back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Lasgush Poradeci dhe Tirona… Bedri Alimehmeti

Gazeta

Bedri Alimehmeti
Bedri Alimehmeti

Lasgush Poradeci dhe Tirona…

nga Bedri Alimehmeti

Një ditë, pak pasi ishte kthyer nga një shëtitje, kishte mbërritur në shtëpinë e Lasgushit, Petraq Kolevica. Pasi i tregoi disa poezi të përkthyera nga gjermanishtja në bisedë e sipër i tha:
-Aman dhe këta tiranasit, nuk ia thanë një herë tamam emrin Tiranës, qytetit të tyre, por gjithnjë Tirona, Tirona!
Lasgushi e kishte parë gjatë në sy dhe më pas i kishte dhënë këtë përgjigje:
-Që duhet ta kenë një arsye të fortë që thonë Tirona dhe jo Tirana qytetit të tyre, unë nuk e diskutoj. Them kështu sepse, e di mirë që ky popull bujar ka qindra vite, më saktë shekuj, që e quan kështu qytetin e tij. Dhe arsyeja kam mendimin se vjen pikërisht nga Thellësia e Shekujve.

Lasgush Poradeci dhe Cuci i tij...
Lasgush Poradeci dhe Cuci i tij…

Arkitekti qe stepur për një çast, aq më tepër kur kishte vënë re që nga sytë e poetit kishte nisur të fekste vezullimi i një drite të paparë. Gjithçka ishte e qartë, “masati’” mendjes së tij pritej të shkëndijonte sërish, madje edhe më fuqishëm.
-Ty të shqetëson shumë mbaresa “ona’’, por duhet të dish që perëndesha e lashtë e Ilirëve, pra e të parëve tanë ishte Dodona. Madje, enkas për të ata ndërtuan tempullin e Dodonës, ku shkonin dhe i faleshin përditë. Në jug të Shqipërisë kemi një qytet shumë të bukur buzë detit, m’u aty ku ndahen dy detet e mrekullueshëm Joni dhe Adriatiku. Ai qytet sot quhet Vlora, por emri i tij i lashtë është Aulona, e që tiranasit e thërrasin Vlona. Po të shkojmë në veri e të ngjitemi në Alpe, atje mes Bjeshkëve të Namuna, kemi një lumë me bukuri përrallore, që quhet Valbona. Pra, edhe këto emra me “ona” mbarojnë. Dhe ne na pëlqen dhe i duam shumë. Por nuk mbaron këtu llafi im. Po të kalosh detin Adriatik dhe të zbresësh në brigjet italiane ke një qytet mjaft të bukur, që mban emrin Ankona. Kurse në veri të Italisë gjëndet një qytet tjetër me emrin Verona, qyteti i Romeos dhe i Zhuljetës. Dhe italianët me sa di deri më sot, nuk janë të shqetësuar por, as nuk janë ankuar që emri i qytetit të tyre të mrekullueshëm mbaron me “ona”.
Pas kësaj Lasgushi e kishte ndalur fjalën dhe qe mbushur thellë me frymë. Kundërmimi i aromës së selfijonit ose borzilokut të sapoçelur, siç i thoshte ai nëpër vazot e radhitura me kujdes anës murit, ia zgjeroi edhe më shumë kraharorin.
Arkitekti i zënë disi ngushtë pandehu se poeti kishte mbaruar dhe desh të shtonte diçka, por ai ia bëri me dorë të priste.

Tregimet e Tironës
Tregimet e Tironës

-Nuk kam mbaruar ende, kam edhe më. – shtoi poeti. Po të përmend edhe dy emra qytetesh nga më të bukurit në Europë. Madje, njëri prej tyre është kryeqytet, Lisbona dhe tjetri Barcelona. Po gjithsesi këtë herë do të jemi sërish në Shqipëri në dheun e Arbërit, ku plot vajza të bukura quhen Elona, Bleona, Jona, Edona, Ermiona, Emona etj. Gjithë këta emra bukurish të rralla vijnë nga lashtësia dhe mbarojnë me “ona’’. Dhe neve na vjen mirë, dhe i gëzohemi pamasë yllësisë së tyre. Ndaj dhe ky popull i urtë e punëtor, mikpritës në kulm, dashamirës e bujar, që nuk di të përgojojë askënd e ka një arsye të fortë që nuk i thotë kurrë Tirana, por Tirona qytetit të tijë, të cilin sigurisht e dashuron më shumë se sa ne. Unë kaq di të them, të tjerat kanë për detyrë t’i bëjnë historianët, arkeologët e gjuhëtarët, të cilët duhet të hulumtojnë, të kërkojnë e të gjejnë arsyen e vërtetë.
Kaq kishte nxjerrë nga “masati” Lasgush Poradeci dhe kishte heshtur.
Brënda pak çastesh, në mënyrë të habishme perceptimi i tij qe zhytur në thellësi të paimagjinueshme e të mistershme të shekujve, duke vërtetuar kësisoj edhe njëherë potencën e pakrahasueshme që karakterizonte analizën e tij zhbiriluese prej gjeniu.
Tirona-intellectum
Shkëputur nga libri i Bedri Alimehmetit “Tregimet e Tirones”.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.