back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Lazër Radi! Gjëmë… Genocidi i Poezisë shqipe G.Hajdari

Gazeta

 

 

Gëzim Hajdari
Poeti Gëzim Hajdari

Lazër Radi! nga libri Gjëmë…

Genocidi i Poezisë shqipe…

nga Gëzim Hajdari

(fragment)

E kam parë Lazër Radin kur e demaskuan publikisht.
Ka ndodhur në vitin 1982, në kinoteatrin e Savrës, në prani të 600 njerëzve të bërë grusht nga frika. Nën shembullin e sekretarit të partisë P. Nushi e fyen, e poshtëruan, e gjuajtën me gurë fjalësh dhe brohoritje për partinë. Por ai, qëndroi ashtu i patundur si një shtatore, i sfidoi gurët dhe fyerjet me fjalët dhe heshtjen e tij. Dhe unë shtrëngoja në grusht gurin e zemërimit kundër asaj turme të egër.
Një vegël qorre e diktaturës, R. Bega, u ngrit duke u çjerrë: “Na trego ti Lazër Radi, pse vazhdon të vjellësh vrer kundër komunizmit? Ç’të keqe të ka bërë ty pushteti i popullit?” Dhe Lazri me guxim iu përgjegj: “Ky pushtet s’më ka bërë asgjë të keqe! Më ka dënuar me 30 vjet burg, prej të cilave 10 i kam vuajtur ditë e më ditë, kam 30 vite që i shetis gjithë kampet e interrnimit të Shqipërisë; nëse ju i quani të keqe kët gjë, unë s’e quaj aspak të tillë, përkundrazi e ndjej si respekt!?”
Lazër Radi u lind në 29 janar 1916, në Prizren. Për shkak të dhunës nga ana e serbëve, familja e tij detyrohet ta braktisë Kosovën në ‘29, duke gjetur azil në Shqipëri. Përfundon tetëvjeçaren në Tiranë dhe jeton midis kryeqytetit dhe Shkodrës, qendër e një fermentimi të ndjeshëm kulturor e politik. Së bashku me shokët e tij të klasës, merr pjesë në themelimin e shoqatës kulturore “Besa Shqiptare”. Gjatë viteve studentore luan pjesë teatrale si aktor. Në ato vite, në Shqipëri, lindin grupet e para me frymëzim komunist dhe Lazër Radi hyn në kontakt me idetë e reja. Por shumë shpejt shkëputet nga idealet e revolucionit bolshevik, pikërisht kur serbët e malazesët fillojnë të ushtrojnë ndikim të dukshëm në lëvizjen komuniste shqiptare. “Unë kam ikur prej terrorit të tyre dhe s’mundem të bëhem në atdhe, propagandist i ideve të Beogradit…” ishte fjala mbyllëse e atij raporti me idetë e majta…
Takimi me poetin e shquar Migjeni, në verën e vitit 1936, le mbresa të thella në jetën e Radit. Në kët periudhë dalin dhe artikujt e tij të parë në shtypin e kohës.
Në ‘38, mbaron Gjimnazin në qytetin e Shkodrës dhe me sakrifica regjistrohet në Universitetin “La Sapienza” të Romës.
Në città eterna nis për të një jetë e re. Por s’kalon shumë kohë dhe në 1939, largohet përkohësisht nga Italia si rrjedhojë e pushtimit të Shqipërisë nga Musolini. Laurohet më 1942 me maksimumin e notave dhe Profesor Vito Cesarini Sforza e propozon si asistentin e tij në universitetin roman, por djaloshi kosovar pëlqen të kthehet në atdhe për t’i shërbyer çështjes së popullit të tij. Kthimi në vatan do të shënonte jo veç tragjedinë e tij po edhe të krejt familjes së tij.
Lazër Radi arrestohet ndër të parët në ’44, e në ‘45 dënohet nga Gjyqi Special me 30 vjet burg, i akuzuar si gazetar antikomunist. Lirohet nga burgu pas 10 vitesh. Pas lirimit nga qelia, dërgohet nga “nëna parti” në kampe internimi, ku do të mbesë gjer në janar të 1991. Ndërsa ndodhej burgjeve, Sigurimi i arreston dhe dënon me 10 vjet burg bashkëshorten e tij, Viktoria. Për të dënuar  bashkëshorten e Lazrit, Sigurimi, pasi e kishte torturuar, e akuzoi si agjente në shërbim të Titos. Poeti dhe familja e tij e kalojnë jetën në kampet e Kuçit, Shtyllasit, Radostinës, Çermës e Savrës, duke kryer punë tejet të vështira në fushat moçalore dhe malarike. Gjatë këtyre viteve Lazër Radi e kishte të ndaluar të hynte në Tiranën e Kuqe, deri në fillimet e lëvizjes studentore të 1991. Kalvari i Lazrit zgjati plot 46 vjet: nisi kur poeti ishte 27 vjeç dhe përfundoi në moshën 73 vjeçare.
Lazri qe një burrë i gjatë, i hijshëm, me flokë të bardhë, diplomuar në Drejtësi e Filozofi në “La Sapienza”, në vitet ‘40. Në vitet ’30, në një shfaqje teatrale, nën drejtimin e regjizorit Xhemal Broja, luajti rolin e Isamil Qemalit. La Romën për t’i shërbyer rritjes kulturore të atdheut. Miqtë dhe shokët e tij që patën studiuar jashtë shtetit pësuan të njëjtin fat: Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Xhemal Broja, Haki Taha, Mit’hat Araniti, etj. Mjaft prej tyre përfunduan nën breshëritë e plumbave të kuq, shumë vdiqën burgjeve të tmerrshëm të diktaturës enveriste. Edhe gjatë burgut, Lazrin e shoqëronin me policë, në Bibliotekën Kombtare për të përkthyer vëllime për Ministrinë e Brendshme, pasi ishte njohës i mjaft gjuhëve të huaja, eseist i jashtëzakonshëm, mik me Pashko Gjeçin, Vinçenc Prennushin, Ernest Koliqin, Musine Kokalari, etje. I paharruar do të mbetet takimi i tij me ish-profesorin e gjimnazit, S. Luarasi në bibliotekën kombtare në Tiranë, teksa përkthente me pranga e policë te koka…

Migjeni dhe Lazër Radi, Pukë 1936
Migjeni dhe Lazër Radi, Pukë 1936


Gjatë viteve të fundit, Lazri shkruante ditë e natë. Kopjonte dorëshkrimet e zhvarrosura nga kopshti i barakës në Savër, groposur gjatë viteve të terrorit. Ishin poezi të hershme, përkthime nga gjuhë të ndryshme, përfshi edhe Platonin. S’shkroi kurrë mbi vuajtjet nëpër burgjet e kampet e internimit. Është për t’u admiruar humaniteti i madh ish të përndjekurve politikë: ata s’u bënë kurrë viktima të vuajtjeve dhe të kalvarit të tyre. Nga 1991, viti i rrëzimit të diktaturës staliniste shqiptare, deri më sot, askush prej tyre s’është hakmarrë ndaj xhelatëve të Enver Hoxhës. E kundërta ka ndodhur, ende sot ish të përndjekurit politikë shihen dhe trajtohen si armiq, nga qeveritarët postkomunistë.
Lazri preferoi të rrëfente kujtimet e rinisë së hershme, kur ishte gjimnazist e student në Romën e Horacit.
Vdiq më 1998, por jeta e tij qe ndalur më 1944, viti i ardhjes së komunizmit, i cili shënoi njëherë e përgjithnjë fatin e një epoke. Lazri është autor disa përmbledhjeve poetike, përkthyes i Platonit dhe Frojdit. Të paharrueshëm janë librat e tij Një verë me Migjenin dhe Shqipëria në vitet ‘30-të.
Citoj disa vargje shumë prekes kushtuar të birit Jozefit, lindur në një kamp internimi të Labërisë: “Dhimbje/ në vend të qumështit,/ brenga/ në këmbim të lodrave,/ përbuzje/ kur kishe nevojë për ledhe/ ankth/ ndërsa dita jote priste të zbardhte…// Me dromca shprese/ ta mbajtëm shpirtin!”

Varri i Lazër Radit
Varri i Lazër Radit ne Tirane

Eshtrat e Lazër Radit prehen në varrezat e Tiranës, mbi varrin e tij nuk ka asnjë mbishkrim, ka qenë dëshira e tij shprehur në poezinë mjaft prekëse, shkruar pak ditë para se të mbyllte sytë: “Mbi varr asgja,/ veç emni shkrue keq,/ me dorën e t’fundmit nip./ Më lini në krahët e vdekjes/ ta jetoj atë dashuni që ma munguet.// Ju lutem, mos e shqetësoni melankoninë time…”
Me ikjen e Lazrit u shua dhe letrari i fundit i shquar i plejadës së viteve ‘30.

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. Leon Lekaj
    Ngutena që t’ia tregojmë brezit që po vjen histori të tilla, por ata e kanë të vshtirë me na besue, kurse na akoma ma të vështirë me i harrue.
    Fragmenti i Savrës më kujtoi “Fermën e Kafshëve” të Orwell-t kur turma e kafshëve të binduna bërtiste fort: “…katërkambëshi i mirë, dykambëshi i keq”.
    (marrë nga muri i fb. 8 qershor 2014)


  2. Firdus Luzaj
    Gezimi është NJERI i përsosur… Personalisht më ra fati ta njoh dhe të flas me të gjatë nje takimi të organizuar nga shoqëria civile – Milano. Ky person aq shumë sa shkruan realitete të hidhura aq më tepër i vuan shpirtërisht.. Llogjika e Tij e kalon atë të intelektit superior dhe i afrohet gjeniut. Sikur si Gëzimi të kish disa persona në administratën shtetërore për të qeverisur fate popujsh… shumë gjëra do të ishin shumë më më mirë në lidhje me jetën normale njerzore.
    (marrë nga muri i fb. 8 qershor 2014)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.