back to top
5.5 C
Tirana
E enjte, 28 Nëntor, 2024

Lamtumirë koleg i dashur – Pushofsh në paqë Profesor Sami Repishti – nga Frank Shkreli

Gazeta

Prof. Sami Repishti (1925-2024)
Prof. Sami Repishti (1925-2024)
Lamtumirë koleg i dashur – Pushofsh në paqë Profesor Sami Repishti
nga Frank Shkreli

Trashëgimia e tij qoftë kujtimi i tij!

Ndërroi jetë Profesor Sami Repishti në moshën 99-vjeçare. Kalimi i tij në amshim, shënon një boshllëk të madh në familjen e tij të ngushtë, në komunitetin shqiptaro- amerikan, pjesëtar i të cilit ishte për shumë dekada. Të Drejtat e Njeriut – jo vetëm në botën shqiptare – por anë e mbanë botës, me ndërrimin e jetës së Profesor Repishtit, pësuan humbjen e njërit prej mbështetsve më të njohur dhe më të fortë në shumë dekada. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane humbën promovuesin më të zellshëm. Komunizmi humbi njërin prej kritikëve më të ashpër – dhe si ish – i burgosur i regjimit të Enver Hoxhës, viktimat e komunizmit – të gjallë e të vdekur – kanë humbur sot përkrahësin më të madh të tyre – sidomos klerikët katolikë të martirizuar nga komunizmi. Shkreli: Sami Repishti: “Lotë, Lavdi e Lumnim” | Gazeta Telegraf
Jeta dhe veprimtaria e Profesor Sami Repishtit mbetet një thesar kombëtar. Kontributet ishin të shumta në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij patriotike, akademike dhe humanitare gjatë viteve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut. Për dekada, Prof. Repishti ka qenë një shtyllë e fortë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Një pasardhës i denjë i rilindasve të vërtetë të Kombit – njeri prej intelektualëve më të njohur e më të dalluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besoj në mbarë botën shqiptare. Besnik ndaj Kombit, besnik ndaj miqve dhe shokëve, anti-komunist i përbetuar!
Si njëri prej pasardhësve të fundit të brezit të tij të rilindisave të vërtetë të Kombit, Prof. Repishti i ndoqi dhe i zbatoi idealet e tyre të larta në të gjitha veprimtaritë e tij, por mbi të gjitha duhet theksuar se përpjekjet e tij, për të promovuar, për të zhvilluar dhe për të mbështetur të drejtat e njeriut për të gjithë njerëzit pa dallim, sidomos për shqiptarët kudo, gjatë gjithë jetës së tij – para dhe pas shembjes së komunizmit, janë të pakrahasueshme me ndonjë tjetër person, në botën shqiptare, por jo vetëm. Në nivel kombëtar e botëror, Sami Repishti, meriton nderimet dhe respektin e të gjithë neve – si një personalitet i nderuar, një ikonë shqiptaro-amerikane e të Drejtave të Njeriut dhe për të celebruar arritjet e tija, si trashëgimi e një mbështetësi të idealeve të të drejtave të njeriut, si vlera njerëzore për të gjithë ne – vlera këto të cilat Prof. Repishti i ka jetuar, i ka mbështetur dhe i ka zbatuar gjithë jetën e tij, deri në ditët e sotme – por që regjimi enverist ia kishte mohuar duke e burgosur për 10-vjet si kundërshtarë të tij.
I përket një personi të veçantë që t’ia dedikojë jetën mbrojtjes dhe promovimit të Drejtave të Njeriut. Një person i tillë duhet të jetë një individ vlerash dhe virtytesh! I tillë ishte Samiu! Gjithë jetën e vet, Prof. Repishti ka treguar një forcë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme në fushën e të Drejtave të Njeriut dhe ka pasqyruar vlerat dhe një besim të fortë, për t’ia pasur gjithkush lakmi, të paktën nga ata që i respektojnë këto vlera. Ai kurrë nuk është dorëzuar përballë luftës për të drejtat e njeriut. Madje edhe në moshën e shkuar vjeçare, asgjë dhe askush nuk e ndalonte atë që të shprehej dhe të shkruante në mbështetje të të drejtave të njeriut, të vlerave dhe të drejtave universale dhe të integritetit dhe të drejtave të individit. Kjo për arsye se Prof. Repishti nuk ka pasur kurrë frikë të merrte qëndrime të prera dhe të vendosura në mbështetje të parimeve në të cilat ai besonte. Madje edhe në rrethanat më të vështira në burgjet e komunizmit shqiptar dhe jugosllav, ai nuk mund dhe nuk dëshironte të heshtëte. Nuk duronte të padrejtësinë! Gjatë gjithë jetës së tij, Prof. Repishti ka besuar se kur kemi të bëjmë me respektin për të drejtat e njeriut, pa marrë parasysh rrethanat, njeriu nuk mund të mbetet asnjanës, sepse siç ka thënë aktivisti i të drejtave të njeriut dhe fituesi i Çmimit Nobel, Elie Wiesel “të jesh asnjanës, vetëm ndihmon shtypësin dhe kurrë viktimën dhe heshtja inkurajon gjithmonë torturuesin dhe asnjëherë të torturuarin”.
Prof. Repishti, pa marrë parasysh rrethanat dhe rreziqet, nuk ka qëndruar kurrë larg interesimit dhe mbështetjes për të drejtat e njeriut. Profesor Repishtin, Perëndia e kishte bekuar me një jetë të gjatë dhe me shëndet për një arsye – dhe ai nuk e ka tradhtuar atë kurrë. Jeta e tij ishte një jetë shërbimi ndaj të tjerëve. Ai ka punuar gjithë jetën dhe vazhdoi deri në muajt e fundit të jetës të jepte kontributin e vet ndaj njerëzimit, i bindur se misioni i jetës, me gjithë moshën, nuk ka marrë fund. Ai vazhdoi deri në fund të frymëzonte të tjerët dhe se pa marrë parasysh rreziqet me të cilat mund të përballej, Samiu nuk ishte kurrë i asnjanës ndaj së keqës as përballë shtypjeve e terrorit dhe krimeve, historikisht, nga regjimet komuniste në trojet shqiptare për një gjysëm shekulli ose nga diktatorë të tjerë të ngjyrave të ndryshme, anë e mbanë botës.
Prof. Repishti ishte një dëshmitar, i cili ka përjetuar regjimin brutal të Enver Hoxhës – njërit prej regjimeve më totalitare të shekullit 20. Por, ai njëkohësisht ishte edhe dëshmitar i gjallë i heroizmit të atyre shqiptarëve, viktimave të atij regjimi, të cilët së bashku me Profesorin rezistuan forcën brutale të të ashtuquajturit “pushtet popullor”.
Prof. Repishti s’ka pushuar së shkruari dhe të flasë për vuajtjet e veta dhe të viktimave të tjera të komunizmit, të cilët kundërshtuan komunizmin së bashku me të. Ndërkohë që propaganda dhe terrori i komunizmit shqiptar kishte përfshirë vendin, duke filluar nga viti 1945, ishte e pamundur që z. Repishti të heshtë për ato që kishte parë. Megjithë rreziqet që i kanoseshin atij dhe familjes së tij, ai vendosi të mbante një qëndrim të prerë kundër diktaturës komuniste dhe të mbronte të drejtat e njerëzve të pafajshëm. Siç ka ndodhur edhe me mbështetës të tjerë të mëdhenj të të drejtave të njeriut gjatë 50-viteve të fundit, Prof. Repishti kishte filluar të interesohej për të drejtat e njeriut, në një periudhë kur po përballej vetë, drejtpërdrejt me të keqen – dmth, me rendin e ri komunist në Shqipëri – regjim i cili e torturoi për 14 muaj dhe e burgosi atë për 10 vjet, vetëm e vetëm se e kundërshtonte atë regjim.

Qëndresa kundër Komunizmit
Rezistenca e tij ndaj komunizmit, ka shkruar Prof. Repishti “më ka obliguar moralisht për të ndarë me të tjerët ato që kam parë, sidomos krimet e diktaturës së proletariatit, duke venë në dukje, jo vetëm vuajtjet e popullit tonë, por edhe karakterin e popullit shqiptar, i cili i qëndroi besnik vetvetes, përballë kërcënimeve të ndryshme, përfshi edhe kërcënimet me vdekje”. Kështu që, interesimi i Prof. Repishtit për t’iu dedikuar mbrojtjes së të drejtave të njeriut nuk kishte filluar në 10-20 ose 30-vitet e fundit. Kauza e të drejtave të njeriut ishte bërë pasion i jetës së tij qysh në fillim.
Angazhimi i tij për të drejtat e njeriut e ka zanafillën atje, në vitet e vuajtjeve të tija në burgjet komuniste, si i burgosur politik në Shqipëri, ku vuajti 10 vjet burgim, së bashku me intelektualët më të dalluar të Shqipërisë së asaj kohe, përfshi edhe klerikët katolikë ndër shqiptarët më të shquar, ndërkohë që kishte qenë dëshmitar i tmerreve që ata vuajtën në duar të torturuesve komunistë. Në lidhje me vuajtjet e klerikëve katolikë shqiptarë, Prof. Repishti ka shkruar në vitin 1966, mbasi kishte arritur në Amerikë se, “i ndjeja thellë mizoritë e ushtruara mbi ta: masakrat dhe torturat, shpifjet e organizuara dhe trajtimet poshtëruese ndaj tyre ishin aq të rënda, sa që nuk mund të pranoheshin, të harroheshin dhe as të faleshin”. Prof. Repishti ka shkruar se ai është frymëzuar nga, “dashuria e tyre fisnike për bashk-të-burgosurit, për faljen dhe mëshirën që ata treguan ndaj torturuesve të tyre të verbër, nga shpresa e tyre që buronte nga ndjenjat e shëndosha se aspiratat tona, për liri, drejtësi dhe paqe, heret o se vonë, do të realizoheshin.
Pasi mbijetoi vuajtjet në burgjet komuniste të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, ai emigron në SHBA në fillim të 1960-ve. Përvoja e z. Repishti në ato burgje duket se kishte lëkundur qëndrimin e tij në besimin ndaj mirësisë së njerëzve, por megjithëkëtë, ai kurrë nuk humbi besimin në shpirtin njerëzor.
Në një letër që ai i ka dërguar, Fondacionit Woodrow Wilson në Washington në vitin 1964, në lidhje me këtë, Repishti bën pyetjen: “A është e keqja me të vërtetë aq e thellë e rrënjosur në shpirtin e njeriut, sa që njeriu të identifikohet me të keqen”? Komunizmi, ka shkruar ai, kishte kthyer për së mbrapshti një numër parimesh të jetës sonë, duke na kërkuar që të hiqnim dorë nga individualiteti ynë personal, me qëllim për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, një njeri të ri. Përballë kësaj situate, ka pohuar ai, ne ishim të detyruar të vendosnim nëse të pranonim ose jo këtë drejtim të ri. “Ishim para një alternative të pa evitueshme, për të dëmtuar të tjerët (fizikisht dhe moralisht) ose për të pësuar ne sulmet nga të tjerët. Në lidhje me këtë nuk kishte kompromis”, ka nënvijuar Prof. Repishti, duke shtuar se ai vet kishte vendosur që të mos dëmtonte të tjerët, por të pësonte kritikat dhe sulmet nga të tjerët, dmth. nga kundërshtarët e tij.
Prof. Repishti ka pohuar gjithashtu se përvoja e tij në burgjet komuniste, jo vetëm që e ka bërë atë të identifikohej më mirë me problemet e përditshme të bashkatdhetarve të vet, po njëkohësisht, e kishte detyruar të përballohej me disa pyetje morale, për të mos thënë teologjike, në lidhje me natyrën njerëzore dhe mbi të drejtat e njeriut në këtë botë. “Cila është gjendja shpirtërore në ditët tona? Cili është reagimi ndaj tendencave për ta bërë njeriun si një frymë pa bazë morale, thjesht për ta shndërruar atë në një objekt? Si lufton njeriu për sigurinë e vet, për afirmimin e tij, për lirinë dhe pavarësinë personale dhe më në fund për ekzistencën e vet, për një ekzistencë kuptimplotë?” Z. Repishti ka shkruar që nga viti 1964 se “për të zbuluar përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve të vështira dhe të ndërlikuara të ditëve tona, unë kam vendosur t’i kushtohem kauzës së të drejtave të njeriut, me qëllim për të kontribuar diçka më të vlefshme dhe më fisnike ndaj fjalës “njeri, sepse kjo kauzë do të bëhej një ideal dhe shpresë për mua”, ka thënë ai.

Në celebrimin e 90-vjetorit të lindjes së Profesor Dr Sami Repishtit
Në celebrimin e 90-vjetorit të lindjes së Profesor Dr Sami Repishtit

Mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe Çamërisë
Si rrjedhim, Prof. Repishti ka qenë një mbështetës dhe aktivist i palodhur i të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo që ata jetojnë në trojet e veta në Ballkan. Profesori është dalluar gjatë dekadave të kaluara sidomos me aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta autoktone në Kosovë dhe trojeve të tjera në ish-Jugosllavi, por pa harruar gjithashtu as të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. Ai e ka zhvilluar luftën në mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët me mënyra të ndryshme si individ dhe si anëtar i organizatës së të drejtave të njeriut, Amnesty International. Por mbi të gjitha ai është aktivizuar si qytetar i lirë i SHBA, duke ushtruar të drejtën e tij, me shkrime dhe në kontakte personale, gjithmonë me qëllim për të influencuar përfaqësuesit politikë amerikanë që politikisht, diplomatikisht dhe më në fund edhe ushtarakisht me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, të ndihmonin shqiptarët dhe të mbronin të drejtat e tyre. Sa herë gjatë viteve, ka udhëtuar Prof. Repishti nga New Yorku në Washington për takime zyrtare me udhëheqësit më të lartë të qeverisë dhe të Kongresit amerikan për t’i sensibilizuar ata mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta anë e mbanë Ballkanit. Kontaktet e tij me Washingtonin zyrtar kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme, ndërkohë që ai konsiderohej si një këshilltar i besueshëm dhe i drejtë në marrëdhëniet e tija me Departamentin Amerikan të Shtetit, me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë dhe sidomos me udhëheqës të Kongresit amerikan të dy partive kryesore amerikane, republikanë dhe demokratë.
Paraqitja e Profesor Repishtit para Kongresit Amerikan më 1965 ishte vetëm fillimi i kontakteve të Prof. Repishtit me autoritetet amerikane. Ç’prej asaj dite, ai nuk i është ndarë paraqitjes së çështjes shqiptare në qarqet më të larta politike dhe akademike amerikane. Prof. Repishti gjithmonë ka gëzuar respektin më të madh në këto qarqe si njeri i besueshëm dhe i drejtë, por është njohur edhe për angazhimin e tij të fortë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut, këshillat e të cilit duhej të merreshin parasysh.
Në një letër që Zv/Presidenti Al Gore i kishte dërguar Prof. Repishtit me rastin e 75-vjetorit të lindjes, duke i dërguar atij “urimet më të përzemërta për ditëlindjen” i shkruante se “jeta jote është një shembull i shkëlqyer, e asaj që është e madhërishme në SHBA… E di se familja dhe komuniteti i juaj, me të drejtë janë krenarë për karrierën tuaj të profesorit prej 25 vjetësh, për guximin tuaj të papërkulshëm dhe për aktivizmin tuaj në fushën e çështjeve shqiptare”. Ndërsa nga ana tjetër e spektrit politik amerikan, Kongresisti republikan nga Long Island i New Yorkut, Peter King në të njëjtin rast shënon në gazetën zyrtare të Kongresit, “Congressional Record”, lavdërime për Repishtin, të cilin ai e cilëson si një “bashkqytetar shëmbullor”, duke theksuar se, “Gjatë gjithë jetës së tij, Dr. Repishti i është dedikuar luftës kundër shkeljes së të drejtave të njeriut, shkelje të cilat ai vet i kishte përjetuar për një kohë të gjatë”. Kongresisti King thekson rolin që ka luajtur Prof. Repishti në udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), “një organizatë e dedikuar për të luftuar shkeljet e të drejtave të njeriut të shqiptarëve”, ka shkruar ligjvënsi amerikan republikani Peter King
Miku ynë i nderuar – ju jo vetëm ishit dëshmitar i një historie të tmerrshme, por për më tepër, ju edhe keni vuajtur nga krimet e asaj historie, nga krimet më çnjerëzore që mund të ndërmerrte një regjim kundër qytetarëve të vet. Por ju, megjithë vuajtjet kishit forcën, vendosmërinë dhe guximin për të mbrojtur parimet e lirisë dhe të drejtat e njeriut, si shembull për brezat e ardhshëm.
Profesor Dr. Sami Repishti, ky mbështetës i shquar dhe luftëtar për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut – miku i ynë Prof. Sami Repishti, jo vetëm sot në kalimin tuaj në amshim, por me fjalët dhe veprat e tij shembullore, ai gjithmonë na ka ftuar dhe kujtuar duke na bërë thirrje edhe sot që të mos harrojmë krimet e së kaluarës. Por, është e rëndësishme për pajtimin shoqëror dhe kombëtar, ka thënë ai, që ato të korrektohen, me qëllimin dhe shpresën që të mos përsëriten më.
Mendoj se Prof. Repishti na porosit sot që të bëjmë më shumë në mbështetje të drejtave të njeriut – duke thënë se megjithëse anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, shqiptarët kanë shënuar përparim të dukshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë – si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë shumë për të bërë në këtë fushë dhe në fushë të tjera – sidomos në fushën e pajtimit kombëtar e shoqëror – për të siguruar që të drejtat e njeriut, dinjiteti njerëzor për secilin person, barazia para ligjit dhe liria për të gjithë, të nguliten njëherë e mirë në mendjen dhe zemrën e shqiptarëve dhe përgjithmonë anë e mbanë trojeve shqiptare. Ky është një objektiv, për realizimin e të cilit ka punuar gjithë jetën e tij Prof. Repishti. Ai na këshillon sot se puna për sigurimin e të drejtave të njeriut nuk kryhet kurrë, por do të thoshte se shqiptarët kanë çdo arsye që të kenë shpresë, se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më e sigurt se e kaluara e tyre e hidhur dhe më e mirë se e tashmja zhgënjyese.
Të jeni të sigurtë i nderuar Profesor, koleg e mik i nderuar, se shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri si edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, falenderojmë Zotin që të patëm – se jemi të gjithë tepër krenarë për arritjet tuaja në fushën e të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët në veçanti, dhe për njerëzimin në përgjithësi.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë. Lamtumirë i dashur Profesor i dashtun. E paç bekimin e Perendisë – e uratën edhe në atë jetë. Pushofsh në paqe!
Trashëgimia e tij qoftë kujtimi i tij!
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.