë të Lame Kodrës me titull “Roli i Kulturës në Shqipërinë e Sotme”.
E lexoj tani jetën dhe veprimtarinë letrare e politike të “Lame Kodrës” në Wikipedia e gjetiu dhe sërish mrekullohem: Personi i vërtetë, që fshihej pas pseudonimit letrar, Sejfulla Malëshova, lindi në një familje të madhe në Malëshovë të Këlcyres në 2 Mars 1900 dhe vdiq e u varros i vetmuar në qytetin e Fierit, më 9 Qershor 1971. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, kurse studimet e mesme i kreu në Itali në kolegjin e Shën Dimitri Korone, atje ku dikur kishte studiuar edhe De Rada e më pas Luigj Gurakuqi dhe atdhetarë të tjerë të shquar. Gjatë kësaj kohe, së bashku me mikun e tij Odhise Paskali, botoi revistën “Studenti Shqiptar”, në të cilën hodhi edhe vjershat e tij të para. Më pas, studiojë mjekësi në Romë, dhe botoi në vitin 1923, poemën e tij të parë me pseudonimin “Kostandini”.
Kthehet në atdhe një vit më vonë kur dhe u bë për gjashtë muaj Sekretar i Kabinetit të Kryeministrit Fan Noli. Pas dështimit të “Revolucionit të Qershorit” do të emigrojë dhe në vitin 1926, fillon studimet në Universitetin “Lomonosov” të Moskës për filozofi, që i përfundon në vitin 1930. Pas një debati e grindje në një organizatë të partisë komuniste të BS, ku bënte pjesë, e largojnë nga Moska dhe për tre vjet punon në një uzinë në Kaukaz. Në vitin 1933, rehabilitohet dhe emërohet pedagog dhe tepër i suksesshëm, arrin deri dekan i Fakultetit të Filozofisë në Universitetin Lomonosov. Në vitin 1932, u martua me një moskovite, me të cilën u nda pas tre muajsh për arsye divergjencash aq të egra, sa vendosi përfundimisht, të mos martohej asnjëherë.

Antizogistet Maleshova, Fundo, Zavalani, Shpuza , Kellici
Emigrante antizogiste: Maleshova, Fundo, Zavalani, Shpuza , Kellici

Në vitin 1934, pranohet në “Komintern” dhe më 1941, i ngarkuar me detyra të posaçme, vjen në Shqipëri, ku bëhet pjesë e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.
Pas çlirimit, në vitin 1946, caktohet Ministër i Arsimit dhe Kulturës në Qeverinë e Enver Hoxhës. Ndërkohe që qysh në vitin 1945 zgjidhet Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, kryetari i parë i kësaj organizate të vetme letrare. Po këtë vit do të botohet edhe vëllimi i tij poetik “Vjersha” me pseudonimin letrar Lame Kodra.
Në vitin 1946, për divergjenca të papajtueshme që kishte me Enver Hoxhën në fushat e ekonomisë, kulturës dhe drejtimit të partisë, po dhe si një rival e konkurrent potencial, përjashtohet nga partia dhe shkarkohet nga të gjitha funksionet. Kështu, poeti i njohur, intelektuali i dërguar nga Kominterni për përhapjen e ideve revulicionare në Shqipëri dhe njeriu më i përgatitur teorikisht për Marksizëm-Lenizmin dhe për midis komunistëve të kohës, më i arsimuari i Shqipërisë, internohet në Fier, ku jeton për 24 vjet, duke punuar si magazinier i thjeshtë në Ndërmarrjen e Grumbullimit.
Pas një jetë të vetmuar, në 9 Qershor 1971, Sejfulla Maleshova u nda nga jeta dhe u varros në varrezat e vjetra të qytetit të Fierit. Në vitin 1993, një grup intelektualesh u kujdesen për rivarrimin dhe për të realizuar ceremoninë e munguar, për Fanolistin e thekur, për revolucionarin e shquar demokrat dhe komunist, për përkthyesin e Internacionales, Getes dhe Nekrasovit, apo poetin rebel, siç i pëlqente ta quante veten.

Lame Kodra - "Vjersha" -1945
Lame Kodra – “Vjersha” -1945

Revista “Bota e Re” e Korrikut 1945, botuar në Tiranë, (që u bë shkak për këtë shkrim dhe që me këtë rast meriton dy fjalë) kishte në redaksinë e saj Shefqet Musarajin, Zihni Sakon, Aleks Budën, Mitrush Kutelin, Andrea Xegën, Selaudin Toton, Andrea Varfin, Nexhat Hakiun dhe Jusuf Alibalin. Me një numër të madh faqesh (mbi 60) në numrat e parë të saj, kanë shkruar veç Lame Kodrës dhe anëtarëve të redaksisë edhe Manol Konomi, Dhimitër Shuteriqi, Ymer Dishnica, Nonda Bulka, Gjikë Kuqali, Timo Dilo, Kostaq Cipo, Gjergj Ashta, Vehbi Bala, Arshi Pipa, Risto Siliqi, dr. Gjergj Fishta, etj.
Revista letrare “Bota e Re” në Tiranën e sapo çliruar, nisi të botohet kur Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë ishte zgjedhur Sejfula Malëshova dhe vazhdoi edhe kur ai u bë Ministër Kulture, në Qeverinë e Enver Hoxhës.

Sejfulla Malëshova Ministër
Sejfulla Malëshova Ministër i Kultures

Siç shkruhet në pjesën hyrëse redaktoriale (Fillimi): “Emni vet i kësaj reviste asht një program, një zotim. Lidhjet imediate i ka me tradita progresive të revistës korçare: “Bota e Re”. Revista jonë… i ka ngarkuar vetes: me u ba pasqyrë e zhvillimit kultural nër ne, në këtë periudhë veçanërisht të rëndësishme të jetës sonë kombëtare… rreth saj do të mbështillen forcat e shndoshta e progresive të kulturës shqiptare… do të krijojnë platformën e re të demokracisë…mendimi shqiptar do të jetë një forcë reale përparimi dhe revista jonë një shesh ku të zhvillohet lirisht kjo forcë. “Bota e Re” don të jetë vazhdimi i traditave pozitive e progresive… të Rilindjes… do përkrahë sidomos talentet e reja dhe… me ba ndërtimin e ri mendor… dhe kjo arrihet me bashkimin e përkrahjen e të gjitha energjive mendore që duan sinqerisht lirinë dhe përparimin…”
I lexon me radhë numrat e parë të kësaj reviste të bukur letrare dhe thua se nuk po jeton në periudhën e egërsisë komuniste të Shqipërisë, sepse atje shkruhet dhe ëndërrohet për liri, barazi e demokraci, për prosperitet e shqiptari. Dhe shpejt, sapo lexon numrat e parë, e ndjen se këtu fryn era dhe mendimi i Lame Kodrës, me tendenca liberale e perëndimore zhvillimi. Shpejt e kupton se ai edhe pse zë përparimtar i vetmuar, po bëhej pengesë dhe kundërvënie për diktaturën komuniste dhe kjo shpjegon pse komunistët e Enver Hoxhës, e hoqën Sejfulla Maleshovën shpejt dhe dhunshëm nga skena politike e drejtuese, drejt izolimit dhe asgjësimit përfundimtar.
Tiranë, më 15.04.2015
marre nga: http://gazetadielli.com/lame-kodra-dhe-bota-e-re 15 prill, 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.