back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Letër Fishtës – nga Dom Lazër Shantoja (Shejzat 1961)

Gazeta

At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)
At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)

Letër Fishtës

nga Dom Lazër Shantoja

Kemi fatin e bardhë t’u paraqesim lexuesave nji margaritar të çmueshëm, nji shkrim të pabotuem t’orziut Dom Lazër Shantojës mbi Fishtën. Asht nji Letër e hapun të cilën shkrimari me at styl të gjallë e të hollë të vetin i drejtonte Poetit nga La Motte (Jura Bernois – Zvicër) ku asokohe (1932) e kishin hjedhë dallgat e mërgimit e ku ushtronte ofiqin e famullitarit. Arsyena të lidhuna me kushtet e tija si i mërguem bane qi letra të mbettë pa u shtypë. Nji miqësi vllaznore na lidhte me Shantojën, e themelueme në dalldi të përbashkët letrare. Shumë shkrime të të ndjemit Mik ruejmë me kujdes plot nderim në kartotekën tonë private tue pritë rasën e volitshme me i botue në vëllim.
Letra mbi Fishtën na duket se në kët Numër të Veçantë e ka vendin mâ të përshtatun. (Revista Shejzat)

Lazër Shantoja (foto Marubi)
Lazër Shantoja (foto Marubi)

A U bie në mend?
N’at oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit plot erë marshalloje e diell Shqipnije… Ishi pështetë për paraní të dritores s’odës Suej e më hudhët prej andej nji citat latin, sikur i hidhet nji fëmijsë nji kokërr badem. Ashtu, si tue qeshë. Ju më lavduet n’at mëngjez të vokët vjeshte, s’dij tash bash mirë ç’artikull, e un u çova në qiell për nji shembëlltyrë krejt origjinale qi kishem këndue ndër ato ditë në “Hyllin”, shkruejshi për ata ministrat tonë t’asaj kohe… qi nuk ishin të zott me marrë përgjegjsi për fjalë e veprime të veta, mësa shtyllat e telegrafës për fjalë qi përshkohen nëpër telat lidhun për to. E ma pritët: “Asinus Asinum fricat!”
A U bie në mend?
E mbramja herë, kujtoj, se u ndeshme së bashku. N’at oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit plot erë marshalloje e diell Shqipnie…
E ajo ndeshje e fundit më kujton sod, o Fishtë, ndeshjen e parë me Ju, kur un, letrar atëherë në shpërgâj, u avita për të parën herë me të pimët e nji të vogli, me bindjen e nji neofiti. Në shkollën françiskane, në sallën e Drejtorisë, n’at kryekuartjerin Tuej, prej kah Ju, rrethue nga oficirat e atij shteti madhuer në zhgun, mâ e shuma rritë e edukue prej Jush, filluet luftat e lumnueshme kundra të huejve, zbuluet bukuritë e visaret e gjuhës shqipe, e batë këtë me dalë nga stanet e kolibat tue e ngjitë mbretneshë në kathedrat e mësimit publik.
Me thatë: “Po ku jé? Un tashma po plakem. Ku jeni ju të rijtë?”
Kush ka pasë rasën fatlume me ndejë me Ju, ka mujtë me e ndigjue shpesh herë kët motiv prej gojës Suej t’ambël. Po plakem! Dam, m’u plakë nji poet, Padër Gjergj, ás? Rrezik!
U mundojshi njimend me e veshmë me variacione të ndryshme të humorit Tuej të pashterrshëm, at motiv në mol: kallxojshi për vjetët e ujkut e për ato të qenit: rrahshi gjoksin ne e mbram, si me dashtë me i dhanë vetes me at gjest forcë nji ngushllim të ligësht, e thojshi: “Paj, a s’jam tekembramja nji djalosh… pesdhetë vjetësh?”.
E qe, Fishtë, se tash do kohë nji numër i veçantë i “Hyllit” më lajmonte, se në rabushin e jetës Suej koha kishte prè me briskun e saj mizuer edhe dhetë viza tjera…
Gjashtdhetë vjetësh prá.. Djalosh?!
E këndova, e përpina at numër. Por, a dijni? Nuk ma mbushi kurrkund synin. Nji suazë tepër e vogël e e vorfën për nji kuadër aq të madh e të pasun. Nji symfoní beethovjane ekzekutue nga nji orkestër zumaresh e kavallash. Nji modesti e kuptueshme ndalonte mjerisht tubën e vllazënve Tuej t’Urdhnit me marrë pjesë n’at kremtim letrar e nji largësi qi nuk âsht harresë ndaloi nji tubë tjetër vllaznish Tuej në shpirt e n’art m’u shprehë mbi Ju e për Ju n’at rasë.
Vrojta dhe nji mungesë tjetër n’at koncert. M’u duk se aty ishte harrue nota ma e bukur, mâ e lumnueshme, e Jueja. Ajo notë qi U ban me qenë ça jeni: Fishta i jonë! Kush e këndoi at notë, kush e spikati? Un nuk kam mendjen me përsritë o me kritikue këtu gjykimet e tjerve mbi Ju. Due vetëm t’U shtie në mend nji fjalëz të Goethes. Sa pare bajnë ma në fund gjykimet e tjerve mbi nji poet? Gjykimi ma i mirë e i parrejshëm âsht gjithmonë ai qi poeti vetë i ep vetes. E që ç’mendonte për vete ky vigan i popullit gjerman. E thotë me dy fjalë të shkurta, për ata qi s’dijnë çka âsht arti, të pakuptueshme!
Goethe nuk lavdohet pse ka mbrrijtë me shkrue Faustin, por pse i ka dalë me shkrue pak si mirë gjermanisht: “Ein bisschen gut deutsch…”
Këtu, Fishtë, rri edhe e tanë madhnija e Juej si letrar. Kjo âsht nota qi U karakterizon. Kush këndon nji shkrim Tuejin, në dashtë të jenë vargjet e Lahutës, në dashtë rradhët e nji artikulli, ai këndon shqip. Kurrkush mâ mirë se Ju nuk dijti me e përdorë kët material të poetit, gjuhën! Në të âsht i njeshun të tanë mysteri i personalitetit Tuej e i sendeve qi Ju këndoni. Gjuha e Juej, fjalët, frazat, periudhat janë erë e tokës së Shqipnisë, janë ngjyrë e qiellit të saj, lule të livadheve t’atmes, janë gurgullima e lumijve e fërshëllima e pyjeve të saja, trajta e maleve e kodrinave të vendit. Aty lëviz ritmi i gjakut shqiptar, tingllon zâni i qind-e mijëvjetve, pasqyrohen fytyrat e kreshnikve e idealet mâ të nalta të prijsave e të fatosave tonë. Nji qi nuk âsht shqiptar, qi nuk e ndien veten të tillë; qi nuk âsht rritë e s’ka jetue me kët popull, ai mundohet kot: nuk U kupton. Ju jeni të papërkthyeshëm. Për me përkthye shkrimet Tueja, duhet me shkrue brì tyne të tanë historinë, të tanë psykologjinë e atij populli të maleve tona.
Titullin e poetit populluer në Shqipni e meritoni vetëm Ju. Munden tjerë, e pse jo? me Ua dalë ndoshta në lirikë, në dramë, në romanx, në fletorizëm, n’ato degë të ndryshme ndër të cilat ndahet pema e leteratyrës: në poezinë popullore, n’artin e gjuhës; Ju jeni e do të mbeteni i vetëm. Në vetminë e të mëdhajve, të gjenive. Të paarritshëm e të pakapërcyeshëm. Nji! S’âsht nevoja me kqyrë e me peshue gjithmonë ça Ju shprehni në kët gjuhë. Unë, po U a thom rrumbullak, nuk jam nji asijsh qi i pëlqejnë të tanë veprat Tueja, en bloc, mbyllasyzash. Shijimin tem artistik bjen fjala e knaqin shumë herë katërmëdhetë vargjet e nji soneti të Mjedës shumë ma tepër se katërdhetë faqet e ndonji melodrami tuej. Por këta s’do me thanë gjà. Gjuha e Juej âsht në vetvete art, kryevepër arti. E ban të tillë ndërtesa e saj, muzika, ngjyra, veçansija. Ata qi janë mundue me shkrue mbas falsarigës Suej, kanë dështue deri tash gjithmonë. Kanë mbledhë, në gjasim të camërdhokve të shkollave, fraza mbi fraza, i kanë shprazë të gjitha për njiherë, njenën mbas tjetre në faqen e parë t’nji artikulli, porsi shprazet nji babune dardhash t’egra në nji gropë për me u ndukë, e në faqen e dytë të tij, hiç ma larg, të kanë dalë në frazeologjinë e stilit stereotipik ndërkombtar të fletorizmës, të kanë shkrue mbi eksigjencat e jetës e mbi nevojën me marrë pozicion e prej kullosave të pastra të bjeshkve kanë ba nji salto mortale në bulevaret plot pluhun të metropolevet moderne e kanë thye qafën!
Ata qi n’at numër të veçantë të “Hyllit” shkruen mbi Ju e mbi veprën Tuej, e harruen kët notë a nemos nuk e spikatën. Lypet ndoshta edhe njifarë distance për me e ndie e për me e shijue si duhet. Disa eleganca muzike nuk mund të shijohen me veshë tu grykat e trumbetave të bombardonave. Duhen ndëgjue larg. E na qi tash sa vjet jemi të dënuem me jetue larg popullit tonë, me gjinde e në dhé të huej, ku veshët s’na i prekë kumba e gjallë e zanit të tij, as kur këndon as kur qan, por hera-herë ndoj jehonë e rrallë e zbehtë e vdekun, na jemi ndoshta për kët punë mâ sensibël, ndijejmë ma fort e mâ hollë.
S’âsht vetëm malli për tokë, âsht edhe ai për gjuhë qi na zatetë, malli për trup e për shpirt të Shqipnisë. Nji mik i emi, qi ishte shtrëngue me ndejë shumë kohë në Belgrad pa pasë shoq shqiptar afër, ngitte me kërkue sharraxhitë e bozaxhitë e Kosovës për me hjekë mall e me folë shqip me ta. Jam edhe un tash nji vjetë në hallin e atij miku. As flas, as ndiej tue folë shqip tash sa kohë. Ça baj marr “Lahutën” marr nji vjershë Tuejën, cilëndo, këndoj me za të naltë shqip e, ma besoni, qaj… Nuk qaj pra, fort kollaj un kur këndoj shqip. Mbushem mâ tepër me maraz kur shoh ça shkruhet e si shkruhet shqip. Kur shoh matrapazat në lulishtat e poezisë e n’oborret e prozës sonë. Kur shoh cuba tue vjedhë ndër ara të Parnazit karabusha për me ia qitë mbandej si laradasha të përzhitun shqip kombit e m’u quejt auktorë e me krrucë ndoshta edhe ndoj grusht verdhuke. Jo, jo, Padër Gjergj, nuk qaj un kollaj kur këndoj shqip. Por gadi gjithmonë kur këndoj fjalën Tuej.
E në qetinë e atij vaji të shpërthyem nga bukurija e gjuhës Suej, e gjuhës sonë, kuptoj sende qi asnji histori, asnji psyhologji nuk do t’ishin të zojat me më zhvillue. Atëherë kuptoj se si nji popull kaq i shkretë, kaq i salvuem, kaq i sprovuem, ban se ban hije mbi tokë e nuk ndigjon me vdekë. Atëherë kuptoj se pse zemra e nji Plaku, mbi të cilën rrahin tallazet e detit të botës, moliset e pse sytë e Tij derdhin lot kur shohin para vetes nji tubë burrash e grash shqiptare.
Kuptoj atëhere edhe lotët e Pios së XI.1)

1)“Hylli” i fundit lajmon se: Papa Piu XI, qau kur pau shtegtarët shqiptarë.

Marre nga Shejzat Vjeti i V, Nr. 11-12, faqe 395-397

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.