Lamtumirë, një miku të mbetur larg!
nga Jozef Radi
Është larguar nga jeta, mbas një beteje të gjatë me një sëmundje të rrallë e të rëndë miku im, po edhe i shumë njerëzve me struktura morale konservatore Ilir Myftiu. Iliri do të kujtohet prej atyre që e njohën nga afër si njeri që e desh shumë vendin e vet, që u përpoq me të gjitha mënyrat të ishte kontribues në mirëqënien dhe ekuilibrimin politik të popullit shqiptar mbas një diktature të egër që e kishte çuar në kufijtë e shkatërrimit total të strukturave morale dhe atyre institucionale… Shpesh i pakënaqur nga e vërteta ai mbrrinte deri në rebelime të ashpra…
Ilir Myftiu për shumë nga ne miqtë e tij do të jetë një klithëm e mbetur në ajër, një njeri që e ndjente të keqen me lëkurë, që nuk bëri kurrë kompromise me moralin e tij në dëm të vlerave që përfaqësonte dhe origjinës së tij prej fisniku…
Do ta kujtoj mikun tim me disa foto që i kam bërë në një ditë proteste nw korrik tw 2019, kur ishim të tre bashkë, me Osmon Kacelin dhe Ilir Myftiun dhe kemi kaluar disa orë me biseda pafund që do mbeten në kujtesën tonë, edhe përmes këtyre fotove…
Do ta përcjell përmes kësaj fotoje me një nga nipat e tij… Sebastianin, i cili është edhe nga postimet e tij të fundit! Si duket shpirti i tij e ka ndjerë se nuk mundej më… po trashëgimtarët e tij do ta nderonin shpirtin e tij luftarak dhe të paepur…
“Me nipçen e dytë Sebastian, sot 10 vjeç, champion në akademitë e gymnastikës për moshat.
Fitues i medaljeve të arta, të argjendta dhe bronzi, ne meetinget internationale USA , të zhvilluara në Miami të Floridës, në Idianopolis – Indiana, Battle Chrik City Mi, Rochester Hills Mi, plot 57 medalje në total, shumica absolute të arta.
I padiskutueshëm në disa disiplina të gjimnastikës!”
Ilir Myftiu
Nga bisedat e shumta ai më theksonte se rëndësishme për të ishte se vajzat dhe nipat i ka pasur gjithnjë pranë, po edhe nënës që i shërbente me një devotshmëri e përkushtim të rrallë, dëshmi edhe e humanizmit të tij…
Lamtumirë Ilir… do të më mungojnë ato bisedat tua të gjata që bënim bashkë dhe s’e vërenim sa shpejt na ikte ora, ndërsa flisnim për gjithçka po më shumë ato probleme që na shqetësonin e ia përcillnim njëri tjetrit…
4 maj 2023