back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Lazër Radi përballë propozimit për burgosje dhe demaskim publik – (Dosja formulare 793 – faqet 107-128)

Gazeta

Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij - Saver 1989
Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij –
Kampi i Savres 1989

Lazër Radi para propozimit për burgosje e demaskim publik

me 23 Tetor 1982 (Dosja formulare 793 – faqet 107-128)

.

Degës Punëve të Brendëshme Lushnje:

Unë qytetari Fiqiri Hoxha me banim në Sektorin Savër, deklaroj si më poshtë vijon:
-Në vitin 1973, shkova tek qytetari Lazër Radi për të më bërë një kornizë fotografie. Mbasi e shoqja më bëri kafe: Lazri në bisedë e sipër thotë: “Kështu e pësojnë sot njerëzit e ndershëm, si puna jote: Ti bëre mirë që nuk deshe të votoje, por të përplasën në burg. – Mbas një pauze të shkurtë tha: Edhe mua kështu ma kanë bërë në fakt. Në internim e kam kaluar tërë jetën, bile kam qënë edhe në Kurveleshin tënd. Unë tha Lazri jam kosovar. Kam dalë në Shqipëri me një batanije të vjetër dhe një dyshek. Asgjë nuk kam bërë, por hajde gjeje të vërtetën!”
-Në vitin 1974, shkova tek Lazër Radi, për të më bërë një palë letra, prej kartolinash, si dhe i kërkova pak bojë të zezë për të lyer biçikletën. Lazrin e gjeta duke punuar çifte femrash në allçi. Mbasi e shoqja na bëri kafe, Lazri u shpreh duke thënë: “Bëj edhe ndonjë punë private, si letra, buste të punuara në allçi, korniza, etj. se 15.60 lekë më merr gruaja, këto s’më dalin vetëm mua për cigare dhe kafe, jo më që e pi edhe gruaja duhanin edhe kafen.” Mbas bisedash Lazri tha: “Ka dalë romani (libri) i Qemal Stafës. Aty më kanë nxjerrë dhe mua sikur unë iu kundërvuna Qemal Stafës në kohën e fashizmit. Këta gënjejnë në shkrimet e tyre, unë tha Lazri e kam pasur shok Qemalin, në një klasë.”
-Më vonë në vitin 1975, unë qytetari Fiqiri Hoxha po lexoja revistën Hosteni para shtëpisë. Kalon Lazri dhe më thotë: Çfarë je tuj lexue? I thashë revistën Hosteni, ku kini dal dhe juve në karikaturë. Lazri u përgjegj: “Këta gënjejnë ditën për diell. A don me të dhanë një roman ku flet për realitetin “Shkëlqimi dhe mjerimi i Kurtizaneve” – më pyeti Lazri mbasi u largua.
-Në vitin 1977, i çova orën e gruas për të ngjitur xhamin në shtëpinë e tij. Mbasi e shoqja më bëri kafe dhe Lazri ngjiti xhamin e orës së gruas me vinovil tha: “Ti Fiqiri je shumë besnik, prandaj dhe po të shërbej, mbasi unë nuk kam shumë besim te njerzit…!”
Savër, me datë 08.03.1980
Deklaruesi Fiqiri Hoxha (firma) (faqja 106 e dosjes 793)
.
Dosje Përpunimi Nr.793 - Lazër Prend Radi
Dosje Përpunimi Nr.793 – Lazër Prend Radi

Relacion

Unë i nënshkruari Ajro Belishova, jam takuar vazhdimisht me Lazër Radin në Savër, dhe herë pas here kam biseduar me të për shumë probleme të ndryshme. Më kujtohet se aty nga viti 1966, jam takuar në Savër dhe ka qënë muaji nëntor kur po festoheshin festat 28-29 Nëntorit, e ku midis të tjerave Lazri më tha se “I ndoqa me vëmendje fjalimet e këtyre, shumë lart po e ngrejnë udhëheqësin kryesor këta!”
Në vitin 1980, në kohën që në Savër u arrestua Nikoll Mërnaçi, Lazri më tha: “S’dinë ç’po bëjnë këta! Po arrestuan një plak 80 vjeç, për të cilin më ka ardhë shumë keq, por me sa shifet kjo është politika e këtij shteti. Edhe ne të tjerët atje do të përfundojmë, këta s’duan të dinë se edhe neve jemi njerëz e duam të jetojmë!” (Disa nga këto materiale janë të depozitura në dosje me pseudonime, tashti jepen edhe nën relacione çka nuk le asnjë dyshim për të vërtetën e këtyre personazheve të rekrutuar… ajo që të shtyn të gjesh ndonjë kuptim është fakti që mbasi kanë deponuar si pseudonime, përse bëjnë edhe relacionë ku ata paraqiten haptas?! shen. im j.r)
Gjithashtu me Lazrin kam biseduar edhe kur i arrestuan dhëndrin e tij, Dine Dinen, ku Lazri tha se: “Dines i dhanë maksimumin, sepse nuk u përmbajt në gjyq nga akuzat që i bëheshin nga disa dëshmitarë të rremë, por mjerë neve që na zuri ky sistem…”
Këto që thashë janë të vërteta dhe i firmos me firmën time.
Deklaruesi Ajro Belishova (firma)
Lushnje, më 17.11.1981 (faqja 107 e dosjes 793)
.
***
Faqet 108 dhe 109
“Sekret”
Lushnje më 25.08.1982
Miratohet Kryetari Degës Punëve së Brëndëshme
Kapllan Shehu (firma)
 
Vendim:
mbi ndryshimin e tendencës, nga agjent i mundshëm i zbulimit italian në agjitacion e propagandë armiqësore kudra Partisë e P. popullor të zhvilluar nga objekti Lazër Radi në 2/A
 
(Mbas 30 vitesh survejim te perditshem dhe hetim për agjenturë, më në fund kryetari i Degës, vendos të ndryshojë tendencës e survejimit dhe një dënimi të mundshëm… Pyetja shtorhet cili është mekanizmi i një veprimi të tillë, dhe cilët janë ata që e kanë sugjeruar një veprim të tillë?! ndërkohë që jeta e një njeriu po edhe një familjeje mbeti në kampet e interrnimit. Kush është përgjegjës për këto lojra me jetët e njerëzore shen. im j.r.)
Unë punëtori operativ i Degës Punëve të Brendëshme Lushnje, Selfo Islami, mbasi studiova materialet e grumbulluara në dosjen formulare në 2/A, me Nr. 793, në ngarkim të Lazër Radit:
 
Gjeta se,
Lazër Radi, i biri i Prendit dhe i Gonxhes, i datëlindjes 1916, lindur në Prizren të Jugosllavisë dhe me banim aktual në N.B. Savër të rrethit Lushnje, rrjedh prej një familje e mesme qytetare, me arsim të lartë, i martuar me fëmijë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, aktualisht në pension.
I përmenduri në vitin 1929, ka ardhur familjarisht nga Prizreni dhe është vendosur me banim në Tiranë, ku aty ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme. Në vitin 1935, dërgohet për të kryer studimet e larta në Itali, për drejtësi, mbas mbarimit kthehet në Shqipëri, fillimisht ka punuar si nëpunës Luogotenence me detyrë përkthyes i Jakomonit, në të njëjtën kohë Lazri bëhet edhe një propagandist i flaktë i fashizmit, shkruan në gazeta dhe revista të ndryshme për fashizmin italian etj. Mbas çlirimin e Shqipërisë, Lazri arrestohet dhe fillimisht dënohet me “burg të përjetshëm” si armik i popullit, por mbas dhjetë vitesh përfiton nga amnistia dhe në vitin 1954, lirohet nga burgu e internohet në rrethin e Lushnjes, ku vazhdon të jetë edhe aktualisht, por në gjendje të lirë. Në ngarkim të Lazër Radit, janë grumbulluar të dhëna agjenturore, të cilat bëjnë fjalë mbi aktivitetin e tij armiqësor kundra Pushtetit Popullor, si nga vetë Lazri dhe nga lidhjet e tijë shoqërore si: Fatbardh Kupin, Dedë Gjoni, Viktor Dostin, e të tjerë, që kanë shpresuar në përmbysjen e Pushtetit Popullor në Shqipëri. Ka mbajtur korespondencë me një italian të quajturin Ugo Kasanelli – Brescia – Itali, të cilin mbasi e venë në dijeni se banon në Lushnje, i lutet që t’i dërgojë sende grash, për t’i shitur, me qëllim fitimi, etj.
(Ky teks i përgjithshëm dhe krejt i pavlerë, përsëritet disa herë në këtë dosje, çka të le të kuptosh, që në pamundësi për të gjetur diçka konkrete, përsërisin emra, me të cilët Lazri shkëmbente biseda të zakonshme, të cilat interpretohen si pakënaqësi ndaj pushtetit. Po mirë, pse duhej të ishin të kënaqur ndaj pushtetit lind pyetja, kur ishin të interrnuar, të poshtëruar, të survejuar, e të gatshëm për t’u dënuar… Ka njeri në botë që mund ta kuptojë këtë absurditet, kur ti i ke ngarkuar këtyre njerëzve gjithë makinërinë propgandistike të shtetit dhe pretendon prej tyre të jenë të kënaqur… Ky absurditet që i shoqëron fund e krye këto dosje, është sa i pabesushëm aq edhe një kotësi… shën. im j.r.)
Nga përpunimi që i kemi bërë Lazër Radit deri tani si agjent i zbulimit italian, nuk ka rezultuar që Lazri të ketë kryer ndonjë detyrë në favor të këtij zbulimi. (Qartë. E kanë mbikqyrur për gati 38 vite që këtë intelektual e mbajtën nën survejim të përditshëm… dhe befas pa asnjë përgjegjsi e pranojnë se është i pafajshëm!!! shen. im j.r.) Por meqënëse në ngarkim të tij disponojmë të dhëna, nga më shumë se një burim, për aktivitet armiqësor në formën e agjitacionit e të propagandës, kundra Partisë dhe Pushtetit popullor, jemi të mendimit që të ndryshojmë tendencën, nga agjent i mundshëm që është përpunuar, në agjitacion e propagandë, gjë për të cilën:
Vendosëm që:
Objekti Lazër Radi, që deri aktualisht është përpunuar si agjent i zbulimit italian, këtej e tutje të përpunohet; për aktivitet armiqësor në formën e agjitacionit e të propagandës kundra Partisë dhe Pushtetit Popullor, në të njëjtën kohë të bëjmë dhe ndryshimet përkatëse në kartotekë.
 .
Puntori Operativ Selfo Islami (firma)
Shefi Seksionit Kosta Ndini (firma)  – (faqet 108 -109 te Dosjes 793)
.
Lazër e Vitore Radi - Pranverë 1975
Lazër e Vitore Radi – Pranverë 1975
Sekret
Ekzemplar Nr……..
Lushnje, më 19.10.1982
 
Republika Popullore Socialiste Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme
Dega e Punëve të Brëndshme
Ana e Sigurimit Nr…..
.

Relacion: Për demaskimin e Lazër Prend Radit

për krimin e agjitacionit e të propagandës!

Propozojmë që të demaskohet për veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit e të propagandës kundërrevolucionare, qytetari Lazër Radi, me banim në sektorin e Savrës.
Lazër Radi është i biri i Prendit dhe i Gonxhes, i datëlindjes 1916, lindur në Prizren të Jugosllavisë dhe me banim aktual në NB Savër, të rrethit të Lushnjës, rrjedh prej një familje të mesme qytetare, me arsim të lartë, i martuar, me fëmijë, i dënuar një herë me heqje lirie, aktualisht pensionist.
I përmenduri, ka ardhur familjarisht nga Prizreni në vitin 1929, dhe janë vendosur me banim në qytetin e Tiranës, aty ka mbaruar shkollën fillore e të mesme. Në vitin 1935, është dërguar në Itali për të vazhduar studimet e larta për drejtësi, mbas mbarimit të së cilës kthehet në Shqipëri. Fillimisht punon si nëpunës në Luogotenencë me detyrë përkthyes i Jakomonit, në të njëjtën kohë, Lazri bëhet edhe një propagandist i flaktë i fashizmit, shkruan në gazeta e revista të ndryshme për fashizmin italian, etj.
Mbas çlirimit të Shqipërisë, Lazër Radi, arrestohet dhe dënohet fillimisht me “Burg të përjetshëm” (e pavërtetë! është dënuar me 30 vite heqje lirie! shën im j. r.) si armik i popullit, por mbas një periudhe përfiton nga amnistia dhe lirohet nga burgu në vitin 1954, kohë në të cilën internohet në Lushnjë, ku vazhdon të jetë edhe aktualisht, por në gjendje të lirë.
Nga masat e marrë në drejtim të tij, rezulton se aktualisht Lazër Radi, zhvillon aktivitet armiqësor kundër Partisë dhe pushtetit popullor, në formën e agjitacionit dhe të propagandës kundërrevolucionare, veprimtari kjo që vërtetohet e dokumentohet nga denoncimet e qytetarëve Fiqiri Hoxha, Hajro Belishova e të tjerë, të cilat hedhin dritë të plotë se, ai ka konsumuar krimin e agjitacionit e të propagandës kundërrevolucionare, parashikuar nga neni 55/I i KP të RPSSH.
Aktiviteti i tij armiqsor, konsiston në komente të ndryshme që drejtohen kundër Partisë, vijës së saj politike, masave revolucionare të marra prej saj, ligjeve të shtetit etj. ku disa prej të cilave janë:
“…Pas vdekjes së Titos, Jugosllavia po anon nga Bashkimi Sovjetik dhe shpejt a vonë do të eci plotësisht në vijën e sovjetikëve dhe si pasojë, Shqipëria do të përpihet nga këto dy shtete; se kur do të ndodhi nuk dihet, por llogjika ta thotë kthimi në kampin rus se sa në atë amerikan; në rast lufte, rrugë të mesme s’ka…”
“…Mehmet Shehu do të ketë qënë për ndonjë farë elasticiteti në politikë, mund të mos ketë qënë dakort qysh përpara Kongresit po ata se kanë lënë, sa përfundoi Kongresi dhe e sulmuan deri në atë gjendje sa ai u vetvra; kjo tregon dobësi për partinë e qeverinë Shqiptare, tregon dekompozim politik… Mehmeti, nga kritikat që i kanë bërë, si burrat zgjodhi vdekjen se sa burgun dhe diskretitimin…”.
“…Shumë veta pritën që mbas përfundimit të Kongresit mos bëheshin falje të të burgosurve apo të internuarve, por të gjithë ngelën me gisht në gojë. Këta s’kanë se si të bëjnë lëshime, në një kohë që Jugosllavia i akuzon për kampe e burgje dhe kjo kështu është, mbasi Jugosllavët për demostratat arrestuan kosovarët dhe disa i dënuan nga 1 deri në 10 vjet burg…”
“…Letra që udhëheqësi kryesor u dërgoi Kooperativistëve të Dajçit, ka qëllime të caktuara për të mobilizuar popullin për punë; kështu patën bërë edhe në Këmishtaj, kjo bëhet për të mbajtur popullin nën tension e punës, sido që të jetë të ardhurat e kooperativës mbeten po ato, njerëzit presin t’u shtohet paga, por po u shtohen vetëm vuajtjet…”
Pasi analizuam aktivitetin armiqsor të këtij personi, arritën në konkluzionin që për shkak edhe të moshës së madhe të tij, 66 vjeç, dhe se gjendja shëndetsore nuk është e mirë, rrezikshmëria shoqërore e tij nuk është në atë shkallë që të propozohet për arrestim, si dhe duke aplikuar një politikë sa më të drejtë goditëse, mendojmë që ndaj tij, të aplikohet masa e demaskimit, e cila do të ndikojë pozitivisht në frenimin dhe ndërprejen e veprimtarisë armiqsore të tij. Veç kësaj, kjo masë do të bëjë efektin e vet dhe do të ndikojë pozitivisht edhe tek personat të tjerë që zhvillojnë aktivitet armiqsor e do të ngrihen në një shkallë më të lartë vigjilenca e masave punonjëse në sektorin e Savrës.
 
Kryetari Degës të Punëve të Brëndshme
Kapllan Shehu (firma)
 
Shёnim me dorё 
Ju dha shokut Petraq Nushi
19.10.1982 Mondi (Faqet e shënuara jane 120, 121 e 123 te dosjes Nr 793, shen im j. r. – Edmond Rada operativ ne Saver, Materiali është dërguar nga Dega e Brendëshme te Sekretari i Partisë të Ndërrmarrjes së Savrës, sh. Petraq Nushi)
.
“Sekret”
Lushnje 30.10.1982
.

Relacion: Mbi demaskimin e Lazër Radit në përpunim 2/A

Më datën 23.10.1982, në Savër të rrethit Lushnje, u organizua demaskimi i objektit Lazër Radi, për aktivitet armiqësor, kundra Partisë dhe Pushtetit popullor, në formën e agjitacionit dhe të propagandës.
Në mbledhjen e organizuar morën pjesë në demaskimin e tij 12 persona, (Xhelal Bega, Rustem Bega, Tahir Çuko, Luftar Zeqo, Tosun Sako, Sulçe Malaj, Sefedin Balla, Polo Çakalli,…) të cilët jo vetëm që dënuan aktivitetin armiqësor të Lazër Radit, por u solidarizuan plotësisht me materialin e paraqitur dhe me unanimitet kërkuan që Lazër Radi t’i jepej gjyqit, për faktin se Pushteti popullor si Lazrit dhe familjes së tij dhe shumë personave të tjerë me qëndrim të keq politik, me banim në Savër, i ka trajtuar shumë mirë pa u bërë dallim me personat e tjerë që janë me përbërje dhe qëndrim të mirë moralo-politikë, ndërsa ky armik dhe shumë të tjerë si ky që nuk janë ekzpozuar si të tillë agjitojnë për kundra partisë dhe pushtetit popullor.
Qytetari Sulçe Malaj, në diskutimin e tij, ndër të tjera tha se veprimtaria armiqësore e Lazër Radit dihet qysh me çlirimin e vendit që për veprimtari kundra Partisë dhe Pushtetit Popullor u arrestua dhe e dënua, dhe mbas daljes nga burgu, u internua familjarisht, mirpo siç po duket, nuk ka zënë mend, kjo tregon e vërteton atë që ka thënë Partia se armiqtë vazhdimisht nuk heqin dorë nga veprimtaria e tyre armiqësore, por në kohë dhe vende të ndryshme kërkojnë të çorodisin mendjet e të tjerëve e t’i hedhin kundra sistemit tonë socialist, por këtij qëllimi ky armik dhe të tjerë si ky nuk do t’ia arrijë kurrë sepse partia dhe populli janë vigjilentë dhe këta persona siç e ka treguar historia, i ka nxjerrë në bangon e të akuzuarve e u ka kërkuar llogari. Edhe Lazër Radi është i tillë, për këto materiale që na u lexuan këtu janë shumë armiqësore dhe për këtë kam mendimin që ky armik të arrestohet, etj.
Ndërsa qytetari Tosun Sako ndër të tjera tha se: Ne sot po gjykojmë veprimtarinë armiqësore të Lazër Radit, nga kjo duhet të nxjerrim konkluzion, sepse Lazër Radi ka vjellë vrer kundra Pushtetit popullor dhe si i tillë duhet ta kishim vënë më parë para përgjegjësisë, pavarsisht se Lazri është një qen që leh, por nuk të kafshon dot, prandaj kam mendimin që diktatura e Proletariatit, t’i këpusë kokën këtij armiku dhe t’u vlejë dhe të tjerëve, më shumë se burgu. Aty u ngritën dhe diskutantë të tjerë, të cilët dënuan ashpër aktivitetin armiqësor të Lazër Radit.
Qëndrimi i objektit Lazër Radi, gjatë demaskimit nuk qe i mirë. Ai u shpreh se nuk kam zhvilluar në asnjë rast propagandë armiqësore kundra Partisë dhe Pushtetit Popullor. Asnjëherë nuk kam folur për Mehmet Shehun e ta marrë në mbrojtje atë. Po, kam folur për sukseset që ka arritur vendi ynë, etj. Nuk kam pasur qëllim që të errësoja sukseset që ka arritur vendi ynë, etj…
Pra siç shifet qëndrimi i objektit edhe gjatë demaskimit është armiqësor, gjë për të cilën në të ardhmen na del për detyrë që të drejtojmë me kujdes agjenturën, për të mësuar mbi pozitën e tij mbas demaskimit dhe në raste se Lazër Radi nuk do ta ndërpresë veprimtarinë armiqësore kundra Partisë dhe Pushtetit Popullor, të analizojmë materialet e grumbulluara dhe në të njëjtën kohë të vendosim për masa të mëtejshme.
 
Puntori Operativ: Selfo Islami (firma)
Shefi Seksionit: Luan Gaçe (firma)
.
Lazër Radi e Sulejman Hoxha si mekanikë - Pluk 1965
Lazër Radi ulur majtas e Sulejman Hoxha si mekanikë – Pluk 1965
Mori P. Operativ Selfo Islami
Dha B.p. “Qytetrimi”
.

Raport i datës 01.11.1982

Burimi njofton se ai me datën, 26.10.1982, rreth orёs 18 ishte pёr njё urim nё shtëpinë e Lazër Radit me rastin e fejesёs sё djalit. Mbas bisedave tё zakonshme si pёr urimin e tjera, ai e pyeti se si kaloi dhe a u trondit nga demaskimi publik që iu bё me datёn 23.10.1982, nё Savёr. Nё pёrgjigje Lazri tha se “Mё akuzuan pёr shumё gjёra qё po t’ishe nё gjyq mund tё mё kishin dёnuar njё dhjetёvjetёsh e u mbyll kjo punё, po siç duket “do ta kenё pleqёruar kёtё punё” dhe duke marrё parasysh moshёn time tё vjetёr dhe situatat aktuale kanё konkluduar demaskimin tim qё tё mёsojnё edhe të tjerёt.” Nё vazhdim Lazri tha se: “Unё jam munduar qё ndonjё diskutim si bie fjala pёr çёshtjen e Kosovёs ose ndonjё problem tjetёr tё brendshmё ta diskutoj nё rreth tё ngushtё shoqёror dhe me njerëz tё kontrolluar, por me sa duket s’qenka gjё edhe kjo punё dhe kёtej e tutje do tё shikoj punёn time e s’do tё bisedoj pёr asnjё problem politikё.” (I bëhet e qartë se edhe personi në fjalë mund të ishte padiskutim njëri prej atyre që bashkëpunojnë. shen im j. r. ) Ai i tha Lazrit se: Ne s’do tё rrimё tё veçuar nga njerëzit, probleme do tё diskutojmё nga ato qё trajton shtypi apo programi televiziv!” Lazri tha se “As pёr ato nuk duhet diskutuar!”
“Qytetrimi”
 
Sqarim: Lazër Radi përpunohet aktivisht 2/A për aktivitet armiqёsor nё agjitacion e propagandë kundёr Partisё e pushtetit popullor. Kohёt e fundit i ёshtё bёrё demaskimi i tij para popullit nё Savёr.
Detyra: B.p. ju dha detyrë që të takohet me Lazër Radin, dhe në vazhdim tё bisedave tё mёsipёrme t’i thotё se kam mendim qё demaskimi tё ёshtё bёrё se me ndonjё duhet tё kesh biseduar kur ndodhemi para fakteve neve nuk na vjen mirё, por edhe unё kёshtu them nё kёto kushte e sidomos kur bёhen demaskime apo arrestime arrij deri atje sa qё them se s’do tё bisedojё me asnjeri se kёshtu mund tё mё gjejё edhe mua, por kur vjen puna pёrsёri bisedoj, etje.
Masat Operative: Me tё dhёnё tё njihen drejtuesit nё Degё.
Të shtypet sipas implikimeve.
 
Puntori Operativ: Selfo Islami (firma)
 
Shёnim me dorё: Kujdes detyrat qё do t’i jepni agjenturёs pёr kontrollin e tij se ai po pёrpiqet qё tё gjejё personat me tё cilёt ka biseduar. (firmë)
27.11.1982
.
Lazër Radi i posadalë nga burgu, dhe i biri Alfredi, Savër 1954
Lazër Radi i posadalë nga burgu, dhe i biri Alfredi, Savër 1954
Mori P. Operativ Selfo Islami
Dha B.p. “Vёzhgusi”
.

Raport i datës 03.11.1982

Burimi njofton se me datën, 25.10.1982, rreth orёs 17.00, u takua nё Savёr me Vitka Radin dhe mbas pёrshёndetjes ai e pyeti Vitkёn si me shaka: “Si duket xha Lazri, sepse siç mё thanё ia kishin mbledhur keq nё mbledhje!”
Vitka tha: “Ashtu ёshtё, por ç’ёshtё e drejta, djali, Nini, e kishte mёsuar mё parё demaskimin qё do t’i bёhej Lazrit!” Ai i tha Vitkёs: “çudi nga kush e mёsuan, kush u tregoj?” Vitka, – i tha – “Djali i Bardhok Zefit i kish thёnё djalit dhe Nini na e tha ne nё shtёpi kur erdhi nga puna. Nё mbёmje – tha Vitka – kur u lajmёruan tё gjithё pёr nё mbledhje Lazri shkoi te kryetari i kёshillit dhe e pyeti nёse nuk prishte punё pёr tё mos shkuar nё mbledhje sepse po merrej me problemet e fejesёs sё djalit, Kryetari i kёshillit Mihal Llazi, i kishte thёnё se edhe juve duhet tё vini nё mbledhje patjetёr se tё gjithё kryefamiljarёt e familjeve. Nё kёto kushte, – tha Vitka – Lazri erdhi nё shtёpi dhe mё tha Vitka mё bёj gati tё vesh rrobat dimёrore se kjo mbledhje bёhet pёr mua dhe diçka, o do tё mё arrestojnё, ose demaskim si i Bardhokut!” Lidhur me ato qё i kishin thёnё Lazrit, tha Vitka: “Lazrin s’e kapnin dot sepse Lazri ёshtё i pregatitur pёr kёtё punё!” Nё kёto biseda e sipёr u ndanё me njёri-tjetrin…
“Vёzhguesi”
 
Sqarim: Lazër Radi me datёn 23.10.1982 u demaskua para punonjёsve nё Savёr.
Detyra: B.p. ju dha detyrë që të qёndrojё afёr me Lazër Radin, t’i shkojё pёr vizitë nё shtёpi me rastin e fejesёs sё djalit, e nё biseda tё mёsojё rreth reagimeve tё Lazrit lidhur me demaskimin qё ju bё nё rast se Lazri do largohet pёrjashta rrethit, tё mёsojё ku do tё shkojё dhe pёrse, e menjёherё tё vёrё nё dijeni P. Operativ.
Masat Operative: Me tё dhёnё tё njihen drejtuesit nё Degё.
Të nxirret informacion pёr Partinë dhe pushtetin nё rreth lidhur me nxjerrjen e sekretit.
 
Puntori Operativ Selfo Islami (firma)
 
Shёnim me dorё i shefit seksionit
Sh. Selfo: Ta sqarojmё mё pёrpara çёshtjen e nxjerrjes sё sekretit e pastaj tё informojmё edhe Komitetin e Partisё, por kёtё ta bёjmё shpejt. Tё kemi kujdes pёr herёt e tjera se ka mundёsi tё dekospirojmё ata qё porositen tё flasin nёpёr kёto mbledhje e kёto janё me pasoja se mund tё na ndodhin arratisje, vrasje etje.
.
Lazer Radi - Foto e Dosjes se Sigurimit 793
Lazer Radi – Foto e Dosjes se Sigurimit 793
Mori P. Operativ Selfo Islami
Dha B.p. “Qytetrimi”
.

Raport i datës 18.11.1982

Burimi njofton se me datën, 13.11.1982, nё Savёr u takua me Lazër Radit nga Savra me tё cilin kryesisht biseduan rreth fjalimit tё udhёheqёsit kryesor para zgjedhjesve si dhe pёr amnistinë e madhe. Pёr kёtё Lazri tha se “Një fjalim i tillё kaq i hapur dhe me kёto tone nuk ёshtё dёgjuar asnjё herё. Me njё fjalё cilido e bёri pёr vehte jo vetёm ne shqiptarёve kёtu por edhe ata tё Kosovёs, pёr tё cilёt paralajmёroi qё tё mos i trajtojnё mё nё atё mёnyrё sepse edhe durimi ka kufi dhe flaka ata do t’i djegё, serbёt. Amnistia tha gjithashtu Lazri ka gёzuar gjithё ato familje, pra edhe ky gjest ёshtё me rёndёsi tё madhe politike sepse tregon pёr zbutje dhe jo acarim të luftës klasore tё brendshme. Shyqyr qё s’u dёnova, por edhe tё mё kishin dёnuar do tё pёrfitoja nga amnistia si i moshuar… Demaskimi ёshtё pёr mua njё shuplakё e fortё qё s’do ta harroj lehtё. (Rreth një muaj mbas demaskimit, bashkpunëtori “Qytetërimi” (Q. G.) i njohur në Savër si spiun, me një pamje dashamirësi dhe të përvuajtur e ndesh në rrugë. L. Radin. I bindur që ai raportimin do ta çonte në Degë, Lazri i jep një përgjigje tejet llustruese e tejet të matur, si për ta vënë në dijeni edhe atë, që te shpulla e demaskimit është diku edhe dora jote… shen im j. r. )
“Qytetrimi”
 
Sqarim: Lazër Radi ёshtё nё përpunim aktiv 2/A nё muajin e kaluar ju bё demaskimi para popullit.
Detyra: B.p. ju dha detyrë që të vazhdojё bisedёn me Lazër Radin, lidhur mё situatёn e krijuar aktualisht mbas fjalimit tё udhёhqёsit kryesor para zgjedhёsve, ç’mendim ka Lazri pёr votimet nё Shqipёri, pёr amnistinë e ç’krahasim u bёn atyre edhe me situatat politike nё shtetet kapitaliste e revizioniste.
Masat Operative: Nga e dhёna tё nxirret informacion pёr Partinё e Pushtetin nё rreth si dhe pёr ministrinё.
 
Puntori Operativ: Selfo Islami (firma)
.
Shёnim me dorё Kujdes. B.P. tё sqarojё mirё sidomos problemin qё ai thotё se demaskimi pёr mua ёshtё njё shuplakё e fortё qё s’do ta harroj lehtё. Sqarojё kёtё moment, se ka shumё rёndёsi. (firmë)
27.11.82
.
(I gjithё materiali ёshtё i pacёnuar në asnje gërmë, siç ёshtё i shkruar nё Dosjen Formulare 793… nё ngarkim tё Lazër Radit dhe janё vetёm 19 faqe 107-128… me të kuqe janë shenimet e mia Jozef Radi)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.