back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Lef Nosi – figurë qendrore e historisë dhe e kulturës shqiptare nga Hektor Çiftja

Gazeta

Lef Nosi (Pikturë e Arben Morinës)
Lef Nosi (Pikturë e Arben Morinës)

Lef Nosi –

figurë qendrore e historisë

dhe e kulturës shqiptare

nga Hektor Çiftja

Ja cili është Lef Nosi,
për të cilin po bën kaq zhurmë
“Kandidati” i Ben Blushi

Duket edhe në këtë konferencë se figura e Lef Nosit, deri vonë e dëbuar nga diskutimet akademike, por jo e harruar, po merr, mbas një gjysmë shekulli heshtje të pamerituar, shkëlqimin e saj të denjë. Po ngjan me një personalitet si ky i Lef Nosit, afërsisht si me shtatoret – kryevepra të artit antik, të cilat mbeten të mbyllur në skaje të errët për vite apo shekuj, të fshehura, gati të panjohura me pluhurin dhe baltën që grumbullohen në trajtat e tyre duke mos i lënë që të dallohen. Po vlerat dhe trashëgimia e punëtorëve të kombit dhe përparimit është pa diskutim e pavdekshme. Dhe vjen dita që duart e brezave e pastrojnë këtë shtatore nga pluhuri apo dheu, e marrin nga errësira ku kanë humbur dhe e nxjerrin në dritë të diellit. Dhe atëherë kemi një pamje të mallëngjyeshme. Mermeri i shtatores shkëlqen më i bukur, më krenar. Shohim kështu se koha nuk e ka prishur, përkundrazi i ka shtuar fisnikëri e hir. Sepse vetëm ato gjëra që i rezistojnë kohës janë fisnike dhe të denja për adhurim. Dhe lavdia më e sigurt është ajo e mëvonshmja.
Si të gjithë të mëdhenjtë tanë, edhe Lef Nosi i kalon caqet e thjesht një patrioti apo intelektuali; ai ishte një personalitet politik dhe aktivist i shkëlqyer social e më gjerë. Për ne sot ai është simboli i të shërbyerit ndaj një kauze pa pritur kurrfarë përfitimi material personal. Personalitete të tilla nuk mund të çmohen pra vetëm për atë që kanë lënë të shkruar. Të ndash pra atë që ata kanë lënë të shkruar nga jeta që kanë kaluar është një punë e padrejtë, sepse rrezikohet në këtë mënyrë të falsifikohet tërë personaliteti i tyre. Pikërisht në këtë pikë, kjo konferencë ka një barrë të rëndë, dhe që unë jam i bindur se do ja dalë me sukses. Them një barrë të rëndë, mbasi Lef Nosi ishte pa diskutim një gjeni i lëvizjes kombëtare dhe i krijimit të shteti shqiptar. Por ai nuk ishte nga ata gjeni që lenë vepra të shkruara nën emrin e tyre, e as nga ata që jemi mësuar të kemi në librat e historisë thjesht sepse kanë qenë të parët që kanë dominuar evente të mëdha. Ai ishte një tjetër lloj gjeniu, nga ata gjeni që humanizmi perëndimor i njeh si gjeni riprodhues, si gjeni të të shërbyerit. Dhe pa diskutim që shteti shqiptar nuk do të ishte ky që kemi sot pa disa nga ky lloj gjeniu, nga ky lloj heroj të pakënduar, në panteonin e të cilëve Lef Nosi spikat.

Nji nga miqtë më të mirë të Koleas, Lef Nosi-tirane
Lef Nosi – Figure e madhe i shqiptarizmes

Lef Nosi ishte një shërbyes gjenial dhe i palodhur i çështjes kombëtare kur u angazhua në Kongresin e Elbasanit, kur drejtoi shkollën Normale, kur krijoi dhe drejtoi dy ministri, apo kur me imzot Bumçin mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Ai e meriton titullin e “heroit të pakënduar”. Vetë historia e çdo kombi, madje çdo histori është bërë, midis të tjerash nga ata që bënë zbulime të mëdha, që performuan aksione apo që ndryshuan botën. Por shumica e tyre nuk rezulton të zërë hapësirën që i takon në tekstet e historisë të shkollave apo akademive. Në rastin e Shqipërisë, ndoshta diktatura ka bërë të sajën. Po nuk është vetëm kjo. Shumica e këtyre heronjve, të cilët me të drejtë kultura humaniste perëndimore i quan heronj të pakënduar, në të vërtetë e kanë të vështirë të jenë pjesë e historive zyrtare. Kjo ndodh sepse shumica e tyre ose kanë thyer konvencione, ose ju shmangën establishmenteve të kohës, ose sepse edhe sot e kësaj dite janë pjesë e paradigmave të mendimit tonë i cili i paragjykon. Figura që nderon sot konferenca juaj, figura e Lef Nosit, është pa diskutim një nga këto. Të nderuar pjesëmarrës, Përpara këtij auditori shkencëtarësh, do të doja të ndalesha jo aq në aspektet historike të një personaliteti si Lef Nosi, por ne mesazhin që ne të gjithë duhet të marrim nga jeta dhe të vepruarit e këtyre njerëzve që kanë qenë punëtorë të palodhur në shërbim të çështjes kombëtare, dhe para së gjithash të progresit njerëzor. Vetë nocioni i punëtorit të palodhur të progresit shqiptar është një nga vlerat më të mëdha që ata na rrezatojnë edhe sot. Kështu, kur shqiptarët nuk kishin komunikimin mes vedi, Lef Nosi pranon të shërbeje si ministër i komunikacioneve; kur shteti shqiptar nuk kishte financa, ai u bë ministër i ekonomisë; kur shqiptarët nuk kishin pothuajse asnjë institucion të historisë dhe të arkivave, ai vendos që, pa u lodhur, të koleksionojë dhe të hedhë bazat e arkivistikës dhe të kulturologjisë; kur shqiptarët mediokër jepnin mend pa punuar, siç thotë Konica, ai vendos të ketë gazetën e tij, të botojë koleksionet aq të çmuara në të cilat dokumentohet qoftë historia, qoftë kultura dhe folklori; Dhe të gjitha këto duke refuzuar ta ketë emrin pothuajse asgjëkund në kopertina librash, përveçse si mbledhës dhe koleksionist. Po jo vetëm kaq: kur shqiptarët nuk kishin një diplomaci institucionale, Lef Nosi bashkë me patriotë të tjerë të iluminuar përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Ky njeri që dinte aq bukur të komunikonte si në gjuhë të huaja ashtu edhe në gjuhën e amtare, nuk u ul të shkruajë ndonjë vepër për të lënë gjurmën e mendjes së vet. Nuk pati kohë për të shkruar vepra për të lënë emër, ja mori kohën dhe jetën çështja kombëtare.

Statuja e Lef Nosit (1877-1945) - Elbasan
Statuja e Lef Nosit (1877-1946) – Elbasan

Për të kuptuar personalitetin e njerëzve si Lef Nosi, ne duhet patjetër të ndryshojmë paradigmat tona të vjetra mendimit, të cilat një forcë e padukshme duket se i mban në jetë edhe sot në shekullin e 21. Nëse sot të huajt, por edhe elita jonë politike bën thirrje për ligjshmëri, le të kujtojmë që vetëm me një sërë dekretesh të qeverisë shqiptare të vitit 1943, kur kryeministër ishte Lef Nosi, Shqipëria u bë zyrtarisht e pavarur nga Italia fashiste, dhe në aspektin formal dhe juridik, u rishpall shtet më vete, pothuajse në atë model dhe me probleme të ngjashme të territoriale si në kohën e Ismail Qemalit. Për rilindasit tanë, ideologjia e shqiptarisë ishte një formë religjioni, një formë feje e kulti. Dhe çdo religjion ka martirët e tij. Lef Nosi, njëri nga ata që bënë aq shumë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ai që e ruajti me aq pasion flamurin dhe procesverbalin e shtetit të pavarur shqiptar, ky njeri pra, 32 vjet më vonë, në moshën 69 vjeçare, u vra për mëkatin e vetëm se donte që ky flamur të valëvitej nga perëndimi dhe jo nga lindja, se donte që ky flamur të përfaqësonte tërë trevat shqiptare dhe jo vetëm Shqipërinë e Londrës mbi të cilën po frynte era e pushtimeve moderne të pasluftës së dytë botërore. Njeriu që me Anton Arapin e të tjerë kish punuar aq shumë në 1912-n që me shpalljen e pavarësisë, Shqipëria të shpëtonte nga copëtimi territorial prej fqinjëve lindorë, u vra nga një qeveri vasale ndaj ish-Jugosllavëve. Ne mësojmë sot, jo aq nga vepra e firmosur nga Lef Nosi, apo nga libra me emrin e tij në kopertinë, ai nuk i përkiste kategorisë së njerëzve që punojnë për t’i lënë emër vetes. Ne mësojmë sot nga personaliteti i tij, nga jeta e tij, ne mësojmë se atdheut mund t’i shërbehet dhe i duhet shërbyer edhe duke kërkuar të mbetesh anonim. Dhe bamirësia më me vlerë është ajo që njeriu e jep në mënyrë anonime. Lef Nosi është në këtë kuptim ndër bamirësit më të mëdhenj të kauzës sonë kombëtare, dhe të progresit njerëzor të shqiptarëve, një bamirës i heshtur dhe anonim, siç ishte dhe është dhe sot fryma e çdo elbasanasi të përkushtuar ndaj progresit njerëzor.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.