back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Lamtumirë Nanë Gjela e Mirditës! – nga Dom Gjergj Meta

Gazeta

Dy Kunatat Gjikola dhe fëmijët në arkivol
Dy Kunatat Gjikola dhe fëmijët në arkivol 

Lamtumirë Nanë Gjela e Mirditës!

nga Dom Gjergj Meta*

E dashtuna nanë Gjela apo babë Gjela, sikurse të kanë thirrë krejt Kurbneshi,
erdhi çasti, e asht pikërisht ky, me u nda me ty. Në 19 vjet që jam meshtar kam përcjellë shumë njerëz në banesën e fundit, por sot kam shumë emocione e më duket se çdo fjalë që them asht pak për ty. Më lejo Nanë e dashtun sot me t’i thanë dy fjalë prej zemret.
Sot nuk po përcillet vetëm nusja e Gjikolajve, as vetëm bija e Kthellës, as vetëm nanë Gjela e Selitës, por sot po përcjellim drejt dheut të vorreve pranë Kishës së vogël të Shna Ndout Nanë Gjelën e Mirditës. Ti je nga ato nana të rralla që krenohet sot krejt Mirdita.
Faleminderit nanë Gjela për fisnkërinë tande, për jetën tande, për gjithçka na ke thanë e na ke dhanë. Sot dheu i Selitës e ka për nder me pritë trupin tand. Atë trup që njohu dhimbjet e një kalvari të egër. Sot po më duket që edhe Gjuri Gjon asht përkulë e po të nderon. Po më duket se edhe Uraka e ka ndalë rrjedhën e don me t’i thanë dy fjalë. Sot këtu kanë ardhë burra e gra prej kahmosit për me të thanë: Lamtumirë nanë Gjela! Prej sot do të prehesh nën këto pisha të vorreve të Kurbneshit, pranë kunatës tande, pranë Dilës e pranë Ages së vogël, pranë vjerrit tand që i shërbeve derisa vdiq.
.
Ipeshkvi Rreshenit - Dom Gjergj Meta
Ipeshkvi Rreshenit – Dom Gjergj Meta
E dashtuna nanë Gjelë.
Këtë verë isha në Tepelenë e po të rrëfej se më shkuen lot. Ndërsa shkelja atë dhe, hera-herës më dukej se dëgjoja të qara fëmijësh e gjama nanash për foshnjat e tyne të vdekuna në atë kamp tmerri. Aty ku iu fikën ty e kunatës tande Mrikës para duarsh dy engjëj të vegjël të cilat as me ujë nuk i shujtët dot, sepse kulshedra kishte mbyllë burimet.
Kushedi sa zana fëmijësh ke ndie krejt jetën tande në kullat e Selitës. Kushedi sa fmijë shkolle ke pa ndër rrugë tuj kalue për çdo ditë, a tuj lujtë. E kushedi sa prej këtyne herëve je strukë nën shtrume, a pas ndonji peme për mos me të pa kush, e ke vajtue, e ke mendue Dilën tande të vogël që vdekja ta muer tinzish në prehën. Ai krahnor i yti kushedi sa ka dishrue me ushqy nji fmijë, me përqafue një foshnje.
E dashtun nanë Gjelë!
Sot këtu duhet të ishin burrat e shtetit e burrat e Mirditës, me u përkulë, me të puthë duert e me i derdh dy pika lot mbi ty. Duhet të ishin vajtoret më të mira, jo me të vajtue, por me të këndue kangën e fisnikërisë, sepse për ty nuk ka vaj, por vetëm kangë. Kangë prej atyne që u këndohen shkëmbinjëve kilometrikë të historisë, sepse ti je një shkëmb kilometrik me të cilin matet historia e kësaj krahine. Sot ti je ndër ato ndalesa të historisë me të cilat matet historia e kombit tonë.
Edhe unë sot nanë Gjelë, nuk jam këtu vetëm si ipshkëvi i Rrëshenit, do të ishte shumë pak për ty, por jam në emër të krejt Kishës Katolike, për me të nderue edhe pse sot ti ne jap nder, e ne sot jemi të nderuem që patëm fatin me jetu në kohën tande, me të njoftë e me ta ndigjue zanin e me ta pa fytyrën.
E mira nanë Gjelë!
Tash ti je me Zotin e na kqyr prej s’lartit e ndoshta edhe buzëqesh me fjalët e mia, sepse janë të vorfna e të vobekta e nuk munden me përshkrue çka ti përnjimend përfaqëson. Nuk munden me thanë krejt çka ke qenë ti e çka ke jetue ti. Por unë sot guxoj me të kërkue që t’i tregojsh Zotit për ne e të lutesh për ne. Ti sot sheh fytyrën e Zotit e në duert e Krishtit ke dorëzue shpirtin tand.
Tregoji atij për ne, për kohën tonë, për Mirditën e për Shqipninë tone që ende nuk ta pruni nji rrugë deri këtu. Tregoji e lutju Zotit që zemrat tona të ndryshojnë, që ne të kthejmë fytyrë tonë kah Zoti e ta duem ma shumë njani-tjetrin. Ti e din tashma se atje nuk ka ma vuejtje e as urrejtje, as zemërim e as kreni. Atje ka vetëm dashni. Lutju Zotit ta zbrazë në zemrat tona dashninë e tij.
Ne sot na vjen keq që ti nuk je ma me ne, por sot për ty janë hapë dyert e qiellit. Aty në dyert e parrizit mendoj se nuk asht shën Pjetri tuj të pritë. Jo! Aty sot mbas derës së qiellit asht Dila jote e vogël. Të ka marrë malli me e pa sigurisht. Ajo të ka dalë përpara e të ka marrë përdore, ashtu si je, me veshjet e tua mirditore, e të ka thirrë me zanin e saj foshnjor: “A erdhe nanë? Sa të kam pritë? Po sa shumë u vonove! Hajde nanë se po na pret baba, po na pret gjyshi e nana Mrikë.” Ma në fund familja asht bashkë e gjitha në krahët e Zotit, të atij Zoti që ti i je lutë gjithë jetën tande e kurrë nuk e ke bjerrë besimin në të.
Ndigjoje nanë Gjela zanin e Dilës së vogël në lumninë e parrizit, po gzon se ti shkove te ajo e tashma s’asht jetime. E aty në atë jetë të vërtetë me siguri ke përqafue edhe nji herë Mrikën kunatën tande më të cilën i re ferrit pash më pash, vjerrin tand e ma në fund edhe Prengën e rinisë tande.
Po! Sepse në qiell ka vetëm rini, pasi aty Zoti asht gjithçka në të gjithë.
E tash nanë Gjelë,
duhet me u nda. Por një ditë kena me u pa, se kështu na mëson feja jonë. Atë ditë ne besojmë se ti do të jesh bashkë me të gjithë shenjtnit e nanat e mira tuj na pritë në dyert e qiellit.
Deri atëherë, lamtumirë nanë Gjela! Ta kena borxh jetë e mot! Pushofsh në paqen e Krishtit! Amen!
.
*Fjala që mbajta sot, 22 gusht 2020, në funeralin e Nanë Gjelës në Kurbnesh.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.