back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Letër e Filip Shirokës dërgue Zef Sumës

Gazeta

Filip Shiroka (1859-1935)
Filip Shiroka (1859-1935)

Letër e Filip Shirokës dërgue Zef Sumës

I dashtuni Zef
(në Shkodër)
Vonë po i përgjegji letrës s’ate të 29 shtatorit, por më fal fajin se plaku bahet pak pritues, sado qi zemra i hitatë (thotë) me shkrue shpesh e gjatë. Po të falem nderës, si unë ashtu djali i em për urimet e ditës së Engjëllit (ditës së emnit?). Shpresoj se shpejt ke për me më diftue fejesën e motrave t’uja e edhe tanden se zemra më dishron me ndie mirë për vajzat e për djalin e dais s’em – Zoti ma baftë nafakë me vllazën.
Prej nji letre që më dërgoi z. Zef Duoda, u gëzova që paske gjetë një punë të mirë në Mirditë, e Zoti e ruejt edhe e ndihmoftë, për të gazmue prindërit e tij.
Po më the se më ke shkrue edhe dy letra të tjera, e po çuditem qi përgjegja ime nuk paska mrritë, ndoshta pse postat e katundit, ku gjindemi, janë porsi në kohë të Abdyl Hamidit!
Kryetari i postës që kemi këtu në Hadet asht mejhanexhi, shet venë, raki, ufull, spirto e duhan, e prej postet nuk fiton vetëm një gjysë groshi për francobollo qi shet, se nuk merr asnji rrogë…
Tash nji muej e gjysmë ministri i Postave ka ba nji ndryshim, posta e Hadetit hapet në stacion të udhës së hekurit, e letrat i marrin në stacion qi asht afër shtëpisë s’onë e kështu letrat nuk i hapin.
Të lutem më dërgo në letër një derhem farë perimesh, se nuk ka këtu, ndër këto ana, as në Misir. Prej sa letrave qi më dërgojnë miqtë e mi prej Shkodre, kam marrë vesht se shtëpiat e mdhaja kanë ra poshtë e sot janë çue disa qi përpara nuk u ndihej emni i tyne; sot paska në qytet tonë malcorë qi përpara ishin me opanga e gjubleta, janë vesh allafranga e po sallnisen qi me t’u knaqë zemra; mo Zot ma keq!.. Por nuk asht për t’u çuditë: edhe në Liban, edhe në Syrie, në Palestinë e njeti, mbas luftës së madhe, shtëpiat pasanike kanë ra keq e janë mkamë vogjlia, ashtu ka ra Perandoria e Rusisë, e Gjermanisë, e Austrisë dhe e Turqisë. Sepse: Bota rrokullon, dikë çon e dikë rrëxon!
Questo mondo è fatto di scale – chi precipita e chi sale.
por, sikur thotë turku: Shashkin zan eder – Bajram gelyr!
Veç i mjeri dauleti i turkut, priti se me gjahil-llëk vjen prap me lule Bajrami!
Të lutem falmeshendet zonjës nanës s’ate, zojave, motrave tuja, Zojë Roza Duoda, Zefit e gjithë atyne q’i bje ndër mend për plakun e shkretë Filip Shirokën.
N’e mram po të marr ngryk e po të puthi sytë e zez me gjithë zemër. Këtu po të dërgoj nji grimë letër për Zef Duoden, nji grimë për Z. Kolë Gugën (s’po di drejtimin) e nji grimë për z. Kol Shildinë, e me ju falë shndet e m’i thuej Kolës a e more letrën me fotografinë t’eme a jo?… M’a fal fajin, o Zefi i em, me këto 3 letra qi po mbylli.
Hadet, me 9 Dhetuer 1930
Gjith i yti,
F. Shiroka

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.