back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

“Lamtumira e Yjeve” – Parathënie e Isuf Luzajt për librin

Gazeta

Isuf Luzaj - Vallja e Yjeve - Poemë
Isuf Luzaj – Lamtumira e Yjeve – Poemë

“Lamtumira e Yjeve”

Parathënie e autorit për librin (Jusuf Luzaj)

I

Nga të pesë artet, letërsia dhe nga të pesë degët e saj, poezia, nuk e pranojnë mediokritetin. Një pikturë jo perfekte, vështrohet, Një skulpturë jo perfekte, durohet, Një arkitekturë jo perfekte, banohet, Një muzikë jo perfekte, dëgjohet, Një bukuri jo perfekte, soditet, Një roman jo perfekt, lexohet, Porse, një poezi jo perfekte, nuk durohet.
Kjo apoftegmë e Filozofisë së arteve1) është pranuar e vërtetë që prej tremijë vitesh më parë me Budën, Konfucin, Platonin dhe nga të njëzetenjë filozofët që përbëjnë mendimin universal. Një roman, një novelë, një biografi, një dialog ose monolog, një episod historik, lexohen një herë dhe mbështeten ne raftet e vjetër të çdo biblioteke, porse një poezi e vërtetë me art, filozofi, bukuri, ndjenjë, emocion, mesazh etj., lexohet njëmijë herë nëper shekuj, siç lexohen Homeri, Dante, Gëte, Rilke, Lamartin, Musse, Leopardi etj. Në poezi, ekzistojnë dy fuqi misterioze: fuqia tërheqëse dhe fuqia shtytëse-largonjëse, si në fizikë, por ekziston edhe një fuqi e tretë, si një cilësi estetike: Origjinaliteti. Të dy fuqitë e para: Tërheqja, pëlqimi pozitiv dhe shtytja, largimi negativ, japin si rezultat: imitacionin dhe kontradiksionin, si dy fuqi ekuilibri të Universit. Fuqia e tretë misterioze është ajo që zëvendëson Arkitektin e Universit, i cili krijon, rregullon, kontrollon fuqitë kozmike. Frymëzimi është fantazia, iluzioni, dëshira dhe sa shije të tjera që çelin apetitin e shkrimtarit. Ky frymëzim vjen së jashtmi dhe fillon shumë ngadalë, si violina e një Uverture që na përgatit fantazinë për të hyrë në botën e dramës së muzikuar, që e quajmë me një fjalë latine “Opera”. Në mes të atyre tri fuqive, na puth si një fllad freskonjës kujtesa e leximeve si koinçidenca dhe simpatira të temperamentit, që janë si parfumi i furrit, që na ndjell shijen e bukës. Këto figura, trajta, ngjyra, mendime, përshkrime, bukurira do të shkëlqejnë në muzikën e vargut dhe në ndjenjën e sinqertë të ngjitjes së shpirtit në një atmosferë më të lartë se jeta fizike. Kjo përshtypje fantazie, shumë herë ngjan me një Fantazmagori që i jep trup fizik idesë, bukurisë dhe së vërtetës. Kur kjo gjendje e parandjen trishtimin, atëherë në shpirtin e poetit vjen mërzia. Ndodh shumë herë që poeti mërzitet nga mungesa e rregullit, padrejtësia ose asnjanësia e shoqërisë së ftohtë letargjike dhe për udhë shfrimi i mbetet vetëm refugji fetar. Në disa raste perfeksioni, këtë gjendje shpirtërore e gjejmë me termin Revelacion, në shenjtorët si Agostini i Afrikës ose në Mistikën e Muhhamad Gazaliut në interpretimin e besës Islame ose në Budën që e quan Nirvana. Atëherë gjërat marrin figura e kuptime misterioze, sikur kërkojnë një zhvillim të ri të problemit te vjetër të Përjetësisë. Gjendet poeti në mes të Metafizikës, Metalogjikës nga një anë, pozitivizmit, materializmit, tautologjisë nga ana tjetër, dhe kërkon një udhë shpëtimi. Shumë poetë si Gëte, Hygo, d’Annunzio, Borges, Prust etj. kërkojnë udhën e shpëtimit nga angushtia e boshësisë në një krijim Fantazmagorie, ashtu si i eturi gjen kënaqësi në një gotë uji burimi ose në ndonjë degë me trëndafila të freskët që një dorë bujare ia dhuron si mirënjohje dashurie. Trazohen shumë herë, me një vetëtimë humori, vargjet optimiste, dinamike të ndritur, dashuronjës me fantazmat e mërzisë, si rubi, të zezë mbi një pjatë farfuri të bardhë plot me Acquamarine të Brazilit, që padashur e përvujtësisht sjellin atë lloj melankolie si tingujt e këmbanës se madhe të Fretërve në Shkodër, kur lajmëron vdekjen e një shoku. Ne këtë çast, më duket që vdekja nuk është aq e tmerrshme siç e sheh Sartre dhe mësonjësi i tij Heideggert përpara boshësisë. Vargu fillon me një gjendje shpirtërore qumësht të bardhë të Shën Anselmit ose të Rumiut në lutjet mistike. Është në këtë jetë imagjinare, që kam shprehur diku në vargjet e mia bonjake të mërgimit afërsisht kështu: “Në sa pretendova, asgjë nuk realizova, sepse vonë e kuptova, që jam gatuar nga bashkimi i asgjësisë dhe fatcaktimit cinik, me dëshirën djegëse që durova gjithë jetën, t’i lë një testament, si mësonjës shkolle fillore, rinisë së shekullit 21 (njëzetenjë) pa shpresë të qartë që do të ma dëgjojë. Di që s’jam asgjë, as do të jem i gjallë kur të kem vdekur, veçse një zë në vesh, një pikturë panorame historie me ngjyra, një meteor, si një fletë luleje e vdekur në poçarin e një kishe të braktisur të një fshati, kush e di se ku”. Do të doja që jeta të shpjegohej sinqerisht, për t’u ngjitur në lartësirat e kozmogonisë me vallen e yjeve edhe pse këta më thonë: Lamtumirë! Eksodi që bashkoi solidaritetin me idealin dhe fuqizoi vullnetin për përpjekje të palodhshme, krijoi një gjendje, shpirtërore perseverance në luftën e ideve, që më frymëzoi një superioritet angushije klinike, që herë pas here ndizet si një dritë e pakontrollueshme, as nga realiteti, as nga mëshira, as nga perëndimi duke kërkuar një ligj njerëzor si ai i serenitetit të yjeve në mes të qiellit të Zodiakut.

Intervistë në shtëpinë e Isuf Luzajt
Intervistë në shtëpinë e Isuf Luzajt

II
Janë disa çaste të nën-ndërgjegjes, kur kërkesa përpiqet për muri, që na ndan të shohim ç’ka në atë anë të tij, porse gjejmë një asgjësi, një boshësi, një errësi, me aq turbullim të imagjinatës, me aq neveri të jetës, saqë mendim i kërkon refugje në Filozofi, pastaj në Metafizikë dhe Metalogjikë. Ne këtë gjendje shpirtërore kërkoj atë që Sokrati i pëshpëriti nxënësit të tij Fedusit, kur i tha: “Qoftë e mundshme që e brendshmja dhe e jashtmja e njeriut të jenë Një. Më ngjan sikur Ati i Filozofisë është duke biseduar me Budën dhe me Ibn-al-Arabinë, në udhëtimin e vetmuar të të parit. Në eksperiencën e ekzistencës sime, kam gjetur se disa çaste mendimi, në heshtje, nëpër krahë të imagjinatës së disiplinuar na paraqiten disa kujtime jete, disa ambiente imagjinare, disa rregulla sjelljeje, disa dorëheqje nga uritë e mishit dhe të gjakut, që lehtësohemi nga balta e gravitetit të instikteve që na ngjizen në harmoninë e Muzikës së Bachut dhe në Mësimin e Konfucit. Janë disa rrugë që i çelin shpirtit dritaret për të parë si përbrenda dhe përjashta, një sërë aksidentesh, koinçidenca surprizash, që na bëjnë të nënqeshim, duke u tallur me trishtimin. Duhet ta shohim jetën që së larti e që së largëti, sikur jemi në aeroplan, nga ku duken vetëm bukuritë e natyrës, gjeometria e qyteteve në lumturi, sepse nuk shohim ç’ndodh në mes të njerëzve, që të shumtën e herës është Tragjedi. Ashtu do na duket jeta në paqe dhe harmoni, e bukur, e gëzuar. E sotmja me premtim të sjellë një të nesërme të lumtur. Do shohim shumicën e fenomeneve të Natyrës si një epokë të re krijimi, festimi, yjet që shkëlqejnë duke na u afruar, zogjtë që këndojnë rreth nesh, burimet që gurgullojnë një harmoni paqeje, njerëzit që duan njëri-tjetrin. Janë fenomene shumë paqësore, pluridimensionalë të Natyrës, të reflektuar në një pasqyrë në binomin: Arte-Shkenca, që janë prodhime të intelektit, që provojnë se jeta ekziston si përbrenda në shpirt dhe përjashta në mendje, në krijim, në veprim. Maksimi i njohur: “Ku është shpresa, është jeta”, më ngjan më i sigurt ta kthehim 180 gradë dhe të themi: “Ku është jeta, është shpresa”. Jeta është mjeti, po shpresa është frymëzimi, fuqizimi, vërvitja, besimi, zjarri që çel kyçet e misterit, duke dhënë jetë dhe dritë atje ku mungojnë motivet dhe iniciativat. Ajo ndez çirakët e kërkesës dhe të therorisë. Ajo është ilaçi i mrekullueshëm i mendjes; ajo është mjeku i pagabueshëm si në diagnozën dhe në farmakologjinë kuronjëse. Aleksandër Pope shkruajti: “Shpresa është pranvera e përjetshme: në zemër të njeriut të drejtë”. Shpresa u jep jetë të re idealeve edhe kur ngjan se ata po vdesin. Ajo ripërtërin ëndrrat, ajo u jep fuqi të re jete përpjekjeve, ajo fiton kundra çdo porte të mbyllur, ku është shkruar: Pamundësi.

III
Fati i librave të mia, mbetet Enigmë sepse shumë kohë më ndau nga gjeneratat e reja të atdheut, sepse kam jetuar në botën e bibliotekave pa kontakt me realitetin e atdheut, sepse rutina e mësonjësit më mban në një frazeologji sintetike, e zorshme për ligjërim, sepse nuk njoh termat teknike të Filozofisë në gjuhën time, sepse më është e pamundur të vij në kontakt me botën intelektuale shqiptare: sy për sy, vesh për vesh, zë për zë…

Filippo Alcaini - Enigma e Maskes
Filippo Alcaini – Enigma e Maskes

IV
Sa më shumë vuaja, aq më shumë më forcohej besimi që pata në lirinë e popullit tim, sa më shumë gjendesha i vetmuar, aq më shumë jetoja në mes të racës sime. Pjesa më prodhonjëse e kohës së jetës, më burgosi në ëndrrën e Atdheut. Më ndihmoi memoria, që është si një monedhë lëmoshe: më jep aq pak sa do ajo, për të blere bukën e përditshme dhe, ky shqetësim është armik i iniciativës për krijim letrar. Njoha hëm guximin, hëm diziluzionin si dy fytyra antagoniste, që me uniformën e paditurisë loznin Ping-Pong me përpjekjen time si top llastiku, nëpër labirintet e arsyes e të ndjenjës, pa pasur, për më shumë se gjysmë shekulli njohjen e miqësisë së popullit tim. Qesh i kuptuar dhe i respektuar nga turma anonime e auditorëve dhe klasave të shkollave të huaja, ku dëshiroja të shihja racën time, dhe, ky pengim irracional, më bënte të mendoja që duartrokitjet e nxënësve u ngjanin hipokrizisë së funeralit, ku njerëzit kontraktojnë muskujt e fytyrës dhe vështrimet, për t’ju adoptuar situatës uniforme amorfe, pa asnjë shqetësim shpirtëror të dhembjes… Më ngjante vetja, si një i dënuar me vdekje, të cilit për kënaqësi të fundit, i jepet “privilegji” të asistojë si spektator real në një komedi humoristike. Mbyllesha në lëvozhgën e mërgimit, e përbërë nga dhembja e nostalgjisë për Atdheun tim. Njoha frymëzimin e kohës, porse në të njëjtën kohë, njoha edhe zhgënjimin e saj, që më shkiste nën këmbë, siç shket kumi nga dora që, sa më shumë ta shtrëngosh, aq më shumë e aq më shpejt bie, ikën, zhduket. Puna ime, që ushqehej çdo orë e çdo ditë nga heronjtë e mendimit për t’u bërë burim, ku do të gjerbnin rinia e huaj heterogjene në raca, gjuhë e ngjyra, më jepte shpërblim shpirtëror të papërshkrueshëm. Porse, kur vështroja të rinjtë e të rejat të entusiazmuar nga horizonti i ri që çelte filozofia, më kapërthente një trishtim i papërshkrueshëm, kur mendoja në rininë shqiptare, që s’e kisha në klasat e mia. Më dukej sikur predikoja në mes të Saharës. Sepse e dija që porsa të mbaronin studimet, kjo rini do të më harronte, siç harrohen një palë këpucë të vjetra të palë këpucë të vjetra të hedhura poshtë. Po të ishte rinia e racës sime, jo vetëm që do të takoheshim gjithë jetën, por do të kisha gëzimin të ndërtoja kështjella qytetërimi për racën time fisnike.
Isuf Luzaj

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.