back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Lasgush Poradeci, Poeti i Magjisë së Yjeve dhe i Heshtjes buzë Liqen – nga Agim Xh. Dëshnica

Gazeta

Lasgush Poradeci (1899-1987)
Lasgush Poradeci (1899-1987)

Lasgush Poradeci,

Poeti i Magjisë së Yjeve dhe i Heshtjes buzë Liqen

nga Agim Xh. Dëshnica

Shumë vetëve, teksa zbresin nga Qafë Thana e sodisin liqenin e Pogradecit, u shfaqet si mirazh Lasgush Poradeci në moshë të re, poeti i dashurisë dhe i magjisë së yjeve, buzë liqenit teksa sodit liqenin. Mandej në moshën e pleqërisë, duke ecur i menduar me shkop në dorë e borsalinën e vjetër, në kërkim të kohëve të humbura të rinisë, kur në çaste frymëzimi krijonte vargje plot harmoni për muzgun e heshjen në liqen e në qytet, për fluturimin e shtërgut, për krojet, lundrat e zambakët mbi ujë, për shqiponjën, Malin e Thatë, Shën Naumin e Drinin e kaltërt. 
Emri Lasgush na sjell ndërmend hiret e lirikut romantik e simbolist, ndërsa caku Poradeci ka thyer një emërvend të huaj. Asokohe i njohur si poet romantik kudo, dallohej jo vetëm për adhurimin ndaj natyrës, por edhe për dashurinë ndaj njeriut, miqve e krijuesve të tjerë. të moshuar apo të rinj si Fishta, Mjedja, Asdreni, Noli, Kuteli, Koliqi, Buharaja etj

Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike, diplomatike.... Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi. At Gjergj Fishta dhe Asdreni.
Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare,
qytetnuese, letrare, politike, diplomatike….
Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi – Gjergj Fishta dhe Asdreni.

Jeta dhe krijimtaria e poetit

Llazar Gusho, u lind më 27 dhjetor 1899 në Pogradec në një familje atdhetarësh, i cili deri në mbarim të jetës, do të njihej në botën letrare vetëm me emrin Lasgush Poradeci. 
Qysh në moshën dhjetë vjeç, Lasgushit ndryshe nga çdo poet tjetër, hapësira përqark e vendlindjes, i fali atij frymëzmin poetik. Asokohe në brigjet rreth liqenit, nga Pogradeci në Strugë, Ohër e Shën Naum, jetoninin thuajse vetëm shqiptarë, që flisnin toskërisht në të njejtin dialekt. Poeti i ardhshëm mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Shkollën e mesme e nisi në Manastir. Ishte një kohë me tronditje të brendëshme, me rebelimin e vitit 1914 kundër Qeverisë së Vlorës e me rrezikun e Luftës së Parë Botërore, kur pavarësia humbi paqen e qetësinë. Shkollat u mbyllën dhe Llazari u kthye në Pogradec. Pas mbarimit të luftës, i ati e nisi për në Athinë të mësonte në Liceun Francez arumun. Mësimet i mbaroi në vitin 1921, në Silistra, asokohe qytet bregdetar i Rumanisë e sot i Bullgarisë. Po atë vit vajti në Bukuresht për të ndjekur studimet e larta në Akademinë e arteve dhe të letërsisë. Gjatë asaj kohe iu desh të punonte dhe njëherazi të studionte. Në ato vite mori pjesë në lëvizjen atdhetare të Kolonisë Shqiptare, krahas me Asdrenin dhe atdhetarët e tjerë dhe u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj. Në vitin 1924, me bursën e Qeverisë së Nolit kreu studimet në Grac-Austri në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane. Në mbarim, mbrojti temën: “Eminesku dhe poezia popullore rumune.” Me ndihmën bujare të Kutelit dhe bashkatdhetarëve në Rumani, u botuan në Bukuresht dy vëllimet poetike të Lasgushit “Vallja e yjeve” në 1933, dhe “Ylli i zemrës” në 1937. Atëherë Lasgush Poradeci shkruan edhe një histori për lëvizjen kombëtare të shqiptarëve të Rumanisë dhe jetëshkrimin e veteranit të asaj lëvizjeje, Nikolla Naço. Me këto vepra, ai u bë i njohur në Shqipëri e jashtë saj. I kthyer në atdhe në 1934, dha mësim në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës.
Lasgush Poradeci jetoi në kohën e luftrave e kryengritjeve të mëdha për liri, ndaj në krijimtarinë e tij ndihet shqetësimi për kombin, sipas ideve të Rilindjes kombëtare, si edhe e ëndrrave për përparimin e mëtejshëm demokratik. Ai ishte dhe mbeti një nga lirikët tanë më të mëdhej, i shquar për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë e vargjeve si rrallëkush, Në vitet e para të jetës krijuese ai u këndoi luftëtarëve të lirisë e të pavarësisë, bukurive të vendlindjes me vargje të përkryer plot tinguj e ritme të larmishëm. Ja si shprehet Lasgushi për poezinë: “Pse shkruaj, pse parapëlqej të shkruaj vargje dhe jo prozë? Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosur nga arti. Vetëm vargjet e përsosur rrojnë (dhe mezi edhe këta).” Më tej: “Nuk ka poezi të madhe ose të vogël, të mirë ose të keqe, por vetëm që i përshtatet plotësisht potencialit jetësor dhe poezi që s’i përshtatet. Ajo që i përshtatet, është Poezia…” 
Jemi në mbarim të vitit 2021 dhe vargjet magjike të Lasgushit rrojnë, të freskëta, me një gjuhë të kulluar shqipe, me ritme e rima të përpikta, me simbole të kuptueshme. Janë poezi për të gjitha moshat, që i “përshtaten plotësisht potencialit jetësor”. Ja, tek na vijnë ndër mend vargje prej poezisë “Poradeci”: 

“Në katund troket një portë, 
në liqen hesht një lopatë,
një shqiponjë e arratisur 
fluturon në Mal të Thatë…
Tërë fisi, tërë jeta, 
ra… u dergj… e zuri gjumi…”. 

Dëgjojmë fërfërimën e flatrave të shqiponjës në kërkim të burimeve në Shën Naum, mbrëmjen e qetësinë e natës, shushurimën e valëve, që shtrohen buzë liqenit. 
Gjatë viteve ’30 – ‘40, poezitë e Lasgushit u botuan në librat shkollore, në gazeta e revistat letrare. Pas mbarimit të luftës, Lasgush Poradeci nuk iu nënshtrua kërkesave të letërsisë socrealiste dhe pothuaj e theu penën. Arti i vargjeve të veta dhe mendimet e tij filozofike binin ndesh me ideologjinë e mohimit të vlerave demokratike, ndaj i mbyllur në vetmi, në gjendje të vështirë ekonomike, jetoi me punën e lodhshme të përkthimeve. Gjuha e bukur popullore e përdorur me mjeshtëri nga Lasgushi në poezi, u hijeshua me ngjyrime plot art. Me vargjet e krijuar ai e pasuroi gjuhën shqipe dhe letërsinë me fjalë e frazeologji të reja. Duke trajtuar çështjen e gjuhës shqipe, ai shkruan: “Përsa i përket toskërishtes, kjo siç duket, njëherë mund të mënjanohet prej gjuhës “së mesme”, që s’është veçse një gegërishte e zbutur, nga influencimi armonioz i toskërishtes. Gegërishtja ka energji fizike, toskërishtja ëmbëlsi shpirtërore. Dyke bashkuar gegërishten me toskërishten, gegërishtja gjith dyke mos humbur forcën, energjinë, fiton dhe harmoni, e ëmbëlsi, si gjuhë e “mesme” me karakter geg. Lufton, pra, forca fizike me harmoninë shpirtërore, trupi me shpirtin. Sa më e fortë, më e fuqishme, më e shumanëshme të jetë toskërishtja në harmoninë e saj, aq më shumë do të ndjehet fryma mirëbërëse që ajo ka në gegërishten e “mesme.” Me këtë bindje ai mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit – 1972. Në çastet fatale të vendimit, ai u largua nga mbledhja pa u ndjerë e pa e nënshkruar dokumentin e standartit të shqipes të diktuar nga lart. 
Lasgushi jetoi i shqetësuar si gjithë njerëzit me kulturë e të përndjekur. Shihej tek ecte ngadalë gjatë trotuarit bri sheshit Skënderbej dhe hipte me vështirësi në autobusin e Kombinatit, që ndalonte edhe pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, i mbushur përplot me njerëz. Poeti i zbardhur dhe i dobësuar mezi mbahej ndërmjet turmës, që shtyhej para e prapa. Herë-herë ndonjë dashamirës i poetit e merrte në mbrojtje. Edhe burgu i librave të dënuar, Biblioteka Kombëtare shpalli një fletë rrufe qesharake kundër poetit të liqenit e yjeve me shpirt artisti.
Në vetminë e studios së varfër, Lasgushi krijoi edhe poemat “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”. Të gjitha u botuan në 1989, kur poeti ishte larguar nga jeta dhe gjemia e zyrtarëve të lartë pa kulturë, po fuste ujë e pak nga pak po fundosej. Do të vinte një ditë dhe kumti i poetit në vargje do të jeton te: “Kur të mos jem në jetë vetë, do të jetë zemra ime.”

Në këmbë - Kasëm Bajrami. Luigj Krasniqi, Kel Marubi, Gjergj Canco, Shuk Sheldia.         Ulur - LagushPoradeci Gjergj Fishta - Asdreni - Ernest Koliqi.
Në këmbë – Kasëm Bajrami. Luigj Krasniqi, Kel Marubi, Gjergj Canco, Shuk Sheldia.
Ulur – LagushPoradeci Gjergj Fishta – Asdreni – Ernest Koliqi.

Lasgush Poradeci dhe vlerësimi i veprës së tij

Lasgush Poradeci la një krijimtari nga më të këndëshmet të poezisë shqiptare. Poezia e tij lexohet me ëndje brenda e jashtë Shqipërisë. Veprat e tij u vlerësuan nga njerëzit e shquar të kulturës, si Eqrem Çabej, Mitrush Kuteli, Skënder Luarasi, Sabri Hamiti, Rexhep Ismajli etj. Meqë dikur Lasgush Poradeci renditej krahas Fishtës, Mjedës e Prennushit, Nolit e Konicës, Kutelit e Koliqit, ai u la në hije nga shtypi i mefshtë i kohës së mbrapshtë. Dijetari i madh Çabej në një studim ndër të tjera shkruante: “Lasgush Poradeci na hap portën e një jetë të re në poezinë shqiptare; një frisson neuf, siç pat thënë Victor Hugoi për vjershat e Baudelaireit, lind e rritet në lëmën e këngës shqiptare, një stil i ri, të cilin do ta kërkosh më kot ndër poetët e tjerë shqiptarë, po më kot dhe ndër shkrimtarët e huaj nga shkaku i origjinalitetit që e shquan këtë poet djalosh.”

Lasgush Poradeci deri në fund të jetës, sado në moshë të thyer, si poet i zgjuar nga ëndrrat e rinisë, kthehej i përmalluar në Pogradec, te liqeni i tij, pranë lundrave, zambakëve e krojeve. 
Pas shembjes së diktaturës, Lasgushi në kohë demokracie, kujtohet me nderim. Çmimet letrare, shkollat, rrugët në qytete të ndryshme, mbajnë emrin e tij. Librat me krijimet e tij poetike botohen e ribotohen me ngjyra nga më të larmishmet. Në vitin 2009, me financimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u botuan veprat e tij. Një shtatore e poetit në Pogradec duket sikur sodit liqenin e malet tona, shqiponjën, që kthehet nga Mali i Thatë. Edhe ata që nuk e lanë të qetë, tani vrapojnë të shkruajnë për të, ndryshe për ndryshe. Me përkthimin e krijimeve të Lasgushit në anglisht nga Robert Elsi, bota u njoh me artin e poezive të përkryera e një poeti shqiptar, të panjohur më parë. 
Kujtimet na kthejnë mbrapsht në kohë, kur diktatura ende nuk kishte hyrë aq thellë në mjediset e kulturës. Në një rreth letrarësh të rinj në sallën e Bibliotekës së Vjetër Kombëtare, një poet me njohuri të cekta, teksa trajtonte poezinë shqipe, krahasoi disa poezi të paraluftës, epikën e Fishtës me lirikën e Lasgushit. Me ato njohuri sigurisht ai s’mund të arrinte në përfundime të sakta, se këta poetë në kohën e tyre i shërbenin një qëllimi, njëri këndonte për lirinë, tjetri me ëmbëlsinë e vargjeve u këndonte bukurive të atdheut. Të dy poetët Fishta e Lasgushi shpesh shkëmbenin përgëzime, duke çmuar krijimet e gjuhën e njeri – tjetrit. Një foto e asaj kohe dëshmon për këtë të vërtetë.

“...nuk ish rastësi, që Ylberi i qëndroi aureolë mbi monumentin e tij...” Entela Gusho
…nuk ish rastësi, që Ylberi i qëndroi aureolë mbi monumentin e tij…” Entela Gusho

Disa nga poezitë e përjetëshme të Lasgush Poradecit

Zog i qiejve

Këng’e lasht’e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak…
Do t’ja marr që sot e tutje si bilbill parëverak
Që nga fund’i vetëvetes do këndoj një mall të ri:Brenda tufës së junapit që mbleroj me kaq stoli,
Kur po shoh ndaj ryn bilbili e sakaq zë qan nër fletë,
Këng’e ti më ngjan kulluar posi këng’e Zotit Vetë.
E prandaj, dyke filluar, ay Lart i shpije kryet 
Dh’i ngreh sipër- e më-sipër, gjersa qafa ment i thyet.
Asoherë e ndjej si foli: Të jam falë, o Zoti im!
E pastaj i ulet gusha më përposh- e- më- përposh,
I venitet me-nga-dale syri-i qarë- e bukurosh.
Ay sheh që nëpër fletë me vështrimin e çuditur
Ndaj çkëlqen nër mijë ngjyra Vëndi’i ti ku pati zbritur,
E pra ja q’i mbylli sytë, e që gojëzën e hapi:
Tungjatjeta! tungjatjeta! Vënd, o Vënd, ku çel junapi!
Haj! Bilbil, se Vëndi jonë ka liqere – e anë detesh,
Nëpër bimëzat e tyre po vërej si qan e tretesh;
Po dëgjoj prej largësire, si nër male – e si nër fusha,
Si nër kopshte jargavanësh dhemshurisht të fryhet gusha;
E çdo lis që mban të gjelbër e çdo pemë e çdo rakitë,
E çdo bar i lulëzuar ças-për-ças t’i ndjen çuditë… 
Viti 1921

Pamje nga Liqeni i Pogradecit
Pamje nga Liqeni i Pogradecit

Poradeci

Perëndimi i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dalë një pluhurë si një hije.
Nëpër Mal e në Lëndina shkrumb’ i natës që po bie,
Dyke zbritur që nga qielli përmi Fshat po bëhet fir…

E kudo krahin’e gjerë më s’po qit as pipëtim:
Në katund kërcet një portë… në Liqer hesht një lopatë,
Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal të Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit tim.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anët errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes për mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi.

Dremit liqeri

Mi zall të pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Aty nga fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.

Posi me flakë u ndez e kroj,
E vetëtit plot magji,
E yll’i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.

Tashi po shuhet nënë mal,
Qytet’i ngrysur në të zi.
Pa ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri! Plot fshehtësi!

Në këtë ças perëndimor,
Ndaj po më dehen sytë e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëror
M’a frymëzon një mall i ri.

Vallja e yjeve

Yjtë e ndezur si fingjill,
Që vërtiten palë – palë,
Prej mosgjëje zunë fill
Plot me mall të valë.

Zunë fill me dashuri 
Që kur bota zu të ngjizet, 
Pa sikush për shok të ti
Përvëlohet edhe ndizet.

Ndizet ças edhe për ças
E si kurrë s’ka të shuar,
Pa pushim i vete pas
Me një sulm të llaftaruar.

E si kurrë nuku mund
Ylli yllin që t’a kapë,
Rrotull qiejve pa fund
Venë e vinë e venë prapë.

Mbarim vjeshte

Fluturoj dhe shtërg i fundit, madhështor, 
me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që me-natë sipër malesh me dëborë…
Iku rëndë e i përmallshëm, dhe me sqep të ti të fortë 
Zotëriut q’i la folezën i trokiti mun në portë…

Pra, më s’duket shpes’i fatit prapa bujqish edhe plorësh,
Prapa brazdës së rëxuar hap-me-hap prej qe malorësh;
Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,
Vdiq nëpërka pikëlore ndaj blatish’ e shkretëtirë.

Dheri i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë
Fryn veriu në pyll të thatë me zembrim e me fërtymë  
E si shtohet cingërima… ja! se ku dinak dh’i voçër  
Nëpër gardhe- e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçërr.  

*** 
O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë.
Kur bariste dal-nga-dale- posi dhëndër me kurorë.!…
E kur pranë vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur – posi vashë e nusëruar.!…

Lasgush Poradeci dhe Cuci i tij i shenjte - foto Niko Tona
Lasgush Poradeci dhe Cuci i tij i shenjte – foto Niko Tona

Kroi i fshatit tonë

I

Kroi i fshatit tonë, ujë i kulluar,
Ç’na mburon nga mali dyke mërmëruar.

Venë mbushin ujë vashat an’e-mbanë
Cipëzën me hoja lidhur më-një-anë;

Cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,
Gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.

E si mbushin ujë! bubu! ç’m’ju ka hije
Ndaj kthehen prapë me hap nusërije,
Ndezur yll’ i ballit si yll shëntërie.

II  
Kroi i fshatit tonë, – ngjyr’ ergjënd i lyer
Që nga rrëz’e malit ç’na mburon rrëmbyer.

Venë pijnë ujë trimat an’-e-mbanë,
Takijen me lule përmi sy më-nj’-anë.

Takijen e dlirë, takijen e nxirë,
Buzën më të qeshur… më të psherëtirë…

Mbrëmave kur uji mërmëron ngadalë,
Vjen t’i thotë trimi vashës nj’a dy fjalë:

Vashëzën bujare që po vij në krua 
Seç e përshëndeta, seç m’u turpërua
Papo ula kryet e shkova si grua. 

III
Kroj i fshatit tonë, tetë sylynjarë,
Në tetë krahina qenke kroi i parë;

Qenke një në botë, s’paskërke të dytë
Ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.

Kroi i fshatit tonë, n’atë mal me fletë,
Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë.
Posi malli i zemrës, mun në gjit të shkretë:

Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë,
Posi mall’ i vashës, që djeg më të fshehtë.
Posi mall’i trimit, që buçet përpjetë,
Obobo! Si malli, që nuk vdes përjetë. 

Lundra dhe flamuri

Që larg po vi.., që larg.
Më turren valët varg-e-varg,
Un’ ik dh’ hepohem mund si harg…

E sipër tyre shkas,
Valoj me sulmë-e gas,
I le tallazet pas:

…Kur val’e egër ze më tund,
E s’mund të mpruhem asgjëkund
Prej gjeratoreve pa fund, –

Dënimi im s’më tremb aspak!
Dënimi im nis e m’i lak
Fingjijtë-e shpirtit varfanjak:

E si më mbyt i tmershmi det.
Pushon ah! zemra që buçet,
Mbaron ah! zjarri që më tret.

E s’duket gjë kur humb,
Veç pluhurës si shkrumb
Lart mi katart si thumb:

Flamur i pastër që m’u nxi
Në sulm të lumtur për liri,
Qëndron gazmor në lartësi!…

Tashi katarti-u çduk në det
Tashi flamuri-u ngrit përpjet,
Valon lirisht si shpirt i let.

Agim Xh. Deshnica
Agim Xh. Deshnica

Përskuqen retë…

Poezi nga autori i shkrimit kushtuar Lasgush Poradecit:

Përskuqen retë
në atë vetull mali,
përmbi Qafë-Thanë,
përzihen e shkasin në liqen.
Qiell e ujë ndaluan pranë,
brigjet humbën e mbrëmja vjen.

Kotet në lundër peshkatari,
harroi koran, rrjetë e lopatë,
rreth zambakësh nosit me pendë ari,
Shqiponjë e arratisur në Mal të Thatë.

Sodit i vetëm në vagëllim,
yjet e ndritur numëron,
mbi valë dhe efirin pa mbarim.
Malli djeg e shpirtin zgjon.

Në Shën Naum burimet gjen,
lanë sytë e ballin e menduar,
me ujët e Drinit të bekuar
dhe pyet yjet, për ç’ka po vjen.

Pa shuan etjen ndër sylynjarë
e me luleshtrydhe, thellë në pyll.
Fton zanën me sytë e shkruar pranë, 
t’i rrëfejë, për liqer e yll.
Pogradec, 1989  

Liqeni  

Sa më pëlqen të eci qetë
n’ajrin e pastër, lehtë e lehtë
me hapa, si të Lasgushit,
kur edhe s’ka mërguar gushti.

Të eci bregut dal ngadalë
atje, ku psherëtijnë valët
e shtërgu niset në udhën e largët.

Ku zambaku pushon, dremit mbi fletë
e dridhet lehtë në ujin blu 
teksa arratiset, te rrjedhë e Drinit,
këputur nga vargonj kufiri

U iki hijeve të ftohta, 
për te rrezet e ngrohta
ranishteve e ujrave rreth e rreth
e kthehet kënaqësi e thellë.

Mbi shkëmb me myshk e gurë 
kur llokoçitej uji nën drurë 
e sillej qark ndër shtylla.
si në ëndërr sytë mbylla.

Afrohet valë – valë 
dhe më fton liqeni i dlirë,
kur retë digjen sipër në mal,
mbulohem tèri me kaltërsirë. 
Pogradec, 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.