Lamtumirë Licia Albanese!
Largohet 101 vjeçarja, Legjenda e Operës
E diel, gusht 17, 2014
Ka vdekur në Nju Jork, në moshën 101 vjet, legjenda e operës Licia Albanese.
Këtë e njoftoi djali i saj, Joseph Gimma, i cili shtoi gjithashtu se nëna e tij vdiq qetësisht në apartamentin e saj në Manhatan.
Sopranoja italiane, Licia Albanese, i natyralizuar amerikane, u bë e famshme për rolet e saj në kryeveprat “Madam Butterfly” të Puçinit dhe “La Traviata” e Verdit dhe ka kënduar në kohën e Arturo Toscaninit.
Mbasi debutoi së pari në Europë në vitet ’30, Licia Albanese u bë nji nga sopranot ma të admiruara të mesit te shekullit të njëzetë, si rezultat i nji bashkëpunimi me Operën Metropolitan të Nju Jorkut, ku ajo këndoi në më shumë se 400 shfaqje, gjatë viteve 1940-1966.
E lidhur kryesisht me Puccinin, ajo u ba në veçanti e njohur për “Madam Butterfly” e saj, nji pjesë që ajo e këndoi ma shumë se 300 herë.
E lindur në Bari, më 23 korrik 1913, ajo iu kushtua këngës qysh vajzë, duke u bërë ndër ma të preferuarat e Giuseppina Baldassare-Tedeschi, nji ‘Butterfly’ e njohur e kohës së saj. Debutimin e parë ajo e bën në vitin 1934, në Teatrin Lirik të Milanos. Në nji shfaqje të “Madam Butterfly”, ku ajo zëvendësoi papritmas, sopranon kryesore që u ndje e sëmurë, duke bërë kështu debutimin e saj në aktin e dytë, dhe duke korrur nji sukses të madh.
Më pas këndon në La Scala, në Covent Garden dhe në teatro të tjera europiane. U largua nga Italia për në Nju Jork, në vitin 1939, ndërsa nji vit më pas, më 9 shkurt, ajo bëri debutimin e saj në Metropolitan Opera, me të cilën bashkëpunoi për një kohë të gjatë. Licia Albanese, u bë qytetare amerikane në vitin 1940, dhe iu dha Medalja e Nderit të Artit në vitin 1995, nga presidenti i atëhershëm amerikan Bill Klinton.
Marrë http://leggo.it (përshtati në shqip Jozef Radi)