back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Lamtumira e fundit Tregim nga Lek Pervizi

Gazeta

Lek Pervizi - Autoportret
Lek Pervizi – Autoportret

Lamtumira e fundit

Tregim nga Lek Pervizi

Marrë nga libri i botuar në frëngjisht

“Në Vorbullën e Skëterrës”*

Si çdo ditë, rropama shurdhuese e çangës lajmëronte zgjimin dhe apelin e mëngjesit, racionin e bukës, lugicën e supës taralange dhe nisjen për punë. Ata dilnin nga barakat si milingonat prej galerive të tyne nëntokësore. Racioni i bukës dhe supa vlenin si ushqim deri në kthimin nga puna në mbramje vonë, të rraskapitun nga stërmundimet e gërmimit të kanalit të Lekajt të Kavajës, nji kanal nja 20 metra i gjanë dhe në thellësi deri gjashtë metra, që duhej të shërbente për tharjen e moçaleve kënetore.
Nga poterja metalike e befasishme e çangës, të burgosunit u çuen si të trembun. Zhurma e lëvizjeve mbushte gjithë barakat, e shoqnueme nga sharje e fjalë të ndyta të të burgosunve, ndërsa zbrisnin e dilnin nga skelat ku flinin. Të gjithë ashtu pisa e të leckosun, të dobët e të mërzitun, u vendosën në rresht simbas barakave, para kapterrit që u bante apelin. Nja dhjetë policë u rrinin aty përreth me armët drejtue nga të burgosunit, të gatshëm me hap zjarr po t’u jepej urdhën.
Papritun thirrja e emnave u ndërpre te emni i Gjergj Pjetrit, pse askush nuk ishte përgjigjë…
-Gjergj Pjetri! Gjergj Pjetri… Paraqitu!
Zani i kapterrit u egërsue. Asnjeni nuk lëvizi nga rreshtat.
Kapterri u inatos dhe rojet rrinin gati me përdorë armët. Ai i dha urdhën përgjegjësit të kazermës të shkonte ta kërkonte Gjergjin. Kur u kujtue se në rreshta mungonin edhe disa fytyra të tjera, mbasi kapterri i njihte të gjithë të burgosunit e barakës për të cilën përgjigjej. Ai vendosi me e mbarue apelin dhe pse pa se mungonin edhe katër të burgosun të tjerë. Në barakë nuk kishte kërkush prej tyne. Po kush do kishte guxue të rrinte aty, pa qenë i sëmunë dhe pa dijeninë e tij? U dha alarmi dhe erdhi aty vetë komandanti i kampit me nji grup policësh t’armatosun. Britma, urdhna, kërcënime. Vendi u mbush me oficerë, policë e me kapterrat e tyne. Komandanti, nji burrë trupshkurtë, bërtiste e jepte urdhna si i çmendun.
Të burgosunit morën urdhën të ktheheshin në barakë, dhe mjerë kush lëvizte prej andej. Kurse policët kishin urdhën të përdornin armët dhe të vrsini këdo që guxonte me dalë prej barakës o tregonte shenja revoltimi.
Lajmi i arratisë së pesë mirditorve të barakës numër 3, u përhap si vetëtima ndër barakat e tjera. Emnat e tyne tashma njiheshin: Gjergj Pjetri, Ndue Gjini, Zef Përleka, Gjin Uksani e Gjon Kolziu.
Ata fituen menjiherë nji kunorë lavdie ndër të burgosunit. Me u arratisë nga ai kamp ishte pothuej e pamundshme. Duhej shumë guxim e trimëri me ndërmarrë at ikje dhe aq ma tepër që t’ia dilshe në krye. Ata, ia kishin dalë… pra ishin heroj të vërtetë. Fati u kishte buzëqeshë gjithmonë guximtarve: e kjo ishte nji provë faktike.
Mark Doçi, ish majori ushtrisë, u kthye nga shokët e tij fatkeqë dhe u foli:
-Tashti, miqtë e mij, na prêt ma e keqja… Them se kemi me e pague shumë shtrejtë. Krejt inati i Sigurimit ka me ra mbi ne dhe Genci ka me e pësue ma fort, si biri i Gjeneral Prenk Pervizit dhe mik i tre të arratisunve nga Kurbini: Gjergj Pjetrit, Zef Përleka e Ndue Gjinit. Ndërsa unë, Doda, Luigji e Prenga, si mirditorë, dhe ish oficerë, kemi me i pague randë pasojat e kësaj arratisje.
-Asht vërtet për t’u shqetesue. Nuk na mbetët tjetër veçse me prit kundërmasat dhe me pësue pasojat që kan me ra mbi ne – ndërhyni stoikisht Genci.
Djalë 28 vjeç, Genci ishte nji i ri serioz. Djali i dytë i Prenk Pervizit, i arratisun politik jashtë shtetit, që konsideriohej si anmik numër nji i regjimit komunist. Genci kishte studiue në Itali nga shkolla fillore deri në Shkollën e Aviacionit në Forli. Ai kishte fitue nji edukatë dhe përgatitje shembullore, me perspektiva të mira profesionale e shoqnore. Trup mesatar, por i fortë fizikisht, i dalluem si lojtar në futboll, ku kishte lujtë edhe me skuadrën e Modenës, në kategori të pare. Kapitullimi i Italisë e zuni në Shqipni, ku mbeti dhe ra nën persekutimin e regjimit komunist, që përfshiu gjithë familjen. Persekutim që përfshiu djegien e shtëpive dhe grabitjen e konfiskimin e krejt pasunive dhe pronave, me burgosjen e interrnimin e pjestarëve të familjes. Por ai u arrestue, keqtrajtue, torturue e dënue, për pjesmarrjen dhe ndihmën e dhanë në arratisjen e të jatit në Greqi, më 1946. Për kët ai hangri 10 vjet burg me punë të detyrueshme në kampet e ndryshme, si Maliqi, Vloçishti, Bedeni dhe së fundi aty Lekaj të Kavajës.
Sipas dajës tij, Mark Doçi, Shpata Damokleut varej mbi kokën e Gencit, sepse ai do të vihej në shënjestër të hakmarrjes për ikjen e pesë të burgosunve mirditas.
Të burgosunit mbetën të mbyllun në barakat për disa orë. Pritej grupi i oficerëve të Ministrisë së Brendshme. Ato erdhën në xhipsa drejt nga Tirana nën komandën e nji koloneli, drejtor i përgjithshëm i burgjeve dhe kampeve të internimit, me disa gaze Molotov plot me policë t’armatosun, që u vendosën rreth barakave dhe veçanërisht rreth barakës të të arratisunve.
Mbrenda kapanonit mbretnonte nji atmosferë ankthi e frike. Gjithë të burgosunit ishin të ndërgjegjshëm se hakmarrja e shtetit do të binte mbi Gencin e shokët e tij. Shqiptarët dallohen pikërisht mbi vlerën e familjeve historikisht të randësishme, e Genci përfaqësonte njenën prej tyne.
I ati kishte qenë gjeneral e Ministër i Mbrojtjes. Ai pra, do t’ishte viktima e caktueme mbi të cilin diktatura do të shfrynte egërsinë e saj. Nga ana tjetër, regjimi nuk ia falte organizimin e arratisjes në Greqi të babës tij. Për kët akt ai qe dënue me 10 vjet. Ndërsa në shoqninë shqiptare, ai akt i guximshëm kishte krijue admirim për dashuninë e birit ndaj prindit, besnikërinë, forcën e karakterit, guximin dhe cilësi të tjera morale, për të cilat shqiptarët mbahen krenarë. I ndërgjgjshëm për sa do t’i ndodhte, Genci i kishte lidhun deng plaçkat e veta: nji dyshek sa me thanë i tillë dhe nja dy batanije e nji strajcë me rroba, mbi të cilin i rrinte i ulun stoik dhe i qetë në pritje të masave që do të merreshin ndaj tyne. Sa u hap dera e barakës oficerët e policët u lëshuen mbrenda së qen të tërbuem.
Koloneli, i shoqnuem nga dy oficerë të Sigurimit dhe nji grup policësh hynë midis shtretënve. Kapterri që bante apelin printe përpara dhe thirri:
-Genc Pervizi, merr plaçkat e zbrit menjëherë nga skelja.
Zani i kapterrit, jeshil nga inati, kumboi si nji ulërimë. Kur djali zbriti poshtë u gjet ballë përballë me kolonelin.
-Pa shiko, pa shiko, ti na qenke Genc Pervizi, bir i gjeneralit, të cilin e ke ndihmue me kalue në Greqi… Mos vallë i ke ndihmue edhe miqtë e tu? Bërtiti koloneli krejt i skuqun nga mënia – do ta tregojmë atë që ne iu bajmë njerëzve që organizojnë arratisjet e komplote kundër pushtetit tonë popullor! Merreni e prangoseni këtë armik të popullit!

Prenk Pervizi & Julian Amery
Prenk Pervizi & Julian Amery

Urdhni u zbatue në vend nga policët që ia vunë prangat sa hap e mbyll sytë. Kapterri ngarkoi nji të burgosun që t’ja mbante dengun e plaçkave. Njeni nga oficerët nxori nji copë letër, e thirri me të madhe sa mundi:
-Qetësi! Ata që do të dëgjojnë emnat të marrin plaçkat e të dalin nga baraka.
Ra nji heshtje e madhe. Oficeri nisi me lexue me za të naltë nji listë emnash prej Mirdite e Kurbini. Ishte si nji njoftim për nji fat ogurzi. Mbi fytyrat e zbeta të të burgosunve dallohej tronditja për nji demonstrim të tillë terrori, qe shprehej me zanin e çjerrë dhe kërcënues të atyne kriminelëve me uniformë të oficerëve të Sigurimit. Emnat që u thirrën ngjanin si vargje mortore:
-Mark Doçi, Dode Bardhoku, Luigj Bardhoku, Zef Shkoza, Preng Paçuku, Kol Perlaska, Gjon Perleka, Fran Martini, Bardhok Preçi, Nikoll Perlati, Ded Melyshi, Zef Bajraktari.
Fatkeqët, mbasi iu vuen prangat, u përcollën nga policët deri te nji kamion “Gaz Molotove”, ku i hypën mbi karrocerinë, të lidhun kambë e duer dhe midis tyne, me kokën të futun midis gjujve. Plaçkat ua sollën me të burgosun të tjerë. Hypën disa policë që i mbanin armët të drejtueme mbi ta. Në ato çaste të frikshme atyne u kishte humbë çdo fill mendimi. Truri i tyne tashmë nuk funksiononte. Bosh.
Dielli kishte hyp në zenith, tue lëshue rrezet e tij të përflakshme mbi at copë tokë të caktueme për të burgosunit politikë, që përcëlloheshin nën rrezet e zhegut, tue gërmue atyne kanaleve vigane, me ata trupa skeletikë, të sfilitun, me lëkurë të nxime e të djegun. Dukej sikur edhe dielli tallej në mënyrën vet me njerëzit po edhe natyrën. Si mund t’i prishej bukuria e natyrës me ato kanale të përbindshëm dhe ato kampe pune të detyrueshme, të rrethuem me tela me gjëmba, ku rreshtoheshin disa baraka primitive plot me njerëz të mbuluem me lecka, të zbetë e të shëmtuem?
Kur mbrritën diku. Kamioni u ndal.
-Çohuni! – u thirri nji za kërcënues.
Po si me u çue? Policët i kapën për krahu për t’i ngritë në kambë, dhe pa i zbritë nga makina, u hodhën nga nji batanie mbi kokë. I çuen diku, mbasi i kishin ba me u ngjitë e me zbritë nëpër disa shkallë, e ku ma pas çdonjenin e mbyllën veçmas në nji qeli. Po ku ishin vallë? Ma vonë, Genci arriti me kuptue se i kishin mbyllë në bodrumet e Ministrisë së Brendshme.
Ky ishte fillimi i një tjetër kalvari.

Natën vonë, u shfaqën si fantazma xhelatët. Genci i njofti nja dy: kapiten Petrit Kosovën dhe toger Mitatin, dy katila të pashpirt… terrori i kryeqytetit. Me ta ishin dhe nja dy oficerë të tjerë. Ishin këta që e kishin arrestue dhe toturue pamëshirë pesë vjet ma parë.
-Po ç’surprizë, Genc Pervizi përsëri! Na qënke bërë edhe mjeshtër ne artin e organizimit të arratisjeve! Ajo e babait tënd nuk të paska mjaftuar! Kësaj radhe do ta paguash shtrejtë o mik i dashur! – i zgërdhinë dhëmbët prej bishash…
Dhe historia filloi.
E prangosën me krahë hapun e të kryqëzuem në mur, torturë e shpikun kastile për nji tmerr të tillë. Genci përpiqej ta mendonte se si trupi tij mund t’i përballonte të tilla tortura të tmerrshme.
-Fol! Na thuaj si i ke mësuar të arratisën shokët e tu! Ç’mesazh e ç’direktiva u ke besuar atyre? Ata do të takojnë patjetër prindin tënd, gjeneralin e famshëm dhe miqtë e tij, që kërkojnë të ndërhyjnë ushtarakisht kundra nesh. Fol pra, nëqoftëse do të shpëtosh lëkurën tënde! Përndryshe, nuk mund të imagjinosh se ç’metoda ne do të përdorim për të detyruar që të flasësh. More vesh? – i ulërini Mitati i mbushun gjithë vner.
Genci, megjithëse i sakatuem prej torturës, gjeti forcën me iu përgjigjë:
-Ndigjoni kapitenë, ju me njihni shumë mirë dhe e dini se unë nuk kam me nxjerrë nji fjalë të vetme. Aq ma tepër për njerëz që unë s’i njoh fare e s’kam pasë kurrë punë me ta. Nuk mund të përgjigjem për punët e të tjerëve, aq ma tepër të panjohun. Si paskam mundun me organizue ikjen e të tjerëve pa ikë edhe vetë? Më lini rehat se nuk jam përgjegjës për asgja e për askënd. Më keni dënue nji herë, e nëqoftëse doni me m’dënue përsëri, ja ku me keni!
-Mbylle gojën, armik i popullit! – ulëritë ne kor ata – Këtu, jemi ne që komandojmë dhe ti duhet të na tregosh fill e për pè rreth kësaj ikje. Ti e ke studiuar latinishten mirë: “Vae victis!”, ç’të kujton? Këtë duhet ta mbash mirë ne kokë: Mjerë të mundurit! Dhe ju, të mundur jeni! Ne jemi fitimtarët dhe ne e bëjmë ligjin dhe historinë. Bëju i arsyeshëm nëse do të merremi vesh me të mira si miq.
Mitati dukej ma i qetë dhe kërkonte me ia mbushë mendjen Gencit me tregue prralla, pra, me u ngarkue me faje të pabame kurrë dhe me i implikue edhe shokët e tjerë të burgut, me të cilët e kishin arrestue.
-Kapiten, unë jam nji njeri që s’e mohoj vetvedin. Ne familjen tonë, nderi asht krenari. Ju mund ta torturoni sa të doni trupin tim, por s’mund të ma përkulni kurrë as mendjen e as shpirtin!
Oficerët dolën të nervozuem nga përgjigjet e Gencit. Jashtë, i dhanë urdhën nji kapterri që ta ndrynte në birucën ma te keqe, dhe t’i jepnin dru.
Kështu për Gencin filluen mundime të reja. Policët ia hoqën prangat dhe e tërhoqën zvarrë përkrahësh dhe e hodhën në nji qeli të ngushtë, krejt e betonueme e pa dritare. Ia hodhën dhe plaçkat dhe e mbyllën derën me nji potere menteshash të ndryshkme thue se ishte nji muzikë makabre. Sa kohë do të rrinte i mbyllun aty? Sa totura do të hiqte mbi trupin e tij dhe a do të mund t’i duronte dot? A thue do të dilte i gjallë ndonji ditë prej atij ferri, apo jeta e tij do të merrte fund aty, i harruem? A do të bashkohej nji ditë me të dashtunit e të përqafohej me ta?… dhe befas iu kujtue shtylla midis zhegut, ku e kishin lidhun vitin e kaluem në Vloçisht. Ju kujtue çasti kur kishte thirrë: “O Zot mos më braktis!” – dhe vërtet shpëtoi gjallë atëherë, po tashti ç’do të ndodhte me të? I hapi teshat dhe u shtri mbi at biçim dysheku të leckosun ku e zuni nji gjumë i thellë pa andrra.

Djemtë e Kampit (Gradishtë 1969)
Djemtë e Kampit (Gradishtë 1969) Dine Dine, Viktor Dosti, Genc Pervizi, Genc Bajraktari,Sazan Dine, Naim Staravecka,Tomorr Dine,Tomorr Dosti, Tefik çelo.

Ditët dhe netë sketërrore kalonin pa shpresë. Gati çdo natë, i nështrohej torturave të të ashtuquejtunve hetues, oficerë të Sigurimit. Dhe dy kapitenët: Mitati dhe Skënder Kosova, e takuen përsëri, tue u mundue me e ba me folë, tue i premtue se do t’i ndalonin torturat, po të pranonte faje që nuk kishte ba kurrë. Ata e lanë në dorë të xhahilëve të qelive, kapterrë e policë të “pa din e iman”, të ngarkuem me përdorë torturat ma të randa me ia mbushë mendjen që të bashkëpunonte. Hetuesit vinin herë mbas here me asistue me kënaqësi në ato séanca, si t’ishte fjala për nji shfaqje teatrale, e ku të gjithë ndërhynin me zbatue torturat që aq mjeshtrisht i kishin mësue në shkollat e GPU-së sovjetike.
Nji natë, xhelatët iu vërvitën Gencit me grushta, shqelma deri sa trupi tij u katandis në nji planc dhe krejt i nximë prej goditjeve të shqelmave. I reduktuem për shkalc, sa s’mbrrinte me u mbajtë në kambë, rojet e morën zvarrë dhe e hodhën në birucë si nji thes leckash, e ku eshtnat e tij të dërmueme kërcitën mbi betonin e dyshemesë.
-Aty të ngordhësh, qen bir qeni! – çirresh kapterr Suloja, që kishte shoqnue policët. Kur doli, nga inati e përplasi derën me forcë dhe ajo lëshoi nji potere aq të madhe, nga mbulesa e hekurt, si t’ishte nji luftë me shpata.
I burgosuni ndejti do kohë i shtrimë mbi çimenton e vrazhdë e të ftohtë. E ndjente kokën bosh, dhe s’ishte në gjendje as me mendue dhe as me kujtue. Veç ndiente dhimbjen e misëve të trupit të sakatueme nga goditjet e çizmeve, grushtave e shkopijve.
E kishin rrahë për vdekje. Po pse, a dinte kush gja?
Sa kohë ndejti ashtu, as ai s’e mori vesh. Koha kishte humbë çdo kuptim, e mbyllun mbrenda atyne mureve. Si me e marrë vesh se koha kalon? E çuditshme! Nuk do t’ia kishte marrë kurrë mendja se mund të matej me rritjen e mjekrrës, të flokëve ose të thojve. Këtë e kishte mësue gjatë muejt e isolimit që kishte kalue kur e arrestuen tre vite ma parë. Dikur iu duk se erdhi në vete, dhe e lëshoi vështrimin përreth. Nji dritë e zbetë kalonte përmes nji frengjije të ngushtë, që i bante edhe ma të mynxyrta ato mure të pista të birucës. Po kjo nuk ishte qelia e tij. Ku ishin plaçkat? Pse e kishin hjedhë aty? Mendja po i punonte. Mirë, qenkam akoma gjallë. “Cogito ergo sum”, – kishte thanë drejt Dekarti. Dhimbjet e tmerrshme të trupit e kthyen në realitetin e hidhun. E kishin rrahë si asnjiherë tjetër.
“Fol! Si e keni përgatitë arratisjen e shokëve tuej? Kush merrte pjesë në at grup? Emna. Na jep emnat e tyne. Nëqoftëse do me jetue akoma. Fol, bir mizerabël i gjeneralit; ti, reaksionar i mallkuar dhe armik i popullit! Fol, ose do të të rjepim të gjallë! – iu përsëritën ulërimat e oficerve të hetuesisë të ngarkuem me e torturue dhe me pranue organizimin e arratisjes së shokëve – Ç’mision kishin ata që u arratisën? Me kontaktue babën tand, me siguri, po edhe armiqtë e tjerë e me rrëzue regjimin tonë? – Të njejtat fjalë të mësueme përmendësh prej barbarve i përsriteshin tash në terrin e thellë të qelisë.
Këto mendime i vinin e i shkonin, ndërsa rrinte i shtrimë aty mbi çimento dhe i përsëriteshin skenat e torturave.
Në birucat e bodrumeve të Ministrisë së Brendshme mbaheshinin të burgosun të randësishëm e që quheshin të rrezikshëm. Nji situatë që mbulohej me sekret të madh dhe  askush s’e dinte se ç’kishte e ç’bahej në ato bodrume te tmerrit… Ndërkohë të mjerët që ishin mbyllun aty, pësonin tortura mizore: vezë të zjeme nën sqetull, kunja pishe të futuna në thojtë, varje për kambësh me ditë e net të tana, rrahje me dru, kryqëzim në mur, hedhje uji t’akullt midis dimnit, e të tjera tortura, njena ma e tmerrshme se tjera.
Genci s’arrinte e kuptonte pse ishte akoma gjallë, mbas gjithë atyne torturave të pësueme. E kur xhelatët e torturonin pa mëshirë ai bërtiste si i çmendun:
-Ç’prisni prej meje? Ç’komplot? Ç’shokë? Ç’arratisje? Unë s’di asgja. Asgja zotnij s’di. Nuk njoh askënd në Shqpni, as më njeh kush, sepse gjithë rininë e kam kalue në shkollat e Italisë. Dhe ju këtë e dini fort mirë.
-Kujt do t’ia japësh për të pirë të tilla përralla? Neve?? Dhe pse bërtet? Guxon edhe na thua edhe zotnij, ti, aristokrat ifëlliqur dhe borgjez i deklasuem? – lodheshin tue bërtitë torturuesit. Por ma krimineli i të gjithve ishte kapterr Sakoja, të cilit ia mësoi emnin në seancat e torturës, kur e thirrnin oficerët.
-Fol ose përndryshe të këpus zverkun me duert e mia! – i thoshte – Nuk je as i pari as fundit, e more vesh?
-Më vrit në vend, ja tani, po të duesh! Jepni fund kësaj komedie. Ju mendoni se kam frikë të vdes? Aspak more zotnij! Nuk e çaj kokën as për vdekjen dhe as për ju! Nuk kam ç’t’ju them për gjana që s’i kam ba. Dhe ju s’do më nxirrni asnji fjalë, sado që do të mundoheni. Për kët të jeni të qartë e të bindun. Zaten e keni provue edhe para tri vjetëve, që nuk keni mundë me më nxjerrë asnji fjalë. Unë jam po ai!! S’kam ndryshue, bile jam shumë ma i vendosun dhe ma i fortë!
E ndërsa rrinte tue përshkue me mend këto skena, me veti tha – pse e kishin hjedhë në kët qeli tjetër. Mos vallë kishin planifikue diçka ma të tmerrshme. Ishin policët që e kishin tërhequn rrëshqan deri aty në at birucë. Pse? Instinktivisht i shkoi dora te xhepi i vogël i pantallonave. Sa mirë! Paketa me pesë cigare e shkrepsja i kishin shpëtue. Ia kishte futë për nji të çame të derës nji i burgosun i panjoftun. Si e pse, Genci nuk i kishte dhanë dum. Të burgosunit, edhe pse të izoluem, gjenin mënyra si me njoftë njeni tjetrin dhe me i ardhë në ndihmë shokëve, së paku me ndonji cigare, që ishte ma e çmueshme se buka n’ato kondita. Për shokët e tjerë s’dinte asgja. Kushedi ku do t’i kenë pllakosë e keqja. Të shkretët, kushedi ç’tortura ishin tuj heqë.

Solidariteti mes të burgosunve në at gjendje të izolimit absolut ishte i pakonceptueshëm. Përtej torturave e keqtrajtimeve, kjo gjendje forconte edhe karakterin dhe shpirtin e të dënuemve. N’ato katakombe, truni punonte intensivisht dhe nji fjalë a nji lëvizje sado e vogël, vlerësohej me gjetë domethanien e zgjidhjen e saj, pavarësisht sa i pashpresë mund të ishte realizimi. Termi “katakomba” i përshtatej taman qelive të atij bodrumi ku ishin ndry ata njerëz të posaçëm, megjithëse të pafajshëm, por që i duheshin sistemit me kurdisë lojnat e tij mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Izolimi ishte absolut, po edhe mospërfillja ndaj pafajsisë së të dënuemve që aty i mbanin me muej e ndonjiherë edhe me vite. Parimi kryesor i ndjekun nga sistemi komunist ishte ai i “luftës klasore”, e shpikun nga mendja paranoiake e diktatorit Enver Hoxha, mbi kët parim, zhvillohej krejt jeta e shoqnisë shqiptare, e ku njerëzit merreshin në qafë po të përfshiheshin në atë parim. Në kët mënyrë ata që damkoseshin e hynin në repertorin e asaj lufte klasore, e pësonin si mos ma keq, që jo vetëm i priste burgu e internimi, por edhe pushkatoheshin pa asnji lloj mëshire. I gjithfuqishëm për të zbatue politikën e partisë për luftën klasore ishte Sigurimi i Shtetit, që bante kërdinë mbi shqiptarët e vet, motra dhe vllazën, që konsideroheshin hiç dhe përfundonin në hiç, pa pasë asnji faj o mëkat në ndërgjegjen e tyne. Po kryesorja Sigurimi e kishte për detyrë primare të zbatonte urdhnat dhe vendimet e vetë dikatorit, dhe ai vetë ishte edhe prokuror edhe gjykatës i pamëshirshëm.

Genci nxori paqetën dhe mori nji cigare dhe e ndezi fill. U mbështet mbas murit me shijue duhanin dhe me e mbledhë paksa mendjen. Nisi ta ndiente vetën pak ma mirë. Duhani i kishte ngacmue mendjen n’at vetmi ku mbretnonte heshtja. Ashtu në heshtje papritun ndigjoj nji zhurmë hekurash që vinte nga ana tjetër e murit përballë. Ç’të jetë vallë? Kur ja dëgjon nji za të dobët:
-Të lutem, a mos ke nji cigare?
Zani vinte prej nji vrime në mur në naltësinë e nji boje njeriu. I befasuem, Genci mendoi se do t’ishte ndonji fatzi në gjendje edhe ma të keqe se e tija. Bani si bani u çue me gjithë dhimbjet e trupit dhe mbështetë mbas murit eci derisa mbrriti te vrima, e hapun afërsisht sa nji kokë njeriu. Drita shumë e dobët nuk lejonte me dallue gja. Genci nxorri cigaren dhe ia shtriu të panjoftunit dhe ai dalloi nji dorë skeletike që iu shtri dhe ia mori cigarën.
-A mund të ma ndezësh?
Zani i erdhi përsëri ashtu i dobët dhe pothuej i mekun.
Genci ndezi shkrepsen e në dritë të saj  dalloi nji fytyrë krejt kockë, me mjekërr të dendun dhe flokë të gjatë të përhijtë. Sytë e mëdhej të hapun e plot trishtim. Vetëtimthi iu kujtue Konti i Montekristos, kur abati Faria u takue me Edmond Dantesin, në të çamen e murit të burgut.
-Kush je dhe si quhesh – pyeti njeriu matanë birës.
-Genc Pervizi quhem.
-Kush? Genc Pervizi?! I biri i Prenk Pervizit?! E kam njohun babën tand. Ku asht tani, sepse rastësisht kam marrë vesh se asht arratisë.
Genci i tregoi se gjendej në Greqi, por se nuk dinte asgja ma tepër.
-Unë quhem Gani Hatibi. Më kanë varrosë të gjallë në kët bodrum prej pesë vitesh. Faleminderit për cigaren. Nuk e kam shijue prej shumë kohësh.
-Gani Hatibi?! Për ty asht hapë fjala se je arratisë jashtë shtetit. Unë e kam njoftë edhe vëllanë tand, Bellulin dhe familjen. Ato të kujtojnë në ndonji vend në Europë ose ne Amerikë.
-Jo mor miku im, po ta përsëris, ka pesë vjet që jam i mbyllë në këtë birucë. E Zoti e di a do të dal kurrë ndonjiherë i gjallë. Nuk e besoj! Pse unë jam i vdekun për së gjalli.
-Po kjo zhurmë hekurash e uji nga vjen?
-I kam kambët e lidhuna me zinxhirë dhe në këtë qeli pa dritë ka nji shuplakë ujë e futun kasten, ku unë detyrohem e sillem gjithë kohës. Hypi e rri mbi nji si krevat betoni ku rri i shtrimë mbi do tesha të vjetrueme.
-Pse gjithë ky trajtim çnjerëzor Gani?
-Për nji arsye absurde. Pretendojnë se unë ruej sekrete. Pse nnë i kam njohun pothuej gjithë personalitetet nacionaliste të asaj kohë, e siç të thashë edhe babën tand. Kam marrë pjesë në mbledhje të ndryshme lidhun me aktivitetet politike të kohës. Kam njohun disa liderët komunistë e deri vetë Enver Hoxhën. Më kanë torturue për me thanë gjana që nuk kanë ndodhun e me implikue njerëz kot. Me kanë kërcënue se do t’ma zhdukin familjen. Të falënderoj që me solle lajme prej saj. Nuk kam pranue as pranoj kurrë ta turpnoj veten. Ma mirë i vdekun me nder se i gjallë e me turp. Ky asht Gani Hatibi! Tani kij kujdes se në kët birucë nuk fusin askënd. Të kanë shti gabimisht. Bëj se nuk ke pa as ndigjue asgja.
Genci kishte mbetë i shtangun e i tronditun.
Ja shtriu paqetën me ato tre cigare të fundit që kishin mbetë dhe shkrepsen.
-Faleminderit… Lamtumirë, miku im… lamtumirë për gjithmonë!
Ganiun e shkretë e mbërthyen emocionet dhe u largue, duke lanë mbas zhurmën e zinxhirve nëpër llapërçinën e ujit të qelisë. Gencit i rrodhën lot për at njeri, që në të vërtetë ishte ashtu siç i kishte thanë ai vetë: Nji i vdekun për së gjalli…!
Ai u kthye ku ishte ma parë, pse duhej tregue se ai s’kishte luejtë vendit. I mbledhun kruspull, bani sikur e kish zanë gjumi. Befas dera u hap, dhe nji goditje shqelmi e bani të lëvizte.
-Çohu qen i ndyrë! Flije, eëë? Merreni këtë kërmë dhe flakeni tutje! – bërtiti kapterr Suloja!
Rojet e kapën Gencin për kambësh tue e tërheqë zhag. Kapterri, pasi i lëshoi nji vështrim qelisë, e mbylli derën tue e përplasë me forcë, prej inatit që rojet e kishin hedhë Gencin n’at birucë të ndalueme.
-E shikon? Nuk jemi dhe aq të këqij. Të kemi sjellë përsëri në dhomën tënde, ku mund të flesh rehat. Por, po nuk u bëre i arsyeshëm, kemi metoda që të bëjnë të këndosh… dhe qeli akoma më beterre se kjo. More vesh?
Sa u mbyll dera, Genci u shtri mbi plaçkat e pista që iu dukën si krevat hoteli. Mos tjetër së paku nuk rrinte drejt e mbi çimenton e akullt. Takimi i çuditshëm me Ganiun e kishte tronditë shumë! Trupi i dhimbte nga rrahja shtazarake që kishte pësue. E ndjente veten të dekorajuem e të pafuqishëm, dhe ashtu i përhumbun ra në nji gjumë të thellë. Harroi ta hante edhe at copë bukë që e kishte ruejtë për “darkë”.
Torturat ishin në rend të ditës, ose, ma mirë me thanë, në rend të natës. S’ishte asgja për t’u çuditë. Bishat në trajta njerzish i vinin në zbatim instinktet e tyne natën, njashtu si egërsinat e xhunglës. Ata zbatonin të njejtën egërsi si të bishave t’egra. Apo nuk u ngjanin vampirëve t’etun për gjak të legjendave makabre që natën e kishin të tynen për të krye vepra gjakatare.
Në konditat e vuejtjeve të mëdha, të burgosunit e ruenin humanizmin dhe gjenin mënyra me komunikue mes tyne e me marrë vesh çka ndodhte në bodrumet e asaj ministrie, n’ata rrathë të sketerrës.
Nji ditë Genci mori vesh nga nji i burgosun i mbyllun aty prej tre vjetësh, se Gani Hatibi i shkretë, u kishte mbetun në dorë torturuesve dhe me zhdukë çdo gjurmë të tij, ia kishin djegë trupin në furrat e ngrohjes së Ministrisë së Mbrendshme. Nuk kishte dyshim, që edhe të tjerë fatkeqë, që quheshin të humbun, të kishin përfundue si ai, pa nam as nishan.
Kështu ndodhi që historia e atij burri që nuk u njoh kurrë dhe mbeti mister. Genci qe i vetmi dëshmitar i tragjedisë së tij, krejt rastësor e në kondita të papërfytyrueshme.
Thuhej po të duesh se mrekullitë nuk ekzistojnë. I vetbindun për fundin e tij, Ganiu e kishte kuptue se fundi i tij nuk ishte tjetër veçse punë ditësh o orësh. Zoti e kishte njoftë me Gencin që historia dhe fati mizor i atij njeriu të mos mbeteshin të panjohun. Lamtumirë – i kishte thanë ai mikut që krejt rastësisht qe ndodhë në qelinë e tij – Lamtumirë për gjthmonë!
Kishte qene lamtumira e fundit ndaj jetës!

Ky tregim i përgjigjet nji të vërtetë të panjohun mbi fatin tragjik të Gani Hatibit mbetun mister. U deshën pasojat e dënimeve të Gencit që kjo histori tashti të tregohet ashtu siç realisht ka ndodhun. Patjetër se kjo histori për lexuesin do të duket si e pabesueshme, por mjerisht kriminaliteti i komunistëve nuk ka kufi, dhe çështja e djegies se trupit të Gani Hatibit, dhe të tjerëve si ai, bie si një akuzë e pakundërshtueshme ndaj masakrave përbindëshe të kryeme nga diktatura komuniste shqiptare, e cila e ka marrë vulën e zezë e të turpshme, si diktatura ma e egër e mizore të vendeve të tjera komuniste të Europës Lindore.
E vërteta, sado e hidhun të jetë, nji ditë duhet thanë…

*Libri me tregime “Në Vorbullën e Skëterrës”, së shpejti botohet edhe në shqip.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.