Llazar Sotir Gusho, i njohur nën pseudonimin Lasgush Poradeci,
lindi më 27 dhjetor të vitit 1899 në Pogradec,
Shqipëri dhe vdiq më 12 nëntor të vitit 1987,
poet dhe shkrimtar shqiptar.
.
Lasgush Poradeci (1899-1987) – Kater Poezi
Mbarim Vjeshte
Fluturoj dhe shtërg’i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që-me-natë sipër malesh me dëborë…
Iku rënd’e i përmallshmë, dhe me sqep të ti të fortë
Zotriut q’i la folezën i trokiti mun në portë…
Pra, më s’duket shpes’i fatit prapa bujqësh dhe ploresh,
Prapa brazdës së rrëzuar hap-më-hap prej qe malorësh;
Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,
Vdiq nëpërka pikëlore ndaj blatisht e shkretëtirtë.
Dheri – i mardhur prej thellimi dirgjet heshtur nënë brymë,
Fryn veriu në pyll të thatë me zemrim e më fërtyme
E si shtohet cingërima… ja! se ku dinak dh’i vocërr…
Nëpër gardh – e nëpër ferra dërdëllet gazmor një cocërr!…
O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
Kur bariste dal-nga-dalë, – posi dhëndër me kurorë!…
E kur pranë i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur – posi vash’e nusëruar!..
.
Të ritë e viteve të mi
Të ritë e viteve të mi,
M’a fryri fati zall më zall:
Sesi çkëlqenje në stoli
Kur më pat zën’i pari mall!
Të ndrinin flokët posi ar
T’u derdhur supes tatëpjet,
E të vështronja zilitar
Në sy të fellë posi det.
E shtat’i shkundur-hije-plot
Aq bukuri pa shëmbëllim:
Aq dhëmbshuri ky mall i kot,
O pëllumbesh’e shpirtit t’im!-
Të ritë-e viteve të mi
M’a fryri fati zall më zall:
Ti perëndove në stoli
Sa me pat zën’ i pari mall.
Që sot i ëndravet e varg
M’u mbyll në gji si nënë varr
Dh’u nisa për në vend të larg
T’u djegur pas si yll me zjarr.
Po nga mërgimi zemërak
Të pres me mardhje të më vish,
Të më rrëfehesh si zëmbak
Nër mijë lule dhembshurish:
Nër mijë shpesë një pëllumb
Q’i mbenë shokët aqë pas…
E zin’e jetës do t’a humb,
E buzën do t’a bëj me gas. –
…Tashi ah! djelli vate-e shkoj
I përvëluar përmi dhe
Nga zemr e tija fluturoj
Një reze-e bukur nëpër re.
Nër zemërime ku po qaj
Vjen lajm i ri plot ëmbëlsi,
Pa me mbush n’emërin e saj
Me drit’e me përjetësi.
.
Kush ta fali bukurinë
Kush ta fali bukurinë
Që t’e më trerosh të zinë!
Kur të pashë për të vluar,
Pëllumbeshë pendë-shkruar,
Bubu! plumb në kraharuar,
Plumb që vret dyke gjëmuar!
Mbledhur shoqet me një qoshe,
Diç, m’ju flisje, diç m’ju thoshe,
Gushë-e-llërë-e-gji-bardhoshe.
Pa me syçkëzat e tua,
Sy-larmë! ç’më fole mua.
Leshrave t’ju binte hija,
Yll i ndezur me shkëndija,
Ndezur mun në mes në ballë,
Të më vesh në dhe të gjallë.
.
Gjeniu i Anijes
Vështroni si shket sipër valash
E tundet anija me nge? –
…Me krismë-e me prush prej stërkalash
Mi të shkrepëtiu një rrufe!…
Ti det, brohori fshehtësirë!
Kuptim i potershëm, ti det!
…Po heshtje: ndaj valës së nxirë
Gjeniu i anijes po flet:
Prej zallit që sot po largohem,
Fillova mërgimin e ri;
Hepohem… anohem… humbohem…
Po sulmin s’e ndal kurrsesi.
Dh’aspak nuk me tremb zhurmëria,
Ndaj turret me hov e vërtik
Mi ballë-e mi korje të mia
Ndërsimi-i tallazit armik.
Përpara kur shoh gjeratore,
Dh’ato me gremisin në fund-
Mi kulmin e valës malore
Un’ heq të shpëtoj sa me mund.
E morti fatkeq në me ciku,
N’u desh tmerrësisht të fundas –
Aspak nuk me thyen rreziku,
Po nis e përmbysem me gas:
Se prapa lë vazhdën e ndritur –
Q’e hapa më shpirtin fatos:
Fistonin gazmor ku pat shkitur
Valim-i anijes q’u sos.
Valim-i anijes së letë
Qetohet, ndalohet, mbaron
Njeriu i anijes përjetë
Hepohet… anohet… valon…