back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Lekë Pervizi i flet botës anglisht për krimet e ferrit komunist të Enver Hoxhës – nga Frank Shkreli

Gazeta

Lek Pervizi - autor i librit "Rrathët e Ferrit"
Lek Pervizi – autor i librit “Rrathët e Ferrit” (pikt. Leonard Pervizi)

Lekë Pervizi i flet botës anglisht për krimet e

ferrit komunist të Enver Hoxhës

nga Frank Shkreli

Me Lek Pervizin – ish-të përndjekurin e regjimit komunist të Enver Hoxhës – kam zhvilluar, gjatë viteve, një komunikim dhe bashkëpunim shumë të frytshëm. Njihemi nga larg sepse, fatkeqësisht, nuk kam pasur rastin ta takoj ndonjëherë, këtë burrë fisnik e patriot, dëshmitar i krimeve më barbare në Evropë, i cili edhe në moshë të shkuar, po vazhdon t’i dëshmojë, jo vetëm botës shqiptare, por edhe botës më të gjërë, krimet e Enver Hoxhës, prej pothuaj një gjysëm shekulli, në Shqipërinë komuniste. Një dedikim ky tepër njerzor, për të dëshmuar në emër të të gjithë atyre që nuk mbijetuan vuajtjet dhe krimet e komunizmit.
Kam qenë në kontakt me z. Pervizi pasi ai ka patur mirësinë që të pranonte dhe botonte në revistën e tij “Kuq e Zi” në Bruksel, shumë shkrime të mia modeste, në të cilat jam munduar të pasqyroj, nga larg, vuajtjet e qindra mijëra shqiptarëve, kundërshtarë të pafajshëm të regjimit të Enver Hoxhës dhe krimet çnjerzore të atij regjimi anti-njerëzor, ndër më barbarët e ish-botës komuniste. Në disa shkrime modeste jam përpjekur të pasqyroj edhe vuajtjet e Lekës, autorit, piktorit, shkrimtarit, publicistit, poetit, ish i përndjekur politik – mbi të gjitha, Dëshmitar i gjallë i krimeve dhe vuajtjeve të regjimit komunisto-fashist. Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf
Lexuesit e interesuar shqiptarë janë të njohur tanimë me shkrimet e autorit, me skicat dhe me librat, poezitë dhe dëshmi të tjera, përfshir kumtesa dhe intervista të Lekë Pervizit, në këto 30-vite “tranzicion”, mbi krimet e komunizmit në Shqipëri. Dëshmi të gjalla ato, mbi jetën e tij në burgjet dhe kampet e përqëndrimit. Ai ka përshkruar me fjalë dhe me skica vuajtjet, por edhe jetën e vdekjen e mijëra bashkatdhetarëve të tij të pafajshëm, përfshirë gra, pleq e fëmij, në kampet e ferrit komunist enverist për pothuaj 50-vjet – një gulag i vërtetë, në mes të Europës. Të cilëve autori ua kushton librat: “Të gjithë atyre viktimave të pafajshme që sakrifikuan jetën e tyre, të cilët sakrifikuan çdo gjë për idealet e larta të njerëzimit – heronjë dhe martirë të vërtetë të lirisë dhe demokracisë.”

Ded Gjonmarkaj, i pari ulur në Kuç të Kurveleshit të Vlorës 1957, Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi. Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit'hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.
ne qender Mit’hat Araniti, në Kuç të Kurveleshit 1957,
Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi.
Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit’hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.

Para disa ditësh, me mirësinë e tij, z. Pervizi më njoftoi (me anë të një letre elektronike) për botimin e 5 librave të tij gjuhën anglisht – gjuhën më të përhapur në botë. Veprat gjenden nën emrin e autorit, Lek Pervizi, në “Amazon” dhe site të tjera. Jam i bindur se jo vetëm lexuesit anglishtfolës të huaj, anë e mbanë botës, por siç me shkruan Leka edhe “Shqiptaret e amerikanizuem, dhe fare naivë, mund te njihen me realitetin tragjik qe kaloi Shqipnia e populli shqiptar”, duke lexuar versionin anglisht të këtyre veprave.
Lexuesit botërorë anglisht-folës dhe brezi i shqiptarëve të lindur jashtë trojeve shqiptare, përfshi komunitetin shqiptaro-amerikan, duke lexuar këto 5 vëllime do të mësojnë se kush është Lek Pervizi, piktori, poeti e shkrimtari, por edhe periudhën e vuajtjeve, dënimeve dhe krimeve kundër njerëzimit ndaj bashkatdhetarëve të tij anti-regjimit, gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Siç dihet, ajo diktaturë, megjithëse në një vend të vogël, si Shqipëria, ishte ndër më të egrat dhe një ndër regjimet më kriminale, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste të Evropës lindore dhe qendrore. Kampet dhe burgjet e Shqipërisë komuniste, të cilat i përshkruan me fjalë dhe skica z. Pervizi, nuk besoj të ekzistonin në ndonjë nga ish-vendet komuniste të Evropës. Por, përveç lexuesit të rëndomt, veprat e Lekë Pervizit do i shërbejnë edhe historianëve, kërkuesve e akademikëve, si dokumentacion që provon se sa të tmershme ishin krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nuk ka dyshim se kur lexuesit anglisht-folës të lexojnë librat dhe të shikojnë skicat e autorit dhe piktorit Lekë Pervizit – e të cilët jetojnë në botën e lirë – do të shokohen kur të mësojnë se në Shqipërinë e vogël, mu në mes të Evropës kanë ndodhur krime të tilla kundër njerëzimit – në një periudhë, kryesisht, paqësore në Evropë. Të njihet e keqja dhe pasojat e tmershme të saj, do të thotë që, nëpërmjet librave si këto të Lekë Pervizit, do të mësojmë se si të vlerësojmë me korrektësi të kaluarën e vërtetë të krimeve të komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë vlerëson ndër të tjera, shtëpia botuese e librave të autorit, Lek Pervizi.
Librat e z. Pervizi janë një monument dëshmishë për atë periudhë të zezë të historisë së Kombit Shqiptar që autori ua kushton – si një detyrim moral e njerzor, nga ana e tij – të gjitha viktimave të komunizmit në Shqipëri, të gjallë e të vdekur: “Të gjitha viktimave që vuajtën në burgjet dhe në kampet e vdekjes të diktaturës komuniste; u dedikohet të gjithë fëmijve të vegjël – simboleve të pafajësisë – të cilët humbën jetët e tyre në kampin famëkeq të Tepelenës, një hollokaust i vërtetë i komunizmit gjakatar.”
Frank Shkreli

Lekë Përvizi - 5 vepra në anglisht!
Lekë Përvizi – 5 vepra në anglisht!

Autori Lek Pervizi, piktor shkrimtar, publicist, poet, ish i përndjekur politik – mbi të gjitha, Dëshmitar i krimeve dhe vuajtjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës – ndër më çnjerëzoret në Evropë e në botë, ç’prej Luftës së II Botërore – dëshmi që tashti autori po ndan me lexuesit anglisht-folës, jo vetëm në Amerikë dhe në Evropë, por edhe anë e mbanë botës.
Letra dërguar me 9 Qershor, 2022, me të cilën Lek Pervizi më njoftoi për botimin e 5-vëllimeve në anglisht:

Frank Shkreli
Frank Shkreli

I nderur Frank Shkreli,
Faleminderit per mesazhet e shkrimet  e jueja.  Kemi pasë një shkëputje nga mbyllja e Reviste Kuq e Zi, për shkaqe shëndetsore. Jam përmirësue, por jo në gjendjen që te vazhdoj perseri me revisten. 
I ndjek shkrimet e jueja, dhe ju përgezoj për vijën kombëtare  që mbani. Dhe njëkohësisht për mbështetjen e të përndjekurve politikë nga diktatura komuniste. Ju falënderoj se keni kontribue ne njohjen e kampeve të internimit nepërmjet vizatimeve të mia. Që mbeten dokumente themelore të asaj kohe mizore, ku në ato kampe ishin mbyllë veç familje të tana, pleq, gra,  nana me fëmijë e tjerë qenie të pafajshme.
Për këte gjë dje unë kam botue anglisht pesë libra kushtue gjendjes se burgjeve e kampeve që kam përjetue. Veprat i gjen ne emrin tim në Amazon e tjerë site. Këtë e kam ba që të mbeten si dokumente faktike të terrorit bolshevik që përfshiu me mija viktima të pafajshme. 
Nga ana tjetër shkrimet e jueja, kanë ba efektin e tyne, në këtë drejtim, ndër shoqërinë shqiptare, jo vetëm të përndjekurve, por dhe shoqërisë së lirë. Për këte punë fisnike tuej, ju jam shumë mirenjohës.  Miqësia jonë, ndonse e largët, do të vazhdojë. Falëndrojmë internetin që na e lehtëson këtë punë.  
Gjithë të mirat,
Përzmërsisht, Lek Pervizi

Rrathet e Feerrit - Tepelena (Lek Pervizi)
Rrathet e Feerrit – Tepelena (Lek Pervizi)

Kush është Lek Pervizi:

piktor, përkthyes, publicist, botues, i biri i gjeneral Prenk Pervizit. Lindi më 26 qershor të vitit 1929, në fshatin Skuraj të Kurbinit. Shkollën fillore dhe një të mesme tre vjeçare i kreu në Institutin “Santa Maria”, në Romë. U kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi; ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949, arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin [shih]. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës. Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën “Kuq e Zi”

Holokausti i Foshnjave - Tepelenë (skica Lek Pervizi)
Holokausti i Foshnjave – Tepelenë (skica Lek Pervizi)

Veprat 

Në vorbullën e Skëterrës, “Dorian”, Bruksel 2014;
Në rrathët e Ferrit (album), ISKK, Tiranë 2014;
Tingllime të vona, “Dorian”, Bruksel 2016; Lek Pervizi,
Odiseja e pafajsisë, “Dorian”, Bruksel 2017; Gjenerali, “Gjergj Fishta”, Lezhë 2017.
Dhimitër Frangu, Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, “Arbëria”, Tiranë 2005. – Përkthim

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.