back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Lamtumira e Bejkush Birçes… – nga Adriatik Dosti

Gazeta

Bejkush Birçe (1937-2024)
Bejkush Birçe (1937-2024)
Lamtumira e Bejkush Birçes…
nga Adriatik R. Dosti

Është shuar sot në Tiranë, pranë familjes së tij, në moshën 87 vjeçare, një ndër emrat e shquar e të shumërespektuar të historisë së futbollit shqiptar ndër vite: Bejkush Birçe.
Djaloshi vlonjat i lindur në Bolenë të Vlorës… me një fëmijëri fort të hidhur [i mbetur jetim]… në rininë e tij do të dashurohej tërësisht pas sportit ku nder vite ushtroi boksin, notin, volejbollin, futbollin etj…
Do të ishte selektori dhe trajneri i paharruar kryeqytetas, Xhavit Demneri që do ta afronte së pari Birçen tek të rinjtë e Tiranës… e më pas Bejkushi do të luante edhe për Flamutarin e tij të zemrës, edhe me Partizanin.
Ishte ende shumë i ri kur i ofruan postin e trajnerit të Partizanit ‘71-‘72, ku përgjegjësia ishte tepër e madhe edhe sportive por edhe politike pasi dihej fort mirë se cilët qenë realisht në krye të atij klubi asokohe…
Bejkush Birçe ishte njeri korrekt, serioz, i ndershem, pasionant, i perkushtuar e veçmas dallohej për disiplinën në ekip për të cilën nuk falte e nuk toleronte askënd.
Ata “lart” e donin dhe e respektonin për atë çka bënte në sport, por njëherazi me tipin e karakterin e tij shpesh u mbeste “sharra në gozhdë…” ndaj edhe e luftonin jo pak…
Me Partizanin, të cilin e drejtoi në dy periudha: ‘71-‘72 dhe ‘78-’84, fitoi dy tituj kampionë në ‘79 dhe ’81, si dhe një kupë të Shqipërisë më 80… ndërsa me Dinamon fitoi kampionatin në ’90, dy kupa të Shqipërisë më ‘89 dhe ‘90 si dhe Superkupën po në ‘90…
Të paharruara do të mbeten ndeshjet e mëdha dhe fitoret e bujshme europiane të Partizanit të Birçes ndaj Selltikut, Malmoes, Austrisë së Vjenës… e më pas edhe disa ndeshje të Kombëtares shqiptare drejtuar prej tij…
Në vazhdim e ndër vite Bejkush Birçe ka qenë edhe trajner i Flamurtarit, Lokomotivës dhe Naftëtarit… ku u dallua për gjithçka bëri vërtet mirë për futbollin vlonjat, durrsak e atë kuçovar…

Bejkush Birçe (1937-2024)
Bejkush Birçe (1937-2024)

Në periudha tepër të vështira të futbollit shqiptar Bejkushi ka qenë dy herë edhe trajner i kombëtares së Shqipërisë… ku historitë e atyre viteve sot tingëllojnë krejt të pabesueshme…
Ngaqë e kisha mik të mirë, të hershëm, të sinqertë e familjar… prej gojës së Bejkushit kam mësuar e dëgjuar histori nga më të çuditëshmet ndodhur në futbollin shqiptar ndër vite…
Sidomos periudha ‘90-’94, ka qenë e mbushur me aventura të llojit unikal.
Që nga arrestimi i gjysmës së lojtarëve të kombëtares shqiptare në aeroportin Hithrow të Londrës rrugës-tranzit për në Islandë… arratisja e lojtarëve tanë të Kombëtares në Francë… e më pas tek kthimi në Tiranë… dënimet e rënda e përjashtimi nga futbolli i vetë Birçes, por edhe i shumë lojtarëve të tij… e deri tek Kombëtarja e Shqipërisë që vraponte me çanta në krahë në një stacion treni në Çekosllovaki… për të kapur trenin në orarin e saktë e për të mos humbur ndeshjen në qytetin e Olomoucit…[???]
Në periudhën 1997-2001, Bejkushi ka qenë edhe zv. President i FSHF… ku u shqua serisht për ndershmërinë e karakterin e tij fisnik… si njeri që s’i njihte e s’i donte kurrë pisllëqet e kompromiset në kurriz të dikujt tjetër e padrejtësisht.
Proverbiale mbetet thënia e Bejkushit në një bashkëbisedim me një nga krerët e udhëheqjes së lartë shqiptare të asaj kohe…
Hysni Kapo që po ndiqte një stërvitje të Flamurtarit i thotë Bejkushit: “Mirë po punon… fort mirë mo Bejkush… dhe na ke bërë një ekip vlonjat të shkëlqyer po një portier më të mire se ky që kemi a derëzi si nuk na gjete dot?!”
“Po ç’të bëj unë i ziu, o shoku Hysni, – ju pergjigj Bejkushi, – s’lashë cep pa e bredhur Vlorën qytet e fshat e s’gjeta që s’gjeta dot një portier më të mirë se ky… Dhe a e di pse…?! Se s’ka lab që shtrihet kollaj në tokë, ndaj…!”
Me largimin e Bejkush Birçes nga kjo botë… futbolli shqiptar humb një ndër emrat e shumërespektuar të tij, kontributin e të cilit do ta kujtojë përjetësisht…
Familja humbi njeriun e saj të dashur, të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm…
Unë dhe të gjithë ata që e njohën nga afër Bejkush Birçen humbëm një mik të mirë besnik e fisnik.
Lamtumirë mik… të prehesh në paqe e të qoftë dheu i lehtë Bejkush Birçe.
Faleminderit për gjithçka të mirë që i dhe ndër dekada futbollit shqiptar.

Marrë nga Muri i FB Adriatik R. Dosti, 1 korrik 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.