back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

L’amore piu forte del mondo… tregim nga Gjergj Jozef Kola

Gazeta

Napoli - Pamje nga San Martino
Napoli – Pamje nga San Martino

L’amore piu forte del mondo…

tregim nga Gjergj Jozef Kola

Të gjitha varzave e grave,
zojusheve dhe zojave,
që ndoqën dashuninë e tyne
deri në fundin e botës – ja kushtoj.
 
Kjo ngjarje e vërtetë dhe e pabesushme asht e shkrueme në stilin e pemëve, të cilat në mrendësi të tyne e shënojnë kohën me anë të rrathëve. Prandaj mënyra se si e kallxojmë nji historie asht shpesh ma e randsishme se historia vetë.
Ai ishte në mbrojte të diplomës së arkitekturës, ndërsa ajo sapo kishte nisë studimin e arkitekturës kur u njoftën, në pranverën e vitit 1942. Ishte nji dashuni me shikimin e parë, njashtu siç bjen hana e plotë mbi gjiun e Napolit dhe të jep përshtypjen se nuk ka me ikë kurrë ma.
Në muejin që ai mori diplomën e arkitektit, ata vunë kunorë në kishën e “Shën Markut” dhe thirrën tanë kushërijtë e kojshitë në dasëm.
“Regjinela, Regjinela!” thirrte Napoli unison dhe këndonte kangën e famshme me të njëjtën emën sikur kjo kangë të ishte emblema e jetës së saj.
“Tu mi hai voluto bene a me…”
Regjinela që po martohej me nji arkitekt nga Skutari matane detit, 20 vjeçe krenohej me studentin e dashunisë së saj të parë e të madhe, tash që ai po bahej burri i jetës së saj.
Kurrë nuk do ta mendonte se pikërisht shkolla e naltë që ai mbaroi në qytetin e saj do të kthehej në ndëshkimin ma të madh të jetës së tij dhe të sajën.
“Sikur ta kisha dijtë, nuk të kisha lanë kurrë me e mbarue shkollën e ma mirë të kishe mbetë pastiçier, si unë dhe familja ime!” – i thotë tash që shkon dhe e takon në burgun mes maleve.
Në Shkodër, çifti i ri erdhi në vitin 1943, e po atë vjeshtë që makineria fashiste kapitulloi dhe në vend te saj erdhi ajo naziste. E para kishte ardhë me dëshirën me ndejë, ndërsa e dyta ishte vetëm në kalim. Kur ata të dy kalonin nëpër “Rrugën e madhe” të Shkodrës nga dy anët hapeshin dritaret dhe njerëzit i kqyrnin për bukuri e mrekulloheshin.
Regjinelës i dukej se ishte ne tëatrin e operas të Napolit dhe dritaret ishin lozhet nga drejtoheshin qindra sy.
Tash që ajo shkon me strajcat në “Burgun e montagne”, siç e quan dygjuhësh, ndeshë prep me qindra sy që e shohin matanë hekurave të kampit dhe nga dritaret takon vështrime të tjera, ku jeta ka mbetë e varun si qira të fikun.
Qytetit, ky çift i lumtun i dashunisë që kishte lanë Italinë me ardhë në atdheun e arkitektit, ia largonte sadopak trishtimin e Luftës së Dytë Botnore, dhe pasigurinë që do të sillte fundi i saj. Marku, arkitekti i talentuem e shembi shpinë e prindve në G’juhadol dhe për 7 muej ndërtoi nji të re, para syve të dashunisë së tij. Elementet napolitane të ndërthurun me ato shkodrane i jepnin pamje të gëzueshme strehës së dashunisë rinore.
Kur shpija dykatëshe mbaroi në vjetin 1944, u lindi edhe djali i parë, Jozefi, që u quejt kështu në kujtim të babës së Regjinelës. Në katedralen “Kisha e Madhe” e pagëzuen nji të djelë shtatorit kur liqeni i Shkodrës asht ende i vokët dhe të duket sikur nji qytet i tanë po pagëzohet në ujë të bekuem.
Ditën kur u mbyll katedralja dhe skulpturat e Idromenos, këtij da Vinci të qytetit u tërhoqën zvarrë me karroca, Regjinela me fëmijët e saj pau mermerin e pagëzimit të përgjakej nga njerëz të pafajshëm dhe e kuptuoi se kishte ardhe nji kohe e pashpirt dhe nji dimension i tmerrshmëm njerzor.
Megjithatë, dashunia e saj nuk pat frikë e ajo vizatoi nji rreth ma të madh mbi rrethin e ngushtë të jetës, siç e kishte mësue gjithnji dashunia.
Ditën që komunistat morën pushtetin, thirrën të gjithë ata që kishin mbarue shkollat ne perëndim. Marku shkoi tanë shpresë me afrue dijet e tija në ndërtimin e nji të ardhme të re dhe demokratike, siç thuhej. Në vend të kësaj ata që u paraqiten aty me diploma të rregullta, u shpallën te gjithë armiq, u mbyllën në makina me partizanë të armatosun deri në dhambë dhe u dërguen ne nji burg të panjoftun, në moçalet e jugut.
“Komunistat që kishin marrë pushtetin, si Hoxha dhe Shehu, kishin qenë studentë në perëndim porse nuk kishin mujtë me mbarue asnji shkollë dhe kështu urrenin për vdekje këdo që kishte mbarue shkollën atje”, flitej nëpër qytet e kjo e skjaronte pak a shumë habinë e Regjinelës.
Për herë te parë mbas nji vjeti Regjinela e takoi të shoqin në kampin e punës si i burgosun. Marku ju lut me lotë ndër sy që ajo te merrte djalin dhe të ikte përgjithmonë në Napoli.
“Në Itali ka ardhë demokracia, ndërsa në Shqipni po instalohet diktatura, nji diktaturë shumë ma gjakatare se fashizmi”, i tha Marku që ishte dënue se kishte mbarue shkollën në Napoli për arkitekturë.
Ajo vetëm i qeshte dhe ai në brengën e tij nuk arrinte me pa se deri ku shtrihej dashunia e Regjinelës nga Napoli dhe sa e fortë ishte kjo dashuni.
“Dashunia e jonë deri këtu e ka pasë të shkrueme e nuk ban me e sfidue jetën ma shumë”, – iu lut Marku, arkitekti që tash projektonte kanale kulluese si i burgosun e për dashuninë nuk kishte mbetë fort vend në jetën e tij.
Regjinela nuk iku aspak, madje ajo ndejti aty nji jave të tanë dhe arriti me marrë nji leje speciale. Si frut i kësaj jave erdhi në dritë Mario, djali i dytë, dhe mori kët emën ne kujtim të nanës së saj në Napoli. Dashunia e Regjinelës kishte ba nji zgjidhje krejt tjetër e të veçantë, para se cilës nuk e kishte ndalue as vendimi i gjykatës së Tiranës që dënonte me 10 vjet heqje lirie arkitektin Mark Kelmendi për “agjitacion e propagandë”.
Katin e parë të shpisë Regjinela e ktheu në nji “Pasticeria”. Çohej nadje herët dhe pjekte fugaçet e para dhe e mbushte lagjen me aromën e Napolit të largët. Për çdo rast që kishin, njerzit porositshin dhe ajo thirrte tanë talentin e pastiçerisë napolitane.
“Dashnia kur don me mbijetue ia hapë gjithmonë rrugën vedit”, – thoshte.
Fëmija i tretë ishte vajzë, Françeska, në kujtim te shën Francesco d’Assisi, ndërsa djali i katërt u quejt Gjenarin ne kujtim të shën Genaros së mrekullive napolitane. Të dy erdhën njeni mbas tjetrit, falë lejeve speciale që ajo kishte marrë nga komandatet e korruptuem me napolona arit.
Në vitin 1956, kur Marku i plotësoi 10 vitet e burgut dhe ato kishin 4 fëmijë, në vend që familja të bashkohej, Markut i dhanë edhe 10 vjet të tjera, “për mosrespektim të rregullave të burgut”, megjithse ai ishte i dashtun dhe i respektuem me të gjithë.
.
Sofia Loren & Vittorio de Sica  - Ciociaria
Sofia Loren & Vittorio de Sica – Ciociaria

.

Sfidën e jetës nën diktaturë, Regjinela e priti me stoicizmin napolitan. I qeshi sy për sy kohës dhe vazhdoi me i vizatue asaj nji rrath të madh dashunije mbi rrathin e ngushtë të urrejtjes.
Në 6 vitet që rrjedhën, dashnia ju fali atyne edhe tre fëmijë të tjerë. Antoni, Luigji dhe Paola panë dritën e jetës. Tash ajo delte në “Rrugën e madhe” të Shkodrës me 7 fëmijët e saj që i ushqente me amëlcinat napolitane sikur të donte ta mbante gjallë qytetin në idhnimin e tij ma të madh.
Fëmija rriteshin dhe nuk mund ta kuptonin se si baba i tyne ishte në burg vetëm pse kishte mbarue shkollën në perëndim, në Napoli të Italisë për arkitekturë, nji qytet nga vinte e ama dhe ata as që e dijshin se si ishte. Ironia e diktaturës thellohej kur atyne nuk ju delte shkolla e naltë, pikërisht pse i jati kishte pasë guximin me e mbarue atë në nji vend kapitalist si Italia.
Regjinela sa vinte dhe mbyllej në vedi si nji shkurre drandofilet që me kohën i rrudhet lëkura e lulet megjithatë i jep prep njilloj të mrekullueshme. Ajo kishte nisë të dridhej sa here që vinte ai gjashtë mujori ku kishte takim special me dashuninë e saj. Tashma e jetonte, njashtu sië e jeton trupi i nji të sëmuri ilaçin qetësues, ishte plotësisht e varun prej dashnisë së tij, që ndodhej në burg, për fajin e vetëm se kishte mbarue shkollën në qytetin e saj.
Regjinela kishte vendosë me e sfidue nji diktaturë të tanë me pasionin e saj si nanë, prandaj lutjeve që i bante shtetit dhe partisë për falje dhe kthim të burrit në shpi, si nanë 7 fëmijësh u shtonte gjithmonë nji ndjesi qytetnimi dhe aspak mëshire.
Para se me mbarue 20 vitet e burgut Marku vdiq në rrethana të pakjarta dhe jo vetëm që nuk ju dhanë nji shpjegim familjes, porse as trupi nuk u kthye, simbas ligjit se nji i dënuem edhe i vdekun i përket burgut.
Regjinela sapo i kishte kapërcye të 40 e vendosi me hjedh velin e zi, të cilin nuk e hoqi deri në fund të jetës së saj. Dashuninë e zemrës e mbushte përditë me fëmijët e saj që ju ngjanin aq shumë Markut, babës që kishin pa vetëm disa çaste kalimtare në jetën e tyne.
Trupi i saj i hollë dhe elegant si i nji sirenë napolitane erdhi dhe u frye nga amëlcinat tue ëlerg edhe lakmitë mashkullore të qytetit.
Kur e pyetshin për Napolin thoshte se Napoli asht nji pikë loti në synin e saj dhe nuk ka me ra kurrë prej aty.
Fëmijët i rriti dygjuhësh, ku italishtja e Dantes dhe shqipja e Fishtës i mbushnin dhomat me jetë të gjallë e ajër të pastër. Ajo vetë fliste nji shkodranshe të lehtë me nji linjë të hollë të akcentit napolitan, gjà qi edhe njerëzit ma të pashpirtë në botë i detyronte të ndaleshin e ta shihnin me amëlci.
Në vitin 1993, me te ardhë demokracia, Papa Vojtila, i pari në historinë e Romës, vizitoi Shkodrën e Regjinela mbushi 70 vjet, prej të cilave 50 i kishte kalue në Shqipni. Po atë vjet ajo dhe fëmijët mbasi paguen nji shumë të mirë komandantave të mbetun gjallë të burgut, morën vesh vendvorrimin, nxorrën eshtnat e Markut dhe i varrosën në Rrmaj, te vorret katolike të Shkodrës.
Tash ajo shkon përditë dhe i vendosë drandofile të freskëta dhe nji fukace të sapopjekun mbi pllakën e mermertë. Me kët gjest sikur don me kallxue se po plotëson ditët që nuk ka mujtë me ja nisë, atje në dhomat e akullta të ferrit.
7 fëmijët e saj tashma gra dhe burra mbi 30 vjeç shkuen në Itali sapo ju dha rasti i parë. Nji mbasdite pranvere ata u ndalën para nji dere napolitane dhe trokitën me ndrojë.
“Kush asht ne derë?” pyeti nji grue rreth të 70 që hapi dritaret ne katin e dytë te rrugicës së ngushtë.
“Jam Jozefi”, ja ktheu i madhi.
“Cili Jozef?” – vazhdoi grueja prej nelt
“Jozefi, djali i Regjineles”, – vazhdoi i madhi.
Nji burrë doli menjiherë në dritare mbas grues dhe lëshoi vikamën:
“Regjinelës së Shqipnisë?!”
Po – ju përgjigjen të shtatë njiherësh.
Ai u ul poshtë me hapë derën, ndërsa gruaja në dritare thirri:
“Madonna di Napule e sucesso un miracolo!”
Të shtatë fëmijët e Regjinelës hynë mrendë dhe kërkuen vetëm me pa shpinë ku nana e tyne kishte kalue 20 vjetët e para të jetës se saj. Burri mikpritës vetëm dridhej dhe i dilnin lot e nuk po kishte forcë me pyetë për motrën e vet.
Ata i thanë se Regjinela asht mirë, porse jeta e ka lodhë, se ajo asht shëndoshë dhe nuk lëviz me shumë dëshirë. Ndërsa pyetjes së dajës se tyne mbi të jatin, të cilin ai e kishte njoftë mirë në vjetët e studimit, i thanë se kishte vdekë me kohë në burgjet e diktaturës dhe ata shumë pak apo aspak kishin pasë mundësinë me e njoftë.
Daja ju kallxoi dhomën e 20 viteve të Regjinelës dhe ju tha se nuk e kishin prekë që ditën kur nuk kishin marrë ma lajme për të, nëse ishte gjallë apo jo. Të shtatë fëmijët e Regjinelës, tashma burra dhe gra, panë dhe prekën me sy çdo gja në at dhomë te vogël që nana e tyne e kishte vizatue për vite me radhë dhe ishte ba me kohën diçka e shejtë për to.
I thanë dajës se për kët dhomë kishin ardhë ma shumë, me njoftë kohën e fëminisë dhe rinisë se nanës së tyne se ata ishin për rrugë te familjet e tyne tashma të shpërndame nëpër mbarë Italinë.
Ndërkohë shpija u mbush me kojshi, pleq dhe plaka që ruenin ende në kujtesë Regjinelën e bukur që kishte ikë dikur para 50 vjetëve me dashuninë e jetës së saj e seicili përpiqej me gjetë në fytyrat e fëmijëve të saj, vajzën e bukur napolitane.
Nji ditë të djelë për “Rrshajet” që Rexhinela i quente Pentecoste, aty nga mjesdita ajo shkoi në katedralen e qytetit të Shkodrës. Mbas meshës për të shoqin, ajo nuk erdhi në shpi dhe kur e kërkuen e gjetën se si ishte mbështete mbi vorr afër fotos së dashunisë së saj dhe zemra i kishte pushue së rrahuni.
E varrosën bashkë me Markun, burrin e vetëm të fatit së saj, që aq pak kishte pasë fatin me e gëzue në jetë. Fëmija erdhën nga Italia vetëm për varrim, ndejën disa ditë mandej ikën menjiherë.
Në vendin ku babën jau mbyllën nji jetë ne burg vetëm se kishte mbarue shkollën në perëndim dhe nanën ja çuen deri në kufijtë e çmendisë, vetëm se ndiqte nji dashuni të madhe, nuk donin me jetue ma.
“Në kët vend”, thojnë ata, “e keqja s’ka me u shkulë kurrë, për pa u djegë deri në rranjë!”
Tash vijnë shumë rradhë, vetëm në përvjetorë, apo paguejnë dikë me ju çue lule në vorreza. Ata janë kthye në vendin e nanës së tyne, në Napoli, ndërsa e ama jeton në vendin e dashunisë së saj, në Shkodër, përjetsisht me dashuninë. Seicili ka zgjedhë me jetue vendin që i kërkon zemra.
.
Kjo asht dashunia e vërtetë
Vetë vdes aty ku lëshon rranjët
ndërsa lulet ja ngarkon erës
me i çue andej nga ka ardhë,
.
Vetëm dashunia e ka aftësinë me i ruejtë të gjitha ngjarjet tona, njashtu siç regjistron pema në rrathët e mbrendshëm, kohën e saj.
Vjenë, 2018.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.