back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Lamtumirë Miku im…! – nga Albert Vataj – kushtuar largimit të parakohshëm të piktorit Gjovalin Paci…

Gazeta

Piktori Gjovalin Paci
Piktori Gjovalin Paci

Lamtumirë Miku im…!

nga Albert Vataj

kushtuar largimit të parakohshëm të piktorit Gjovalin Paci…

Të thyhet në shpirt shuarja e një miku të vlertë dhe një penelate zjarri
Gjovo, pas sodit ti nuk do të jesh më ndër të gjallët. Hapat e tu do t’i mungojnë këtij qyteti të zhurmshëm, të cilit i kërkove para disa vitesh të ishte bujar me mikpritjen e tij, siç ishe ti me të, me emrin e tij, duke i lejuar atij të mburrej më veprën tënde. S’pariherë do t’i mungosh bashkëshortes, djalit dhe bijës tande, miqve të shumtë, gjithë atyre që u njohën dhe e vlerësuan artin tënd, por edhe njeriun e mirë tek ju. Unë i përkas atyre miqve të hershëm, i përkas atyre ndejeve së bashku në shtëpinë tënde në Shkodër që nuk mundi të ishte e jotja, bisedave për pikturën dhe artin në studion modeste, ku punove për të dëshmuar talentin, por edhe për të mbajtur familjen me bukë.
Dhe ikën vitet miku im, dhe ditët gjithashtu, dhe në njërën prej tyre, pikërisht në në këtë fillim korriku zgjodhe t’i jepesh një ikjeje të beftë, një ikjeje tinëzare që pikoi në zemrat e shumë prej atyre që të njohën, atyre që ishin dhe mbeten derin në fund amirues të artit tënd, i atij korpusi krijues që pasuroi traditën e penelit shqiptar.
Ike miku im, duke lënë pas zemra të krisura nga dhimbja, sy që skuqin nga lotët dhe një hezitim të pezullt për të gjithë ata, përfshirë dhe mua, të cilët e kanë të pamundur të besojnë lajmin e kobshëm të shuarjes tënde. Ti ike kaq shpejt, ike kaq papritur për të mbetur përgjithmonë i gjallë në kujtime, i dritshëm në atë buzëqeshjen tënde të çiltër dhe i mirë, në atë mirësinë që munde të na e lësh si testament të vlertë, ndoshta shumë më të vyer se atë galeri të pasur punësh që do të mbeten gjithmonë një thesar i paçmim i artit shqiptar, i pikturës sonë.
.
Ekspozita e fundit e Piktorit Gjovalin Paci
Ekspozita e fundit e Piktorit Gjovalin Paci

Kush ishte Gjovalin Paci?

Ai ishte artist i lindur në vështirësi, rritur në përleshjen me të pamundurën dhe në një botë ku duhet vazhdimisht vetëm të ndeshesh. Kurrë nuk do ta mendonte se pasioni i tij i vizatimit, i atyre vizatimeve që nisi me thëngjill në shkëmbinjtë e malësisë së Razmës kur kulloste bagëtitë, në fëmijërinë e tij të hershme, të transformohej në një uragan rrapëllitës të vlerave promovuese dhe cytjes së një egoje për pushtetin e gjeniut. Rruga nga Malësia në Shkodër dhe nga Shkodra në Tiranë ishte një udhë që i rrethvjen përpjekjeve të tij ngadhënjyese për të jetuar. Ndërsa ngjitej si një Sizif në malin e detyresës, një yll sa vinte e shndriste më shumë, duke mbushur me dritë e reflektuar famë universin e tij. Puna vetëmohuese, përplasja me meskinin e kohës dhe smirën nuk e gjunjëzuan këtë Ante të penelit. Ekspozitë pas ekspozite, promovim pas promovimi, sukses pas suksesi, qytet më qytet e shtet më shtet, ai, Gjovalin Paci do të hynte tashmë në enciklopedinë e artit bashkëkohor si një personalitet dinjitoz dhe me ambicie të kurajshme.
.
Gjovalin Paci - Figura e Skëndebeut
Gjovalin Paci – Figura e Skëndebeut
Ai ishte prezantuar si një artist befasues me mbi 70 ekspozita personale dhe të përbashkëta të çelura si brenda ashtu dhe jashtë vendit, si Paris, Frankfurt, Bruksel, si dhe në vende të ndryshme të Ballkanit. Shumë punime të tij janë pjesë e koleksioneve të ndryshme të artit, të shoqëruara dhe me vlerësimet më të larta të kritikës vendase dhe të huaj.
Gjovalin Paci ishte një artist bashkëkohor. Punimet e tij janë plot koncept dhe filozofi, duke kaluar nga cikli me temat biblike tek motivet tradicionale dhe me aq delikatesë tek temat lirike. Mjetet gjysmë mistike dhe tonet e errëta, një finesë e jashtëzakonshme plot potencial shprehës, i bëjnë pikturat e tij të çuditshme dhe mjaft origjinale. Ka pasuruar këtë ballafaqim me artëdashësit dhe sfidën artistike me ekspozita për Nënë Terezën, Heroin Tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të cilat në vetvete ruajnë një veçanti shprehëse artistike dhe estetike, si në tematikë ashtu edhe në teknikë dhe në realizim. Fatmirësisht në udhën e tij të komunikimit përmes pikturës është mirëpritur dhe i është garantuar një admirim, gjë e cila ndikoi që shumë shpejt ku emër të mund të radhitet në listën e gjatë emrave dhe personaliteteve të shquara të tablosë shqiptare.
.
Gjovalin Paci - Lahutat
Gjovalin Paci – Lahutat

Nisja e vështirë

E ka nisur kështu rrugën e vështirë e të lodhshme të artistit ndërsa ishte vetëm 6 vjeç e shkonte të kulloste bagëtinë. Në fillim si shprehje të një dëshire të papërmbajtur për të vizatuar gjërat, me të cilat ishte në kontakt të përditshëm, si delet, kuajt, pemët, njerëzit, tokën… Nuk kishte mbaruar asnjë shkollë arti, por talenti i tij ishte sfidues në të gjithë dimensionet, duke i siguruar të shkojë larg dhe të mbetet lart në kreshtën e vëmendjes dhe vlerësimit. Gjovalin Paci sa herë e kujtonte me mall kohën ku dikur fëmijë, në një çantë mbante bukën e ushqimin dhe në tjetrën, ngjyrat, fletoret…
Dhe erdhi në ditët fatlume të kavaletit, të ngjitjes, famës dhe… vdekja e gjen diku atje në hutim dhe përpirje shpenguese krijimi, e diçka i kërkon në këmbim të përjetësisë. I kërkon dhe ia shkul jetën për ta lënë atje lart, në eter, në atë shtresim përshpirtjesh ku drita e yjësisë dhe Hyji do ia shtrojë amshimin me drita dhe ngjyra prej atyre që ai skaliti artin, emrin që do të mbetet gjithnjë këtu, në një cep të tablosë, në kujtesën që ai e shkroi vetë me mirësinë dhe njerëzoren që ishte po kaq e vlertë sa dhe arti që mbeti vepër dhe jeta e tij.
Lamtumirë mik i mirë!
(Më falni miq se ndoshta e hidhërova kohën tuaj me këtë lajm të trishtë, por nuk munda të rri pa shkruar pak radhë për këtë simbol të sfidës së talentit)
Me respekt, Albert Vataj
marre nga muri i fb. i Albert Vatajt https://www.facebook.com/albert.vataj/posts/10216280859325091
.
Gjovalin Paci - pikture
Gjovalin Paci – pikture

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.