back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Letër përtej kohës… rrëfim nga Lola Shehi – Cela

Gazeta

Nana - Esma Cela
Nana – Esma Cela

Letër përtej kohës…

rrëfim nga Lola Shehi – Cela

Sonte Nana, kam ndërmend të të lë pak pa gjumë. Kam shumë gjëra për të të thënë. Epo sa kohë kemi pa folur ma bëj hallall gjumin. Ta dish sa më ka marrë malli, epo nuk i thonë pak, kam nga viti 1986 që as të kam parë, as ta kam dëgjuar atë zërin e ëmbël mjaltë. Do i kujtojmë ca gjëra sonte Nana, do rrëfehemi ca ne të dyja si dikur.

Ti do më thuash, po për çfarë do rrëfehemi ne të dyja!?
Epo ca gjëra edhe nuk i dinë gjithë këta njerëzit që na kanë njohur të dyjave prandaj…
Të kujtohet Nana, kur shoqet dhe njëkohësisht kushërirat e mia do të shkonin në klasë të parë dhe mua s’më pranonin se thoshin: “Ti je akoma e vogël, duhet dhe një vit të mbushësh moshën?”
Dhe unë erdha në shtëpi dhe qaja dhe përplasja këmbët pse nuk më pranonin. Po ku e dija unë që Lika dhe Shpresa ishin më të mëdhaja se unë! Ato i kisha shoqe, me ato luaja, bashkë ishim rritur, pse duhet të ishin më të mëdhaja ato se unë?
Të kujtohet Nana, se çfar bëre ti?
Hajde ta tregojmë tani. Se kanë kaluar kaq shumë vite, le ta marrin vesh edhe të tjerët.
Ti erdhe në shkollë ashtu mundimshëm mbështetur te shkopi yt që s’e ndaje kurrë nga dora, se të dhimbte shumë ajo e shkretë këmbë dhe shkove drejt e te zyra e drejtorit, dhe ju drejtove:
-Zotrote, pse nuk e merr vajzën time në shkollë, dhe shoqet e saja po i merr?
Drejtori i shkollës, Vangjel Prifti, u habit shumë nga pyetja jote dhe të tha:
-Po është e vogël moj nëne, dhe nuk e ka mbushur moshën të futet në klasë të parë. Duhet të shkoj dhe një vit në kopësht e vitin tjetër të vij në shkollë, sepse shoqet e saj janë një vit më të mëdha.
-Jo, jo, jo… Kabohesh shoku drejtor! (se ti fjalën gabim e thoshe gjithmon kabim) Unë e mbaj mend shumë mirë se nuset kanë qenë shtatzana të trija në të njëjtin vit, se vetë ua kam pritur lindjet, kështuqë edhe vajzat kanë të njëjtën moshë. Mos më thuaj që kjo imja qenka më e vogël, Eh, ca muaj ndoshta, po nuk prish punë, e s’bahet qameti!!
-Po mir moj nëne, – i tha drejtori – më sill çertifikatën e lindjes dhe e shohim, po qe se është tamam e marrim, pa problem.
-Po këtu është halli more shoku drejtor, se kjo nuk e ka çertifikatën. Se që thua ti, kur e morëm çertifikatën, kjo shejtanka qante aq shumë sa unë për ta pushuar, i dhashë në dorë një llokume. Kjo duke e lëpirë e bëri dhe çertifikatën me llokume dhe kur vajtën në shtëpi, e lashë atje mbi sergjen, që ta vija më vonë te kutia ime. Ke parë ti që na qe teptisur një dreq miu dhe ma mori çertifikatën e gocës, e nuk e di ku e çoi. Ja ky është halli im…
-Më vjen keq nëne, por pa dokument, nuk e pranoj dot, – i tha drejtori prerë. Dhe ti kur e pe që gënjeshtra nuk po të ecte, more qëndrim dhe i the:
Dëgjo këtu, o drejtor! Vajzën do ma marrësh në shkollë pa derman. Mos ja jep klasën po deshe. Mjaft që të shkojë e të vijë me shoqet e veta, se Nana s’ka fuqi ta ndjekë, se ajo, po vajti ora e shkollës, ajo do iki mbas shoqeve… Hë të keqen Nana, ma baj këtë nder!
-E mirë, – i tha drejtori, për ta hequr qafe – le të vijë.

Gjyshja dhe Mbesa
Gjyshja dhe Mbesa

Dhe kështu e fillova klasën e parë, e falë këmbënguljes tënde e mora vitin njëlloj si gjitha shoqet e mia…
Të kujtohet Nana, ti rrije te qoshi yt në ballkonin e xhaxhait dhe na ndiqje me sy gjithë ditën kur hynim kur dilnim, çfarë bënim, dhe na thoshe veç fjalë të ëmbla. Nëse ne i kishim me nxitim lojrat dhe nuk të përshëndesnim, ti Nana zemëroheshe. Kur mami na bërtiste për ndonjë gabim, ne vraponim drejt e te ti, dhe ti na fshihje mbas kurrizit tënd dhe i krekoseshe… Hajde, hajde dhe po munde, preke me dorë!! Ama kur mami largohej, ti më tërhiqje përballë vetes dhe më thoje. “Dëgjo Nanën tate, mami kishte të drejtë, po unë të mbrojta se nuk duroj dot që të të qortojë. Tani, po e deshe Nanën, mos e baj ma at kabim, se pastaj ajo do vi e do më rrahi mua në vendin tënd. Ti do që mami jot të më rrahi mua?! Dhe mua më rrëmbusheshin sytë me lotë dhe duke mu dridhur buza të premtoja se nuk do gaboja më kurrë Nana!!
Sa edukatore e mrekullueshme paske qenë ti Nana ime…
Të kujtohet Nana, pushimet e verës unë më shumë isha në spital se kuroja veshkat. Një herë, shkova thjesht për kontroll dhe mjekët më shtruan urgjent. Sa shumë e qortove tët bir atë ditë. “Si more, ma more gocën si zogu në sqep qysh në pikë të mëngjesit dhe ma çove në spital? Po mua pse s’ma solle ta puthja? Unë s’kam këmbë të shkoj ta shoh atje. Eh, Nana atëherë nuk kishte makina dhe ti në këmbë nuk vije dot… Eh, sa më mori malli për ty. Dhe e di çfarë bëra? Ja, vetëm ty po ta tregoj, se askush s’e di. Pasi kishte kaluar një javë, më dhanë atë shishen ku duhej të bëja urinën dhe ta çonin në laboratorin e analizave për të parë nëse kura kishte bërë efekt a jo. Dhe unë e mbusha gjysëm me ujë dhe gjysëm me urinë. Mjekët u habitën që isha përmirësuar aq shpejt dhe më nxorrën nga spitali. Unë erdha me vrap te ti dhe përqafova fort fort, se aq shumë më kish marrë malli për ty. Dhe ti u lumturove që unë u ktheva… po lumturia nuk zgjati. Mbas dy ditësh mua m’u rikthyen përsëri krizat e veshkave dhe dihej, përsëri u ktheva në spital. Po s’ka gjë, me ty u çmalla të paktën. Mos më qorto se paskam gënjyer… Edhe ti e gënjeve drejtorin e shkollës kur i the që vajzat janë vërsnike! Ja kështu jemi barazim.
Më kujtohet Nana kur kthehesha nga shkolla dhe ti më pyesje… pa hë, tregoji pak Nanës ça mësove sot në shkollë? Dhe unë filloja të tregoja e të tregoja pa fund. Të lexoja vjershat që i pëlqeje aq shumë, të këndoja gjitha këngët që kisha mësuar. Një ditë, fillova të këndoja një këngë që kishte këto fjalë: “Jam e fortë si një djalë të luftoj, njëlloj pushkën edhe bombën përdoroj…” po ti papritur më ndalove dhe më the: “Nuk i ban dot ti këto gjëra, nuk e mban dot pushkën ti se je e pakët, këndoji Nanës një këngë tjetër. Po cilën moj Nane, më thuaj. Ja atë “Atje poshtë te ulliri, ma nxore vajzën nga gjiri” Ishte një këngë iso myzeqare që ma kishe mësuar ti. Eh, sa bukur këndoje ti Nana…

Gjithnji te mendoj... gjyshja ime
Gjithnji te mendoj… gjyshja ime

Ty Nana të pëlqente shumë dhe ajo kënga “Senatoriumi i Korçës”. Sa herë ta këndoja ti i mbushje sytë me lotë. Unë s’e kuptoja pse qaje ti, por një ditë kur të gjeta në ballkon duke qarë ti ma tregove. Ku e dija unë o Nana sa dhimbje kishte shpirti yt, ti kishe lindur pesë vajza dhe nuk kishe asnjë. Vetëm njëra kishte arritur të martohej dhe ajo kishte vdekur e re, kishte lënë dhe pesë fëmijë. Atë ditë ti më the se unë nuk kam vajzë: kush do më qajë mua me fjalë kur të vdes. Nana mua m’u bë shpirti thërrime dhe të premtova se do të të qaja unë, se ja unë di të këndoj, kështuqë patjetër do të mësoj edhe të të qaj.
Eh, sa herë më ndiqje mbrapa me bukën në dorë, se unë nuk e haja mëngjesin. Kam qenë ca tekanjoze unë… A të kujtohet Nana sa herë ti zije brumin e byrekut, një shuk e doja patjetër unë. Në fillim merrja pecin e mundohesha ta bëja petë si të tuat, pastaj e mblidhja shuk dhe ti ma piqje kulaç te oxhaku me zjarr. Ndonjëherë për të ma bërë qefin e vije edhe në tepsi, dhe më thoshe se “…e ke bërë shumë të mirë!” Atë ditë Nana ti më tregove për byrekun tënd të parë..
“Isha shumë e re kur u martova dhe mora një burrë shumë më të madh se vetja. Ai kishte vajtur në nizam diku nga Egjipti, bashkë me vëllanë e vet, dhe kur u kthye u martua me mua. Pra isha pothuajse një fëmijë me dy burra në shtëpi që prisnin të hanin nga dora ime. Një ditë burri yt, pra gjyshi im, të kishte thënë na bëj një byrek. Po ku di unë të bëj byrek i ishe përgjigjur ti. Por mendja të kishte ngelur aty. Pastaj pasi kishin ikur burrat në arë ti i kishe vënë shulin derës, që të mos të shihte kush dhe kishe nisur t’i bëje petat. Të kishin dalë copa copa sa pëllëmba e dorës, ja kështu si peta ime, por gjithsesi ti i kishe shtruar në tepsi. Pastaj mezi e kishe ngritur çerepin. Se dhe ti nana ishe edhe trupvogël si unë. Kështu mësove t’ju bësh burrave të shtëpisë byrek.
Po sa shumë dashuri na dhe, e sa shumë dashuri na mëkove për njëri tjetrin. Ti kishe dy djem. Të madhit, Hasanit, edhe fëmijët e vet edhe ne që ishim të vëllait i thërrisnim babi, ndërsa Dules, djalit tënd të vogël të gjithë fëmijët i thërrisnim xhaxhi dhe ashtu ka mbetur akoma edhe sot. Po dhe ata nuk dinin të dallonin se kush ishin të vetët dhe kush të vëllait. E ku ka si xhaxhai im… Kur kthehej nga fushatat e korrje-shirjeve se ai ishte kombajner, dhuratat ishin për gjithë fëmijët njëlloj. Nuk e harroj shkëlqimin e syve tu, oh sa e lumtur ndjeheshe kur shihje rreth teje gjithë atë dashuri.
Të kujtohet Nana sa shumë ishe mërzitur me shoqet e tua të lagjes se të kishin thënë që kjo mbesa jote është një pëllëmbë mbi tokë. Të gjeta në ballkon duke turfulluar me vete: “U më marshin të keqen, e m’u bëfshin kurban, të më thonë ato që vajza ime qenka e pakët, vajza ime e nget makinën për bukuri, sa lekë do marri ajo, ta mbulosh me njëmijëlekëshe, teprojnë edhe dy copë. Se dhe floriri i vogël është, po e ka vlerën të madhe…” çfarë nuk thoje. Se ti Nana kur unë qepja në makinë çoheshe nga shtrati e rrije gjithë kohës në karrige duke më parë. Unë kisha filluar kursin e rrobaqepësisë, por nuk kisha makinë. Makinën i pari e bleu xhaxhai, ai që ne i thërrisnim babi dhe tha që makina le të rrijë në dhomën time, por do ta përdori vajza. Dhe ti thoshe: “Po sa mirë që e nget, qepi Nanës një jelek se më mban trupin shtrënguar. Dhe unë ta qepa atë jelekun dhe ti nuk e hiqje nga trupi, të pëlqente shumë. Po sa ju mburreshe shoqeve: “Shiko se sa bukur ma ka qep, ajo e pakta që thoni ju? Se mua Nana më morën në shtëpi të pionierit për në piano. Po ti më the ç’e do atë viu,viu, të keqen Nana, shko mëso zanat, se ai që ka zanat, ngryset pa lekë dhe gdhihet me lekë…
Të kujtohet Nana kur unë isha me provime dhe vija në shtëpi për të mësuar… Shoqet e tua ja behnin në derë me copat e zeza që t’ju qepja fustanat. Nuk ua bëj dot ju thosha se kam për të mësuar. Ndërsa ti më luteshe… Hë të keqen Nana, qepjua se janë hallexhie. Po kam për të mësuar moj Nana, çfarë t’u them atje në provim sa fustana i kam qepë shoqeve të tua?! Hë, të keqen Nana, se merr uratat, pastaj ta ka thanë Nana: Zoti para, dhe ti mbrapa. Nuk je më e mençur se zoti ti…
Eh moj Nana, sa shprehje mbaj mend unë nga ti. Edhe tani për çdo gjë që më ndodh, unë vazhdimisht them: Nana ime ka thënë kështu, Nana ime ka thënë ashtu. Shoqet e punës më thonin: “Po sa të mënçur e paske pasë nanën moj ti? Po Nana po, ti ke qenë shumë e mençur. Ti nana ke qenë dhe shumë e bukur. I kishe ato mollzat e ngritura dhe të rrinin ngjyrë rozë… Eh sa mall kam të ti puth. Se m’u kujtuan puthjet. Të kujtohet Nana, ti më merrje me vete ngado që shkoje dhe sapo më puthnin, unë i fshija faqet menjëherë. Ti më tërhiqje mënjanë e më thoje… Jo ashtu të keqen nana se është turp… Fshiji pak me terezi, mos të shohin njerëzit se ju metet hatri!!
O Nana se mu kujtua edhe diçka tjetër. Tani më vjen për të qeshur po atëherë kam qarë shumë. Një ditë mësuesja, na pyeti në klasë se kush nga ju bën në shtëpi byrekun me lekë, vezët e ziera për ditë vere e ca festa të tjera. Unë ngrita dorën e para, kurse disa shokë dhe shoqe që i kishin prindërit komunistë nuk e ngritën dorën. Unë u habita shumë dhe menjëherë ju drejtova, pse ju nuk i bëni këto?Ata ulën sytë. Pastaj mësuesja tha që këto ishin festa fetare dhe ishte turp për ne që i festonim. Sa u mërzita moj Nana! Ti e mban mend besoj që erdha në shtëpi duke qarë dhe të thosha ty që nuk do bësh më kurrë byrek me lek se është e ndaluar. Po dhe me ata shokët e mi u mërzita shumë, se unë e dija që ata gënjenin. Ne i kishim shtëpitë afër, dhe unë e dija që ata i festonin. Bashkë shkonim te Mali i Stanit dhe mblidhnim lule vere, rrushkuqe, ato kokrrat e vogla të rrumbullakta që ti i fusje në një tas me ujë, me vezë të freskëta, lule manushaqe dhe sa hapja sytë në ditën e verës më thoje, fërkoje fytyrën me vezë, lage me atë ujin. Po unë nuk doja se ai uji ishte akull i ftohtë, mbasi ti e lije gjithë natën jashtë. Po ti më bindje duke më thënë se duhej patjetër po të doja që të mbetesha e bukur. Po kur mësuesja na tha që ishte e ndaluar, kur erdhi dita e byrekut me lek, unë nuk pranova të ha byrek. Si t’ja bëje ti e shkreta që të më shpjegoje mua. Unë qaja dhe të thosha se “Enver Hoxha i prishi kishat e xhamiat…”, se kështu e kisha mësuar në shkollë. Dhe ti duke më përkëdhelur flokët në prehrin tënd, se në sy nuk më shihje atë cast më the: “Dëgjo nanën tate, dhe maje vath në vesh ashtu si të gjitha llafet që të thotë Nana.Ti në shkollë mos e thuaj, Enveri prishi kishat e xhamiat, por besimit tim këtu brenda shpirtit tim nuk ka çfarë ti bëjë as ai as kush. Nuk më ndalon dot Enveri mua të them me vete “Bismilah” kur ulem në bukë dhe “Shtoje o Zot!” kur çohen nga buka.
Ja të tregon Nana një histori. Më përmënde emrin e një burri që kishte marrë kazmën të prishte xhaminë sipas urdhërit të Partisë, dhe e di më the çfar i ndodhi? U paralizua në vend dhe luajti nga fiqiri, u çmend. Sa jam trembur o Nana!
Po unë e dija që më thoshe të fërtetën, se kështu thoje ti, jo e vërtetë, po e fërtetë. Edhe kafes nuk i thoje kafe, po kave. Sa më pëlqente mua kur ti i thoje fjalën “kabim”. Nana do të të kujtoj dhe një gjë tjetër dhe pastaj nuk do të lodh më. Kur iknin në ndonjë dasëm babi, xhaxhi, mami dhe nusja e xhaxhait, në shtëpi mbeteshe vetëm ti me gjithë ne kalamajtë. ça qejfi ishte Nana. Ne rrëmbenim dyshekët nga krevatet, i tërhiqnim zvarrë dhe i shtronim të gjithë përtokë te dhoma jote. Ti shtriheshe në krye dhe nga më i vogli te më i madhi ne të gjithë radhë pas teje. Mua në fakt nuk më takonte të rrija ngjitur me ty se i takonte motrës time më të vogël, por ti më mbaje ngjitur dhe ju thoshe të tjerëve, se kjo është e pakët dhe e shtypni ju të tjetrët natën. Një natë motra ime më kishte kapërcyer dhe në mëngjes ishte ajo pas kurrizit tënd dhe jo unë. Nga mëngjesi e vura re dhe u futa prap mbas teje, por në atë çast ti deshe të çoheshe dhe unë të kisha shtrënguar fort e nuk të lija të çoheshe. Po më lësho moj, më thoshe ti, se do ngrihem t’ju bëj mëngjesin. Po ku dëgjoja unë. Jo, të thosha, shtrihu se tani do bëjmë natën bashkë se nuk e kam bërë natën me ty, më ka kapërcyer motra. Sa shumë ke qeshur moj Nana. Po unë nuk të lashë që nuk të lashë.
Njëherë ti Nana më kishe thënë që nëse ka vdekur dikush në lagje dhe në momentin që xhenazja po shkon në varreza, atë që gjen në gjumë e merr me vete. Pas ca ditësh vdiq një plakë në lagjen tonë, hë moj ajo shoqja jote nënë Qazimja. Eh moj Nana të jam qepur atë ditë gjithë ditën të më tregoje lloj lloj historish që mos të të zinte gjumi. Ti nuk e dije pse e bëja, po unë kisha frikë se të merrte nënë Qazimja me vete. Mami më thërriste e ulëriste nga oborri: Po hajde moj se dua që të shkosh pak në dyqan. Po ku lëvizja nga vendi unë, kisha hallin tënd. Pastaj vajta dhe ja tregova mamit. Ka qeshur me lot. Mua më vinte inat që ajo qeshte dhe i thashë: S’ke faj ti, se nuk është Nana jote ajo, është Nana ime.
Kur unë doja ndonjë gjë, ti nuk më thoshe që po ta bëj, por më thërrisje mbasi e kishe mbaruar. Mua më shkëlqenin sytë dhe të hidhesha në qafë si mace dhe të thosha: “Ua nana kaq shpejt e paske bërë?!” E di çfarë më thoje ti? Kush ka Nanë, ka derman! Ua them dhe unë tani vajzave të mia. Eh sa shumë gjëra kam mësuar unë nga ti. Ti i dije të gjitha gjërat. Edhe shoqet e tua i mësoje si të silleshin me nuset e djemve. Ju thoshe: Dëgjoni këtu, kujdes me bijat e botës se kanë lënë nënat e tyre për djemtë tuaj. Mos i thoni kurrë që këtë apo atë punë nuk e ke bërë mirë. Thojini, të lumshin duart e paske qarë fare, por po ta bëje kështu, ndërkohë mësoja si ta bëj, do dilte edhe më e mirë puna. Eh, moj Nana edhe diplomate paske qenë!

Autorja Lola Shehi - Cela
Autorja Lola Shehi – Cela

Ca gjëra atëherë nuk i kuptoja, por tani po, i kuptoj.
Nana të mora boll me të mira, u bëra dhe unë pak diplomate si ti, por tani më duhet të tregoj edhe pengun më të madh të shpirtit tim!
Ishte Shtatori i vitit 1985, dhe atë vit fillova vitin e tretë të fakultetit. Sapo filloi viti, qysh javën e parë do na çonin në Mamurras të bënim zborin njëmujor. Erdha atë fundjavë në shtëpi, që t’ju njoftoja dhe të merrja dhe ca rroba me vete.
M’u mblodhën shoqet, kushurirat, motrat si gjithmonë kur kthehesha nga fakulteti. Ju thashë që për një muaj do isha në zbor dhe nuk do mund të vija t’i shihja.
Motra ime Linda, dhe kushurira ime Lika brofën në këmbë. “Si moj Lola, nuk do vish, po e di ti se mbas dy javësh martohen dy kushërinjtë tanë, dhe ti nuk do vish në dasëm?!”
-Epo nuk mundem ju thashë, se zbori është njëlloj si ushtria. Vetëm me ndonjë telegram nga Këshilli i lagjes, mund të më japin leje, dhe kjo jo për dasëm, por për ndonjë rast fatkeqësie familjare.
Ato u panë sy ndër sy dhe thanë:
Epo mirë! Ne te zyra e këshillit nuk na e mban të shkojmë, por po të dërgojmë një telegram me tekstin: “Gjyshi vdiq!” – në fund të fundit gjyshërit tanë kanë kohë që kanë vdekur, bile as i kemi njohur fare. Pra nuk po e fusim shpirtin në gjynah, dhe nuk po ndjellim vdekjen askujt! Ne, po e provojmë njëherë, po të lanë mirë, po s’të lanë s’kemi çfarë të bëjmë. Ato ishin më të guximshme se unë!!
U ndava me të gjithë ju atë të dielë mbasdite, edhe me “komplotistet”, u përshëndeta dhe me mamin tim se dhe ajo do ikte për dy javë në llixhat e Elbasanit, dhe mora trenin e u nisa për Tiranë.
Të nesërmen ishim në Mamurras për të kryer zborin ushtarak. Eh moj Nana, unë nuk vishja kurrë këpucë zbori se ishin numër shumë i madh, rrija me shapka, ca shapka plastike ngjyrë rozë. Edhe gërshetat rrallëherë i zgjidhja se atje nuk është se kishte kushte që unë t’i laja e t’i krihja gjithë ata flokë të gjatë.
Ditët dhe datat në zbor kalojnë pa e kuptuar dhe unë e kisha harruar pothuaj fare telegramin e koduar, por nuk e kishin harruar ato “komplotistet”!!
Këtë punën e telegramit të rremë, ia kisha treguar dhe Servetes, shoqes time të grupit nga Dushku i Lushnjes.
Të premten mbasdite kishte mbërritur telegrami në repart. Pedagogët e mi ishin shqetësuar mjaft, po mua nuk më ranë në sy për gjë.
Kishin thirrur Serveten dhe e kishin pyetur, se çfarë moshe ka nëna e Lolës. Ajo i kishte thënë, tani me saktësi nuk e di, por e re duhet të jetë. Nuk ja kishin treguar as asaj tekstin e telegramit, bile nuk i kishin thënë fare që Lolës i ka ardhur telegram nga familja, por ajo e dinte ç’telegram prisja unë.
Të nesërmen në mëngjes herët, vjen e më zgjon pedagogia kujdestare.
Lola… O gjumashe, zgjohu se të kërkon Komisari.
U çova dhe bëra të dal. Ajo më ndalon tek dera. Po prit, ku i ke këpucët, vishi, krihi pak dhe flokët. Ashtu bëra. Mendova se ishte ndonjë mbledhje e komitetit të rinisë. Shkova te komanda dhe për habinë time atje nuk ishte asnjë student tjetër. Thashë, qenkam e para. Në atë moment del komisari, pedagogu babaxhan Thanas Dhimarko, dhe më pyet. Sa larg është shtëpia jote nga stacioni i trenit në Lushnje? Po ja – i thashë, dhe bëra me dorë nga reparti deri në një distancë ku më kapte syri. E në rregull më tha. Pastaj më vuri dorën në sup, më tërhoqi më afër vetes dhe filloi të fliste.
“Dëgjo! Ti tani je vajzë e rritur, apo jo. E pashë në sy se të them të drejtën nuk po kuptoja asgjë, por ai vazhdoi. Në shtëpi ke një nga pjestarët e familjes të pamundur, prandaj do të shkosh ta shohësh. Në atë moment m’u kujtua telegrami. Në fillim desha të qesh, por nuk kisha si ta bëja, por për çudinë time menjëherë fillova të dridhesha dhe rrahjet e zemrës po më tradhëtonin. Komisari vazhdoi. Nuk do jesh vetëm. Me ty do vi edhe pedagoge Lida Mema po edhe disa shokë e shoqe të grupit. Po më dilte gënjeshtra, nuk dija se çfarë të bëja. Por Servetja e kishte marrë në dorë situatën. Ju kishte thënë se Lola ka dy gjyshër. Një nga ana e babait,që natyrisht e ka në shtëpi dhe një nga ana e mamit, i cili jeton mjaft larg Lushnjes. Në rregull i kishte thënë pedagogia. Ne do shkojmë deri në Lushnje. Pastaj ne do kthehemi patjetër me trenin e fundit në Mamuras, kurse Lola të vazhdoj më tej. As Servetes nuk ja kishin treguar telegramin. Në Mamurras blemë gështenja të ziera, misra e nuk e di çfarë tjetër për ta shtyrë udhëtimin. Nuk kishte kaluar shumë që treni qe nisur, kur Zysh Lida më pyet. “Lola si e thërrisni gjyshen ju?” Brofa në këmbë dhe me sy të trembur e pyes, pse? M’u përgjigj, më thotë ajo. Nana i thashë. Ajo mori frymë thellë sikur u çlirua dhe më tha. Gjyshja është mjaft e dashur dhe e dhemshur, por ne të gjithë mbrëmë nuk kemi fjetur, mbasi menduam se mos në telegram bëhej fjalë për nënën tënde. E humba fare, po mami im ç’hynte këtu. Sipas fjalës teksti i telegramit do ishte “Gjyshi ndërroi jetë!” Në sekond i them, ma jep ta shoh pak telegramin. çfarë të shihja…
“Nana ndërroi jetë…!” Bujari
Telegrami mbante nënshkrimin e vëllait tim.
Në atë çast m’u rrotullua bota para syve dhe dhimbja më shpërtheu kraharorin.
Kisha dashur të gënjeja për të shkuar në dasëm, por atë ditë kishe ndërruar jetë ti Nana ime, dashuria ime e madhe, ti gojëmbla ime, ti mjalti im!!
Nana, kam vite që e mbaj këtë brengë brenda shpirtit tim. Të kam aq peng, se më duket sikur ta ndolla vdekjen.
Ja Nana, ta rrëfeva më në fund brengën time, pengun tim!
Nana, shpresoj të më falësh. Të lodha shumë sonte, po nuk mundja më ta mbaja përbrenda pengun tim. Tani po më mbysin lotët…
Ah edhe një gjë tjetër. Ti vazhdimisht thoshe, se “…kur të vdes unë, nuk dua të mbani zi! Ndizini radio e televizor, mos u vishni me të zeza, se unë jam një Nanë e lumtur, kam jetuar e rrethuar nga dashuria e djemve dhe nipave dhe mbesave të mia.
Amanetin ta plotësuam.
Të gjithë bashkë shkuam në ato dy dasma. Ishte edhe yt bir, këngëtari e valltari yt, im atë, ai që i hapi dasmat, pasi të zotët e dasmave donin të respektonin zinë për ty. Kërcenim dhe digjeshim prej dhimbjes!
Po unë Nana e vura një kordele të zezë në fund të gërshtetit. Se unë Nana nuk e mbajta premtimin tim. Të kisha premtuar se do të të qaja e t’i numëroja me fjalë të mirat e tua. Nuk munda Nana, nuk arrita dot në kohë. Kur arrita unë, ti kishe mbërritur në varreza. Ja ta thashë dhe këtë…
Tani po të le të flesh se u bë vonë… Do fle dhe unë se e çlirova shpirtin!
Kur të shkruaj kujtime të tjera, do të vij e ti lexoj prap.
E di që ke dëshirë të më dëgjosh, si dikur…

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Nji vit më parë,
    në nji sprovë disi të vështirë me prozën
    Lola Shehi, shkroi rrëfimin e saj me gjyshen,
    nji seri letrash që nji mbesë e mbetur ende fëmijë
    i shkruan gjyshes së saj të vdekur kahera.
    Nji botë plot ngjyra dashurie dhe tejet emocionuese.
    Sot, nji viti mbas kësaj sprove, Lola Shehi
    është ndodhur mes njerzve të vendlindjes së saj në Karbunarë,
    aty mes nostalgjive dhe kujtimeve
    për të promovuar librin e saj “Letra nga Përtej!”
    Urime dhe përgëzimet e mia Lolë!

  2. Po Jozef, ju jap të drejtë!
    Një rrëfim i mbajtur për vite me radhë brenda shpirtit që falë inkurajimit Tuaj, dhe të disa miqve e lexuesve të mi, që të shkruaj në prozë, arrita të guxoj të shkruaj.
    Ju falenderoj për gjithcka bëni për shkrimet e mia.

  3. Sinqeriteti, ëmbëlsia, humori, delikatesa, qëndisja me aq kujdes e nji personazhi si Nana, e bën kët rrëfim të Lola Shehit, ndër më të bukurit dhe më të ndjerit që kam paraqitur.
    Sigurisht ajo meriton edhe shume fjalë të tjera inkurajuese, në kët sprovë të takimit me prozën… Unë besoj se ajo mundet, po besoj se edhe asaj do t’i dale “llogaria”…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.