back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Lek Pervizi – Monument i Gjallë… – nga Visar Zhiti

Gazeta

Visar Zhiti - ishte i dënuar e Lek Pervizi i bëri këto kopertina librash
Visar Zhiti – ishte i dënuar e Lek Pervizi i bëri këto kopertina librash

Lek Pervizi – Monument i Gjallë…

nga Visar Zhiti

…kështu e cilëson shkrimtari Jozef Radi
dhe na bën me dije se “Lek Pervizi sot është 94 vjeç.
Praktikisht është Monument i gjallë i gjithë dramave shqiptare
dhe dinjitar i rrallë i një populli vital!”
…dhe unë u nxita të nxjerr nga libri im “Kartela të Realizmit të dënuar”
Kartelën Lek Pervizi… Ndërkaq dua të kujtoj në nderim të kësaj dite,
se kur mua më burgosën dikur, për poezitë e mia, vëllai im, Ilirjani,
mblodhi ç’kishte mbetur nga dorëshkrimet e mia, ç’kishin shpëtuar
nga kontrolli policor dhe shkon në Pluk të Lushnjës,
vend internimi, ku kishte shtëpinë miku i tij, Lek Pervizi,
punonin bashkë me kazmë në fermë dhe i kërkon t’u bëjë kopertinat
si piktor atyre fletëve, të lidhura si libër me aq kujdes e dashuri nga Ilirjani im.
I nxjerr për herë të parë fotot e atyre punimeve të thjeshta të Lek Pervizit,
të bëra në internim, të ruajtura fshehurazi në shtëpinë time deri sa diktatura u zhbë…

Visar Zhiti - Kartela e Realizmit të Dënuar
Visar Zhiti – Kartela e Realizmit të Dënuar

Kartela të Realizmit të Dënuar

nga Visar Zhiti –

Kartela: Lek Pervizi – Poet dhe piktor
publicist, memuarist, i persektuar, 40 vite burgjeve dhe internimeve…

E pashë që kur isha fëmijë, e kishin thirrur ata të arsimit të pikturonte një skenë për veprimtaritë e shkollës për Vitin e Ri, borën për herë të parë e pashë nga ai, e bëri si të vërtetë, me një bardhësi heshtjeje plot paqe siç ishte dhe vetë.
Vinte me çizmet me baltë nga rrethinat e internimit, nga Pluku i Lushnjës, pothuajse nuk i fliste askujt, ndërrohej, thjeshtë, por pastër, më fanitet si zbathur në skenë, me penelat ndër duar dhe ja, e mbaroi një shtëpi përrallore, krijoi dimrin e bukur. E pyesnim që të dëgjonim gegërishten e tij të ëmbël…
…ishte nga Veriu, nga Kruja e Skënderbeut, bir gjenerali, thoshin, nga një familje e njohur katolike. Kishte studiuar në Itali, në Torino e Firence dhe pastaj në Romë, në Kolegjin Santa Maria, i pasionuar pas poezisë dhe pikturës..

Jeta Ime kjo është - Bocet kopertine nga Lek Pervizi
Jeta Ime kjo është – Bocet kopertine nga Lek Pervizi

Me kapitullimin e fashizmit në 1943, kthehet në vendlindje. Fitimtarët komunistë, me të marrë pushtetin, i djegin shtëpinë, i konfiskojnë pronat në fshat, Skuraj e Laç e në kryqytet. Babai arratiset. I internojnë familjarisht, ndërsa dy vëllezërit më të mëdhenj, Valentini, oficer akademik dhe Genci, aviator, përfundojnë burgjeve.
Lek pervizin e arrestojnë në 1 maj 1950, dhe e burgosin në Kalanë e Gjirokastrës, ku takon vëllanë në qeli me 200 të dënuar të tjerë. Dhe nuk i rrihet pa vizatuar aty e të thurë vargje. Pastaj veç ndërro kampe, por po ajo dhunë e frikë: Porto-Palermo, por i heqin shpejt të dënuarit se ishte parë një nëndetese e verdhë, mos po donin të shtëtonin të burgosurit dhe i çojnë në Tepelenë, kampi me 2500 mirditorë, me fëmijë që do të vdisnin urije, Shtyllas, ku do të punonin me të të burgosur të tjerë në hapje kanalesh, Kuç, Lushnjë, punë e detyruar në bujqësi (Savër, Gradishtë, Pluk).
Familja Pervizi u mbaj në internim që kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore e deri sa ra perandoria komuniste, pra nga 1945 deri në 1991. Gjithsej morën 700 vjet burg e internime. Nga ky fis u pushkatuan dhe vdiqën burgjeve 23 veta. Ua dogjën kullat në Laç dhe Skuraj dhe ua morën pronat e tokat, ku kishin edhe në Tiranë.
1990 ikja. Me të parët. Ku është liria. Në Europën e ëndërruar. Në Belgjikë. Malli tjetërlloj për atdheun. Dhe në Bruksel, Leka ringjallet. Nxjerr revistën patriotike, antikomuniste “Kuq e zi”. Boton libra me poezi: në shqip, “Ankimi i zanave” e “Gjurmë të humbura”, italisht “Il grande Lamento” dhe “Petalo di rosa”, për të cilat ka marrë dhe çmime në Itali, në frëngjisht, “Complainte de Nymphes” dhe tregimet “Dans les Cercles de l’Enfer”, etj. Përkthen dhe nga latinishtja e vazhdon shkruan triologji të jetës, tani në moshën (mbi) 90 vjeçare.

Përralltari më i ri në Atdhe- Bocet kopertine nga Lek Pervizi
Përralltari më i ri në Atdhe – Bocet kopertine nga Lek Pervizi

Shkolla në Pluk të Lushnjë, ku ishte internuar, tani mban emrin e tij, e ka vizituar dhe është dekoruar nga Presidenti i Republikës. Por më të rëndësishme janë viziatimet. Tronditëse, infernale na shfaqen skicat e Albumit të Kampit të Tepelenës, kapanonet si një Aushvic tjetër, telat me gjemba, kushtet çnjerëzore në linjat kockëdala të fytyrave, rrathët e gojëve të hapura nga uria, vdekjet si fletë të pavizatura dot, të bardha dhe të zeza. Unikale. Dhe vazhdon të pikturojë… me duart e të birit. Leonardo, djali i Lekës, që lindi në internim dhe nuk i ekspozonin asgjë në atdhe, madje më tregoi, kur u vajta për vizitë në shtëpi në Bruksel, se nuk e harronte kurrë që nja dy poeto-piktorë socrealistë i kishin thënë me cinizëm në qëndër që “jo ti nuk do të ekspozosh, por as yt bir; të shohim ç’do të bëhet me nipërit, varet nga lufta e klasave, nga fitoret e komunizmit në botë…” Tmerr! Poshtërsi. Aq sa do të dukeshin më të mirë policët e kampit. Doja të zbuloja pjesë shëmtie nga fytyrat e tyre në pikturat e mëdha të Leonardos, ndërkaq ai piktor i njohur në Bruksel, akademik.
Shikoja Krishtin, vetëm Krishtin, Krishtin sërish me në sfond kështjella shqiptare.
Do të doja të bija aty në gjunjë dhe të lutesha!

Jeta Ime kjo është - Bocet kopertine nga Lek Pervizi
Jeta Ime kjo është – Bocet kopertine nga Lek Pervizi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.