back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Lazër Radi… “Në dritë edhe mund ta harrosh errësirën…” – Jozef Radi rrëfen për Lazër Radin

Gazeta

Lazër Radi, Robert Elsie, Jozef Radi, 1992
Lazër Radi, Robert Elsie, Jozef Radi, Tiranë 1992

“Në dritë edhe mund ta harrosh errësirën…”

Elsa Demo interviston Jozef Radin mbi jetën e Lazër Radit

Mëngjesin e 23 shtatorit, 1998, ndërsa dilte nga shtypi libri i tij i zemrës,
“Një verë me Migjenin”, kushtuar kujtimeve të një stine me Poetin,
llahtarën e vdekjes të së cilit e pat përshkruar si t’i kish ndodhur para syve,
mbyll sytë përgjithmonë edhe Lazer Radi. 10 vjet nga vdekja e intelektualit dhe gazetarit,
Jozef Radi, tregon veprën në proces, sidomos trilogjia Prizreni, Shkodra dhe Roma
Lazër Radi, ishte intelektual dhe gazetar i një kohe të begatë për kulturën shqiptare, i Viteve ’30.
I laureuar për drejtësi në “La Sapienza” të Romës më 1942,
bashkëpunëtor i rregullt i shtypit dhe organeve të kohës, emri i të cilave iu kthye në akuzë,
mbas 45-ës… Radi bëri 10 vjet burg, u internua për 22 të tjerë, dhe për një dekadë
qe i dëbuar së bashku me shoqen e jetës dhe të vuajtjeve, Vitoren.
“Mbas 45 vjet rrugash” siç tregon një nga bijtë e tij, Jozefi, i lindur në internim,
për të dëshmuar se “nuk kam vdekur” ai botoi brenda mundësive të veta veprat:
“Muret e muzgut”, “Anëzave të Sharrit”, “Shpresa vdes e fundit”,
përkthimet “Platoni, vepra”, dhe “Qytete dhe Fantazma” të Jovan Duçiqit,
studimin “I pari Gjyq Special në Shqipëri”, memorialin “Shqipëria në vitet ‘30”
dhe novelën “Apologjia e Sokratit në Tiranë”.
Jozefi po merret me grumbullimin dhe redaktimin e veprës së të atit…
Ai thotë se ka në proces botimin e trilogjisë së jetës së Lazër Radit,
këtij njeriu që kish ardhur si emigrant nga Prizreni në Shqipëri,
për shkak të represionit serb, më 1929, në moshën 13-vjeçare.
Shkodra ishte një stacion i rëndësishëm në jetën dhe formimin e tij.
Siç tregon Jozefi në këtë 10-vjetor, i ati nuk ka shkruar asnjë gërmë për diktaturën,
ajo ishte veç kohë terri dhe sipas tij, njeriut s’i ka kuptim të shkruajë,
veçse për vitet më me dritë të jetës së vet.
elsa demo
Elsa Demo gjatë intervistave...
Elsa Demo gjatë nji interviste…

Sot bëhen 10 vjet nga vdekja e Lazër Radit. Keni menduar diçka si përkujtim? 10-vjetori i vdekjes së babait është një datë që kisha menduar ta përkujtoja ndryshe. Nuk realizoj atë çka kisha menduar për faktin e thjeshtë se kam marrë përsipër të grumbulloj dhe të redaktoj gjithë çfarë ai ka lënë nga trashëgimia personale në fushën e kulturës, si në përkthime, kujtime, vepra letrare, monografi në vepra postume. Një pjesë e veprës së tij, u botua në një periudhë shumë të vështirë të historisë së këtij vendi, më 1997. Duke parandjerë vdekjen dhe raportet familjare që ndryshuan në mënyrë drastike: i vdiq e shoqja, unë u detyrova të largohem familjarisht, ai vendos t’i botojë veprat e veta ashtu siç ishin, edhe si një lloj “hakmarrjeje” ndaj asaj pamundësie për ta mbaruar atë punë që mendonte të realizonte.
Çfarë ka lënë në dorëshkrim, ju përmendni diku përkthimet e Frojdit, Jungut… Lazër Radi mendonte se për shkak të indoktrinimit 50-vjeçar që kishte ndodhur, rinisë në mënyrë urgjente duhej t’i jepeshin ato vepra filozofike me të cilat ajo e kish pasur të pamundur të komunikonte. Ndërkohë ai merret me Platonin, me Frojdin, me Jungun, duke i konsideruar tri pika referimi për komunikimin me rininë. Nëse Platonin e botoi thuajse të plotë më 1993, me Frojdin prej të cilit kish përkthyer ëndrrat dhe interpretimin e tyre, si dhe Jungun ai mendonte të bënte një vepër të përbashkët. Gjë për të cilën s’i premtoi koha, megjithatë këto përkthime tashti presin kohën e botimit…
Po dorëshkrimet e tjera çfarë përmbajnë? Sipas meje, puna më e rëndësishme, pothuaj e gatshme për botim, është trilogjia e jetës e ndërtuar mbi tri qytetet e jetës së tij “Prizreni”, “Shkodra” dhe “Roma”. Besoj se “Shkodra” është e jashtëzakonshme. Ai ka qenë në gjendje të japë kohën në të gjitha detajet, aty ka personazhe nga më të ndryshmet të para në këndvështrimin e tij. Për shembull Skënder Luarasi, Ahmet Zogu, Migjeni, e plot personazhe të kohës. Aty është Shkodra në konfliktin e përjetshëm të dy botëve; është ai qytet që siç e quan ai: “…hyn një herë e s’mund të dalësh kurrë prej tij…” është parë lëvizja komuniste në bërthamë, në një botë djemsh që kërkonin të ndryshonin botën, dhe çdo gjë që ishte jashtë asaj bote, ishte për ta e zezë…
Kur është shkruar kjo vepër? Rreth viteve 1986-1989. Dmth ka brenda edhe pak autocensurë. E vërteta është se këtë vepër unë ia kërkova me detyrim, sepse ai kishte një mënyrë të shkëlqyer të të rrëfyerit të ngjarjeve të jetës së tij, aq herë i kishte rrëfyer, sa unë shpesh i kërkoja leje të ndërhyja në detaje të jetës së tij!
Ai nisi të merret me vetveten pak vite pasi e patën demaskuar publikisht si armik i popullit, më 1982. Ishte një demaskim, si të thuash, spektakolar. Regjimi, mbasi i kishte mbushur burgjet, kishte ndërruar taktikë: kishin filluar një tjetër skenar, të përpiqeshin me të gjitha mjetet dhe mënyrat për të demaskuar figura të njohura në mënyrë që të shkaktonte terror dhe frikë në popull… Aty, ai me një gjakftohtësi që s’e kisha besuar se e kishte brenda vetes, arriti ta kapërcente situatën dhe t’i kthente gati gjithë akuzat në favor të tij. I detyroi të gjithë të heshtnin përpara asaj çka tha.
E kur ndodhi kjo? Ndodhi në Savër, në 21 tetor 1982. Për fat (të keq a të mirë) kam qenë edhe unë prezent në at skenë masive të ndëshkimit, që më kujtonte diçka biblike. Fillimi ishte agresiv dhe shkatërrues kurse mbyllja e demaskimit qe e tillë sikur donin t’i thoshin tani s’kemi ç’ti bëjmë këtij njeriu, veç e kishim për detyrë ta bënim këtë gjë dhe e bëmë.
Çfarë mbani mend nga ai “demaskim”? Këtë ngjarje e kujtoj detaj për detaj, por do të përmend ndonjë prej tyre. U ngrit dikush nga salla (sigurisht i porositur) dhe pyeti: Le të na thotë ky Lazër Radi se ç’të keqe i ka bërë partia? Ai u ngrit edhe tha: “Kjo parti s’më ka ba absolutisht asgja të keqe. Gjatë 40 viteve të kësaj partie kam qenë 10 vjet në burg, kam 22 vjet i internuar e 10 vjet i dëbuar. Nëse është ndokush nga ju e quan të keqe kët gja, unë s’e quaj aspak të tillë, përkundrazi e quaj nji favor të madh që më ka bà ky shtet…!”
Shpesh ne e kujtonim këtë ngjarje në familje dhe ndër miq dhe Lazri me humor thoshte një perifrazë të drejtorit të ndërmarrjes që gjatë hapjes së demakimit ndër të tjera i ishte drejtuar me fjalët: “Ky intelektual borgez me zemër të zezë…” të paktën si intelektual ende më njohin!
Ju thoni se Lazër Radi e dinte që do të dënohej, e do të paguante detyrimin ndaj fajit që kishte qenë gazetar dhe kishte shkruar për organe profashiste… Shiko, Lazër Radi u kthye në Shqipëri mbasi ishte lauruar në “Sapienza” të Romës Doktor në drejtësi me 110/110, në fund të gushtit 1942. Në vitet 40-41 ai kishte bashkëpunuar me dy gazeta profashiste të asaj kohe, “Tomorri” dhe “Fashizmi”, gjithnjë brenda konceptit të tij politik se edhe të keqes ma të madhe duhet t’i vjelësh atë çka është e dobishme për popullin tënd. Të mos harrojmë se miqtë e tij të asj kohe ishin Ernest Koliqi, Vangjel Koça, Hasan Dosti e të tjerë… Mbas këtyre shkrimeve ai pati një periudhë heshtjeje të gjatë në shtypin shqiptar. Kur u kthye nga studimet, s’është se mori ndonjë flamur. Ai s’qe përzier në ndonjë organizatë të kohës, as në ndonjë parti politike, por mbajti një qëndrim nacionalist, duke botuar një seri të gjatë artikujsh në gazetën “Bashkimi i Kombit” me pseudonimin Ushtima e Sharrit.
Si e përkufizoni këtë llojin e tij të nacionalizmit? Ai nuk e pranonte konceptin e një ideologjie të vetme (për ndërtimin e shtetit). Ai mendonte dhe besonte që konceptet duhet të përplasen mes tyre për të dalë në shesh e vërteta dhe për t’u gjetur ato mekanizima mbi të cilat funksionon shteti. Mendonte se nuk funksionon shteti mbi bazën e një ideje të vetme dhe të eliminimit fizik të kundërshtarëve, sepse një ide e vetme sjell regjime totalitare dhe ai ishte absolutisht kundër totalitarizmit, edhe pse në një periudhë të caktuar historike ai u gjend pranë asaj ideologjie që synonte të sundonte botën. Ai theksonte se ideologjive, çdo shtet duhet t’iu vjelë frutet e interesave të veta.
Pas ’90-ës çfarë hijesh do të riktheheshin në jetën publike të Radit? Në fund të vitit 90, në gjetëm mundësi për t’i ikur odisesë së gjatë të gulagëve shqiptarë dhe të ktheheshim në Tiranë, prej nga ishim dëbuar. Sigurisht 45 vjet rrugash, të kthehesh andej nga je nisur, s’qe e kollajtë, sepse një pjesë e mirë e pikave të referimit ishin këputur. Megjithatë, Lazri gjeti mundësi të integrohej në jetën kryeqytetase dhe të marri pjesë në jetën kulturore, politike dhe asaj dashurie për të cilën kishte paguar: shtypit të shkruar. Veçanërisht daljet e tij në media dhe artikujt në shtyp nisën të ngjallin xhelozitë, e atyre që besonin se atij s’i kishte mbetë asgjë për të thënë!!
Pikërisht kjo shfaqje e beftë e tij ngriti një ortek sulmesh dhe kur nuk gjenin arsye me se ta sulmonin iu kthyen refrenit të idesë së fashizmit. Atëherë ai tha: A nuk iu mjaftuan miqtë e mi 45 vjet ndëshkim, vetëm për mendimet e mia, pasi asnjë lloj vepre penale, në dëm të asnjë personi dhe shteti s’kam kryer? Konceptet e mia politike i kam paguar më shtrenjtë se çdo njeri tjetër, dhe s’kam pse frikem sot prej askujt për atë çka mendoj!
Pse u desh që t’i hynte politikës? Kishte punuar me shtypin dhe një pjesë të mekanizmave djallëzore të shtypit i njihte mirë. Me një gjakftohtësi të habitshme vazhdoi në rrugën e vetë. Besonte se ky vend meritonte një të ardhme ndaj edhe iu fut politikës, thjesht për të shërbyer. Në njëfarë mënyre edhe ne në familje na mbajti peng të idesë së shërbimit ndaj Shqipërisë. Për këtë ai mori pjesë në polemikat e vendosjes së peshkopit Janullatos; hyri në partinë e Unitetit Kombtar megjithëse aty gjithçka ishte manipuluar nga pelivanë politikë që me aq zell i kishin shërbyer diktaturës. Ai mbajti dhe mbrojti linjën e vet dhe kur e pa se sa false ishte ideja e unitetit kombëtar, që përbënte edhe një ideal të hershëm të tij, u tërhoq.
Megjithatë, gazeta “Kombi” i shërbeu si tribunë për të botuar shkrimet e para për Koliqin, Musine Kokalarin, e mjaft nga priftërinjtë e vrarë nga regjimi si dhe për të dëshmuar se “nuk kam vdekur”. Mbas kësaj, bashkë me një grup patriotësh idealistë, si Agim Musta, Hazir Shala, Ymer Dishnica, Mexhit Kokalari krijuan Lëvizjen Demokratike të Bashkimit të Shqiptarëve si dhe gazetën “Bashkimi i Kombit” e cila u botoi rreth pesëdhjetë e ca numra nën kujdesin e tij…

Lazër Radi, Qazim Kreka, Sheraf Gjebrea, Agim Musta, Hazir Shala Mexhit Kokalari, Xun Çetta, …, Koço Nini, Bujar Llapi, Ahmet Pere
Lazër Radi, Qazim Kreka, Sheraf Gjebrea, Agim Musta, Hazir Shala Mexhit Kokalari, Xun Çetta, …, Koço Nini, Bujar Llapi, Ahmet Pere

Ju keni lindur në Elbasan ndërsa prindërit ishin internuar në Kuç. Si është historia juaj, duket e ngjashme me historinë e shumë fëmijëve që vuajtën pasojat e origjinës? Nëna ime ka dalë nga burgu në vitin 1955. U dënua në moshën 22-vjeçare si agjente e jugosllavëve. Një invencion! Ishin një grup grash që i kishin burrat nëpër burgje dhe bënë një protestë legale. I kapën dhe pas “bombës në Ambasadën Sovjetike” i përfshinë si gra të intelektualëve me dënime të përbindshme. Këto nuk janë aspak histori absurdi. Ai shtet në themel të programit të tij kishte ndëshkimin, nuk kishte rëndësi se kë. Në fund ai regjim ndëshkoi veten dhe të vetët si askush tjetër, ndëshkoi të gjithë ata që i kishin shërbyer.
Në vitet ’50 në Kuç të Kurveleshit, qe ngritur një kamp i krijuar enkas për intelektualët. Kam bërë një studim për këtë vend. Nga 100 persona të internuar 37 kishin mbaruar universitetet; 28 kishin mbaruar shkolla profesionale dhe gjimnaze; 10 ishin me 8-vjeçare, pak njerëz me shkollë fillore dhe 3-4 analfabetë, por ishin familje me emër të fshatrave të caktuar, si për të thënë që ishte pari e një fshati. Këta 100 vetë jetonin në mullirin e Kuçit, te Buronjat, të izoluar, pa asnjë lloj komunikimi me botën. Kur doli nga burgu, nëna ime s’kishte ku të shkonte më. Niset dhe shkon në Kuç të Kurveleshit. Pas nëntë muajsh erdha unë si një produkt i kësaj rrethane ndëshkimesh. Imagjino që prindërit s’kishin as shtrat, as dhomë, jashtë në natyrë, kishin krijuar një vend për gjoja intimitetin e familjes.
Në muajt e fundit të shtatzënisë ajo u detyrua që të shkonte në Elbasan te i ati i saj. Aty linda unë. Pastaj është ajo peripecia e jetës nëpër kampe, por kjo ka pak rëndësi. Të dy prindërit e mi asnjëherë s’na folën konkretisht për rrethanat dhe përse ishin të dënuar. Ata u përpoqën që ne ta asimilojmë gradualisht të vërtetën dhe asnjëherë të mos e përjetonim si traumë.
Kjo ka qenë një fitore e jashtëzakonshme e tyre dhe e jona. Dmth, ne arritëm ta kuptonim në moshën e duhur se në çfarë shteti dhe rrethanash jetonim. Sot e kësaj dite unë s’e përcjell at kohë si traumë, unë gjej gjërat më interesante të asaj kohe dhe i mbaj për veten time, një lloj kapitali jo për ta denigruar, sepse koha denigron veten, por unë gjeta elementët më pozitive për ta shpëtuar veten, dhe për të mos u ndjerë viktimë. Kjo falë edhe personalitetit të papërsëritshëm të tim eti…
Për çfarë do kishte shkruar Lazër Radi sot? Lazër Radi sot do të thotë: “mision i pakryer” Ai desh të bënte shumë, po bëri aq sa mundi… Nuk ka bërë pak po të kihet parasysh koha dhe rrethanat në të cilat ai e ngriti jetën dhe veprën e vet…
I çuditshëm është fakti se ai nuk shkroi absolutisht asgjë për diktaturën. Edhe në debate mes miqsh ai thoshte: njeriu vlen të shkruajë për atë çka është pjesa më me dritë e jetës së tij. Në errësirë duhet ta mendosh dritën për të shpëtuar, në dritë edhe mund ta harrosh errësirën, mjaft që të luftosh që ajo të mos kthehet… Për atë pjesë të errët ku ti zhvelftësohesh si qenie, si njeri, si intelektual përse të shkruash?!
Ndoshta për këto shkruhet në trilogji? Trilogjia është gjithë përpjekja e tij për të prekur dritën.

.
Botuar në gazetën Shekulli, 23 shtator 2008

.

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Vladimir Muzha
    Sapo lexova intervistën tuaj!!
    U lotova pa dashje… mbase vitet shkojnë dhe mosha fillon edhe të tradhëton nga pak… por edhe vendlindja juaj është e internuar në kushte absurde të një çifti të… Eh mor i nderuar mik… qenke i fortë!!
    Të përqafoj!!!
    Mire u lexofshmim!!! V. M.

  2. Flamur Shabani
    Fjalë adhurimi të një biri për babanë e vet, të një nxënësi për mësuesin, të një të pambrojturi për tutorin… Nuk mund të heq asnjë fjalë për të ndjerin Lazër Radi… madje po të kisha aftesinë tënde për t’u shprehur, do të përzgjidhja të njëjtat fjalë, ndoshta edhe më të bukura për të karakterizuar këtë figurë ende të panjohur e të paezauruar sa dhe si duhet në letërsinë, publicistikën e politikën tonë…
    (marrë nga muri i fb. 12 janar 2014)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.