back to top
17.5 C
Tirana
E shtunë, 15 Mars, 2025

Largohet nga jeta Nikolin Kurti, – inxhinjeri që luftoi për eshtrat e Axhës së pushkatuar Dom Shtjefën Kurtit

Gazeta

Nikolin Kurti (1950-2025)
Nikolin Kurti (1950-2025)
Largohet nga jeta Nikolin Kurti,
inxhinjeri që luftoi për eshtrat e Axhës së pushkatuar Dom Shtjefën Kurtit

Miq dhe shokë më hidhërim ju njoftoj
se vëllai im Nikolin Kurti, papritmas i pushoji zemra sot mbasdite!
Punove shumë vëlla, u përpoqe shumë,
krijove një familje të qetë e të begatë, bërë shumë miq,
të deshën të gjithë dhe papritmas zemra jote
nuk mundi t’i mbante të gjithë dhe tradhëtoi
duke i mbyllur portat për të gjithë!
Të qoftë i lehtë dheu vëlla!
Silva Kurti – Qesteri

Dom Shtjefen Kurti (1898-1971)
Dom Shtjefen Kurti (1898-1971)

Me të nderuarin inxhinier Nikolin Kurti u njoha rastësisht vitin e kaluar, këtu në Facebook, falë disa shkrimeve modeste që kam bërë për orën “Primordial Passion” dhe për inxhinier Pirro Rucon, si shok fëmijërie. Edhe pse miq virtualë, më bënte përshtypje që inxhinier Nikolini ishte ndër të parët që do të bënte koment dhe do të shprehte respektin e tij ndaj inxhinier Pirros. Nga fjalët dhe mënyra si shkruante, e kisha të lehtë të kuptoja që ishte një njeri me kulturë, edukatë dhe shpirt të pastër.
Aq njerëzor, sa edhe në postime të tjera që bëja, inxhinier Nikolini vazhdonte të shkruante me atë formë dhe edukatë, ku çdo autor i shkrimit do të ndihej mirë.
Kaluan muaj dhe në “reels” apo storie, e shihje gjithmonë që postonte për mbesat e tij, të cilat i gëzonte shumë dhe krenohej me to, si për ditëlindjet e tyre, apo për mësimet e pianos. Në një rast, madje, edhe për një koncert që mbesa e tij, Nikol, dha për spektatorët, udhëhequr nga mësuesja e saj. Dukej që ishte familjar dhe familjen e kishte më të shenjtën.
Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje ishte pasioni, dashuria, këmbëngulja e tij, krenar për të postuar në Facebook shumë foto që kishin lidhje me jetën dhe veprën e xhaxhait të tij, Dom Shtjefën Kurtit. Ai dukej sikur jetonte me ato kujtime dhe dhimbje për jetën e vështirë, burgosjen deri në pushkatimin e tij. Tani i kishte ngelur krenaria që ai jetonte në kujtimet e secilit, i respektuar për veprën e tij si atdhetar dhe klerik, edhe pse padrejtësisht u dënua nga sistemi komunist.
Një ditë, në një “reel,” inxhinier Nikolini kishte nxjerrë librin e botuar, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Dom Shtjefën Kurtit. Duke e uruar për këtë libër, dhe duke thënë se ishte mëse i merituar për të, i shkrova që, në nder dhe respekt për atë atdhetar, klerik, që ia prenë jetën në mes padrejtësisht, isha e gatshme ta përktheja të gjithë librin në gjuhën angleze, pa asnjë detyrim. Inxhinier Nikolini më dërgoi disa faqe dhe më tha se libri ishte në dy gjuhë, në anglisht dhe në shqip. Nëse më vonë do të kishte ndonjë material tjetër, më tha që do të ishte i gatshëm të ma dërgonte për ta përkthyer.
Pothuajse çdo dy ditë ai nxirrte në reels foto të ndryshme, për Dom Shtjefën Kurtin, për djalin e tij, apo për mbesat e tij. Edhe dje, të hënën, për mua në Toronto, në orën 6:42 të mëngjesit, pashë diçka të postuar prej tij – një foto ku kishte dalë me djalin e tij. I shkrova: “Ti kesh me jetë dhe të lumtur fëmijët e mbesat e tua të dashura, Nikolin. Javë të mbarë ju uroj!”
Për orën e Tiranës, duhet të ishte 12:42 pasdite. Më kthen përgjigje në orën 7:38, të mëngjesit për Toronton, dhe në Tiranë ora ishte 13:38: “Të falënderoj Valentina, qofsh përherë e bekuar, me respekt dhe mirënjohje,” dhe unë i përgjigjem: “Rrofsh, bekime dhe për familjen tuaj.”
Ndoshta në orën tonë në Toronto 2:00 pasdite dhe të Tiranës 8:00 të mbrëmjes, dje u shtanga kur lexova lajmin e hidhur për largimin e papritur nga jeta të inxhinier Nikolin Kurtit, nga fëmijët, mbesat e tij, dhe të gjithë miqtë e shokët e tij. Nuk dija shumë hollësi për jetën e tij, por nuk kisha nevojë, sepse njeriu e tregon veten edhe me ato pak rreshta që shkruan. Dhe vërtet, kur lexova sot në faqen tuaj nga miqtë tuaj, nuk kisha gabuar që ju keni qenë gjithmonë një intelektual, ku gjimnazin e keni mbaruar me medalje ari dhe keni qenë një inxhinier i zoti, inxhinier Nikolin.
Edhe pse nuk u takuam personalisht, krijova një respekt të veçantë për ju, inxhinier dhe mik virtual, Nikolin Kurti. Ju qoftë dheu i lehtë dhe shpirti juaj pushoftë në parajsë!
Lamtumirë, miku ynë i çmuar, Nikolin!
Valentina…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Buy Me A Coffee
Dhuro per mirembajtjen