back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Letër Publike drejtuar – në mbrojtje të vlerave të historisë dhe kulturës nga Dr. Engjëll Gishti

Gazeta

Artefakte nga Komuna e Karposhit Shkup
Artefakte nga Komuna e Karposhit Shkup

Letër Publike drejtuar:

KM të Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama,
KM të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,
KM të Republikës së Maqedonisë së Veriut z. Kovaçeviç
Akademisë së Shkencave te Republikës së Shqipërisë
Akademise se Shkencave te Republikës së Kosovës
Akademise se Republikës së Republikës së Maqedonisë së Veriut
Organizatës ndërkombëtare kulturore UNESCO
dhe shumë organizmave të tjerë që do i shtojmë më vonë!
Të shpëtojmë një nga varrezat e krishterë më të vjetra të Europës!
Varreza e Lashtë e Skupit ende punojnë skavatorët
Varreza e Lashtë e Skupit ende punojnë skavatorët

Në mesin e shkurtit 2023, televizioni shqiptar TV 21 i kryeqytetit Shkup të Maqedonisë së Veriut, publikoi lajmin se jemi para një skandali të pashembullt nga ato që vërehen vetëm në vende të Botës së Tretë: në perëndim të qytetit antik të Shkupit (lagja e sotme Karposh), pritet të ndërtohet një tjetër bllok ndërtesash moderne mbi varrezën antike dardane të qytetit. Operatorja e këtij televizioni, nuk u lejua të futej në brendësi të sitit arkeologjik, jo nga ruajtësit e tij publik, por nga personi privat, i cili pretendon se është pronar i tokës dhe mbi këtë varrezë kërkon të ndërtojë një Qendër Tregëtare! Gjëra të një bote tjetër, ku historia e një kombi i nënshtrohet vullnetit dhe interesit të një personi!
Nga interesimi jonë i mëtejshëm, u informuam se kjo varrezë është hapur që në vitin 2011, ku kanë dalë në dritë mbi 5200 varre brenda të cilave ka patur padyshim mijëra e mijëra objekte. Por aty, varre dhe artefakte të tjera vijnë në dritë akoma sot pas 12 vitesh, sepse jo e gjithë zona është eksploruar. Në fakt e gjithë kjo lagje e gjendur edhe në perëndim të Lumit Vardar, përputhet plotësisht me mendësinë dhe traditën antike të varrimit (udhëtimi i të vdekurit mbi varkë drejt perëndimit për në Hades), çka na thotë se varreza duhet të shtrihet në shumë hektarë, tashmë të shkatërruara përfundimisht, sikurse në këtë rast. Gjetjet e sotme nuk vijnë si pasojë e ndonjë ekspedite të rregullt arkeologjike – si në të gjithë botën e civilizuar – por si vullnet i atij personi që pretendon se është pronari i ligjshëm jo vetëm i tokës, por edhe i çdo objekti që ka nëntoka e tij! Autoritetet e shtetit sllav maqedon përpiqen të na qetësojnë duke theksuar se artefaktet e gjetura janë dorëzuar pranë Muzeut Arkeologjik të Shkupit, një praktike kjo kaq assurde dhe e kundërligjshme sa nuk ndodh në asnjë shtet të botës! Interesant dhe domethënës është fakti se në gojën e këtyre autoriteteve, personi pronar i tokës cilësohet me respekt si “investitori”. Në përgjigjen e këtyre autoriteteve nuk ka asnjë fjalë mbi ekspedita arkeologjike të mundshme sikurse ligji e kërkon dhe i detyron, ndërsa kuptohet qartë se ato i nënshtrohen vullnetit të këtij personazhi misterioz që kryen çdo lloj gërmimi dhe që nga autoritetet cilësohet si një “investitor” i rëndësishëm. Ndërsa nga fotografitë dhe videot që kemi në dispozicion shohim se personi në fjalë kryen gërmime me eskavator, sikurse çdo ndërtues në një truall normal, por që në rastin në fjalë rezulton me thyerjen dhe zhbërjen e mijëra artefakteve arkeologjike. Përderisa ky personazh që në cdo shtet të Europës do ishte para organeve të drejtësisë, cilësohet si “investitor”, kuptohet qartë se shteti maqedon i është nënshtruar autoritetit të tij dhe presin realizimin e investimit modern mbi sitin arkeologjik, duke shkelur në mënyrën më flagrante ligjin mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Barbaria në Varresat e Lashta të Shkupit
Barbaria në Varresat e Lashta të Shkupit

Çfarë rëndësie ka ky sit arkeologjik?
Pjesa e varrezës që po vandalizohet aktualisht është pjesa më perëndimore e saj, çka domethënë edhe më e reja e kohës antike (antikiteti i vonë), kur krishterimi kishte hyrë në masë në popullsinë ilire. Bëhet fjalë për një nga varrezat më të hershme kristiane jo vetëm të Ilirisë, por të të gjithë Europës. Pjesa më e madhe e stelave me mbishkrime në gjuhën latine përfundojnë me dy inicialet F. C. = Filius Christi (bij të Krishtit). Në ato shënohen edhe emrat SCVPIS dhe DARDANUS, çka vërteton përkatësinë etnike të popullsisë që është varrosur këtu. Brenda kësaj varreze të madhe dallohen qartë edhe traktet e të paktën dy kishave paleokristiane tashmë të shkatërruara nga ndërhyrja private e papërgjegjshme. Pa dyshim se prezenca e kishave (funksioni i të cilave ishte padyshim shërbimet e fundit të të vdekurve) na flet jo vetëm për kulturën e hershme thellësisht të krishterë të kësaj popullsie, por edhe për themelimin e kësaj tradite apo e këtij riti të krishterë ku të vdekurit i shërbehej në kishën e varrezës; rit që sot e shohim në gjithë Europën.
Arkeologët maqedonas kanë deklaruar se kjo varrezë i përket viteve 500 – 600 Pas Krishtit, por duke ditur se në shek e V i gjithë Iliriku u shkatërrua me zjarr e hekur nga Attila dhe hunët e tij, e duke ditur se ata u pasuan nga barbarët e tjerë jo më pak të dhunshëm, e duke ditur se jo më pak këto aksione i përsëritën sllavët një shekull më vonë (sikurse na i përmend Prokopi i Cesaresë), mendojmë se ndërtimi i këtyre varreve monumentale (aq më shumë jashtë mureve mbrojtëse të qytetit) ishte e pamundur të ndodhte në këtë kohë shkatërrimesh të tmerrshme, ndaj ne mendojmë se kjo varrezë është pak më e hershme, pra i takon kohës kur Perandoria Romake e Lindjes ishte ende në gjendje të siguronte qetësinë në këto anë; por natyrisht ajo s’mund të jetë ndërtuar para kohës së legalizimit të fesë së krishterë të realizuar nga biri i po këtij fisi ilir, Kostandini i Madh.
Pra, kjo Varrezë Paleokristiane i takon harkut kohor nga viti 325, kur u mbajt Koncili i Nikeas e deri nga vitet 435-450 kur sulmet e Atillës zbritën edhe në këtë pjesë të Gadishullit Ilirik. Pra, ky sit arkeologjik është një varrezë paleokristiane nga më të vjetrat në Europë, pasuri e kulturës sonë më të hershme të krishtere, e denjë për tu ruajtur e mbrojtur me fanatizmin më të madh nga të gjithë popujt e Europës!
Dr. Engjell Gishti

Fjala Scupus në njerën nga pllakat!
Fjala Scupus në njerën nga pllakat!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.