back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Lasgush Poradeci – Yll ndër Yje – nga Agim Xh. Deshnica

Gazeta

Lasgush Poradeci (1899-1987)
Lasgush Poradeci (1899-1987)

Lasgush Poradeci – Yll ndër Yje

nga Agim Xh. Deshnica

Më 27 dhjetor 1899, familjes së Sotir Gushos në Pogradec, u lindi djalë. Atë ditë feste e pagëzuan me emrin Llazar, por nga viti 1933, me botimin e librit “Vallja e yjevedo të njihej në botën letrare vetëm me emrin Lasgush Poradeci.
Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Shkollën e mesme e nisi në Manastir. Ishte kohë me tronditje të brendëshme, me rebelimin e vitit 1914, kundër Qeverisë së Vlorës dhe me zjarrin e Luftës së Parë Botërore, kur pavarësia humbi paqen e qetësinë. Shkollat u mbyllën dhe Llazar Gusho u kthye në Pogradec. Pas mbarimit të luftës, i ati e nisi për në Athinë të mësonte në Liceun Francez arumun. Mësimet i mbaroi në vitin 1921 në Silistra, asokohe qytet bregdetar i Rumanisë e sot i Bullgarisë. Po atë vit vajti në Bukuresht për të ndjekur studimet e larta në Akademinë e Arteve dhe të Letërsisë. Gjatë asaj kohe iu desh të punonte dhe njëherazi të studionte. Në ato vite mori pjesë në lëvizjen atdhetare të Kolonisë Shqiptare, krahas me Asdrenin dhe atdhetarët e tjerë dhe u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj. Në vitin 1924, me bursën e Qeverisë së Nolit kreu studimet në Grac-Austri në Fakultetin e Filologjisë Romano – Gjermane. Në mbarim, mbrojti temën: “Eminesku dhe poezia popullore rumune.” Me ndihmën bujare të Kutelit dhe bashkatdhetarëve në Rumani, u botuan në Bukuresht dy vëllime me poezi të Lasgushit “Vallja e yjeve” më 1933, dhe “Ylli i zemrës” më 1937. Atëherë Lasgushi shkruan edhe një histori për lëvizjen kombëtare të shqiptarëve të Rumanisë dhe jetëshkrimin e veteranit të kësaj lëvizjeje, Nikolla Naço. Me këto vepra ai u bë i njohur në Shqipëri e jashtë saj. I kthyer në atdhe më 1934, dha mësim në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës.
Lasgush Poradeci jetoi në kohën e luftrave e kryengritjeve të mëdha për liri, ndaj në krijimtarinë e tij ndihet shqetësimi për kombin, sipas ideve të Rilindjes kombëtare, edhe ëndrrave për përparimin demokratik. Ai ishte dhe mbeti një nga lirikët tanë më të mëdhej, i shquar për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë e vargjeve si rrallëkush, Në vitet e para të jetës krijuese ai u këndoi luftëtarëve të lirisë e të pavarësisë, bukurive të vendlindjes me vargje plot tinguj, rima e ritme me ngjyrime nga me te larmishmet. Ja si shprehet Lasgushi për poezinë: “Pse shkruaj, pse parapëlqej të shkruaj vargje dhe jo prozë? Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosur nga arti. Vetëm vargjet e përsosur rrojnë (dhe mezi edhe këta).” Më tej: “Nuk ka poezi të madhe ose të vogël, të mirë ose të keqe, por vetëm që i përshtatet plotësisht potencialit jetësor dhe poezi që s’i përshtatet. Ajo që i përshtatet, është Poezija…”

Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike, diplomatike.... Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi. At Gjergj Fishta dhe Asdreni.
Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare,
qytetnuese, letrare, politike, diplomatike….
Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi – Gjergj Fishta dhe Asdreni.

Jemi në mbarim të vitit 2023, dhe vargjet e përsosura të Lasgushit rrojnë, të freskët, me një gjuhë të kulluar shqipe, me ritme e rima të përpikta, me simbole të kuptueshme. Janë poezi për të gjitha moshat, që i “përshtaten plotësisht potencialit jetësor”. Ja, tek na vijnë ndër mend vargje prej poezisë “Poradeci”:

“Në katund troket një portë,
në liqen hesht një lopatë,
një shqiponjë e arratisur
fluturon në Mal të Thatë…
Tërë fisi, tërë jeta,
ra…
u dergj… e zuri gjumi…”.

Në ato poezi dëgjojmë fërfërimën e flatrave të shqiponjës në kërkim të burimeve në Shën Naum, mbrëmjen e qetësinë e natës, shushurimën e valëve, që shtrohen buzë liqenit.
Gjatë viteve ‘30 -‘40, poezitë e tij u botuan në librat shkollore, në gazeta e revistat letrare. Pas mbarimit të luftës, Lasgush Poradeci nuk iu nënshtrua kërkesave të letërsisë soc-realiste dhe pothuaj e theu penën. Arti i vargjeve të veta dhe mendimet e tij filozofike binin ndesh me ideologjinë e mohimit të vlerave demokratike, ndaj i mbyllur në vetmi, në gjendje të vështirë ekonomike, jetoi me punën e lodhshme të përkthimeve. Gjuha e bukur popullore e përdorur me mjeshtëri nga Lasgushi në poezi, u hijeshua me ngjyrime plot art. Me vargjet e krijuar ai e pasuroi gjuhën shqipe dhe letërsinë me fjalë e frazeologji të reja. Duke trajtuar çështjen e gjuhës shqipe, ai shkruan: “Përsa i përket toskërishtes, kjo siç duket, njëherë mund të mënjanohet prej gjuhës “së mesme”, që s’është veçse një gegërishte e zbutur, nga influencimi harmonioz i toskërishtes. Gegërishtja ka energji fizike, toskërishtja ëmbëlsi shpirtërore. Dyke bashkuar gegërishten me toskërishten, gegërishtja gjith dyke mos humbur forcën, energjinë, fiton dhe harmoni, e ëmbëlsi, si gjuhë e “mesme” me karakter geg. Lufton, pra, forca fizike me harmoninë shpirtërore, trupi me shpirtin. Sa më e fortë, më e fuqishme, më e shumanëshme të jetë toskërishtja në harmoninë e saj, aq më shumë do të ndjehet fryma mirëbërëse që ajo ka në gegërishten e “mesme.” Me këtë bindje ai mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit – 1972. Në çastet fatale të vendimit, ai u largua nga mbledhja pa u ndjerë e pa e nënshkruar dokumentin e standardit të shqipes të diktuar nga lart.

***

Lasgushi jetoi i shqetësuar si gjithë intelektualët e përndjekur, shihej tek ecte gjatë trotuarit në sheshin Skënderbej dhe hipte me vështirësi në autobusin e Kombinatit, mbushur plot me punëtorë e nëpunes, që ndalonte edhe pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, Poeti i zbardhur dhe i dobësuar mezi mbahej më këmbë. Në disa raste ndonjë student i afrohej dhe e mbronte nga turma, që shtyhej para e prapa.
Në vetminë e studios së varfër, Lasgushi krijoi edhe poemat “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva” e baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Të gjitha u botuan në vitin 1989, kur poeti ishte larguar nga jeta dhe gjemia e zyrtarëve të lartë pa kulturë, po fuste ujë e pak e nga pak po fundosej. Do të vinte një ditë dhe kumti i poetit në vargje do të jetonte: “Kur të mos jem në jetë vetë, do të jetë zemra ime.”

Gjergj Fishta & Lasgush Poradeci
Gjergj Fishta & Lasgush Poradeci
Vlerësimi i veprës së tij

Lasgush Poradeci la një krijimtari nga më të këndëshmet të poezisë shqiptare. Poezia e tij lexohet me ëndje brenda e jashtë Shqipërisë. Veprat e tij u vlerësuan nga dijetarët e shquar të kulturës, si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Sabri Hamiti, Rexhep Ismajli… ndërsa Mitrush Kuteli në letrat nga Bukureshti i shkruante me adhurim për poezitë e përkryera, ndër to Durim: “Ta këndova me gëzim vjershën Durim. Më pëlqen alternanca e tetë dhe e pesë rrokjeve. Kjo i jep intesitet dhembjeve të brendëshme. Prej shumë kohësh në arrati të vjetra e të reja, nuk pata dëgjuar të folur shqip.

***
Me përkthimin e krijimeve të Lasgushit në anglisht nga Robert Elsie, bota u njoh me krijimet e një poeti shqiptar, të panjohur më parë. Meqë Lasgush Poradeci renditej krahas Fishtës, Mjedës e Prennushit, Nolit e Konicës, Kutelit e Koliqit, ai u la në harresë nga shtypi i mefshtë i kohës së mbrapshtë.
Në librin Historia e Letërsisë Shqiptare – 1983, krijuesi i poezive mahnitëse “Poradeci”, “Dremit Liqeni”, “Zemra e Liqenit”, “Mbarim Vjeshte” e të tjera si këto, trajtohet si poet i mbyllur në vetvete, herë popullor e herë kontradiktor, i ndikuar nga poezia dekadente… E kush se, përkthyesi mjeshtër i Gëtes e Hajnes, Lenaut e Brehtit, Hygoit e Mysesë, Bajronit e Shellit, Pushkinit, Lermontovit e Bërnsit!
Lasgush Poradeci deri në fund të jetës, sado në moshë të thyer, si një poet i zgjuar nga ëndrrat e rinisë, kthehej i përmalluar në Pogradec, te liqeni i tij, pranë lundrave, zambakëve e krojeve.
Pas vitit 1991, shkollat, rrugët në disa qytete, mbajnë emrin e tij. Librat me krijimet poetike botohen e ribotohen me ngjyra nga më të larmishmet. Edhe ata që nuk e lanë të qetë dikur, tani vrapojnë e shkruajnë ndryshe.
Kujtimet na kthejnë mbrapsht në kohë, kur diktatura ende nuk kishte hyrë aq thellë në mjediset e kulturës. Në një rreth letrarësh të rinj në sallën e Bibliotekës së Vjetër Kombëtare, një poet me njohuri të cekta, teksa trajtonte poezinë shqipe, krahasoi disa poezi të paraluftës, epikën e Fishtës me lirikën e Lasgushit. Me ato njohuri sigurisht ai s’mund të arrinte në përfundime të sakta, se këta poetë te medhenj në kohën e tyre i shërbenin një qëllimi, njëri këndonte për lirinë, tjetri me ëmbëlsinë e vargjeve u këndonte bukurive të atdheut. Fishta e Lasgushi shpesh shkëmbenin letra, duke çmuar krijimet e gjuhën e njeri-tjetrit. Një foto e asaj kohe dëshmon për këtë të vërtetë. Aty duken qartë Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Gjergj Fishta dhe Asdreni.
Shumë vetëve, teksa zbresin nga Qaf-Thana në Pogradec, sodisin mirazhin e poetit të dashurisë dhe të magjisë së yjeve, duke ecur i menduar, në kërkim të kohëve të rinisë, kur në çaste frymëzimi krijonte vargjet-peizazhe plot harmoni për muzgun e heshjen në liqen e në qytet, për fluturimin e shtërgut, për krojet, lundrat e zambakët mbi ujë, për shqiponjën, Malin e Thatë, Shën Naumin e Drinin e kaltërt. Emri Lasgush na sjell ndër mend hiret e lirikut romantik e simbolist, ndërsa mbiemri Poradeci ka thyer një emërvend të huaj për qytetin e tij të bukur. Asokohe i njohur si poet romantik kudo, edhe për thjeshtësinë e dashurinë ndaj njeriut, miqve e krijuesve të tjerë. të moshuar apo të rinj si Fishta, Mjedja, Asdreni, Noli, Kuteli, Buharaja etj
Në shënimet e veta Aleks Buda, kujton kohën e bukur të studimeve takimet e këndëshme me Lasgushin në rrethe miqsh, në Vienë, Tiranë e Pogradec, recitimet e poezive romantike dhe bisedat për letërsinë artin,e muzikën klasike gjermane.

***
Disa nga botuesit e veprave të Lasgush Poradecit për çudi mbi mbulesën e librave me poezi, vendosin fotot e poetit të moshuar e të ngrysur, kurse shtatorja pranë liqenit në Pogradec, nuk tregon aspak poetin e hijshëm djaloshar, por një plak të trishtuar.
Lasgush Poradeci si të gjithë poetët romantikë iku jeta para kohe, pa dhënë tërë thesarin poetik që kishte në shprt e në mendje, sepse ai nuk mund të merrej me lavde kushtuar regjimit poltik të dhunshëm, por la veprarat e ndritura e kohëve të rinisë dhe kumtin: “Po të mos jem në jetë do të jetë zemra ime.”

Lasgush Poradeci dhe qeni i tij Cuci
Lasgush Poradeci dhe qeni i tij Cuci
Ja disa nga poezitë e magjishme të rinisë së Lagushit
Se dashuron dashuria

Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng’e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
Më pe më shpirt të llaftaruar.
Q’ahere silleshim më ngè
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë…
Dh’i shtinja sytë gjith përdhe –

Gjithë përdhè m’i shtinje sytë…
Po me t’u ndarë vet e vet,
Më s’kishim turp që s’kishte fjalë…
Na rritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:
E prapë silleshim më ngè
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.
Q’ahere qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng’e pakuptuar.
Se kish kuptim, që s’kish kuptim,
Kuptim’i fellë-i mallit tonë;
Se malli jon’ ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;
Se s’dashuronja-as un’ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri – një fshehtësi
M’e fshehur sesa fshehtësija

Zog i qiejve

Këng’e lasht’ e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak…
Do t’ja marr që sot e tutje si bilbill parëverak
Që nga fund’i vetëvetes do këndoj një mall të ri:
Brenda tufës së junapit që mbleroj me kaq stoli,
Kur po shoh ndaj ryn bilbili e sakaq zë qan nër fletë,
Këng’e ti më ngjan kulluar posi këng’e Zotit Vetë.
E prandaj, dyke filluar, ay Lart i shpije kryet
Dh’i ngreh sipër- e më-sipër, gjersa qafa ment i thyet.
Asoherë e ndjej si foli: Të jam falë, o Zoti im!
E pastaj i ulet gusha më përposh – e – më- përposh,
I venitet me-nga-dalw syri-i qarë- e bukurosh.
Ay sheh që nëpër fletë me vështrimin e çuditur
Ndaj çkëlqen nër mijë ngjyra Vendi’i ti ku pati zbritur,
E pra ja q’i mbylli sytë, e që gojëzën e hapi:
Tungjatjeta! tungjatjeta! Vënd, o Vënd, ku çel junapi!
Haj! Bilbil, se Vëndi jonë ka liqere – e anë detesh,
Nëpër bimëzat e tyre po vërej si qan e tretesh;
Po dëgjoj prej largësire, si nër male – e si nër fusha,
Si nër kopshte jargavanësh dhemshurisht të fryhet gusha;
E çdo lis që mban të gjelbër e çdo pemë e çdo rakitë,
E çdo bar i lulëzuar ças-për-ças t’i ndjen çuditë…
Viti 1921

Poradeci

Perëndimi i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dalë një pluhurë si një hije.
Nëpër Mal e në Lëndina shkrumb’i natës që po bie,
Dyke zbritur që nga qielli përmi Fshat po bëhet fir…
E kudo krahin’e gjerë më s’po qit as pipëtim:
Në katund kërcet një portë… në Liqer hesht një lopatë,
Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal të Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit tim.
Tërë fisi, tërë jeta, ra…u dergj…e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anët errësira… Po tashi:

Dyke nisur udhëtimi mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…

Dremit liqeri

Mi zall të pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Aty nga fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.

Posi me flakë u ndez e kroj,
E vetëtit plot magji,
E yll’i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.

Tashi po shuhet nënë mal,
Qytet’i ngrysur në të zi.
Pa ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri! Plot fshehtësi!

Në këtë ças perëndimor,
Ndaj po më dehen sytë e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëror
Ma frymëzon një mall i ri.

Vallja e yjeve

Yjtë e ndezur si fingjill,
Që vërtiten palë – palë,
Prej mosgjëje zunë fill
Plot me mall të valë
Zunë fill me dashuri
Që kur bota zu të ngjizet,
Pa sikush për shok të ti
Përvëlohet edhe ndizet.

Ndizet ças edhe për ças
E si kurrë s’ka të shuar,
Pa pushim i vete pas
Me një sulm të llaftaruar.
E si kurrë nuku mund
Ylli yllin që ta kapë,
Rrotull qiejve pa fund
Venë e vinë e venë prapë.

Mbarim vjeshte

Fluturoj dhe shtërg i fundit,
madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që me-natë
sipër malesh me dëborë…
Iku rëndë e i përmallshëm,
dhe me sqep të ti të fortë
Zotëriut q’i la folezën i trokiti
mun në portë…
Pra, më s’duket shpes’i fatit
prapa bujqish edhe plorësh,
Prapa brazdës së rrëxuar
hap-me-hap prej qe malorësh;
Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë
miu i hirtë,
Vdiq nëpërka pikëlore
ndaj blatish’e shkretëtirë.
Dheri i mardhur prej thëllimi
dirgjet heshtur nënë brymë
Fryn veriu në pyll të thatë
me zembrim e me fërtymë
E si shtohet cingërima…
ja! se ku dinak dh’i voçër
Nëpër gardhe- e nëpër ferra
dërdëllet gazmor një çoçërr.

O! sa hir që kishte shtërgu,
aq fisnik me shtat të gjorë.
Kur bariste dal-nga-dalw –
posi dhëndër me kurorë.!…
E kur pranë vinte krilla,
që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur –
posi vashë e nusëruar.!…

Kroi i fshatit ton

Kroi i fshatit tonë, ujë i kulluar
Ç’na mburon nga mali dyke mërmëruar.
Venë mbushin ujë vashat an’e-mbanë
Cipëzën me hoja lidhur më-një-anë;
Cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,
Gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.
E si mbushin ujë! bubu! ç’m’ju ka hije
Ndaj kthehen prapë me hap nusërije,
Ndezur yll’i ballit si yll shëntërie.
II
Kroi i fshatit tonë, – ngjyr’ ergjënd i lyer
Që nga rrëz’e malit ç’na mburon rrëmbyer.
Venë pijnë ujë trimat an’-e-mbanë,
Takijen me lule përmi sy më-nj’-anë.
Takijen e dlirë, takijen e nxirë,
Buzën më të qeshur…më të psherëtirë…
Mbrëmave kur uji mërmëron nga-dalë,
Vjen t’i thotë trimi vashës nja dy fjalë:

Vashëzën bujare që po vij në krua
Seç e përshëndeta, seç’ m’u turpërua
Papo ula kryet e shkova si grua.
Kroj i fshatit tonë, tetë sylynjarë,
Në tetë krahina qenke kroi i parë;
Qenke një në botë, s’paskërke të dytë
Ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.

Kroi i fshatit tonë, n’atë mal me fletë,
Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë.
Posi malli i zemrës, mun në gji të shkretë:
Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë,
Posi mall’i vashës, që djeg më të fshehtë.
Posi mall’i trimit, që buçet përpjetë,
Obobo! Si malli, që nuk vdes përjetë.

Lundra dhe flamuri

Që larg po vi… që larg.
Më turren valët varg-e-varg,
Un’ ik dhe hepohem mund si harg..
E sipër tyre shkas,
Valoj me sulmë-e gas,
I le tallazet pas:
Kur val’e egër ze më tund,
E s’mund të mpruhem asgjëkund
Prej gjeratoreve pa fund, –
Dënimi im s’më tremb aspak!
Dënimi im nis e m’i lak
Fingjijtë-e shpirtit varfanjak:
E si më mbyt i tmershmi det.
Pushon ah! zemra që buçet,
Mbaron ah! zjarri që më tret.
E s’duket gjë kur humb,
Veç pluhurës si shkrumb
Lart mi katart si thumb:
Flamur i pastër që m’u nxi
Në sulm të lumtur për liri,
Qëndron gazmor në lartësi!…
Tashi katarti-u çduk në det
Tashi flamuri-u ngrit përpjet,
Valon lirisht si shpirt i let

***
Agim Xh. Deshnica
Agim Xh. Deshnica
Dy poezi nga autori i shkrimit Agim S. Deshnica
kushtuar Lasgush Poradecit:

Përskuqen retë
mbi Qaf-Thanë.
Qiell e ujë ndaluan pranë,
brigjet humbën e mbrëmja vjen.
Kotet në lundër peshkatari,
harroi koran, rrjetë e lopatë,
rreth zambakësh nosit pendë ari,
shqiponjë e arratisur në Mal të Thatë.
Sodit vagëllim
yjet e ndritur numëron,
mbi valë në efirin pa mbarim.
malli djeg e shpirtin zgjon.
Në Shën Naum burimet gjen,
lanë sytë e ballin e menduar,
me ujët e Drinit të bekuar
dhe pyet yjet, për ç’ka po vjen.
pa shuan etjen ndër sylynjarë
me luleshtrydhe, thellë në pyll,
fton zanën me sytë e shkruar pranë,
t’i rrëfejë, për liqer e yll.
Pogradec, 1989

Liqeni

Sa më pëlqen të eci qetë
në ajër të pastër kur zhduken retë
kur edhe nuk ka mërguar gushti.
Të eci bregut me ngadalë
atje, ku psherëtijnë valët
nën shelgje, në çastet kur shtërgu
përgatitet për udhën e largët.
Atje, ku zambaku
i bardhë mblidhet,
pushon, dremit mbi fletë
dhe rrënjë e jetës shtillet,
e dridhet lehtë e lehtë
në ujin blu me arratisje
për tw rrjedhë e Drinit,
maleve, këputur në zemër
nga vargonj kufiri.
Me pamje Shën Naumi,
në mjegull Mal i Thatë,
ky dëshmitar i shenjtë,
përflakje dritash nëpër natë.

Mbi shkëmb me myshk e gurë
ku llokoçitej uji nën drurë
e sillej qark ndër shtylla.
si në ëndërr sytë mbylla

Pranë kallamishtesh,
ku varka tundet e hesht lopata,
ndër pasqyrime, ku bredh
poeti yll mwngjesi ikwn nata

Përgjoj çuçurimë gushkuqësh
mbi degëz, fshehur nën fletë,
sodis ngjalat, tek lëvrijnë
zbrapsjen vetëtimë,
hedhjen vërtik të rrjetës
mbi koranët e fjetur.

U iki hijeve të ftohta,
te rrezet e ngrohta
dhimbje e lashtë qetohet
e kthehet kënaqësi e plotë.

Shtillen ngjyrat valë mbi valë
ndërrohen nga gri në allë.
tek më fton liqeni i dlirë
zhytem në blu e kaltërsirë.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.