Lec P. Shllaku dhe nji poezi e hershme e tij
përmes kujtimit të Primo Shllakut
15 vjet të shkuara mbylli sytë e vet përgjithmonë baba im, Lec P. Shllaku. Iku pak ditë mbasi u ndie mirë dhe u duk i përforcuem edhe për nji vit tjetër. Kërkoi që t’i rezervohej nji muej në shpinë time në bregdet, për muejin qershor 2008, që ai nuk e shkeli kurr ma. Iku si një burrë i ri plot me andrra veprash e me vizione mbi fëmijët e tij. Por nuk pa asgja. Pjesën ma të bukur nuk e pa. Nuk pa mrekullitë të cilat i kishte pritë ndoshta.
Jam i sigurt se ai ishte një njeri që e kishin rrahë shum erna. Por jam po aq i sigurt se edhe ai vetë e kishte fuqinë më çue erna. Dhe i ka çue ernat e veta të shkurta por rroposëse: ernat e suksesit, ernat e mbrojtjes, ernat e riçuemjes mbas rrëzimeve, ernat e frymës së njeriut mendues.
Baba im ishte i rreptë dhe i bamë për nji kohë tjetër, për nji kohë që u cungue qysh herët dhe atyne iu desht me u plakë në zemër të rinisë, ashtu sikurse na nuk patëm rini.
Baba im ka qenë i rreptë…
Këtu poshtë po botoj nji poezi të tijën që më dedikohet mue ndoshta pak muejsh e që më shifte si shpresë e pyllit të tij të premë herët, qysh në kohën kur katër vjeç e gjysmë mbeti jetim e iu thye trau i shpisë.
Baba im ka qenë i rreptë dhe asht prap i rreptë sa me e lëvizë edhe nji herë kërcënueshën gishtin e tij tregues…
Baba im që pau shum e që i mbetën shum pa pa…
Si shej pylle – nga Lec P. Shllaku
– mos u mjero, o i mjeruem… –
Primit
E pylla ime u pre e rrah ofshamën
thekshëm e lëshoi, jehuen shpatet e thyeshëm
që i rrinë kundruell me tallje e gaz shpirtligu
e jo si mbrojë nga moti i keq e pjalmi.
U shemb pesha e tyne si shkreptimë rrufeje
e n’zemër shpresat m’i plagosi t’virgjëna,
qava me dënesë si qan në hekra klyshi,
kur të trashat hallka ia pengojnë vërsuljen
mb’anmik tinëzar që lehtë i afron kotecit.
Qan zemra ime që ka humbun rrahjet,
dënes se “humbjet bien mbas vetes damet”.
Ranë lisa e aha, brej e ranë çetina,
secilit emnin që ia kish’ vu n’mend të mia
e veç me ‘i emën m’i përfshin sot mendja:
humbje pa shpresa e shum kohë me u rritë.
Toka u ka dalë me shkrepa e brigje prrojesh,
mblue me bar myshku e cunga pa shej jete,
me çufrra t’forta cakthi e dëllije,
që duert t’i përgjakin, po ua preke majat.
Vetëm nji brè, pinjoll i hollë i pyllës,
që ma lkund era e krejt ma hjek kujtimin
se i pyllës sime asht “i ri ndër të vjetrit”,
kufì më ka mbetë e me trup t’njomë lëkundet,
m’premton me gaz se mbrenda stinës s’bukur
n’filiza t’rij krejt prozhmin do t’ma mbushë
e m’bzan tue m’ngushëllue “sa shum do t’qeshim,
kur pyllës s’vjetër në diell t’i dalin rranjët
e dushku i tyne ushqim t’u bahet fëmijëve”
………………………………………………………..
E mirë, o breu i ri i zemrës sime,
po bie n’qetësi e dyert idhnimit t’kalbun
se nji herë bora, fort jam kah ia mbyll.
Në shpirt përtri, së bashku me ty këso stine
pyllën e re t’vendojmë që kohëve t’u qindrojë,
ashtu si gjallon emni yt mes bjeshkëve
e burimhumbja t’m’dalë për g’zime t’reja!
1948
Marrë nga faqja e FB e Primo Shllakut, 4 gusht 2022