back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Lasgush Poradeci dhe Musine Kokalari – Fisnikët e letrave shqipe në një letërkëmbim mes tyre

Gazeta

Musine Kokalari (1917-2017) - 100 Vjetori
Musine Kokalari
(1917-2017) – 100 Vjetori

Lasgush Poradeci dhe Musine Kokalari

Fisnikët e letrave shqipe në një letërkëmbim mes tyre

 Me rastin e 100 Vjetorit të Musine Kokalarit

(Botohen për herë të parë*)

Tiranë, më 23-3-37
 
I ndershmi Zoti Lasgush,
Me prurësin e kësaj letre po ju dërgoj dorëshkrimin t’uaj që përmban: Gjaja e Malsorëvet dhe Miku dhe, në bazë të bisedimit që patëm me Zotin Sherko, ju lutem të përkëtheni në gjermanisht këngën që këndojnë gjatarët. Gjithashtu ju lutem të përkëtheni edhe këngën që ësht në fund të “Si vdiq Selman Todorusha”. Këtu poshtë po ju rrjeshtoj të katër vargjet që janë në tekstin që jam detyruar t’a mbaj akoma:
 
U-tund mali, u tund fusha,/ U-vra Selman Todorusha.
Katër xhika Zeliha/ S’janë vark në dynja; (vazhdimin e keni ju)
 
Gjithashtu ju lutem të më bëni të ditur, po të jet e mundur me prurësin e kësaj letre, se s’i mund ta përkëthejmë fjalën aga. (Selman aga).
Me shumë të fala
M. Kokalari
P.S. Nesër përkëthimet e mija të prozës do të jenë të gjitha gati.
.

***

Zonjushës Musine Kokalari
Via Garfagnano 8 int. 12
Romë
Tiranë, më 6 Qershor 1940
.
Fort e nderuara zonjushë,
Po marr lejë t’Ju them të kini mirësinë të mirni prej Zotit Giovanni Baldacci, inspektor i studentëve shqiptarë në Romë, via Cavour 191, teserën dhe libretin e s’ime shoqeje Nafije Mema e cila pas martesës mban mbiemrin t’im Gusho.
Ju lutem veçanërisht të bëni mundimin shumë të math të marrjes së nënshkrimeve për mos t’a humbur Nafija vitin akademik 1939-1940.
Këtë lutje më dha kuximin t’Ja-u bëj admirimi im nga zemra për veprën t’Uaj, për disa shënime mi të cilën i-a shpreva dëshirën t’ime, të më bëni personalisht, dy prej vëllezërve t’Uaj.
Zoti Mumtaz më tha atëhere se nuk ishit në Tiranë, se kishit shkuar prapë në Romë, se do t’Ju thotë “kur të vijë tashi për Krishtlindje”. Nuk di në arthtë vitin e kaluar për pushimet e Krishtlindjes, mi një vepër letrare nuk është kurrë von që të shkruhet.
Pranoni nderimet dhe falenderimet e mija mirënjohëse që përpara.
Juaji Dr. Lasgush Poradeci
Profesor në Liceun e Shtetit, – Tiranë
 .

Lasgush Poradeci dhe Nafije Mema
Lasgush Poradeci dhe Nafije Mema

***

Zonjushës Musine Kokalari
Via Garfagnano 8 int 12
Romë
Tiranë, 8 Korrik 1940.
.
Shumë e nderuar zonjushë kolege,
Ju falen nderit për pritjen e lutjes s’ime dhe kujdesin e menjëhershëm që më rrëfyet. Këtë po e marr vesh vetëm prej letrës s’Uaj të 1 Korrikut, përveç së cilës s’më ka rënë tjetër në dorë. Dhe më vjen keq si nuk më qënka dorëzuar edhe ajo e datës 12 Prill që më shkruani.
Me të vërtetë Zoti Baldacci më dërgoj dëftesat kryesore të regjistrimit, dyke mbetur disa formalitete të vogëla për t’u plotësuar pak më pas.
Ju lutem të kini mirësinë të më shënoni listën e plotë, pa asnjë mungesë, të lëndëve të nevojshme për provimet e vitit të parë. Janë këto lëndë vetëm libra të shtypura, apo dhe në formë tjetër? Dhe të më caktoni çmimet e tyre të tanishme si dhe ku gjinden ose ku mund të prokurohen. Në ç’muaj të Vjeshtës dhe nër cilat ditë jipen provimet?
Për këtë Ju lutem nga gjithë zemra ime.
Nga tërë ç’më shkruani më pëlqen më shumë fjala që jini gati “për çdo bisedë letrare”, kisha dëshirën t’Ju pyes rreth disa pikave po siç munguat ahere jini dyke munguar dhe tashi dhe kështu në një revistë të kryeqytetit po del fatkeqësisht pa dritën e atyre shpiegimeve një shënim i im i vogël mi librën t’Uaj.
Nafija u gëzua kur i-a dhashë të falat të cilat i a u kthen me anën t’ime. Ajo më flet shpesh herë për Juve – për karakterin t’Uaj prej vajze shqiptare. Këtë Shtator do bëjmë përpara njerëzve bashkimin t’onë të bërë vjet në Qershor para Zotit.
Juaji me nderime të çquara kolegjiale
Lasgush Poradeci
.

***

Zonjushës Musine Kokalari
Via Garfagnano 8 int 12
Romë – 18 Korrik 1940
.
E nderuara dhe e ndritur zonjushë,
Mbesoj se do t’a kini marë letrën t’ime të fundit, prej saj kuptuat brengën që kam gjer të ve në udhë çështjen e provimeve.
Sot po Ju lutem të më ndjeni për këtë çqetësim të ri. Besimi që kam ne mirësija e zemrës s’Uaj më bën t’Ju sillëm kësisoj dhe këtë m’a jep ndjenja se më jini shoqe e shkrimit.
Ju lutem të bëni edhe një herë mundimin dhe të blini e të m’i dërgoni librat si dhe dispensat e vitit të parë universitar 1939-1940) për magjisterin në pedagogji dhe filozofi. Të më shkruani njëkohësisht (në është e mundur) dhe kur, në ç’muaj e ç’datë bëhet kërkesa për të dhënë provimet e sesionit të Vjeshtës 1940. Këtu mbyllur po Ju dëgoj një çek prej – 25 – frëngash shqiptare për çmimin e librave dhe të dispensave.
Nuk mund t’Ju them me shkrim mirënjohjen t’ime për shërbimet t’Uaja fisnike, vete me shpresë se do të kem nderin t’Ju shoh një herë në kryeqytet.
Juaji me falenderime nga zemra ime
Lasgush Poradeci
.
Musine Kokalari (1917-2017)
Musine Kokalari (1917-2017)

***

Zonjushës Musine Kokalari
Via Garfagnano 8 int 12
Romë
Tiranë, më 24 Korrik 1940
 .
Fort e ndritur dhe e dashur zonjushë,
Përgjigja Juaj më gëzoj shumë, ardhi shpejt siç e dëshironja dhe e kisha mendimin. Sapo e mora vajta në Durrës ta pyes Nafijen, ajo sgjodhi anglishten dhe më tha t’Ju shkruaj dhe të falat e saj. Mirë kini vënë histori në vend të latinishtes, për degën e pedagogjisë, edhe lëndët e tjera mirë janë vënë. Kështu Ju lutem të m’i dërgoni librat dhe dispensat, vetëm që nuk e di në Ju mjaftojnë të hollat, mua më thanë 20 fr, unë i bëra 25. Mos harroni të më shënoni mungesën.
Kur Ju shkrojta letrën e parë disa veta në kopshtin e Kursal-it, nuk Ju pranonin, i kundërshtova siç mendoja vetë, i-u bëri përshtypje kur muar vesh se ato mendime po botohen. Dje ishim në një mbledhje letrare edhe me ministrin e arësimit, Ernest Koliqi. Ra fjala për Juve, Koliqi foli mirë, e dëgjuan dhe disa nga ata “mospranonjësit”. Një koleg i tha për recenzimin tim, Koliqit i ardhi mirë.
Pranoni të falat dhe mirënjohjet e mija nga zemra.
Juaji Lasgush
.

***

Romë, 30 korrik 1940
.
I ndershmi Zoti Lasgush,
Pas letrës së fundit që mora këto ditë dhe në bazë të degës së zgjedhur Nafijes i bleva librat dhe dispensat e duhura.
Të shtunën në mëngjes librashitësi postoi paketën. Duke marë parasysh se Tirana është e vogël dhe njihen njerëzit jam e qetë se pakua do të vijë edhe duke pasur adresën e shtëpisë gabim. Në vënd të 34 vuri 54. Ishte vonë kur e mora vesh. Sidoqoftë më lajmëroni marjen, mbasi dua të dal nga meraku.
Ju falem nderit shumë për mendimet e mira dhe për përkrahjen që tregoni për mua. Në çdo gjë sundon pjesa e mirë dhe e keqe. Një gjë e tillë ndodh edhe në mendime. Si thoni dhe vetë janë disa që më pranojnë dhe disa jo. Gjithsekush ka arësyet e veta sipas mënyrës që shikon shkrimet.
Kjo gjë më gëzon shumë sepse mendimet e kundërta hapin udhën e kritikës që ka një vlerë të madhe. Në Shqipëri siç e dini dhe vetë rallë mund të gjejmë një kritikë, e cila të jetë analitike edhe pa paramendim. Zakonisht për të mos prishur qejfin e njerit e tjetrit, çdo gjë që botohet kritikohet jo në bazë të veprës, po të personit që shkruan duke i shtuar një barrë lavdime. Letërsisë s’onë që sot po bje poshtë ose po humbet dal-nga-dal i mungon kritika letrare, nga shkaku se nuk ka patur as rrymë as kundërshtim mendimesh.
Njerëzit që nuk më pranojnë i çmoj po aq sa ata që më pranojnë. Të dy palët më bëjnë një të mirë, se me përpjekjet e tyre do të kuptoj kur shkruaj mirë dhe çfarë më mungon, duke pasur parasysh që çdo vepër ka pjesën negative që i jep vlerë asaj positives.
Më lejoni të mbaroj me kaq.
Nafijes shumë të fala.
Me respekt Musine Kokalari
.
(*Falenderojmë vajzën e Lasgush Poradecit, Marijen për dashamiresinë në ofrimin e kësaj korrespendence të rrallë të babait të saj me Musinenë)
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.