back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Lamtumirë, dhe po qe përgjithmonë, përgjithmonë lamtumirë…!” kushtuar Irena Dukagjini – Kujxhia

Gazeta

Savër 1963 - Lekë Bajraktari, Andan Hoxha, Liri Bajraktari, Irena Dukagjini, Rukie Hoxha - Ndreu, Cen Golja dhe e shoqja. poshtë: Lekë Dukagjini, Vera Dema. Neriman Hoxha, Sazan Dine...
Savër 1963 – Lekë Bajraktari, Andan Hoxha, Liri Bajraktari, Irena Dukagjini, Rukie Hoxha – Ndreu, Agron Golja dhe e shoqja Poshtë: Lekë Dukagjini, Vera Dema, Neriman Hoxha, Sazan Dine…

Irena Dukagjini – Kujxhia, nji zonjë, nji fisnike

që luftoi deri në fund me fatin që i gatuan djajtë!

requiem nga Jozef Radi

Lajmi se me 17 maj 2023, është larguar prej nesh dhe prej kesaj bote të mbrapshtë Irena Dukagjini – Kujxhia, më tronditi e më mbushi me dhimbje, sepse në nji kohë të trishtë, ishte larguar drejt parajsës një zonjë fisnike, nji prej atyre të rrallave që edhe sikur pak kohë të rrije me të, të linte atë ndjesinë e luleve që s’vyshken kurrë, të mbushte me atë mirsjelljen qytetare që s’mundën t’ia rrënojnë as 20 vitet e kaluar baltrave të Myzeqesë, të lejonte të besoje se bukuri, mirësia dhe sakrifica mund të jetojnë së bashku në nji trup… dhe vetëm mbas kësaj e ndjen ka ikë nji hijeshi e përjetshme, të cilën e kam adhuruar qysh fëmijë, sepse kur hynte mbrëmjeve në barakën tonë, kishte sjellë jo veç bukurinë e saj, po edhe atë shpirtin e shlirtë e atë sjelljen që shndriste si pakkush.

Savër 196- Valbona Coku dhe Irena Dukagjini në mes...
Savër 1965 – Valbona Coku dhe Irena Dukagjini në mes…

Familjes Dukagjini që jetonte në Tiranë nga fundi i viteve ’50, iu arratisën dy vëllezër, Cini dhe Marku si dhe nji shoku i tyre Asaf Hoxha, kështu të dyja familjet Hoxha (kushërinj të diktatorit) dhe Dukagjini (nuk besoj se ka nevojë për shpjegim), do të ishin mysafirë të pangushëllueshëm të kampit të interrnimit të Savrës, për gati tridhjetë vite……
Irena Dukagjini, qysh nga mosha 18 vjeçare do të ishte pjesë e kontingjentit të emrave që thirreshin në apelet e mëngjeseve dhe të mbrëmjeve. Ajo sapo kishte mbaruar të mesmen në Tiranë, erdhi ashtu e bukur, e ëmbël, sjellshme, e kërmestë dhe mbeti po ashtu e bukur, e hijshme, fisnike, fjalëpakë, e dashur me atë të qeshurën karakteristike të saj, që i delte nga shpirti dhe jo nga buzët… e që në veshët e mi jehon ende sot e kësaj dite e qeshura e saj në sintoni me Guljelm Dedën (komshi t’nji dere, përkthyesi i Orlandos së çmendun) si nji hare që s’ mund ta shuante as e keqja e baltarave ku i kishte hedhur Partia e Dreqënve të Mallkuem.
Irena Dukagjini do të ishte Ikonë e Savrës së viteve ’60, diçka që ende s’ma rrok mendja po që e ruaj mirë kujtesën e asaj kohe. Ishte një periudhë e famshme filmash historikë në Shqipërinë e asaj kohe, si: Helena e Trojës, Ursus, Fanfan Tulipan, Tre Mosketjerët, Til Ulenshpigel, Makbeth, Hamlet, Trimëritë e Herkulit, Legjenda e Eneas, Dëgjoje Këngën time e të tjerë, ku artistë të pavdekshëm si Gina Lolobrigida, Brigitte Bardot, Stive Rives, Merlyn Monroe, Liz Teylor, Gérard Philipe, Hoselito, Richard Burton, Sofia Loren, Lorenc Olivier, Paul Newman etje, bënte që djemtë dhe vajzat nga Savra mbas lodhjes e mundimit të fushës, niseshin me dhjetra në biçikleta në një shoqëri ende të hareshme, shkonin e ktheheshin nga qyteti i Lushnje, si fatkeqë të lumtur, aq sa një mbrëmje operativi i sertë i Savrës, Kostas Sillos la atë shprehjen e famshme: “Aristokracia e Savrës, paska zbritur me biçikleta në Lushnje!”
E mes tyre s’do të mungonte asnjiherë Irena e Bukur, jo ajo për të cilën ishin vrarë mes vedi Lekë Dukagjini me Lekë Zaharinë, duke e futur në krizë Gjergj Kastriotin, nji Irenë tjetër po aq e bukur, (vëllai i së cilës për çudi quhej Lekë Dukagjini), si të ishte Jerina e Luleve e Fishtës…

Tefta Capoj, Bajame Hoxha dhe Irena Dukagjini, vajzat e dikurshme të Savrës
Tefta Capoj, Bajame Hoxha dhe Irena Dukagjini, vajzat e dikurshme të Savrës

Irena Dukagjini, për shumë vite, do të ishte mike përhershme e shtëpisë sonë. Prindët e mi e donin si vajzën e tyre, dikur të humbur, dhe s’kishte bisedë që ajo të mos ua rrëfente atyre dhe s’kishte këshillë që ajo të mos e dëgjonte me vëmendje… e në veçanti netëve të gjata të dimrit, kur ajo vinte së bashku me të vëllanë Lekën. Kujtoj nji pafundësi mbrëmjesh, ku mbasdarkave të dimrit, Irena kjo mike e përhershme ishte pjesë e lojës “Mos u nxeh” o lojrave me letra, e ku unë i lutesha tim eti të luaja derisa të ikte Irena…!!!
Vitet më të bukura të rinisë, Irena Dukagjini, i kaloj aty në baltrat e Savrës, ashtu e bukur, e hijshme, e trishtë , po gjithnji e lakmuar prej gjithë atyre të rinjëve të hijshëm të asaj kohe bashkëvuajtës të saj në Myzeqe, e që besoj se të paktë kanë qenë ata që nuk e ka iluduar veten nëse ajo do ta pranonte zemrën e tyre…! E famshme ka qenë historia e nji djali prej nji familje të njoftun, që erdh nji të djelë me biçikletë prej nji kampi tjetër interrnimi, që e takoi dhe foli me Irenën, dhe u kthye në këmbë në kamp. Aq ishte hutuar prania e saj sa kishte harruar biçikletën!!!

Bashkëvuajtëset e dikurshme - Me bluzë të bardhë Irena...
Bashkëvuajtëset e dikurshme – Me bluzë të bardhë Irena…

Kohë të vështira, kohë terrori. Të gjithë i kishin sjellë aty për pak kohë, e shpresonin të iknin prej asaj skëterre. E pat plot raste ku qëndrestarve të vërtetë ajo skëterrë zgjati nji jetë. Askush s’donte të martohej aty në Savër, aq më pak Irena, s’i mund ta jetonte gjithë jetën e saj edhe të fëmijve të saj atyre baltrave, po interrnimi i kishte mbajtur peng… ndërsa vitet kalonin…
Ishte shumë e trishtë ta shihje atë krijesë të bukur, tek e nxinte dielli i verës, herë me shat, herë me lopatë, herë me thes pambuku mbi shpinë, herë të rraskapitur nga dita e pafund e verës, ndërsa vitet iknin e iknin…
Irena Dukagjini, tashmë i kishte kaluar të 30-at edhe ajo edhe i vëllai i saj më i madh Leka, vazhdonin në inerrnim. Në ato vite u lirua nga burgui Burrel edhe i ati i tyre, Antoni mbas jo pak po 20 vitesh i dënuar… Erdhi aty në Savër, i moshuar, i rëgjuar, i heshtur, mbaruar e i shëndrruar thuajse në një hije… dhe nuk shkoi gjatë vdiq aty në skëterrën e Savrës, duke e lënë gruan fisnike nga Dera e Gjeçëve, Zinën me dy fëmijë interrnimeve e dy djem arrative…
Mbas viteve ’70, Irenën do ta pushtonte një dëshpërim i frikshëm se po mbetej e pamartuar ajo edhe vëllai i saj! Kishte refuzuar mjaft kërkesa, pse ende askush s’nuk mund t’i përmbushte pretendimet e saj. Tri motrat Hoxha, Andani, Suzani dhe Nerimani komshiet e saj të të njëjtit fat, mbetën të pamartuara të trija.

Rikthim mbas shumë vitesh në vendvuajtjet e diktaturës... Valbona Mirakaj, Najada Spahiu, Valentina Cane, Idriz Cafa Myrvete Hoxha dhe Irena Dukagjini
Rikthim mbas shumë vitesh në vendvuajtjet e diktaturës…
Valbona Mirakaj, Najada Spahiu, Valentina Cane, Idriz Cafa Myrvete Hoxha dhe Irena Dukagjini

E megjithatë, vazhdonte me kurajo ta përballonte jetën e vështirë të kampit, e t’i jepte kurajo vetes, se Zoti nuk do ta braktiste!
Për fat të saj, në vitin 1976, Irena Dukagjini e liruar nga internimi nga Savra e Lushnjës, do të martohej në Shkodër me Viktor Kujxhinë, i dalë tre vite më parë burgu, i cili ishte rreth të 50-ave…!! Fati, edhe pse rinitë e tyre ishin vrarë, njëri në burgje e tjetra në internime, u dhuroi dy fëmijë: nji vajzë e nji djalë. Çifti me vështërsi të shumta, sakrifica të mëdha e punë nga më rëndat do të mbijetonte së Keqes. Por, jeta aq e ëndërruar e aq e vuajtur, nuk do të ishte aq e dashur më të. Mbas 12 vitesh martesë, burri i Irenës, Viktor Kujxhia do të vdiste në vitin 1988, duke e lënë atë me dy fëmijët e vegjël në një boshllëk të madh shpirtëror dhe ekonomik, po edhe familjen e të afërmit në dëshpërim të thellë.
Kështu do të fillonte për Irenën një tjetër betejë, ajo për t’i rritur dhe edukuar dy fëmijët e mitur me atë shembullin e saj… Derisa ia doli t’i nxjerrë në jetë e të jenë të zotët e vetes…

Familja Kujxhija në formën ma të plotë të saj
Familja Kujxhija në formën ma të plotë të saj (Irena me familje ne te majte)

Dje, me 18 maj 2023, në faqen e FB të nipit të saj, Anton Dukagjinit, lexova trishtimin tim të thellë: “Me hidhërim të thellë njoftoj kalimin në amshim të hallës time të dashtun, Irena Dukagjini – Kujxhija. Pritja bëhet nesër të funeral “Alba 2000” Tiranë, nga ora 09-13. Përcjellja për në banesen e fundit në varrezat e Rrmajve në Shkodër, bëhet në orën 16.00…
E lexoja dhe s’doja t’u besoja syve. Isha takuar me Irenën në shtatorin e vjetëm. M’u lut t’i shkoja për nji vizitë. I thashë që jam për pak në Tiranë, nëse mundem do të vij… Nuk jam mirë më tha! dukesh e lodhur, e sëmurë, e mpakur or gjithnji fisnike e dashur! Kur më tha se i kishte mbushur të 80-at, nuk desha ta besoj. Kur i thashë se e kam dashur gjithnji ikonën e saj, qeshi trishtueshëm. Bëmë një foto bashkë, ma shtrëngoi dorën fort!

Me Irenen - 22 shtator 2022 - Tirane
Me Irenen – 22 shtator 2022 – Tirane

Ishte 22 shtator i vitit 2022. U pamë për herë të fundit… siç thotë Bajroni! “Lamtumirë, dhe po qe përgjithmonë, atëherë përgjithmonë lamtumirë!!”
Lamtumirë Irenë, në mendjen time do të jetosh gjithnji ashtu e bukur, e hijshme, fisnike si në rininë tënde që ta rrënuan bishat e kuqe!
19 maj 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.