Lamtumirë o mik i shtrejtë i Ferrit…
me rastin e Vdekjes së Prof. Pashko Gjeçit
nga Lek Pervizi
Të nderuem bashkatdhetarë të albashkencës,
dhe të tjerë kudo jeni, si në trojet etnike shqiptare
ashtu të shpërdamë nëpër botë, me një hidhërim të madh
morëm vesh për vdekjen e intelektualit të shquem
Prof. Pashko Gjeçit, të cilin kam pasun fatin ta njoh
para se të pësonte burgun, po edhe mbasi u lirue.
Ngushëllimet tona ma të thella familjes së tij dhe mbarë kulturës shqiptare.
Jeni të lutun ta shpërndani këtë letër nëpër miqtë tuej,
duke qenë se nuk i kam shumë adresa
të bashkëatdhetarve të nderuem që patjetër do të merrnin pjesë
në këtë hidhërim të përbashkët, por njikohësisht
krenari për një personalitet që e plotësoi jetën e tij
me vepra të çmueshme, ku si margaritar shkëlqen
përkthimi i “Komedisë Hyjnore” të Dante Alighierit.
Lek Pervizi, 22 janar 2010 (botohet për herë të parë)
.
Ky intelektual me veti të larta: si dhe profesor me njohuni të gjana në fushën e letërsisë e njohës i thellë i gjuhëve të vjetra latino -greke, si dhe italishtes, shprese e madhe e kulturës dhe letërsisë shqiptare, u dënue e u degdis në burgun famëkeq të Burrelit, në kampet e shfarosjes e të punës së detyrueshme. Pra, diktatura u vërsul mbi të me nji egërsi kriminale.
I vetmi ngushëllim ishte se shpëtoi gjallë, ndërsa shumë kolegë e miq të tij shkodranë e të tjerë, u pushkatuen.
Ishte n’ato kondita të tmerrshme të burgut ferr të Burrelit, ku ai iu përvesh përkthimit të kryeveprës së Dante Alighierit, dhe pikërisht Ferrit, që simbolizonte skëterrën komuniste ku ai vetë kishte përfundue. Çfarë ndodhi? U hap fjala, dhe ngjarja mori përmasa të tilla, sa që vetë qeveria komuniste u detyrue me e pranue kët shprehje të guximshme si nji akt kulturor që nuk mund të lihej në heshtje. Pashko Gjeçi u lirue (plotësoi dënimin) dhe iu lejue botimi i vëllimit të parë që ishte “Ferri”. Kjo bani që ai të mos trazohet ma gjatë, e kështu arriti të përkthejë veprën e plotë: “Komendine Hyjnore” të Dante Alighierit.
Jehona e këtij përkthimi i kaloi kufijtë, e në Itali u prit me kënaqësi e me admirim për përkthyesin që rezultoi të kishte mbarue universitetin në Itali me notat ma të nalta të mundshme.
Pashko Gjeçi i përkiste atij rrethit të diplomueve shkodranë që ishin një elitë e tanë intelektuale, përmendim disa emna, si Mark Dema, Guljelm Deda, Henrik Lacaj, Gjon Shllaku, Lazër Radi, etj. etj. Duke pasë fitue autoritet edhe ndaj regjimit komunist, ai organizoi përkthimn e kryeveprave të tjera të letërsisë botnore, kështu me këshillën e tij dhe në marrëveshje me Prof. Mark Demën, disa nga këto vepra iu besuen për t’u përkthye, Eneida e Virgjilit – Mark Dema, drejt nga latinishtja. Jeruzalemi i Liruem e poetët latinë, – Henrik Lacaj. Iliada – Gjon Shllaku. Për veprën e Ariostos, “Orlando Furioso”, ku mjeshtria poetike dhe sasisa e madhe prej 40 vargjesh e banin të vështirë përkthimin, ishte vetë Pashko Gjeçi që ishte shprehë se atë mund ta përkthente vetëm Guljelm Deda. Kështu siç dihet, Prof. Deda iu vu përkthimit po në kondita dënimi, burgjesh e internimesh, në 17 vjet punë të pandalun, pavarësisht nga konditat e papërshtatshme. U detyrova të shkruej këto njohuni të jetueme, për të theksue se si Prof. Pashko Gjeçi, nuk fjeti mbi dafina për lavdinë e tij personale, por u mundue me ndihmue edhe bashkëshokët e kolegët e tij intelektualë letrarë, që si ai ishin nëpërkambun nga sistemi i terrorit dhe i asgjesimit të vlerave njerëzore e kulturore.
.
Me këtë rast të trishtë e pashë të nevojshme të përmend disa rrethana që nuk njihen, që lidhen me emnin e Pashko Gjeçit, sepse ajo kohë e mynzyrtë nuk lejonte përhapjen e njohunive dhe të vlerave të atyne që vetë sistemi i kishte dënue e damkosë, për të mos lejue që ata të merreshin me punë kulturore, kur fare mire i detyronte të merreshin si bujkrobër me punët e randa bujqësore, gurore e kënetore, etj., etj.
Ta përkujtojmë këtë shkodran e shqiptar të shquem, që tashma e ka të shkruem emnin në librin e artë të letërsisë e kulturës shqiptare, por edhe ma gjanë, siç e dëshmon dekorata e naltë e dhanun nga Presidenti i Italisë, pas shembjes së diktaturës, kur iu dha mundësia me vizitue Italinë. Nga ana tjetër del në pah vlera e padiskutueshme e të burgosunve politike shqiptarë, ku mes tyne kishte intelektualë të këtyne përmasave, përfaqësues të denjë e të lavdishëm të atyne që pësuen terrorin komunist, e që konsideroheshin e konsiderohen se ishin dhe janë pa cilësi e aftësi intelektuale. Pashko Gjeçi asht një ndër përfaqësuesit ma të denjë e ma të lavdishëm pikërisht të ish të përndjekunve politikë (të burgosun e të
internuem), dhe sot me hidhërimin e madh që i pushton gjithë ata që e kanë njoftë e që kanë bashkëjetue me të në qelitë e Burrelit e gjetkë, ata ndjejnë edhe një krenari të ligjshme për një të tillë figurë madhore të kulturës shqiptare që u përket atyne. Kjo nuk duhet harrue.
Qoftë i përhershëm kujtimi yt, i ruejtun në veprat madhore që ke lanë trashëgim brezave të rinj.
Shpirti yt pushoftë në paqen e përjetshme.
Lamtumirë mik i shtrejtë!
Lek Pervizi