back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Legjenda e Bukës – nga Agim Xh. Deshnica

Gazeta

Dyqan buke në kohën e komunizmit shqiptar
Dyqan buke në kohën e komunizmit shqiptar

Legjenda e Bukës

nga Agim Xh. Deshnica

Buka! Na mbushet goja, kur shqiptojmë këtë fjalë. Na mbulojnë kujtimet. Ikim e kthehemi nëpër mjegull në kohëra, që herë na duken të largëta e herë të afërta. Nga thellësi shekujsh kanë arritur deri në ditët tona emrat pane, hleb, ekmek, bred, etj., por tingëllim më joshës ka shqipja bukë.
Buka për shqiptarin është e shenjtë, ndaj askush nuk shkel mbi të. Bujaria e njohur të shqiptarit shprehet me anën e bukës: “Bukë e kripë e zemër!“
Sipas gojëdhanës, disa nacionalistë të armatosur me shqiponjë të zezë në qylafet e bardhë, i vajtën për drekë një të njohuri në fshatin Valas, matanë urës së Paprit. Sipas zakonit, e përshëndetën:
-Tungjatjeta, i zoti i shtëpisë!
-Mirë se erdhët! – ua ktheu ai. – Urdhnoni nalt në konak!
Pas duhanit e muhabetit, i pari i mysafirëve tha si me të qeshur :
-Në rast se mundesh, na shtro bukën! Po pate, na piq edhe ndonjë pulë! Na bjer edhe ndonjë pikë raki, në s’të është mbaruar!
-Po qysh, or, jo! U tha, u ba!
E, kështu, si u ngrohën nga rakia, mysafirët ia morën këngës.
Pas pak, iu afruan gardhit disa partizanë me yll të kuq në ballë, e thirrën të zotin e shtëpisë dhe e ngjatjetuan me grusht:
-Vdekje fashizmit!
-Urdhnoni brendë! – ua ktheu ai sakaq.
-Jo, jo, nuk kemi kohë të rrimë! Pak bukë e ndonjë qepë duam, nëse të ndodhen!
-Ndalni, mre çuna! Ç’osht ai llaf! Hyni t’ju shtrojë drekën, siç e ka zakon katuni!
-Jo, jo, faleminderit!
Morën bukë e qepë partizanët dhe u larguan me nxitim drejt pyllit.
I zoti i shtëpisë, pasi u mendua thellë, i tha së shoqes:
-Ndigjo këtu, oj gru! Po fituan ata që janë nalt, tue hangër, tue pi e tue këndue, gjithë jetën kina me rrojtë me bukë, me mish e me pula të pjekme na! Ta dijsh prej meje! Ama, nëse fitojnë ata që ikën nëpër pyll, sa të jemi gjallë, bukë e qepë do të hajmë!
Dhe fjala e katundarit u vërtetua. Partizanët ia morën fshatarësisë gjithçka pati. E lanë trok. Edhe arat e kullotat ia grabitën. E lanë veç me bukë misri e me qepë.
Pas luftës, banorët e qyteteve, qysh në ditët e para, u rreshtuan para dyqaneve si ushtarë, dhe u ndanë në klasa: i rëndë, i mesëm, i lehtë dhe… ordinerë Por, edhe fshatarët hynë nëpër radha, veç fshehtas, se nuk u jepte kush bukë.
Aty nga viti 1951, në kohën e pushimeve të verës, nxënësit vullnetarë, nën drejtimin e një burri tullac të rinisë, mbërritën me kamiona të hapur nga Tirana e Korça në qytezën e Ulzës. Kishte rënë mbrëmja. Tek-tuk ndër shtylla ndriçonin llampat elektrike. Të mbledhur para një barakeje të gjatë, nxënësve, tok me batanijet e grisura, u dhanë për dy ditë nga një bukë të ftohtë. Një djalkë pe Korçe në atë fresk që vinte nga malet, batanien e mbajti dhe bukën e flaku përdhe. Atje pranë kaloi një malësor. Në atë gjysmë errësirë ai e pa bukën.
-Djalosh, t’u ka rrëzue buka! – i tha.
-Merre, or xhaje, se nuk e dua! – ia ktheu djalka.
-A përnjimend nuk e don, a?
-Merre, merre!
Malësori u përkul, e ngriti bukën dhe e puthi. Pasi e futi në hejbe, i hodhi djaloshit i habitur një vështrim dhe u largua nëpër muzg. Mesa kuptohej, djalkës do t’i kishte dhënë mamaka me vete bukë lepurushi!
Në mbarim të aksionit, ai tok me shokët nga Tirana dhe Korça, humbën në peshë nga dhjetë kile, por nuk dolën pa gjë, morën nga katër “S” në gjokse, katër gjendra nën gushë dhe u nxinë sikur t’i kishin kaluar pushimet e verës në Tanzani.
Shumë poetë i kënduan grurit e misrit atëherë, por për radhët e bukës asnjë varg nuk u shkrua! Dhe nga larg, nga Kalaja e Gjirokastrës së festivaleve, nëpër efir mbërrinin deri në Vermosh këngë labe me dame-dame, përzjerë me tingujt e telave të çiftelive, për të mirat që kishte sjellë partia, mbi rrungajat me dëborë, në tatëpjeta dhe humnera.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.