back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Lek Pervizi: “Kur penat ishin si gryka armësh vrastare…”

Gazeta

Studiuesi Lek Pervizi
Studiuesi Lek Pervizi

Lek Pervizi: “Kur penat ishin si gryka armësh vrastare…”

Jozef Radi interviston intelektualin dhe eruditin Lek Pervizi

revista“Ars” (maj 2005)

Cili është kufiri që ndan artin pikturës nga ai i poezisë? Si do ta vlerësonit poezinë tuaj me syrin e nji poeti dhe anasjelltes: ç’ndihmë i ka dhanë piktura poezisë suaj? Po ta vështrojmë çështjen nga pikëpamja e evoluconit njerëzor gjatë epokave dhe të thellohemi në botën e njeriut primitiv, nxjerrim përfundimin se arti e pat zanafillën e vet pikërisht kur faqet shkambore të shpellave u veshën me piktura, që u krijuen me kujtesë dhe jo “me modele të maparshme”, nga artistët e asaj kohe, të cilët nuk mbeten aspak mbas pasardhsave të tyne “modernë”.
Njikohësisht ajo krijimtari ishte edhe zanafilla e shprehjes së mendimit me anë të figurës, pra, nga art visual kthehej në art shprehës. Mund të themi se njikohësisht lindi arti i shprehjes së mendimit dhe i mbresave, ku nisi të zinte vend edhe poezia, sepse vetë piktura ishte poezi, pra nji shprehje abstrakte e mendimit që kërkonte frymëzim.
Mund të themi se artisti i shpellave shprehte me anë të pikturës mbresat e veta; me ngjyrat dhe format, me vargje të heshtuna, që mbas disa mijavjeçarësh, do kalonin në vargje të shkrueme, të recitueme e të këndueme, pra në letërsinë e qytetnimit njerëzor.
Orfeu, Homeri, Pindari, Safoja, etj., do të krijonin vepra poetike po aq të denja sa ato figurative të Fidias, Praksitelit, Mironit, e kështu me radhë nëpër shekujt do të krijonin edhe Dante e Leonardo, edhe Shekspiri e Mikelangelo, etj. Pra nji poezi e mendimit abstrak mund të konceptohet si nji vepër figurative arti, dhe anasjelltas. Përfundimisht, nuk ekziston asnji lloj kufini midis artit të pikturës dhe artit poetik: ato plotësojnë njena tjetrën.
Përsa i përket poezive të mija, fort mirë mund të dallohet se janë konceptue prej nji piktori, sepse shumë prej tyne përmbajnë nji subjekt figurativ, që çdo piktor mund ta realizonte në pikturë. Edhe për faktin se në ato çaste tek unë, krijohej atmosfera vizuale e figurative e subjektit poetik që doja me shprehë. Për mue personalisht, ka kenë dhe asht e njejta gja, si me pikturue nji tabllo, si me shkrue nji poezi. Ne të dyja rastet, si frymëzimi poetik ashtu dhe ai piktorik, bashkohen në konceptin unik të artit.
Duke mos pasë mundësi me paraqitë në tabllo pikture skenat rrënqethse të përjetueme prej meje dhe gjithë atyne që kaluen jetën në kampet dhe burgjet e diktaturës, i paraqita si tabllo poetike.
Jeni shprehë se poezinë e keni mbajtur thellë në kujtesën dhe ndërgjegjen tuaj, pa mundun t’i shkruanit n’atë kohë kur ju i krijonit. Diçka nga e vërteta e kësaj poezie, e cila deri tash asht prezantue përmes botimit të tri librave tuej? Ndoshta asht e pakonceptueshme prej shumëkujt, se si mund të regjistroheshin gjithë ato vargje në kujtesë. Por duhet dijtë se po t’i gjente ndokush shkrime të tilla, të priste gijotina e diktaturës. S’duhet me harrue se s’qenë të pakta kokat e shkrimtarëve dhe poetëve që u prenë mizorisht (alegorike).
Jetoja në Kampin e internimit (shfarosjes) në Tepelenë. Fillimisht shkrueja e vizatoja në copa rastësore letre, si ato të kaushëve të duhanit, që m’i jepshin ma së shumti pleqtë me të cilët ndaja internimin. Nga ana tjetër, i shkrueja italisht, gjoja se nuk i kisha shkrue unë, po të m’i gjejshin. Kjo ishte me fshehë kokën në ranë si struci. Nji ditë, nji person i çon lajm nanës sime se të nesërmën do të bahej nji  kontroll i rreptë. E terrorizueme, ajo i mbledhtë gjitha shkrimet e mia dhe i dogji në zjarrin ku lajshin teshat gratë besnike mirditore. Kjo, për mua qe nji dëshpërim i pangushllueshëm. Prej asaj dite, hoqa dorë nga çdo shkrim i tillë dhe iu futa nji tjetër aventure, tue vu në provë kujtesën. Shkruej, mëso përmendësh, dhe digj letra… Kjo m’u ba nji ritual i përditshëm.
Nji shembull i saktë i kësaj pune, asht poezia “Tinguj të Kobshëm” me të cilën fillon libri i poezive “Gjurmë të Humbuna”, botue më 2002. Kjo poezi u krijue në kushtet e izolimit në birucë, gjatë arrestimit, mbasi më kishin “përkëdhelun bukur mirë” cerberët e burgut të Tiranës, aty rreth vjetit 1950. Ishin çaste të revoltës shpirtnore e mendore të nji t’riu njizetenji vjeçar, i cili po kuptonte se si po mbyllesh cikli jetësor i lirisë dhe po niste ai i robnisë. Ma mirë se poezia, kush mund ta shprehte at gjendje dramatike? Ashtu, i kruspulluem mbas muri, mbi dyshemenë e lagësht prej betoni, hiksha prej atij realiteti mizuer tue fluturue mbi flatrat e frymëzimit poetik.
Për shqiptarin asht diçka e natyrshme me u shprehë përmes vargjesh. Mundem me thanë se asht ndër popujt qi e ruen prej shekujsh e mijavjeçarësh traditën e vjershtarisë si mjet shprehës. Heroizmi, historia, legjendat, traditat, zakonet, dashunia, satira, humori, e mira dhe e keqja, të gjitha këto janë shprehë e shprehen prej shqiptarit përmes vargut poetik. Çdo shtëpi e kullë, çdo fis e katund, ka poetët e vet, që përcjellin ngjarjet dhe legjendat me kangë rapsodike, të shoqnueme me lahutë, sharki e çifteli. Mund të them, jo thjesht për mburrje, se poezia asht pjesë përbamëse e shpirtit dhe frymëzimit të shqiptarit. E theksoj se poezinë na Shqiptarët, e kena në gjak. Kam njoftë malësorë, që “Lahutën e Malcis” e recitonin përmendësh. Rast unik për nji poet, të cilit populli ia mësonte jo veç do vargje përmendësh, por nji libër të tanë. Si bir i këtij populli, s’dojsha me ba përjashtim, e kështu vendosa t’i  regjistroj e t’i ruej në kujtesë poezitë e mija të vuejtjes (e jo vetëm të mijat)…

Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)

Si mund të jetojë kaq gjatë poezia e pashkrueme në shpirtin dhe kujtesën e njeriut pa u tjetërsue dhe pa humbë vlerë me kalimin e kaq shumë viteve? E shpreha edhe ma sipër kët mendim, por po vazhdoj me u thellue… Njeriu që detyrohet me u ndrydhë në vetvete, pse i asht hjekë liria dhe shprehja e mendimit, gjen mënyra me krijue at botën e mbrendshme vetjake, ku zhvillon nji tjetër jetë mendore e shpirtnore, ndoshta në kundështim me atë ç’ka i ofron jeta e përditshme, e kushtzueme përmes vështirsish, vuejtjesh, përndjekjesh, burgjesh, internimesh, pushkatimesh, vrasjesh e plot mynxyrash të tjera; aq sa nji jetë e tillë me t’u dukë absurde. Kështu duket se ka ndodhë edhe me mue asokohe. Çdo veprimi të jashtëm i përgjigjej nji kundërveprim i mbrendshëm. Atë gjendje dënimi e konsideroja si formë të imponueme, aspak normale për nji jetë njeriu. Normale për mue ishte bota ime e mbrendshme. Shpesh, jam konsiderue si hutaq dhe harraq, sepse jetoja midis atij ambiguiteti të çuditshëm: ndryshe jetoja e ndryshe mendoja. Forca e mendimit dhe forca shpirtnore (jo veç tek unë), ishin ma të fuqishme se forca e asaj bote që më rrethonte. Nuk mundem të mos e them, se isha i pajisun me nji vullnet aq të fortë sa edhe vetë çuditesha. Edhe në kushtet ma të vështira, s’jam shkëputë asnji herë nga mënyra  jeme e mendimit, as prej jetës sime të mbrendëshme. Mundem me thanë se poezitë e mija lindnin në rrethana nga ma t’pamundshmet, si nji kundrapërgjigje mbijetese e atyne kushteve skëterrore, pa e humbë individualitetin tim kulturor. Më dukej se kisha mbrritë njifarë dualiteti: e jetoja si gjithë të tjerët atë realitet ku më kish hjedhë fati, dhe njikohësisht jetoja i mbyllun brenda botës sime, botë e cila më qe kthye në nji lloj universiteti o akademie, ku ndjehesha nxanës, por më duhej të isha edhe profesor i vetvetes.
Kjo mënyrë jete qe nji ankth i vërtetë. Krijoja përmes fantazisë, aq sa më shfaqeshin edhe n’andërr, ndërsa faktikisht isha i paralizuem dhe i pamundun me u marrë me krijimtari. Sigurisht kur më jepej rasti, e më ngarkonin punë piktorike, si skena teatri, ekspozita bujqësore, pllakata, nga ana formale, i shfrytëzoja si stërvitje, për me shfry gjithë dufin tim, por çuditërisht, gjithë punimet e mija “piktorike” fitonin admirimin e njerëzve, kushdo që të ishin ata. Kjo për të vetmen arsye, se në subkoshientin tim ndikonte kjo luftë e mbrendshme e pamundësisë, për me ia mbrritë asaj ç’ka dëshiroja, e prej kësaj përfitonte ajo e imponuemja, edhe pse ishte krejt formale dhe ndoshta e pa vlerë.
Edhe në rrethanat e tashme, më ndjek ankthi sikur tabllotë e mija mbeten të pikturueme vetëm në fantazinë time. Kjo ka ndikue që tash unë të përqendrohem tek poezia, mbasi aty mundem me u shprehë me shkrim dhe me fjalë, kurse subjekti figurativ mbetej si nji vegim i pakapshëm; kjo, ngaqë ai kërkon edhe nji suport material dhe angari fizike, gja e cila në moshën time të tashme s’gjen mbështetje.
Sa për nji tjetërsim, tek poezia ime nuk ndodh ky fenomen, për arësye se me kalimin e kohës, ajo shkon tuj u pasunue e tuj u rritë si vlerë, mbasi  pasqyron nji epokë tjetër, dhe e ka fiksue ashtu siç ajo ka kenë e asht zhvillue: e tmerrshme dhe mizore. Të tilla situata s’mund të rrijnë pa u pasqyrue as në artin figurativ as në atë poetik, tue mos e përjashtue as artin tregimtar e muzikor. E këtë mund ta bante veç ai që e kish përjetue atë periudhe mbi shpinë të vet dhe të shoqnisë së cilës i përkitte, e kurrë, ndonji prej atyne që u servilosën e bashkëpunuen me diktaturën; as prej atyne që qëndruen si spektatorë larg saj.
Disa profesorë letërsie, poezitë e mija i kanë futë në programin e tyne mësimor, dhe kanë gjetë edhe aprovimin e nxanësve.

Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)

Si do ta vlerësonit letërsinë shqipe të shkrueme deri në vitet ’90, dhe cila mund të jenë sipas jush prespektiva e saj. Nuk asht e kollajtë me iu përgjigjë kësaj pyetje për disa arsye. E para, pse i përket mjedisit dhe kushteve kur kjo letërsi u zhvillue dhe pse u zhvillue. Deri tash, në kontekstin botnor nuk asht vlerësue asnji shkrimtar dhe asnji vepër që i ka shërbye nji sistemi totalitar, bile ka ndodhë e kundërta, janë vlerësue e nderue ata shkrimtarë që e kanë pësue, pse e kanë kundërshtue haptazi nji sistem të tillë, e që për kët arsye, kanë përfundue në burgje e kampe. Ata janë njoftë si disidentë, sepse s’kanë kenë kurrë dakord me i shërbye diktaturave as me fjalë dhe as me vepra. Kurse janë denoncue, kritikue randë dhe janë lanë mbas dore, ata që u banë bashkëpuntorë aktivë të diktaturave, përmes veprash të pshtira.
Thotë populli: “Plaga e thikës ka shërim, plaga e fjalës s’gjen mjekim!”. Fjalët e veprave të shkrimtarëve konformistë të kohës së diktaturës, mbeten si dokumente demaskuese për vetë ata që i shkruen. Përmbajtja e tyne asht e tillë, që të mbush me neveri dhe urrejtje, e s’shuhen kurrë; aq e randë asht fjala e tyne, sa me të drejtë e thotë populli se: “…s’gjen mjekim”, me gjithë operimet e shumta që po u bahen sot këtyne veprave.
Dihet që kjo letërsi u mbështet mbi parimet famëkqia të “realizmit socialist”, të importueme dhe të imponueme përdhunshën nga nji vend dhe nga nji diktaturë, siç ishte ajo e Bashkimit Sovjetik. Kët e thotë ashiqare dhe paturpësisht edhe vetë diktatori në nji fjalim të vjetit 1949. Citojmë: “Kultura Sovjetike duhet të na ndriti  rrugën tonë dhe të jetë model ku ne të mësojmë dhe të inspirohemi për të ndërtuar kulturën në vendin tonë…” Prej këtij afirmimi, që shfaq haptaz politikën antishqiptare në fushën e kulturës, sikur Shqipnia nuk paskej pasë as traditë dhe as zhvillim, del fare i qartë roli negativ i letërsisë së para viteve ’90 dhe i shkrimtarëve që e zhvilluen atë.  Kjo letërsi e dalë nga ai batak, po kërkon të shitet e bardhë si bora, duke qenë e njollosun si mos ma keq, bile shpesh e përlyeme edhe me gjak të pafajshëm viktimash.
Korifejtë e diktaturës i thurnin lavde lumturisë së sistemit totalitar, për ta paraqitun atë si kopsht me lule, kur vendi qe kthye në nji skëterrë, e ku në vend të fajtorëve ishin pllakosë burgjeve të pafajshmit.
Nën thundrën e kësaj diktature, të përfytyrueme si “nji dimën i acartë”, nuk mund të çelshin lulet e asnji letërsie, në asnji vend të botës, e aq ma pak në Shqipni, ku ajo ishte ma e egra e gjithë vendeve komuniste të Europsë Lindore.
Mbaj mend se në nji revistë të Gjermanisë Lindore (komuniste) që dikush na kishte sjellë në Kuç të Kurveleshit, nji kritik gjerman kish pasë guxim të shkruente: “Vlen shumë ma tepër nji poezi e vetme, por e bukur kushtue nji gonxheje trandafili, se sa gjithë poemat kushtue partisë (komuniste)…” Pikërisht siç ndodhte në Shqipni, ku në plan të parë ishte ekzaltimi deri në parodizëm i partisë dhe diktaturës së saj. Lind pyetja: Si mundet sot kjo letërsi me justifikue vedin e me pretendue me kenë e pranishme në podiumin e letrave shqipe?
Nga kjo pikpamje, vlerësimi për letërsinë e para viteve ’90, asht baraz me zero, sepse s’mund t’i jepen të drejta atij që i shkel me të dyja kambët të drejtat. E kam shkrue diku, se letërsia e asaj kohe i shembëllen nji torte të zbukurueme, ku në vend të sheqerit i kanë futë shap. Kush ha në të helmatiset. A ka ndoj burrë sot që mundet me i lexue ato vepra? E nëse asht ndokush, patjetër do të jetë ndonji nostalgjik i regjun, të cilit i asht ndalë ora diku para ’90-ës.
Pra, ajo ishte nji letërsi që helmatiste njerëzit, e në veçanti rininë, që s’kish njoftë tjetër sistem – veç atij që i qe imponue – e s’mund të njifte anën tjetër të letërsisë shqipe, atë kombtare, përfaqësuesit e së cilës, o i kishin mbytë me heshtje, o kishin përfundue para togave të pushkatimit o ishin pllakosë ndër kampe e burgje. Dihet tashma se ishin me qindra intelektualët e talentuem që u sakatuen dhe kaluen jetën në qelitë e burgjeve, ku nji pjesë e tyne vdiq, e ata që shpëtuen ishin tepër të moshuem e të vuejtun. Ndodhemi para fenomenit të diferencimit: mes atyne që ishin të ndaluem me shprehë mendimin e tyne të lirë, dhe atyne qe mund të shprehnin me pathos nji mendim të planifikuem sipas orientimeve të partisë. S’ka nevojë për shumë filozofi me u kuptue se qysh dhe si u katandis kultura shqiptare: në nji shërbtore mjerane dhe fanatike e regjimit diktatorial, ndërsa përfaqësuesit e saj letrave: krijues pa kurrfarë palce kurrizore…

Kampi i Kuçit i Kurveleshit - 1957
Kampi i Kuçit i Kurveleshit – 1957

Sa dhe si i ndiqni botimet e mbasdiktaturës në Shqipëri? Si e përcillni faktin që ende nuk ka nji vlerësim serioz e të kualifikuem ndaj njerëzve të letrave dhe kontributeve të tyne letrare? Nuk i kam ndjekë nga afër botimet e mbasdiktaturës, për arsye të shkëputjes disi të theksueme nga ai mjedis, ndoshta edhe prej neverisë për atë të kalueme, që ia kish ba vorrin Shqipnisë: historisë dhe kulturës saj.
Edhe në kët rast vlerësimi asht tepër i zorshëm, sepse kritika, sado e aftë të jetë për me nda shapin prej sheqerit në letërsinë shqipe, s’mundet kurrsesi me u shkëputë prej konceptesh subjektive dhe pa ba dallime si në kohën e “kriterëve të luftës klasore”, tashma të transformueme në “kritere të luftës klanore”, ku për “klane” nënkuptohen gjithë rrymat politike, prej së majtës në të djathtën, pa menjanue qendrën (megjithse çanaku duket se asht i përbashkët). Në kët kontekst kulturor, ish të përndjekunit, trajtohen ende sipas frymës arkaike të “luftës së klasave”.
Pastaj, kontingjenti i shkrimtarëve, (mbetjet aktive të realizmit socialist), për inerci, vazhdojnë me mbajtë ndër duer, frenat e kulturës shqiptare me metoda disi ma të stërhollueme. Mjafton fakti i ekzistencës së gazetës “Drita” dhe i simotrës së saj “ZP”, të cilat vazhdojnë avazin e Mukes, e të merhumes kulturë socialiste; sikur asgja s’ka ndodhë, e të kambëngulin se realizmi socialist ka kenë i dobishëm dhe ka nxjerrë shkrimtarë të përmendun deri edhe fort të shquem… Sepse duhet dijtë, se ka shumë randësi edhe ana formale. “Ma mirë gjasa se kapucari…” – thotë populli. Mbi të gjitha, reklama e propaganda, aftësi për të cilën shkrimtarëve ish-komunistë s’ua kalon kush, mbasi janë të zot me ta ba mizën buell e buellin mizë, si në filmat fantastiko-shkencorë.
Kontributin letrar të shkrimtarëve të epokës komuniste dhe veprave të tyne, do t’i konsideroja si mbeturina arkeologjike pa vlerë. Përmes tyne u arrit të përbaltej e përdhosej letërsia shqiptare, me nji ideologji, sa kriminale aq antinjerëzore dhe antishqiptare (rikujtoj citatin e parapërmendun). Ajo zhvillohej sipas shprehjes “Kur Stambolli djegej, lavirja krehej…”.
Patjetër që i mbytuni, kërkon me tërhjekë të tjerë mbas vedi. Tash që u kanë rrëshqitë kambët, shkrimtarët e diktaturës, po kërkojnë me dalë ma demokratë se demokratët (ma katolikë se Papa). U rrëzuen prej fikut, por kërkojnë me hyp prap në të. Dikur mbi podiumet e nderit, ndërtue mbi kockat e kolegëve dhe vllazënve të tyne, sot, tuj derdhë lot krokodili, përpiqen me zell me menjanue, denigrue e me mbajtë në hije shkrimtarë e talente, që i kishin krye universitetet e akademitë në burgjet e kampet e diktaturës. Të dalë nga errësina e zezë e natës, dielli i lirisë ua verbonte sytë, kështu që iu desh do kohë ta merrshin vedin. Unë besoj se patjetër ka me pasë nji rizgjim kulturor, ku çdo gja do të vehet në vend të vet, sipas meritave; e përsa u përket meritave të letërsisë komuniste, për fat të keq ato janë hiçe. Nëse ata mendojnë se vazhdojnë me ecë përpara, kjo ndodh veç për inerci. Dikur kjo inerci shterret, dhe ata kanë me u fundosë në humnerën e harresës.

Leonard Pervizi 2013 (Figura e Lekës në të djathtë)
Leonard Pervizi 2013 (Figura e Lekës në të djathtë)

Si mund të flitet për nji kontribut letrar, kur ky kontribut s’ka ekzistue fare? Në të kundërten, ai ka krye nji mision “çoroditës”. Ç’kontribut mund të jepshin ata, kur penat e tyne i kishin kthye në gryka armësh vrasëse. Megjithatë mund t’u jepet ndonji medalje: Për kontribute makabre të asgjesimit të përfaqësuesve ma të denjë të kulturës kombëtare shqiptare?!?
Gjithnji e ma shpesh thuhet se “shqiptarët nuk kanë nevojë për letërsinë e burgjeve”, apo: “tashma i ka ikur koha kësaj letërsie të shkruar nën trusninë e dhunës”. Si do ta kundërshtonit ju këtë frymë! Ata që thonë se “Shqiptarët s’kanë nevojë për letërsinë e burgjeve, etj” më duket se janë të lanun mendjeje. Ka plot prej atyne që s’e kanë përjetue aspak at gjendje terrori e persekutimi të përbindshëm mbi shpinë, por kjo s’do me thanë se e vërteta e nji kohe s’ka ekzistue, pse s’i ka prekë ata. Mendoj se prej asaj periudhë ka me dalë patjetër ndonji Fishtë i ri, për me krijue kryevepra të letërsisë shqipe dhe botnore. Sepse kryeveprat shpërthejnë gjithmonë prej situatash tragjike e dramatike (Homeri, Virgjili, Eskili, Dante, Shekspiri, etj.). Letërsisë i nevojiten subjekte të forta, drama të dhimbshme që të trondisin dhe zbërthejnë anët e mbrendëshme, psikologjinë e vërtetë të njeriut, për me e përgjithësue te njerëzimi mbarë. Vepra stigmatizon epokën e vet, dhe përmes mesazhesh të tilla të forta, edukon njeriun me gjetë rrugën ma të mbarë për lartësimin e qytetnimit njerëzor, në vend që me u futë rrugë e pa rrugë në greminat e skëterrat e shkeljes së gjithë të drejtave njerëzore.
Të mos harrojnë, se mjaft nga shkrimtarët e rendit komunist, duke gëzue personalisht gjithë të drejtat e mundshme me jetue si në parajsë; të mbyllun në guackën e lavdisë së tyne, ua kishin shkelë të drejta ma elememtare nji ushtrie të tanë të pafajshmish, që ishin vllaznit dhe kolegët tyne.
Ata që shprehen si ma nalt, për letërsinë e burgjeve, duhet t’i drejtojnë nji lutje të posaçme Perendisë, që t’i çojë qoftë edhe për pakëz fare me i provue ato situata, për t’u mbushë me mend e mos me folë ma aq përçartas…
Kundërshtimi i kësaj fryme mohuese bahet me vepra. Pikërisht ata që shprehën negativisht, duhet të rikthehen në realitetin e asaj kohe, dhe vetë ata t’i nxjerrin në pah vlerat e padiskutueshme të veprave të “burgjeve”, për të pasë sado pak mirënjohje ndaj atyne që u sakrifikuen, por nuk heshtën.
Me thanë të drejtë, të vjen keq kur ballafaqohesh me mendime të tilla. Kjo tregon mungesë të theksueme morali dhe shpirti humanitar. Shqiptari i besës, edhe anmikun e ka vlerësue bile edhe e ka mbrojtë, kur ia ka lypë ndera, krenaria dhe respektimi i traditave të moçme. Pse mos me luftue sot me ngrejtë nji traditë ma të mirë, por merremi e harxhojmë energji me vogëlsinat e çastit? Pse mos me i vlerësue qendresën dhe veprat stoike të këtyne njerzve, po vazhdojmë me u ba elozhe persekutorve, e tuj adhurue idhuj të përlyem me gjak??

Lek Pervizi - Gjin Pjetri
Lek Pervizi – Gjin Pjetri

A ka pasë disidencë gjatë periudhës komunizmit. Nëse jo, përse? e nëse ka pasë a mund të përmendni disa prej tyre? Në rastin e Shqipnisë, të gjithë ata që mund t’ishin e mund t’quheshin disidentë përfunduen në burgje e kampe, kur nuk u pushkatuen. Po ta marrim nën këtë vështrim, disidenca shqiptare, mundet me u përfaqësue vetëm prej atyne që e pësuen, dhe jo prej atyne që bridhnin në rrugët e “Bllokut të Udhëheqsve” ku s’mund të depërtonte as miza, e ku krejt lirshëm shkonin veç shkrimtarët që i shërbenin atji “Blloku”.
Nëse ka pasë disidencë në vendet e tjera komuniste, siç ka ndodhë (kujtojmë, Havelin, Pastërnakun, Sollzhjenicin, etj.), kjo nuk do të thotë që të shpiket domosdo edhe qenia e nji disidence të paqenë në Shqipni. E kush guxonte me u shfaqë disident?! Haptas, jo e jo, por as fshehtas? Nëse pranojmë disidencën e heshtun, atëherë, gjithë intelektualët e burgosun, mund të quhen disidentë.
Disa poetë të rinj, u pushkatuen apo edhe u varën për pak vjersha denoncuese të regjimit, të tjerë përfunduen në burgje e në kampe. Këtyne u kanë vu emnin kundërshtarë e jo disidentë, sepse disidentët duhej të delshin veç nga rradhët e partisë e të diktaturës. Absurditete!
A mos vallë disidentë mund të quhen ata që tuj u fundosë butë butë, mbi kolltuqet e Lidhjes së Shkrimtarëve, shkruenin vepra për partinë dhe për diktaturën, dhe pas shembjes saj, filluen me rrahë gjoksin se paskëshin kenë disidentë, biles edhe të persekutuem? Haveli e pagoi me burg, Pastërnaku me internim, Sollzhenjici me dëbim nga Rusia, tue marrë të gjithë çmimin Nobel, pse e meritonin. Me veprat e tyne ata kishin demaskue sitemin diktatorial. Kush nga shkrimtarët shqiptarë të kohës komuniste e kishte demaskue diktaturën dhe kje fut në burg? Sepse të guxoje me shprehë nji fjalë disidence, përfundoje menjiherë qelive të errta, ku vlonte huni.  Ndokush që e meriton me plot gojën titullin disident asht Kasem Trebeshina…

Kasem Trebeshina 2004
Kasem Trebeshina 2004

Përplasja e tij me përbindshinm ishte trimni e guxim personal, për të cilin Ai meriton respekt dhe vlerësimin ma të naltë. Ai e kundërshtoi haptas regjimin komunist, pranoi burgun dhe s’u tërhoq nga kundërshtimi përmes veprash. Kujt tjetër ia mbajti me ba nji gjest të ngjashëm? Askujt! Nga dalin sot ata të shpifun që valvisin flamujt e rremë të disidencës? E për me e thanë ma troç, ishin pikërisht ata që e përplasën Kasemin burgjeve, e kur para tij kishin përplasë edhe Kasemë të tjerë, tashma të mbuluem nga heshtja…
Nën kët heshtje varri, vlonte shpirti i krijimtarisë. Shkrueheshin në letër e në mure, vargje e poema, tregime e romane, kangë e vizatime. E kur dikush kapesh me këto “vepra”, paga ishte e përbindshme. Dikush arriti me i shpëtue shkrimet e veta, nji tjetër i nguliste në kujtesë. Kjo pra s’ishte tjetër veçse nji disidencë e heshtun, dhe jo disidencë e organizueme. Nëse e pranojmë disidencën e heshtun, atëherë ka mjaft të tillë të pushkatuem, e të burgosun që i përgjigjen këtij termi.
A nuk mund t’i quejsh nji varg shkrimtarësh,  poetësh e piktorë,  disidentë të mirëfilltë si Patër Mëshkalla, Guljelm Deda, Nikoll Mazrreku, Lazër Radi, Mit’hat Araniti, Ali Asllani, Visar Zhiti, Gjon Shllaku, Pjetër Arbnori, Ndre Zadeja, Pashko Gjeçi, Vinçenc Prennushi, Ali Oseku, Astrit Delvina, Maks Velo, Allaman Hysa, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nelaj, etj.? Disa prej të cilëve u ekzekutuen me pushkatim ose i varën në litar, të tjerët e kaluen gjithë jetën burgjeve dhe kampeve.
Epitetet: Reaksionarë! Anmiq! Të deklasuem! Të burgosun! Pse jo disidentë? Vetëm pse nuk i përkisnin kastës së shkrimtarëve e artistëve  komunistë të realizmit socialist? Vallë aq poshtë paskej ra katundi, sa mos me dallue krundet (konformistët) nga mielli (shkrimtarët e burgosun)?
Nëse do të flasim për disidencë, këtë term e meritojnë ata që e pësuen dhe jo ata që ngrohën kolltuqet e realizmit socialist, mbi kurriz të mija viktimave të pafajshme. Prandej çështja e disidencës shqiptare, duhet shikue e gjykue ma thellë, dhe jo t’i vishet ndokujt që as nji orë të vetme s’ka kenë disident, përkundrazi, ka kenë persekutor i çdo shfaqje disidence, qoftë dhe krejt personale. Urrejtja e tyne ndaj ish të burgosunve intelektualë, tregon se ata vuejnë nga pazotsia që kishin për t’u tregue të vendosun e të drejtë, ndaj vetvetes dhe ndaj shoqnisë. Ndoshta mbrrijnë deri aty sa me i brejtë ndërgjegja: “pse nuk u dënuen, qoftë edhe nji ditë të vetme, për me marrë “kunorën e lavdisë së disidencës“ së pameritueshme.
A është e mundun që vlerat ma të spikatura të letërsisë së realizmit socialist të bashkëjetojnë me veprat e shkrueme jashtë kësaj fryme?
Kësaj i thonë: A asht e mundun që ujqit me bashkëjetue me qingjat? Xhelati me viktimen? Mëkatarët e ferrit me shenjtorët e parajsës? Djajtë me engjëjt?!?
Vlera e spikatun e nji shkrimtari, s’mund të përcaktohet nga koha kur ai jeton e zhvillon një veprimtari krjuese të veten, në situatën e vetkushtëzimit tij për me u ba konformist e servil i nji sistemi shtypës që e ka rekrutue, mbrojtë dhe pague për me shërbye sipas urdhnave e orientimeve nga nalt, pra me u ba zadhanës dhe propagandist i politikës se atij sistemi diktatorial. Përmenda vetkushtëzimin, sepse s’i detyroi kush.
Mund të them se kam njoftë disa letrarë të shquem të kohës para 1944, të cilët Sigurimi i kishte torturue e kërcënue edhe me vdekje, që talentin dhe aftësitë e tyne t’i vinin në shërbim të regjimit komunist, tuj iu premtue se do t’u krijohëshin kushte ideale, për me u marrë me veprimtari letrare e artistike, dhe me përfitue gjithë privilegjet e nji jete të rehatshme. A mund t’i binin me shkelm së mirës që u ofrohej? Nëse nuk do të pranonin do t’i ngrysnin ditët e tyne ndër qelitë e burgjeve o ta mbyllnin jetën nën dhé. E ata nuk pranuen kurrsesi dhe sigurisht e pësuen randë… disa dhe me jetë.
Unë s’e di si mund t’i zejë gjumi ata që banë të kundërtën, duke bashkëpunue vullnetarisht me diktaturën, e ku me fjalë e ku me shkrime, kryenin po ato veprime e akte mizore, që kryenin xhelatët e katilat: i pushkatonin njerëzit për nji fjalë të vetme e jo ma për nji poezi e libra ku denoncohesh sistemi e diktatura. Më bjen ndërmend nji thanie e fortë i shkrimtarit arbëresho-argjentinas Ernesto Sabato, kur i jepej nji çmim në Shqipni: “Nuk mund t’i honeps ata shkrimtarë që i kanë shërbye nji diktature!”, ndërsa i pranishëm shte edhe prototipi i shkrimtarit konformist shqiptar që i kish shërbue e stërshërbye diktaturës…
Ajo ç’ka u tha për shkrimtarin prototip, vlen edhe për veprat e tij, me nji përfundim të vetëm: veprat e shkrimtarëve konformistë, do të mbeten patjetër krahas veprave të tjera, edhe jashtë asaj fryme, por vetëm si dokumente të konformizmit të tyne.

Lek Pervizi - Autoportret
Lek Pervizi – Autoportret

A mendoni se ende ka vepra të randësishme prej autorëve që i zhyti në heshtje diktatura dhe si mendoni nëse duhet vepruar për t’i sjellë në dritë këto vepra? Patjetër që ka. Po përmend ndonji, si shembull: “Tregimet e burgjeve dhe kampeve” të Dom Nikoll Mazrrekut, radhitë në burgun e Burrelit e nxierrë prej andej, nga mjeshtria e aftësia e guximshme e të burgosunve. Dokument me randësi të madhe e vepër letrare e mbetun në dorëshkrim. Kush i del për zot botimit? A mos vallë Lidhja e Shkrimtarëve të molepsun? Dihet se Nikoll Mazrreku ka kenë i afirmuem si letrar qysh para 1944. Nga Guljelm Deda, poemi i pambaruem “Vegim” (pesë tingëllime), shkrue ne burgun e Shkodrës më 1945, mbetun e pa përfundueme, dorëshkrim, kryevepër e zhanrit. “Orlandi i çmendun” i Lodoviko Ariostos, dorëshkrim, përkthye në kushte internimi izolues: 40 mijë vargje në 5000 strofa tetëvargëshe njëmbëdhjetë rrokshe me rimë, kryevepër e letërsisë italiane e botnore, po edhe kryevepër e përkthimit shqip. Sigurisht, për nji botim të tillë, Guljelm Deda, do të dekorohej nga Presidenit i Italisë, (siç u dekorue edhe Pashko Gjeçi, përkthyesi i famshëm i Dantes, i ardhun nga bota e burgjeve), mbasi presidentët shqiptarë nuk trazohen fort për këso punësh, e dekorojnë ma me qejf kriminelët se sa viktimat martire, kur dihet se martirët, automatikisht dekorohen prej Zotit e shpallen shenjtorë, kurse kriminelët përfundojnë në fund të Ferrit. Por në Shqipni, s’para ka dallime midis Parajsës dhe Ferrit, midis engjëjve dhe djajve, midis viktimave dhe xhelatëve. Si xhelati dhe viktima futën në të njejtin thes e dekorohen me të njejtën medalje. Pse kështu e kërkon demokracia jonë!?!
Këtyne mund t’u shtohen edhe plot të tjerë që kanë shkrue e shkruejnë, por që s’ua ka varë kush sepse s’i përkasin sektit të realizmit socialist. Si duket duhet të jeshë aktivist i këtij sekti, për me gëzue privilegjet e botimeve, të reklamës dhe propagandës që ata bajnë.
Ishte “nana parti” ajo që kujdesej për “bijtë e saj të talentuar” të “realizmit socialist” e që ndoshta me kromin e piritin e të burgosunve politikë, ua botonte veprat mbrenda e jashtë shtetit; në shqip e në shumë gjuhë të hueja, për lavdinë e saj dhe të atij regjimi diktatorial. Derdheshin pra, lumejtë e dollarëve, me reklamue e propagandue librat e tyne, deri dhe me ua propozue për çmimin Nobel, çka do të thoshte, me aprovue e zyrtarizue botnisht terrorin i diktaturës, ku shkrimtarët paskëshin pasë (gjoja) mundësi me mbrritë shkallët ma të nalta të famës së tyne, (të përgjaktë e kobzezë), sepse aty paskej mbretnue “demokracia”  e proletariatit, që përdorte grushtin për me rroposë anmiqt e saj të brendshëm e të jashtëm, dhe puplën… me ledhatue gjithë ata që i shërbejshin përunjësisht asaj.
Sigurisht, duhet veprue me i sjellë në dritë këto vepra të mbulueme nga pluhuni i kohës. Në kët drejtim duhet me veprue vetë shteti, pavarësisht nëse sot asht i majtë, e nesër i djathtë, apo i qendrës; sepse vetëm ai shtet që i dënoi dhe ua ndaloi krijimtarinë, e ka detyrim moral botimin e tyne. E kam fjalën për vepra dhe jo për pallavra kote, sepse vetëm veprat e vërteta e nderojnë nji komb.

Revista "KuqeZi" Nr. 80
Revista “KuqeZi” Nr. 80

Prej dhjetë vitesh jeni drejtues i revistës letraro-kulturore “KuqeZi” që botohet në Belgjikë. Si lindi ideja e kësaj reviste dhe si do ta vlerësonit kontributin e saj gjer më sot, kur pritet të dalë numri i 26-të i saj? Revista “KuqeZi” lindi si domosdoshmëni e nji shtypi që t’përfaqësonte shqiptarizmin, si parim themelor i Shqiptarëve; për me afirmue identitetin e tyne kombëtar pa asnji dallim, kjo kryesisht në fushën e kulturës. Në krye të saj qëndron motoja: “Shqiptarëve s’kanë ç’ju duhen ideologjitë e hueja, duke pasë nji të vetme të tynen: Shqiptarizmin – ideal kombëtar”. Përparësi ajo ju kushton ish të përndjekunve politikë, si shkrimtarë, poetë, studiues, përkthyes, dëshmues, që nuk ishin lejue të merreshin me krijimtari letrare, sepse u syrgjynosën ndër burgje e kampe. Kjo vijë mbetet sot e në vazhdimësi.
Kontributi i saj: Ajo asht ba e njoftun jo veç për emnin tingllues e kuptimplotë që mban, “Kuq e Zi”, por edhe për seriozitetin e temave dhe problemeve që trajtohen aty, ku përfshihen gjithë degët e kulturës, nga historia te letërsia, nga përkthimet te artet orale, traditat dhe zakonet e Shqiptarëve, si dhe problemet bashkohore të shoqnisë shqiptare, ku ndër të tjera edhe fati i inteligjencës shqiptare, e cila në këto pesëmbëdhjetë vjetet e fundit asht shpërnda mbarë rruzullit.
Edhe pa u lexue, ajo i sjell çdo shqiptari, nji ndjenjë krenarie. Ai që e lexon, e kupton lehtë e qartë se aty trajtohen tema serioze. Tashma, ajo ka mbrritë Nr. 25, dhe do të vazhdojë me dalë, derisa themeluesi dhe drejtuesi saj të jetë në gjendje me e përballue peshën e punës dhe të moshës, me shpresë se dikush tjetër ma i ri e ma i prirun ndaj problemeve të kulturës së mirëfilltë shqiptare, ta marrë stafetën e saj në dorë për me e çue ma tej, në kohë e në përmbajtje.

Si e mendoni të ardhmen e revistës që drejtoni, duke pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e vlerave intelektuale, në mënyrë të veçantë mjaft njerëz të letrave shqipe, i gjen sot jashtë vendit: në Europë dhe Amerikë? Më ka ba përshtypje nji përgjigje e patriotit dhe shkrimtarit Faik Konica, dhanë nji bashkatdhetari jo shumë të ngritun, i cili i kish thanë, se ata që mund të lexonin revistën e tij “Albania” baheshin a s’baheshin 30 vetë. Konica iu kish kthye: “Aq më mjafton, që ta lexojnë ata tredhjetë veta!”
Kështu dhe puna e revistës Kuq e Zi. Preferohet nga nji pjesë intelektualësh që e lexojnë, dhe e kanë vlersue për mirë paraqitjen dhe përmbajtjen e saj, pavarsisht se ajo vishet me rroba modeste, pa shumë shkëlqim të jashtëm, por me mjaft dritë të brendëshme, që asht flakëza e shqiptarizmit.
Patjetër që ajo do të kish pas ma tepër përhapje po të kish dalë ndonji sponsor me e mbështetë, në mënyrë që ajo të botohej ma shpesh e ma shumë, me nji paraqitje ma cilësore, si dhe të shpërdahej kudo. Asht e vetmja revistë deri tash, që del me kontribut vullnetar, nga shkrimet e deri tek botimi e shpërndarja. Këto janë vështirësi të rrugës, por pa vështirësi nuk mbrrihet asgja. Nga ana tjetër mendoj se asht krenari, që të vlerësohet i gjithë kontributi i saj.
Do t’qe mirë që intelektualët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipnie, të angazhoheshin me revistën, pavarësisht se kontakti ende asht i vështirë. Ata janë të përhapun në katër qoshet e botës dhe bajnë jetë të shkëputun nga ndonji kontekst i organizuem shqiptarësh. Ka pasë shumë nisma për krijimin e nji bashkimi të shqiptarëve në botë, por pa ndonji sukses të dukshëm. Të pambështetun në veprimtaritë kulturore, pa nji shtyp përfaqësues dhe pa nji udhëheqje të aftë për ta organizue në nji nivel ma të naltë kulturor bashkësinë shqiptare.
Kohët e fundit u krijue në Bruksel, Shoqata Kulturore Euro-belgo-shqiptare “Nanë Tereza”, e cila ka për qëllim, zhvillimin e veprimtarive kulturore në bashkërendim me intelektualë belgë, shqiptarë dhe europianë, për njohjen reciproke të kulturave përkatëse, e kryesisht për njohje të Shqipnisë dhe shqiptarëve në nivelin historik e kulturor si në Belgjikë dhe në Europë, pasi asht kostatue se o mungon krejt kjo njohje o asht e pranishme veç me anët negative të saj.
Shoqata kryesohet prej meje. Bashkëpuntorët janë të nivelit të kënaqshëm për organizimin e aktiviteteve të ndryshme, brenda kritereve të përmenduna ma sipër.
Shpresojmë, që me kohë dhe me punë kambngulëse të mund të arrijmë suksesin e dëshiruem. Revista “KuqeZi”, në këtë rast, do të bahet përçuese e aktiviteteve të Shoqatës dhe përfaqësuese e saj.

Lek Pervizi & Guljelm Deda - Perugia 1994
Lek Pervizi & Guljelm Deda – Perugia 1994

Ç’është për ju nji ditë e zakonshme… si e organizoni atë për të realizue angazhimet e tua të shumta? Dita ime s’mund të shkëputet nga shkrimet. Nji njeri si unë, që ka kalue gjithë kohën e diktaturës, duke e njoftë të keqen deri në thelbin ma të thellë e ma të fshehtë të saj, s’mund të rrijë duerkryq, po qe se ka edhe nji grimë sedër intelektuali në vetvete.
Nga ana tjetër ndjehem përcjellës i mjaft ngjarjeve të historisë shqiptare, dëshmitar i gjallë i shumë ngjarjeve reale, që fatkeqësisht janë paraqitun anapolla, nga njerëz që as i kanë përjetue ato dhe as kanë pasë rreth shoqnor të tillë që t’i kishin përjetue e shoqnue si duhet ato situata. Unë atë rreth dhe shoqni e kisha, duke fillue nga prindi im, personazh kyç i historisë së re shqiptare, e deri te njerëzit që e shoqnonin dhe e përkrahnin si dhe figurat, personalitet politike e ushtarake me të cilët kishte miqësi e punë. Edhe nga kjo anë, mbetem i detyruem të jap kontributin tim si dëshmitar i saktë e i veçantë. Pra nji ngarkesë plus mbi supet e mbi mendjen time.
Kësaj barre i shtoj edhe atë të krijimtarisë poetike, që s’asht mbyllë ende, por qindron e hapun ndaj çdo frymëzimi, si dhe drejtimeve të tjera, që i përkasin historisë e kulturës shqiptare në përgjithësi. Nuk më del kohë me u marrë me punë kote, me ndejtë para televizorit si spektator i pavëmendshëm, ose me kalue kohën klubeve e kafeneve. Harroj me hangër në orët e caktueme, bile harroj edhe me shkue me fjetë, po të mos ishte për gruen time, që më shkund nga ajo zhytje në punë dhe më kujton se ekziston dreka e darka, kafja, shtrati dhe gjumi…
Angazhimet shkojnë tuj u plotsue njena mbas tjetrës me ritmin e kohës që kam në dispozicion. Sigurisht, besoj në realizimin e projekteve që kam në mendje, po të na ruejë Zoti shëndetin, gja për të cilën e falenderoj përditë, pse më ka sjellë të kthjellët deri në këtë moshë, kur mund të kisha mbarue, jo një herë, por disa herë…

Nga nalttësitë e moshës ku jeni, cili është pengu i jetës suaj? Diku ma nalt i lëshova do fjalë që lidheshin me kët pyetje. Sa për pengun mund të them se: peng i jetës sime asht vetë jeta ime. Nji jetë plot vitalitet, energji, andrra, fatazi, talent, e dhunti të Zotit, më shkoi kot, si mos të kishte ekzistue. Humbi në humnerën e absurditetit që na kish rrethue e prej ku nuk kishim asnji mundësi me dalë (flas edhe për bashkëvuejtësit e tjerë). A mund të ketë peng ma të madh?
Ndjehem si njaj cungu i lisit që ka shpëtue i lidhun fort pas rranjëve, prej nga merr ende pakëz ushqim, e që ka nisë me lëshue nji filiz të ri, pasi lisi asht pre, rrëzue dhe coptue për dru zjarri. Prej asaj jete të shkurtueme barbarisht, pjesa ma e mirë e saj, ajo e punës dhe e krijimtarisë u zduk pa lanë gjurmë. Tash, e konsideroj veten si ai trungu ku po del ai filiz i ri jete… Ky asht rezultati i pengut.
Duhet me e jetue jetën e ndërpreme nga fillimi, me nji ndryshim, se kjo jetë tash po shkon nga fundi i saj. E kush mund të ndjejë kënaqësi prej kësaj? A thue mund të ketë ende prej atyne që i dëshirojnë të keqen të tjerëve, thjesht për trill mendor? Edhe mund të ketë, sepse nuk asht se nuk ka pasë!
Nga ana tjetër, ndjehem i kënaqun. Na bare mbrritëm me shprehë mendimin e lirë, që na e kishin mohue dhe grabitë. Ndonëse vonë, prapë se prap asht nji kënaqësi e madhe, e cila më ban me harrue atë të kalueme mizore e të pashpresë. Sa të rrosh do të shikosh, – thojshin të vjetrit te ne. Dhe vërtet, ç’ka bjen çasti s’e bien vjeti. Nji çast magjik mbetet ai që bota e rreme u shemb, sepse s’kishte themele. Pikërisht ai çast na shpëtoi nga skëterra e na çoi në parajsë. Nuk ka thanë kot dikush, se ferri dhe parajsa gjendën mbi këtë botë.

Lek Pervizi - Il Grande Lamento
Lek Pervizi – Il Grande Lamento

Me ç’vepër mendoni t’i paraqiteni së afërmi lexuesit shqiptar? Kjo mbetet për t’ardhmen. Ndoshta për vitin 2005; jo ndoshta, por patjetër! Diçka do t’i bjerë në dorë lexuesit shqiptar nga shkrimet e mija. Nuk po jap emërtime, sepse nuk e di se cila nga veprat e nisuna ka me u përfundue e me u botue. Mund të them se ç’kam për dore.
Ja nji listë e librave për botimet e ardhme:
Tingëllima të vona (poezi)
Tregimet e skëterrës (tregime)
Ditar retrospektiv (kujtime)
Saga e pafajsisë (roman)
Lahutari shqiptar (përmbledhje kangësh popullore)
Artikuj e shkrime 1990-2004.
Prenk Pervizi (tregim biografik-historik i plotë)
Dy monografi (për vllaznit e mij Valentin e Genc)
Monografi: Ndue Gjergji, poet e luftëtar i Lirisë. (Hero i Kurbinit)
Shqipnia, vend për t’u njohun (vështrim historik nga origjina deri më sot)
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, sipas Dhimitër Frangut, bashkëkohës i tij. Përkthye prej meje shqip  nga një libër italisht, botue në Venecia më 1541, marrë nga teksti origjinal latinisht  i Dhimitër Frangut, shkrue më 1484.

Rubrika e Arsit: "Qiell i Përtejmë"
Rubrika e Arsit: “Qiell i Përtejmë”

Cili do të ishte urimi Juaj lexuesve të “ars-it”? Urimi për lexuesin shqiptar asht që ai të lexojë ma së shpejti vepra që meritojnë të quhet kryevepra të letërsisë shqipe, sepse Shqipnisë nuk i mungojnë shkrimtarët e rinj e të talentuem; nuk i mungojnë as subjektet për t’u trajtue. Mbas asaj mynxyre që pësoi për nji gjysë shekulli, dhe mbas kësaj gjendje të çoroditun të krijueme në kohët postdiktaturë, uroj që vendi dhe populli ynë ta rimarri veten për me dalë sa ma shpejt prej këtyne traumave. Shpresoj tek ndonji vepër letrare e nivelit të naltë, që të na nxjerrë para botës si nji popull krijues e me fantazi, me shkrimtarë të talentuem, e të shqetësuem për fatin e popullit të tyne.
Për ata shkrimtarë që pretendojnë të jenë në kulm të piramidës, nuk besoj se lexuesi do t’i ndjekë aq fort, sepse mbas çdo ditë që kalon, del në pah veprimtaria e tyne konformiste, e s’mund të justifikohen me ndonji fjali të bukur, kur veprat e tyne bien erë gjaku e lotë të pafajshmish, bien erë mashtrimi të neveritshëm kulturor.
Sigurisht urimi ma i dëshiruem prej meje, do t’ishte që lexuesi shqiptarë të lexonte ndër të tjera edhe ndonji prej veprave të mija!
Intervista u realizua në prill të 2005 dhe u botua në Revistën “ars” në maj të po këtij viti

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.