back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Legjenda urbane për Haki Tahën nga Gani Mehmetaj

Gazeta

Haki Taha (1913-1945)
Haki Taha (1913-1945)

Legjenda urbane për Haki Tahën…

nga Gani Mehmetaj

Haki Taha, poet e intelektual nga Normalja e Elbasanit, i përcaktimit të djathtë, ishte ndër emrat më të përfolur dhe më të mistifikuar të historisë së re shqiptare. Për breza të tërë ai u bë sinonim i rezistencës kundër okupimit, guximit të pashoq, por edhe i kundërvënies dy shteteve: Jugosllavisë e Shqipërisë, që kishin dalë në gjah kundër shqiptarëve. Bëri luftë të pavarur, apo fati e zgjodhi për të krijuar mitin e qëndresës? Doli në sipërfaqe papritmas si maja e ajsbergut e një rezistencë të organizuar që u shua në mënyrë të përgjakshme, ku morën pjesë së bashku Shërbimi Sekret jugosllav dhe Shërbimi Sekret Shqiptar. Ndërkaq, e paraqitën individualist të rastit, si shumë shqiptarë të tjerë që luftonin dhe humbnin, sepse ishin të vetmuar, ndërsa herën tjetër si vrasës (propaganda e Enver Hoxhës), sepse shoi jetën e një proletari jugosllav, themelues të Partisë Komuniste Shqiptare.

Gani Mehmetaj
Gani Mehmetaj

As sot e kësaj dite nuk e çmbështollën asnjëra palë lëmshin e kësaj enigme. Askush nga bashkëkohanikët e tij politikanë, andej dhe këndej kufirit nuk thanë shumë për të, as në kohën, kur s’kishte fije dyshimi që s’guxonin të flisnin ndryshe nga versioni zyrtar, por as më vonë kur patën mundësi. Diç më shumë për personalitetin e tij na rrëfejnë miqtë. Prenk Gruda, përtej Atlantikut, tregon përcaktimin e tij politik e kombëtar, vendosmërinë e gjakimin. Dhe, me dashuri e respekt të veçantë për Haki Tahen rrëfen Lasgush Poradeci!
Imazhi për Haki Tahën sa herë e kujtoj me duket më i mistifikuar se herën e parë kur e dëgjova në fëmijëri. Përpjekjet e mëvonshme për të ndriçuar këtë personazh tragjik me dalin edhe më të mjegullta, më të largëta, me rrëshqasin dhe më bëheshin edhe më misterioze, sidomos kur dëgjoja rrëfimet gojore. Sa mendoja që e kapja imazhin e fëmijërisë, kur me dilte ndonjë rrëfimtar tjetër, i cili me shpinte rrugëve të përbaltura, apo dhiarëve gati të pashkelura më pak romantike e më shumë tragjike, më pak epike e më shumë konfuze.
Sa më shumë që kalojnë vjetet aq më shumë më errësohet pamja e tij dhe bëmat që i kishim dëgjuar. Miti për të me duket po aq interesant sikurse në fëmijëri, kur e përmendnin aq shpesh, duke shikuar më frikë se mos hynte dikush që ka përgjuar prapa derës.
Brezi i ri, mbase se ka idenë kush është Haki Taha, atë kohë i barabartë me Oso Kuken. Brezi ynë dhe ai para nesh, pra brezi i baballarëve tanë e ngriti në mit, simbol të guximit, fanar të luftës për rezistencë kundër pushtuesit, njeriu që nuk lejoi ta torturonin e të shkelnin mbi dinjitetin e tij, patriot që para se të vriste vetën, u mbështoll me flamurin kuq e zi dhe thirri Shqipërinë etnike.
Aq na duhej neve. Por rrëfimi vazhdonte në gradacione. Në duar të armikut, nuk donte të binte. Ne dëgjonim me bebëza të zmadhuara, mrekulloheshim me guximin e tij dhe qanim për fundin tragjik. Sepse, heroi nuk duhej të vdiste. Megjithatë ai vdiq. Secili nga ne, netëve të gjata të dimrit të ftohtë, para se ta zinte gjumi fantazonte të bënte trimëri të ngjashme.
Sipas rrëfimit, Haki Taha, vrau Miladin Popoviqin, njeriun i cili kishte bërë krime në Shqipëri kundër nacionalistëve, i ndihmuar nga komunistët e Enver Hoxhës. Ai, pra Miladini i cyti komunistët shqiptarë të vrisnin njerëzit më të zotë, duke e shkaktuar luftën civile ndër shqiptarë. I vrari pastaj ishte edhe shkaktar i shumë vrasjeve të tjera në Kosovën e copëtuar të Haki Tahës, prandaj e mbushi kupën. Dhe derisa e dëgjonim aktin e vrasjes rrëqetheshim, fërgëllonim jo nga tmerri i vrasjes sa nga guximi i shkrepjes së atyre plumbave.
Asnjëherë nuk kërkova më shumë sqarime nga të mëdhenjtë. Babai apo miqtë e tij të pasdarkeve shqiptare, rrëfenin njëri një detaj, tjetri e plotësonte me detajin tjetër, duke krijuar mozaikun e këtij heroi të pashembullt.
Përderisa Oso Kuka më dukej disi ndryshe, sepse ai i priste armiqtë, ai s’priste besë nga ta, Haki Taha, në psikologjinë e fëmijës shtatë vjeçar, mbronte besën e shkelur. Thjeshtëzimi i dialogut në mes të Tahës dhe të vrarit, shkaut Miladin dukej aq i kapshëm dhe aq fluror njëkohësisht: “Ku i ke fjalët për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?” (Ku e ke besën që ma dhe, do të këndonte rapsodi popullor më vonë fshehurazi), – e pyet me mllef Haki Taha, Miladinin e Komitetit Krahinor të Kosovë-Metohisë që kishte ngrënë në një çanak me Enver Hoxhën gjatë luftës.
Miladini i buzëqesh dhe i kënaqur me atë që ishte dhe me atë që kishte arritur, ia kthen shqip: “Ato ishin fjalë mali, po eja të pimë nga një raki të fortë kumbulle”.
Haki Taha, sipas rrëfimeve të fëmijërisë, ngjashëm me këngët e rapsodit plotë mllef dhe i zhgënjyer me fjalët e tij, ia kthen: “kështu e mbanë fjalën ti?
Miladini i pamësuar me këtë gjuhë, përpiqet ta shndërroj në humor: “Leje Shqipërinë ti, jam marr vesh me Enver Hoxhën unë, po eja ta shtrojmë me raki”.
Taha në kulm të hidhërimit i drejtohet me mllef: “shkja i pabesë”, dhe ia shkrep shtatë plumba. Roja të dera, duke menduar se i ka kapur nostalgjia e shkrepjeve, sepse krisma revolesh në zyre kishte çdo ditë, nuk shqetësohet, vazhdon të bëjë gjumë në karrigen para dyerve të hyrjes.
Me të mbaruar punë Haki Taha, me gjakftohtësi të mahnitshme, e mbyll derën, ndërsa i drejtohet rojës: “Mos e shqetëso shokun Miladin se po bënë gjumë”, – dhe vazhdon shkallëve teposhtë.
Se kur u dha alarmi i vrasjes dhe kush e mori vesh i pari, askush nuk e di me saktësi, nuk e thotë as tregimtari popullor, i rrëfyer nga mijëra gojë. Disa thonë se roja priti sa priti, dikur deshi t’ia kujtonte shokut Miladin se, ishte bërë koha e drekës. Por me të hapur dyert sheh se Miladini ishte i larë në gjak dhe pa pikë shpirti. Këtu përfundon episodi i fundit të Miladin Popoviqit, njërit ndër figurat më të errëta serbo-malazeze që rëndon aq shumë mbi shqiptarët. Këtu vazhdon drama e Haki Tahës, heroit urban me kollare e kostume gri, pa mustaqe dhe i dobësuar nga tuberkulozi. Nga t’ia mësyj? Ku të fshihet? Në Shqipëri do ta vrisnin, ashtu sikurse i vranë apo i burgosën shokët e grupit të Tahës pas vrasjes se Miladinit. Të shkonte të ndonjë i afërm, shok apo mik e dinte se vetëm do t’i merrte në qafë. Ai megjithatë vazhdoi i qetë xhadesë kryesore, i vetëm dhe pa mbështetjen e askujt.
Në pritë i dolën forcat jugosllave të sigurisë…
Rrëfimi i fëmijërisë thotë se ai niset drejt Prizrenit dhe kufirit shqiptar…
Dëshmitë thonë se ai nuk doli nga Prishtina. E vranë në rrugë. Kur e rrethuan ushtarë të shumtë, ndërsa me një revole s’mund të bënte gjë, nxjerrë flamurin nga kraharori, e mbështjell trupin me te dhe lëshon një zë të thekshëm: “Rrnoftë Shqipëri dhe Kosova e bashkuar me Shqipërinë”, duke ia shkrepur vetës!
Shuhet jeta e tij, por merr dhënë bëma për trimërinë e tij.

Enver Hoxha & Miladin Popoviç
Enver Hoxha & Miladin Popoviç

Si për ta shuar zjarrminë e euforisë për guximin e tij, krrokaste burizani i Enver Hoxhës nga Tirana që e mbronte kriminelin Miladin, kinse dashamirës të shqiptarëve dhe e njolloste trimin Taha. Por këto krrokama sa krijonin huti, shiheshin më mosbesim e pështirosje.
Rrëfimi që e kisha dëgjuar në fëmijëri, sikurse mijëra bashkëmoshatarë ishte rrëfimi i njerëzve të nëpërkëmbur e të okupuar nga forcat serbo-malazeze. Është ky rrëfimi që ata e kanë ndjerë apo që e kanë dashur. Por nuk është edhe rrëfimi i atyre që Miladinin donin ta paraqisnin sikur i digjej zemra për shqiptar! Një gënjeshtër cinike që fshihte brenda krimin dhe diktaturën, që hutonte njerëz dhe përpiqej të shlyente nga kujtesa mesazhin e Haki Tahës.
Legjenda urbane e krijuar menjëherë pas vdekjes së Haki Tahës, ishte e kundërta e legjendave me shumë shokë e më shumë beteja. Ishte një luftë vetmitare, mbase e njeriut më të dëshpëruar në vend. Legjenda thotë se ndërsa kureshtarët e panë me frikë e të mrekulluar njëkohësisht, përderisa flamuri i përgjakur ia mbulonte trupin e shtrirë në kalldremin e një rrugice të Prishtinës; armiqtë që kishin shpresuar shumë ta zinin të gjallë e shihnin me sy të çakërritur.
Një javë para bëmës heroike ai u kishte premtuar shokëve se do ta ndëshkonte pabesinë dhe tradhtarin, pra e dinte detyrën që e priste, ndërsa armiku i tij me t’u ballafaquar me te, shpresonte se do ta hutonte me debate shterpe për premtimet që i anashkalonte, apo që ua kthente me arrogancë: “Ta q… Shqipërinë etnike!”. Thua t’i ketë thënë të njëjtën gjë edhe Haki Tahës si Enver Hoxhës? Apo nuk arriti ta nxirrte nga goja këtë pisllëk, sespe ia preu sharjen në grykë.
Heroizma e Tahës me ka ndjekur gjatë gjithë fëmijërisë dhe rinisë së hershme. Më vonë me ndiqte kureshtja:
Kush ishte Haki Taha?
Mjegulla vetëm sa e mistifikonte, sepse ne ishim të prirë që heshtjen publike ta kuptonin si mungesë guximi për ta bërë hero kombëtar, derisa u këndohej partizanëve me trimëritë e të cilëve në lagjen time shqyheshin gazit.
Edhe pasi i lexova shumicën e shkrimeve për Haki Tahën, mistifikimi për këtë burrë të pazakonshëm dhe të jashtëzakonshëm njëkohësisht, më bëhet edhe më e madhe. Shumë më vonë e mora vesh kush ishte ai, ku lindi, ke e pati shok e mik, çka lexonte dhe çka shkruante, por askush ende nuk ma qartësoi aktin e tij më të madh burrëror në shekullin XX: ndëshkimin e të pabesit dhe vetëvrasjen që të mos binte në duar të armikut që do ta zhburrëronin, duke e torturuar sikurse dinin vetëm ata.
Ai nuk pati tirqi me gajtan e xhamadan vija-vija, as kobure të gjatë në brez, nuk kishte as mustaqe vesh e m’vesh, por ishte heroi urban i qyteteve tona provinciale e katundeve të varfra.
Me të ne mbajtëm gjallë shpirtin e qëndresës…
http://www.albaniapress.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.