back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Lek Pervizi, ikonë e qëndresës anti-komuniste – nga Frank Shkreli

Gazeta

Frank Shkreli - Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Frank Shkreli – Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Lek Pervizi, ikonë e qëndresës anti-komuniste

nga Frank Shkreli*

Në kuadër të 30-Vjetorit të botimit të revistës, “Kuq e Zi”
me botues Lek Pervizin – piktorin e kampeve të vdekjes
të regjimit barbar të Enver Hoxhës – Frank Shkreli:
Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf.
Ish-i përndjekur politik i regjimit komunist-enverist, ikonë e qendrës Anti-komuniste, Lek Pervizi

Lek Pervizi - autor i librit "Rrathët e Ferrit"
Lek Pervizi – autor i librit “Rrathët e Ferrit” (pikt. Leonard Pervizi)

Lek Pervizi, ish i dënuar nga regjimi barbar komunist për 4 dekada, autor librash shqip të përkthyer në gjuhë të huaja, përfshirë anglishten, mbi krimet e komunizmit në Shqipëri, autor skicash, të cilat dëshmojnë sot dhe përgjithmonë, tragjeditë e ndodhura në kampin e Tepelenës. Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf. Ato janë një pasqyrim-dëshmi e barbarizmave të panumërta të ndodhura në burgjet dhe kampet e përqëndrimit komunist, anë e mbanë Shqipërisë: dëshmitar i të cilave është vet Lek Pervizi, sot në moshën 94 vjeçare. “I mbijetuar, mrekullisht, falënderës Zotit të Madh”, – siç shprehet ai vetë. Edhe në këtë moshë të avancuar, Lek Pervizi nuk pushon së dokumentuari, me fjalë dhe me vepra, tragjedinë shqiptare prej pothuaj gjysëm shekulli të shkaktuar nga regjimi komunist. Dëshmi e gjallë, nga ky intelektual dhe patriot i pashoq shqiptar – një ikonë e vërtetë, i palodhur dhe guximtar i qëndresës anti-komuniste në Shqipëri dhe më gjerë.
I ndërgjegjshëm ndaj fjalës së vjetër ndër shqiptarë, “Burri i mirë me shumë shokë”, Lek Pervizi është mirënjohës ndaj të gjithë atyre zyrtarëve vendas dhe ndërkombëtarë, që e kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme gjatë viteve pas lirimit të tij nga burgjet e regjimit komunist, pas shembjes së Murit të Berlinit në plotësimin e misionit të tij për të zbuluar dhe për të dokumentuar të Vërtetën mbi krimet e komunizmit në Shqipëri. Atë të Vërtetë që pasqyron përjetimet dhe kujtimet e Lekës, të situatave vetjake gjatë internimit, por njëkohësisht, edhe të familjarëve dhe bashkëvuajtësve me të cilët ka ndarë dënimet dhe vuajtjet në internim në Tepelenë dhe në disa prej kampeve më famëkeqe të Shqipërisë komuniste.

Studiuesi Lek Pervizi
Studiuesi Lek Pervizi

Në ceremoninë që është mbajtur në përkujtim të 23 Gushtit, 2023, Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, Leka mori pjesë në distancë, ndërsa u dërgoi përshëndetje nga Brukseli të gjithë pjesëmarrësve në ish-kampin e Tepelenës, “Nga largësia tokësore dhe e moshës, sepse gjendem në Belgjikë, sot 94 vjeç, i mbijetuari, mrekullisht. Prej Zotit tonë të Madh (i qofshim falë) kam pasur frymëzimin e shtytjen për vizatimet e atij kampi e të tjerë, që bënë të njohur kampin e Tepelenës, botërisht”, është shprehur Z. Previzi duke kujtuar viktimat e komunizmit në Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.
Me atë rast, në pamundësinë e tij për të marrë pjesë fizikisht në atë përkujtim, Lek Pervizi nuk mund të mos ishte i pranishëm atje. Ai u dërgoi të pranishmëve në ish-kampin e Tepelenës një mesazh të rastit, duke falënderuar protagonistët kryesorë, vendas dhe ndërkombëtarë, sidomos Ambasadën Gjermane për mbështetjen që i kanë dhënë atij ndër vite, për të mundësuar dokumentimin e krimeve komuniste dhe për eskpozimin e tyre shqiptarëve dhe botës mbarë: “Më bie si detyrë, të falenderoj posaçërisht edhe Fondacionin Konrad Adenauer e Ambasadën Gjermane, që mbështetën punën për njohjen e Kampit të Tepelenës, me botimin e vizatimeve tona, ekspozimin e tyre dhe konferencën një ditore. Ky akt i hapi rrugë njohjes së kampit nga Autoritetet me kryetare Gentianën dhe ekipin e saj, (Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991), për drejtimin e punës në funksion të zbardhjes së historisë së Kampit të Tepelenës”, është shprehur Pervizi në mesazhin e tij dërguar pjesëmarrësve në ceremoninë përkujtimore në Tepelenë, Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare më 23 gusht.

Te internuar ne Kuç, 1956 Fatbardh Kupi, Valentin Pervizi, Ded Markagjoni, Lek Pervizi
Te internuar ne Kuç, 1956 Fatbardh Kupi, Valentin Pervizi, Ded Markagjoni, Lek Pervizi

Unë jam munduar të pasqyroj në mënyrën më modeste të mundur veprimtarinë e Z. Pervizi me disa artikuj mbi botimet, shkrimet, skicat, portretet e viktimave të komunizmit, dëshmi të gjalla të krimeve të komunizmit kundër shqiptarëve, kundërshtarë të regjimit, të treguara dhe të dokumentuara prej Lek Pervizit, me qëllim “për ta bërë të njohur Kampin e Tepelenës” dje krimet barbare të kryera atje nga regjimi enverist. Skicat dhe veprat që Leka ka botuar në shqip dhe përkthyer në gjuhë të huaja, si 5 veprat e përkthyera në anglisht kohët e fundit, mbi krimet e regjimit komunist në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës, janë dokumentarë që zbulojnë të Vërtetën me të cilat Lek Pervizi përshkruan në hollësi jetën dhe vuajtjet e mijëra shqiptarëve nën regjimin komunist, sidomos në kampin e Tepelenës, por jo vetëm. Frank Shkreli: Lekë Pervizi i flet botës anglisht për krimet e ferrit komunist të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf.
I jashtzakonshëm është fakti se Leka edhe sot në moshën 94-vjeçare vazhdon të jetë tejet i angazhuar në atë që, mbi të gjitha, siç duket është misioni dhe objektivi kryesor i jetës së tij: zbulimi dhe publikimi i të Vërtetës mbi krimet e komunizmit në Shqipëri, gjë që ai gjithnjë tregon, edhe në këtë moshë të shkuar, dëshirën për të treguar të Vërtetën, guximin dhe qëndresën e tij të pamposhtur ndaj së keqes komuniste, por dhe frymën ngadhnjimtare ndaj të keqës së atij regjimi, ndërsa më në fund shpreh edhe mirënjohjen e tij ndaj të gjithë atyre që e mbështetën, gjatë viteve, në këtë mision humanitar, por edhe atdhetar.

Tmerri i Kampit të Tepelenës (skica Lek Pervizi)
Tmerri i Kampit të Tepelenës (skica Lek Pervizi)

Z. Pervizi vazhdon të përmbush obligimet njerëzore dhe patriotike, që i ka venë vetes në këtë mision të shenjtë të jetës së tij për të treguar të Vërtetën mbi krimet e diktaturës, duke qenë aktiv, përveç të tjerave, edhe me botimin e vazhdueshëm për 30-vjet tani, të revistës “Kuq e Zi” – 30-vjetori i të cilës shënohet në tetor, 2023. Pas lirimit nga burgu me 10 nëntor, 1990, Lek Pervizi është larguar nga Shqipëria duke u vendosur në Bruksel të Belgjikës, ku përveç aktiviteteve të shumta letrare dhe artistike, vendosi të themelonte në tetor të vitit 1993 revistën “Kuq e Zi”, në të cilën, për tre dekada tani, vazhdon të botojë kujtimet e tija, në prozë e poezi, vizatime dhe shënime të tjera nga periudha fatzezë e internimit, si dhe shkrime të autorëve të tjerë mbi krimet e komunizmit dhe për historinë e Shqipërisë.
Edhe sot pas 3 dekadash ç’prej themelimit të saj, më duket sikur revista “Kuq e Zi”, vazhdon të pasurohet për nga përmbajtja dhe për nga trajta, një shërbim i dobishëm që Lek Pervizi i bën lexuesit shqiptar – brenda dhe jashtë trojeve shqiptare – me artikuj, skica dhe fotografi historike me vlera dokumentare. Natyrisht se në faqet e revistës “Kuq e Zi”, shtjellohen subjekte mbi komunizmin, dokumentohen krimet e regjimit dhe vuajtjet e papërshkrueshme të ish-të përndjekurve të regjimit komunist, por ama nuk mungojnë as shkrime dhe tema të tjera interesante për lexuesin nga autorë të ndryshëm.

Revista "KuqeZi" Nr. 80
Revista “KuqeZi” Nr. 80

Në këtë 30-vjetor të themelimi të revistës “Kuq e Zi”, përshëndetjet e mia më të sinqerta mikut tim Lek Pervizit dhe bashkpuntorëve të tij për këtë veprimtari frytdhënse, duke iu uruar punë të mbarë edhe për dekada të tjera, në këtë ndërmarrje të nisur 30-vjet më parë me të vetmin qëllim që në vazhdimësi t’i jepet të Vërtetës historike një drejtim kah drita, si një detyrim njerëzor dhe atdhetar, duke e shikuar realitetin historik dhe aktual ndër sy!

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.