back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Lea në Botën e Skaçudirave – nga Agim Morina

Gazeta

Agim Morina
Agim Morina

Lea në Botën e Skaçudirave

nga Agim Morina

(Vështrim rreth librit të autores Lea Ypi,
“Free – Coming of Age at the End of History”,
Allen Lane, Penguin Books, 2021 dhe
“Të lirë – të rritesh në fund të historisë”, Botimet Dudaj, Tiranë, 2021)
Doli në Amerikë Libri "Free" i Lea Ypit
Libri “Free” i Lea Ypit

Libri i autores Lea Ypi, “Të lirë – të rritesh në fund të historisë” nis me kapitullin e Stalinit dhe mbaron me kapitullin “Filozofët deri më sot vetëm e kanë interpretuar botën, tani ajo duhet ndryshuar”, që ësht teza e njëmbëdhjetë, e fundit, mbi Feuerbachun e shkruar prej Marxit në vitin 1845, si një skicim i veprës “Ideologjia gjermane”. Ndërmjet këtyre dy kapitujve janë bë bashkë kapitujt që, me sytë e një fëmije, vështrojnë dhe rrëfejnë, jo më botën e çudirave të Lizës, por botën e skaçudirave të Leas. Kapitulli Epilogu, në fund, ësht një rivështrim i Leas së rritur për krejt kapitujt paraprijës të Leushkës së vogël.
Pinjollët e një familjeje shqiptare, dikur të pasur dhe me ndikim politik, jetojnë nën një regjim stalinist. Ata nuk kanë ikë nga atdheu, si shum të tjerë të shtresës së tyre, por kanë vendosë me mbetë në atdhe, me bindjen se nuk kishin bë asgjë të keqe dhe nuk kishin asnjë arsye të largoheshin.
I ati i Leas, Xhaferri, të cilin e thërrasin Zafo, ësht nipi i ish-kryeministrit shqiptar me të njëjtin emër në kohën e Mbretit Zog, ndërsa e ëma, Vjollca, të cilën e thërrasin Doli, është mbesë tregtarësh dikur fort të pasur, pronarë të një kompanie anijesh, tokash etj. Tani ata jetojnë jo vetëm të varfëruar, ngaqë shteti ua ka marrë gjithë pasurinë, por edhe janë të stërkujdesshëm në sjelljet e tyre me fqinjët, me kolegët dhe me këdo tjetër, sepse janë nën vëzhgimin e përhershëm të syrit të Partisë. Ata kanë ‘biografi të keqe’ dhe kjo i bën ata përherë të dyshimtë para shtetit. Natyrisht, problemi më i madh i tyre ësht që ata as në shtëpi, në praninë e fëmijëve të tyre, nuk guxojnë të shprehin haptas mendimet dhe bindjet, për shkak se një gabim krejt i rastësishëm do të mund t’u kushtonte shtrenjtë.
Lea, përveç prindëve ka dhe një gjyshe, Ninin, nënën nga babai. Ajo ësht një zonjë e lindur dhe e rritur në kohën e Perandorisë Otomane, mbesë e një pashai, e cila kishte jetu dhe ishte arsimu në liceun e Selanikut. Si 19-vjeçare ajo vjen për herë të parë në Shqipëri dhe pas dy vjetësh njoftohet me gjyshin e Leas, Asllan Ypin, me të cilin, pas pak kohësh martohen. Gjyshi, Asllani, megjithëse antifashist, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, arrestohet dhe dënohet me 15 vjet burg nga regjimi enverist. Nini mbetet e vetme me fëmijët, të cilët i rrit me shum mund e përpjekje. Xhaferi, djali më i madh, martohet me Vjollcën dhe lind Lea, vajzushka që do të rrëfejë skaçudirat e botës së saj.

Lea Ypi me prindët e saj
Lea Ypi me prindët e saj

Vargu i Skaçudirave

Mënyra se si Leas i duhet të rritet dhe të edukohet, që nga fillimi i librit, paraqet fillin kryesor që e përshkon deri në fund këtë rrëfim. Stalini ësht udhëheqësi që ajo e adhuron. Kështu e mësojnë në shkollë, kështu flasin në lagje dhe kështu thuhet në radio e në televizor. Në shtëpi nuk e përmendin as për të mirë, as për të keq. Në shkollë të gjithë fëmijët, në ditë festash, rrëfejnë për gjyshër e kushërij e të afërm që kanë qenë partizanë. Lea nuk ka të tillë dhe kur kthehet në shtëpi pyet prindët se përse ata nuk kanë asnjë partizan me të cilin ajo do të mund të krenohej para shokëve. Për më tepër, sa herë që flitet për kohën e pushtimit fashist, përmendet një Xhafer Ypi, që në libra quhet tradhtar dhe kolaboracionist. Ajo turpërohet dhe sikletoset fort çdo vit nga pyetjet e përsëritura të shokëve dhe të shoqeve të saja në klasë për atë se çfarë lidhje kishte me këtë Xhafer Ypin. Ajo vazhdimisht ua përsërit se përveç një rastësie të emrit dhe mbiemrit të njëjtë, ky njeri nuk kishte të bënte asgjë me familjen e saj. Kështu i kishin thënë edhe në shtëpi. Aj ishte njëfarë ‘Ypi tjetër’.
Nëpërmjet këso situatash tragji-komike shtjellohen ngjarjet njëra pas tjetrës: përpjekja e Leas me vendosë një fotografi të Xhaxhit Enver në shtëpi, premtimet boshe nga i ati se po pritnin për një kornizë të mirë, vdekja e Enver Hoxhës, shfaqja e një kanaçeje të kokakollës që shfrytëzohet si zbukurim në shtëpi, ballafaqimi me turistë të huaj në plazhin e Durrësit, ‘marrja e diplomave’ nga njerëz të afërm e deri te ndryshimet demokratike në dhjetorin e vitit 1990, që nga disa u përjetuan si ‘fund i historisë’, me të cilën mbyllet pjesa e parë të librit. Natyrisht, bëhet fjalë për fundin e historisë staliniste e diktatoriale të Shqipërisë.
Pjesa e dytë nis me shok-terapinë që duhej të përjetonte shoqëria shqiptare bashkë me lëvizjet demokratike, themelimin e partive të reja, ballafaqimet e para me konceptet religjioze, me idenë e Zotit, udhëtimin në Athinë për me i kthy pronat dhe pamundësinë e kësaj pune për shkak të ‘gjendjes së luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë’, ikja e shqiptarëve nga atdheu, puna e Leas në një shoqatë bamirëse, ardhja e një holandezi, që u qujt Krokodil, dhe përjetimet e tij në lagjen e saj, kthimi në punë i babait të saj dhe problemet e mëdha me ‘reformat strukturore’ në portin e Durrësit, që shoqërohej me një parullë gati-gati enveriste, por tash të përmbysur në “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” e deri te katastrofa kombëtare e vitit 1997. Në këtë periudhë të tmerrshme Lea mban një ditar, ku përshkrun ngjarjet dhe tronditjen e saj nga anarkia që pushton Shqipërinë.
Libri mbyllet me Epilogun, që qëndron jashtë rrjedhës së gjithë librit, por bën një rikapitulim të ngjarjeve të treguara nga vogëlushja e dikurshme, tash profesoreshë në The London School of Economics.

Lea Ypi ne vitin 1981
Lea Ypi ne vitin 1981

Vepruesi, Agjenti dhe Përmasa e Lirisë

Paraqitja e ngjarjeve nga vështrimi i një fëmije i ka dhënë një ndjesi argëtuese dhe qartësi mahnitëse rrëfimit. Në shikim të parë të rrëfyerit duket i thjeshtë, fëminor, komik e tragjik. Por, ky ësht një mashtrim optik, që autorja e ka zhvillu me qëllim, ngaqë nënshtresa e librit ësht e thellë, duke qenë se ajo trajton njërën nga problemet më thelbësore të njeriut: konceptin e lirisë. Ky koncept përthyhet nëpër prizmin e ngjarjeve të shoqërisë shqiptare. Për më tepër, autorja e ka trajtu këtë koncept në punimet e saja akademike, por edhe librin e saj ‘Arkitektonika e arsyes’ (‘The Architectonic of Reason’, Oxford, 2021) ku trajton konceptin e lirisë sipas Kantit. Derisa Kanti merret me raportin e natyrës e të lirisë, Lea Ypi trajton lirinë në dy moduse të ndryshme në raport me një bashkësi shoqërore. Prandaj, trajtimi artistik i konceptit të lirisë në këtë vepër jo vetëm që nuk mundet me u trajtu i shkëputur, por duhet me u pa si një mënyrë tjetër, artistike, e vëzhgimit të kësaj dukurie nga autorja.
Që në kapitullin e parë autorja tregon, duke paraqitë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, problematikën të cilën do ta trajtojë: lirinë dhe raportin e individit me të. Ajo thotë se ka një liri shoqërore dhe ka një liri individuale. Liria shoqërore mundet me ndryshu varësisht prej rrethanave shoqërore. Por, egziston edhe liria individuale, ajo që nuk ndryshon, mbetet e pandryshueshme. Derisa liria shoqërore ësht në duart e rrethanave, agjentëve të jashtëm, mundet me u qujtë fat, liria individuale varet vetëm nga individi. Edhe nën një robëri të rëndë, edhe nën një regjim të ashpër, kur liria shtypet në mënyrën më të egër, individi mundet me mbetë i lirë, nëse aj nuk dorëzohet, nëse nuk heq dorë nga liria e vet. Raporti mes këtyre dy gjendjeve të lirisë përbën boshtin e kësaj vepre.
Për t’i shtjellu më lehtë këto koncepte të lirisë autorja i ka mishëru ato te njerëz konkretë: te babai, te nëna dhe te gjyshja. Nëna bart një të kuptuar liberal negativ të lirisë, ku individi mund të bëjë çfarë të dojë, të flasë çfarë të dojë, pa frikën nga ndërhyrja e shtetit; liria shoqërore, që ësht koncepti i babës, paraqet individin që nuk ësht jo i lirë vetëm kur shteti thotë mos bëj këtë, mos shko atje, por vjen edhe nga një interakcion shoqëror që ngulfat individin. Reciprociteti – theksoi im atë. Themeli i socializmit është reciprociteti midis njerëzve.” – shkrun ajo; dhe i treti është koncepti i lirisë së gjyshes, që, – sipas fjalëve të vetë autores – ësht kombinim i dy koncepteve të babës dhe nënës, që ka të bëjë me lirinë e brendshme, me lirinë morale. Pra, egziston një përmasë morale e lirisë që nuk mundet me u heqë, me u marrë nga një individ, pavarësisht se sa përpjekje bëhen nga agjentë të jashtëm shoqërorë, që kjo liri të cenohet dhe ky individ të nënshtrohet. Thjesht, individi duhet të ndërgjegjësohet se ësht vepruesi, agjenti dhe jo një faktor pasiv në përcaktimin e fatit të tij.
Ideja e këtyre koncepteve ilustrohet shum bukur që në kapitullin e parë dhe përshkon gjithë veprën në mënyrë asociative. Sa herë që del nga shkolla, Lea e vogël ka mundësi që, gjatë kthimit të saj në shtëpi, të zgjedhë të ecë ndërmjet këtyre rrugëve:
“Vetëm pak orë më parë, isha bërë qull nga shiu duke qëndruar para derës së shkollës, e duke vrarë mendjen se cilën rrugë të merrja për shtëpi: të kthehesha majtas, djathtas apo të vazhdoja drejt. Isha e lirë të vendosja. Çdo drejtim ngrinte pikëpyetje të ndryshme dhe duhet të llogarisja shpejt shkaqet e të analizoja pa humbur kohë pasojat. E dija më mirë se kushdo që duhet të merrja vendime të rëndësishme, për të cilat mbase do të pendohesha.” (fq. 15)
Nga këto rrugë njëra rrugë çonte kah dyqani që shiste fara të zeza dhe tjetra rrugë çonte kah një punëtori për prodhimin e kaushëve. Prindët e kishin urdhëru që ajo të mos ndalej te dyqani i kaushëve, mirëpo ishte prap në dorën e saj të merrte vendim:
“Pikërisht kjo ishte edhe arsyeja se pse, vendimi rreth cilës rrugë duhet të merrja për të shkuar në shtëpi, lidhej drejtpërsëdrejti me atë punën e lirisë.”
Gjithçka tjetër që shtjellohet në libër ka si referencë këtë qasje ndaj konceptit të lirisë. Thjesht, autorja vërtet e paraqet botën e vështruar prej syve të një fëmije, por nënteksti i veprës, loja asociative e ngjarjeve, rrezaton bindjet dhe pikëpamjet komplekse filozofike të autores. Këto pikëpamje duhet të dekodohen në pika të ndryshme orientuese, të padukshme, por kuptimisht të kapshme, që e përshkojnë veprën fund e krye. Vendimi se cilën rrugë të marrë një vogëlushe ndërmjet këtyre rrugëve të mundshme, në nivelin filozofik trajtohet si vendimi që duhet të marrë një individ para dilemave jetësore në ballafaqim me një strukturë shtetërore, e si pasojë edhe vendimet që duhet t’i marrë një shoqëri – në këtë rast ajo shqiptare – para kthesash të mëdha. Liria nuk ësht diçka që jepet apo dhurohet, si diçka pasive, por diçka që gjendet te çdo njeri dhe manifestohet si veprimtari konkrete. Ky njeri vetëm duhet të ndërgjegjësohet për këtë fakt. Shumësia e individëve të lirë krijon një shoqëri të lirë. Individët që lirinë e presin prej dikujt tjetër, nuk janë dhe kurrë nuk bëhen të lirë. Shumësia e lirive individuale shndërrohet në liri shoqërore, ashtu si shumësia e jolirisë individuale që mund të shndërrohet në një lloj robërie shoqërore. Sipas autores, roli i individit në këtë situatë ësht i një rëndësie parësore.
Ballafaqimi shoqëror që kanë përjetu shqiptarët në dy sisteme politike dhe dy realitete shoqërore: diktatoriale dhe demokratike ka kriju argumente që mbështesin pikëpamjet e autores. Libri ësht një lloj proteste, një kushtrim shoqërisë shqiptare që ajo të zgjohet dhe të ndërgjegjësohet për rolin e vet. Derisa në periudhën enveriste shqiptarët ishin pa liri lëvizjeje, të burgosur së brendshmi, nga aparati shtetëror diktatorial, në periudhën demokratike ata mbetën prap pa liri lëvizjeje, por kësaj here së jashtmi, ngaqë shtetet e tjera nuk u lejonin shqiptarëve të dilnin jashtë. Kështu, për shqiptarët, kufizimi së jashtmi apo së brendshmi, nuk doli se paraqiste ndonjë dallim. Ata mbetën të ngujuar, të varfër dhe të dëshpëruar. Disidentët dhe të burgosurit e deridjeshëm të burgjeve dhe kampeve enveriste u kthyen në të burgosur prej izolimit ndërkombëtar. Kështu që, sipas autores, këtë zhgënjim me agjentë të jashtëm, shqiptarët duhej ta kthenin në aktivizim të vetvetes, të shndërroheshin në agjentë të lirisë së tyre. Dy individë të lirë përbëjnë lirinë e dy individëve, ashtu qysh një mijë individë që përbëjnë lirinë e një mijë individëve. Kështu tre milion shqiptarë të lirë në Shqipëri do të përbënin shoqërinë e lirë shqiptare. Në një mënyrë, liria e një shoqërie ësht interakcion lirish individuale dhe kusht për lirinë e përgjithshme.
Krokodili, holandezi Vincent van der Bergu, që vjen dhe jeton në lagjen e saj, nuk ësht një holandez, por një vështrim, një pamje se si shtetet e huaja i shihnin shqiptarët në përgjithësi. Stalini nuk e paraqet një diktator, por një kult individi, që vjen si rezultat i një makinerie propagandistike dhe shpërlarjeje sistematike të trurit. Nëse në diktaturë aparati shtetëror kufizonte lëvizjet e njerëzve, në demokraci anarkia po ashtu e bënte të njëjtën gjë, qysh ndodhi në vitin 1997. Nëse babai i saj nuk mund të dilte nga shtëpia lirisht gjatë diktaturës, Lea nuk mund ta bënte këtë në kohën e demokracisë prej bandash të armatosura. Nëse në diktaturë pasuria vidhej nga shteti, në demokraci pasuria vidhej nëpërmjet skemash piramidale. Nëse në diktaturë të imponohej të mendosh sipas propagandës së shtetit, në demokraci po ashtu të imponohej mendimi nëpërmjet shoqatash të ndryshme ideologjike e religjioze të financuara nga jashtë. Efekti i shpërlarjes së trurit do të ishte i njëjtë, nëse individi nuk do të ndërgjegjësohej për me mendu dhe me marrë vetë vendime të duhura, për veten dhe për shoqërinë.
Lea me gjyshen e saj Ninin
Lea me gjyshen e saj Ninin

Ketmani Shqiptar

Se deri ku shkon përpjekja për rujtjen e lirisë, një përpjekje kolektive, por me angazhim të ndërgjegjshëm individual, tregohet në librin e poetit, Czesław Miłoszi, i cili te vepra “Mendja e robëruar”, ka një pjesë që flet për një sjellje të një grupi religjioz jomysliman në Iran, që quhej sjellje prej ketmani. Ketmani si mënyrë sjelljeje, ishte zhvillu për me mujtë me i bë ballë presionit të pushtetit islamik. Popullsia e këtij grupi religjioz ishte detyru që së jashtmi me u shfaqë si myslimanë të devotshëm, por së brendshmi, si individë, mbeteshin mohues dhe armiq më të përbetuar të tij. Pikërisht kjo pati ndodhë edhe me një shtresë njerëzish në Shqipërinë diktatoriale. Armiqtë më të përbetuar të enverizmit detyroheshin me u paraqitë si më besnikët e tij, publikisht lavdëronin Partinë dhe udhëheqësin, Shokun Enver, pohonin se socializmi ishte sistemi më i mirë shoqëror e kështu tutje. Por, në vetvete ata runin mospajtimin më të thellë me këtë regjim dhe ishin armiq të saj.
Prindët e Leas ishin nga ata që u desh të zbatonin këtë ketman, por u desh ta bënin këtë pa i tregu as bijës së tyre. Kjo edhe shkaktoi një hutesë te vogëlushja kureshtare, që shihte sjellje fort të çuditshme të prindve dhe të gjyshes. Kur ajo kërkoi vendosjen e fotografisë së Enver Hoxhës në ballë të dhomës, pa se kjo shtyhej vazhdimisht për një kohë tjetër, me arsyetimin se duhej të gjendej një kornizë sa më e shtrejtë, e denjë për udhëheqësin e madh. Ndërsa për të afërmit që dilnin nga burgjet e thuhej se ‘kishin diplomuar’ në qytete që nisnin vetëm me një inicial B., M. e S., pas rënies së diktaturës, Lea do të kuptojë se kjo ‘marrje e diplomave’, në të vërtetë, ishte dalje nga burgu dhe se fakultetet me inicale B., M. e S. shenjonin emrat e burgjeve Burrel, Maliq e Spaç. Më e tmerrshmja ishte që prindëve u duhej me mohu stërgjyshin e saj, Xhafer Ypin, dhe të thoshin se nuk kishin asnjë lidhje me të, ndërsa emri e mbiemri i njëjtë thuhej se ishte vetëm një rastësi.

Gjuha

Gjuha e përdorur në libër ësht argëtuese, në dukje naive, qëllimshëm e thjeshtëzuar, duke ndjekë një vijë kontrapunkti mes njëmendësisë faktike dhe pritjeve të një fëmije. Krejt kjo paraqitet me një rrëfim të pamëni, të pasherr, por hulumtues, kureshtar, përcjellë prej një çapkënërie të ngrohtë e huqeve dashamirëse të një vogëlusheje. Kjo çiltëri fëminore i jep rrëfimit një shkëlqim të pazakontë, të pangjarë. E bën egzotike. Dialogët dalin të mprehtë e spirituozë. Përshkrimi i karaktereve shkrihet mirë në rrjedhën e rrëfimit dhe vargu i situatave kthehet në një labirinth nëpër të cilin kryeheroina argëtohet dhe zbulon, ballafaqohet me sfida dhe u jep zgjidhje me ndonjë shpjegim të atypëratyshëm fëminor. Në këtë mënyrë krijohet një ndjenjë sikur në çdo kapitull kalojmë nëpër njërën nga sfidat e një loje kompjuterike. Vetëm Epilogu, fund, sikur na nxjerr nga kjo ndjenjë e sfidave të lojës kompjuterike dhee na vendos në një botë të njëmendtë.
Kjo vepër së pari u botu në gjuhën angleze dhe u prit jashtëzakonisht mirë edhe nga kritika, edhe nga lexuesit. Autorja pohon se kishte provu me shkru librin në disa gjuhë, shqip, italisht e anglisht. Në fund kishte vendosë me shkru në anglisht, sipas gjuhës së vendit ku jeton e punon. Por, edhe në shqip, edhe në anglisht, rrëfimi ka një rrjedhë të këndshme, të gjallë e figurative. Kam përshtypjen se të shkruarit dhe të redaktuarit e tekstit në gjuhën angleze ësht bë me ma shum kujdes sesa në gjuhën shqipe. Megjithatë, ësht mirë që kthimi në shqip nuk ka ndjekë besnikërisht e deri në imtësi versionin anglisht, sepse kjo ka kriju ndjenjën se edhe versioni shqip asht po kaq origjinal, sa edhe versioni në anglisht.
Lea me nënën e saj
Lea me nënën e saj

Mirëkuptimi dhe Keqkuptimi

Nga kritika jashtë Shqipërisë ky libër u prit shum mirë. U përkthy në shum gjuhë dhe mori edhe shpërblim. Kjo erdhi ngaqë autorë ndërkombëtarë u përqendruan në vlerën artistike të librit, në mënyrën mjeshtërore të shtjellimit, në përzgjedhjen e gjuhës narrative dhe në çiltërinë goditëse të autores.
Kjo pritje e ngrohtë nuk ndodhi edhe te një pjesë të kritikës shqiptare, që nxori si argument faktin se rrëfimet që paraqet libri janë të njohura, dmth. triviale, për të gjithë shqiptarët që e kanë jetu periudhën e enverizmit. Për këtë arsye, sipas tyre, ky libër nuk paraqet asgjë të veçantë e të re për shqiptarët, ndërsa për të huajt mund të duket egzotike. Në të vërtetë, thelbi i cilësisë estetike qëndron pikërisht në mënyrën e trajtimit dhe të paraqitjes së dukurive nga një shkrimtar, duke kriju një vepër që arrin me i bë ballë kohës. Mundet me u thënë se edhe shkrimtarët më të mëdhej botërorë për bashkëkohësit e vet kanë mundë me tingëllu si trivialë. Ngjarjet që shtjellohen në veprat e tyre kanë qenë ‘të njohura’ për të gjithë. Hamletë, Don Kishotë, Raskollnikovë, Zhan Valdanë, Stehphen Dedalusë ka pasur plot, por vetëm penda mjeshtërore e këtyre shkrimtarëve ka arrijtë me i gdhendë dhe me i përjetësu artistikisht. Edhe trajtimi që bën Lea Ypi ësht jo vetëm origjinal, por edhe i një niveli të admirueshëm artistik.
Mundet me u thënë që pjesa e parë, nga ky vështrim, qëndron më lart sesa pjesa e dytë e librit. Kjo vjen ndoshta edhe për shkak se në pjesën e parë situatat janë më dinamike, përshkrimet më kontrastive, krahasimet duken më të goditura dhe gjuha ka spirituozitetin e një fëmije kureshtar. Pjesa e dytë anon më shumë kah të rrëfyerit dokumentar, duke qenë se tani nuk janë vetëm ngjarjet që kanë një zymtësi dhe rrjedhë të papritur shpresash të zbehura, por edhe vogëlushja që rrëfen tashmë ësht më e pjekur.
Një vijë tjetër e kritikës, më e ashpër, lidhet me pohimin e autores se periudha e diktaturës dhe periudha e demokracisë paraqitnin faqet e ndryshme të një medaljeje të njëjtë. Kjo, sipas tyre, paska ardhë nga orientimi majtist i autores, gjë që paraqitka një qëndrim paradoksal, përderisa gjyshi i autores ishte burgosë prej një regjimi majtist. Këto qëndrime vetëm e përforcojnë argumentin e autores që shtjellon në libër rreth përmasës morale të lirisë dhe rreth mungesës së lirisë individuale. Kritikët e këtillë, si duket, janë, pavetëdijshëm, viktima të asaj moslirie individuale për të cilën bën fjalë autorja.
Një kritikë tjetër, mjaft naive, vjen nga disa që këtë libër këmbëngulin me e pa si një vepër dokumentare dhe nxjerrin ‘fakte’ që nuk përkojnë me realitetin ‘dokumentar’ të kohës për të cilën bën fjalë në këtë vepër. Libri i Lea Ypit nuk ësht libër historik-shkencor, as nuk pretendon me shërby si referencë për vepra shkencore historike apo dokumentare. Ësht shtjellim artistik e filozofik i një materiali që paraqitet si dokumentar, dokumentar vetëm deri në atë masë sa ky material hyn në shërbim të një shtjellimi artistik e porosie filozofike.

Shqiptarët, Liria dhe dy sistemet politike

Anarkinë dhe kaosin e vitit 1997, Lea dhe unë i paskemi kalu bashkë. Unë në Tiranë, ndërsa ajo në Durrës. Por pa e dijtur këtë as ajo, as unë. Këtë e kuptova vetëm pasi e lexova librin. Për fat të keq, Lea i ka kalu ato ditë në një moshë të njomë dhe gjurmët e tronditjes së saj janë shum më të thella. Megjithatë, duke lexu ditarin e saj edhe mua më kapi trishtimi, sepse m’u kthyen ato ditë, nga më të tmerrshmet e jetës sime, kur para syve të mi u rrënu një godinë e tërë shtetërore.
Gjatë qëndrimit tim në Tiranë, m’u pati kriju përshtypja se shoqëria shqiptare ishte thellësisht e traumatizuar nga gjysë shekulli regjimi diktatorial dhe dukej se ishte jashtëzakonisht e vështirë të arrinte të komunikonte, aq më pak të kultivonte vlera të shoqërive demokratike, së paku, për një kohë jo fort të afërt. Trajtimi i përmasës së lirisë individuale nga autorja, si një mundësi për me dalë nga kjo situatë, ësht një vështrim shum interesant. Unë e pata ndi këtë boshllëk, por nuk pata arrijtë me e shpjegu. Ky libër më mundësoi që kjo pamje të më kthjellohet. Bindje ime kishte qenë se do të duhej një kohë më e gjatë, së paku prej dy brezash, që shoqëria shqiptare të kthjellet, të ndërgjegjësohet dhe të ambientohet me të kuptuarit e mirëfilltë një shoqërie demokratike. Lea Ypi, me shembullin e saj, e demanton këtë bindje timen. Megjithëse, duke gjyku sipas disa reagimeve që erdhën nga Shqipëria rreth këtij libri, autorja, si duket, paraqet, nëse jo një përjashtim, atëherë një përfaqësuese të një shtrese më të vetëdijshme. A ka ndodhë kjo për shkak se ajo ka dalë nga Shqipëria në moshë të re dhe ka arrijtë me u përshtatë e me i kuptu më mirë zhvillimin e shoqërisë, apo këtë e ka arrijtë falë studimeve të thella, mbetet të shihet. Por, keqkuptimi me të cilën u ndesh libri i saj vetëm e dëshmon se kjo vepër ka shum më tepër rëndësi, sesa që ka mujtë me u dukë në fillim.
Lea Ypi ia ka dalë që me shum qartësi e distancë të duhur intelektuale të bëjë analizën e lirisë individuale dhe shoqërore në Shqipëri dhe marrëdhanien e kësaj lirie me shqiptarët brenda dy sistemeve politike. Sidoqoftë, pikëpamjet e saja, janë mjaft largvajtëse dhe kjo ka kriju distancën mes ideve mbizotëruese brenda një pjese të shoqërisë shqiptare në Shqipëri dhe vetes së saj. Emancipimi politik i Leas ka shku mjaft larg dhe ësht në pikën ku do të duhet të vijë mendimi politik i shoqërisë shqiptare, jo si orientim i ngushtë ideologjik, por si qasje praktike për sendërtimin e një shoqërie funkcionale, deri në pikën e krijimit të lirisë individuale, si kusht për krijimin e një shoqërie të lirë.
(2022)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.