Leo Konomi nuk ka vdekur…
nga Elona Caslli
“Ashtu ishte koha”, është fjalia e vetme me të cilën përballesh çdo herë, që bëhet një bisedë mbi Sistemin e Diktaturës në Shqipëri.
“Ashtu ishte koha”, njësoj sikur të flitet për motin. Njësoj sikur t’i thuash dikujt – Nuk shkova në kinema se binte shi. Ashtu ishte koha.
Kështu ndodhi në gjysmë shekullin e diktaturës, se përveç reshjeve të shiut dhe dëborës, patëm edhe reshje diktature… Madje duhet të bëhet pjesë e shprehjeve pavetore: -Bie shi, bie borë… bie diktaturë… pasi diktatura në këtë vend u trajtua si një fenomen natyror dhe jo si një fenomen njerëzor.
Një sistem nuk mund të qëndrojë në këmbë nga një njeri i vetëm. Mund të përfaqësohet nga një njeri i vetëm, por qëndron në këmbë nga mbështetja sistematike e shumë njerëzve të tjerë.
.
***
Leo Konomi, një i burgosur politik, i dënuar në vitin 1974 dhe i ridënuar përsëri, është e vërteta e pashmangshme dhe prova e pakundërshtueshme që dëshmon qartazi thënien; Një Popull që harron të shkuarën e tij, është i destinuar ta rijetojë atë.
A ka vdekur vallë Leo Konomi?!
Unë besoj se Leo Konomi nuk ka vdekur. Besoj se ai rivjen në ekranin e madh të kinemasë për të na kujtuar se ai është gjallë. Ai gjallon, ai frymon, ai dëshmon se nuk ka dhimbje më të madhe se iluzioni i një skllavi që pandeh se është i lirë.
Leo Konomi rikthehet tek unë, rikthehet tek ti, rikthehet tek të gjithë ne, për ta na theksuar të vërtetën e pamohueshme, që jemi peng i një të shkuare që nuk e gjykuam, jemi peng i një qëndrimi që nuk e mbajtëm, jemi peng i asaj fjalie vrastare që mban mbi vete gjysmë shekulli të mbushur me krim dhe urrejtje – “Ashtu ishte Koha!”
.
Post scriptum – Faleminderit Bujar Alimani
.
Marrë nga muri i FB i Elona Casllit 13 janar 2019