back to top
3.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Letërsia e burgosur, promovim dhe një debat në “Vatër” – nga Sokol Paja

Gazeta

"Alida" - Novele nga Dine DIne
“Alida” – Novele nga Dine Dine

Letërsia e burgosur, promovim dhe një debat në “Vatër”

nga Sokol Paja – Dielli

Vatra promovoi veprat “Alida” dhe “Gjyqi i Shopenhauerit” të Adriana & Dine Dines
.
Të Shtunën më 29 Maj 2021, në orën 11.00 AM, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” u bë promovimi i librave “Alida” i Dine Dines dhe “Gjyqi i Shopenhauerit” të Adriana dhe Dine Dine. Me dhjetra pjesëmarrës, miq, të ftuar, vatranë, mësues, gazetarë, intelektualë, shkrimtarë e patriotë ishin prezentë në festën e librave-letërsi e burgut të shkrimtarit antikomunistit Dine Dine. Novela “Alida” është një rrëfim fantastik mbi dashurinë e pafat dhe dashurinë e pamundshme. “Alida” është një novelë që të mban gjallë deri në fund përmes rrëfimeve të rralla, përjetimeve të forta dhe kujdesit mjeshtëror për të portretizuar dashurinë edhe kur ajo është e pamundur. “Gjyqi i Shopenhauerit” është një përmbledhje me tregime e rrëfime mbi dramën dhe persekutimin familjar të autorëve Adriana dhe Dine Dine, të cilët në libër paraqesin vuajtjet dhe tmerrin që kaluan familjarisht në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste. Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me anë të këtij promvimi dëshmuan edhe një herë se janë një model bashkëpunimi e suksesi në përçimin dhe promovimin e vlerave kombëtare e të shkrimtarëve elitë, siç është Dine Dine dhe letërsia e tij e veçantë, letërsia e burgut.
Në fjalën e hapjes moderatorja Marjana Zeneli Bulku u shpreh se sot ne promovojmë në Vatër librat e autorit Dine Dine (Nasufi) një emër i shquar i rezistencës antikomuniste dhe biri i një prej familjave më të shquara dhe me kontribut në historinë e shtetit shqiptar. Kryetari i Vatrës, Elmi Berisha me rastin e promovimit deklaroi se veprat “Alida” dhe “Gjyqi i Shopenhauerit” janë dy libra memorie që na rrëfejnë persekutimin komunist të një prej familjeve më fisnike e patriotike shqiptare. Këto libra sipas z. Berisha na kthejnë pas në një kohë të tmerrshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, diktatura e proletariatit, ky sistem politik përbindësh që shkatërroi çdo intelektual, klerik të nderuar, familje fisnike dhe ide opozitare. Librat e Dine Dines “nëpërmjet rrëfimeve të ndjera, historive, personazheve, ngjarjeve dhe detajeve që rrëfen, është jo vetëm një pasqyrë e ferrit që përjetuan shqiptarët në diktaturë, por mbi të gjitha na fton të mendojmë, meditojmë dhe të reflektojmë thellë për të vuajtjet dhe perskutimin deri në absurd që përjetuan shumë shqiptarë të pafajshëm” – u shpreh kryetari i Vatrës, Elmi Berisha.
Mhill Velaj, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në kumtesën e tij rreth novelës “Alida” të Dine Dines u shpreh se kjo novelë i ngjan një triptiku kohor që ngërthen në vete magjinën dhe dramën e dashurisë së dy të rinjëve në kohëra të errëta të regjimit totalitar komunist. “Alida” sipas z. Velaj rrëfen e zbërthen ëndrrën e një të riu për të dalë nga ky labirinth sa i magjishëm po aq sfidues, për kurthet që t’i ofron jeta. “Alida” sipas z. Velaj është lloj drame shpirtërore e dy të rinjëve si një lloj pararoje ndaj hipokrizisë dhe kufizimeve njerëzore zhytur në maskën e sistemit dhe ideologjisë së regjimit të dikurshëm. Protagonist i novelës ndjen dyzim në shpirt e karakterin e tij. Ai ëndërron fatin jetësor në të i lidhur këmbë e duar nga sfidat e shekullit. Protagonisti i novelës i gjendur në mes të dy dashurive asaj idealiste ndaj Alidës dhe dashurisë spontane ndaj Lilit, përjeton ferrin Dantesk të dilemave, sfidave e përballjeve në raport me diktaturën e proletariatit, e cila dinte ta diktonte edhe vullnetin rinor, frymëmarrjen dhe ëndrrën e të riut përse jo edhe shtigjet e dashurisë” – citoi në kumtesën e tij z. Mëhill Velaj.
.
Diskutimi në "Vatër" i dy librave të Dine Dines...
Diskutimi në “Vatër” i dy librave të Dine Dines…
Editori i Diellit z. Dalip Greca tek analizoi dy librat e Dine Dines, ndër të tjera tha se “…autori me krijimtarinë e tij të pasburgut, vjen me dëshmi autentike të Diktaturës më mizore që ka njohur Shqipëria, dhe jo vetëm, duke sjellë prova të pakontestueshme se diktatura burgosi jo vetëm Dinen, por dhe shpirtin e tij krijues, Letërsinë, edhe pse letërsia e tij erdhi bashkë me lirinë… pas dënimit. Sipas z. Greca “Alida” përbën një rrëfim që i ka të gjitha elemntët, dashurinë e pastër si ndjenjë sublime, ka lirizmin e rrëfimit, idealizimin në perfeksion të dashurisë si nocion. Nga autori, Alida pikturohet (jo me penel, por me magjinë e fjalës) si diçka e përsosur, e paarritshme, mitike dhe tokësore njëkohësisht, me bukuri të pakrahasushme, me sytë blu. Shpirti artistik i rrëfimtarit fisnik, e ka stolisur atë në mënyrë të tillë, që ta ruaj edhe nga vetja. Është një dashuri që të sugjestionon. Greca analizoi thuajse të gjitha tregimet dhe novelën e “Turisti” të librit “Gjyqi i Shopenhauerit” si dhe pesë rrëfimet e bashkëautores së librit, Adriana Dine. Ai u ndal në stilin e veçante të autorit, në punën këmbëngulëse me detajin, si dhe gjuhën individualizuese të personazheve.
Rrëfimi “Shpirti i një nënë” i Adriana Dines, kushtuar nënës së Dines – Sulltana Dine Kaziu – është një monument shpirtëror për një fisnike të rrallë, që Adriana, duket se ka qarë edhe kur e ka shkruar. Është një përkushtim i ndjerë që përcjell jo vetëm dramën që mbart ajo nënë, por edhe dramën e vet Adrianës. Rrëfimi “Nga ferri” i Qafë Barit te “parajsa” e një familje qafbarase… ka aq shumë dramaticitet e realizëm sa e ke të vështirë të analizosh. Mendoj se të pesta rrëfime e Adrianës do të ishin të denja për t’u përfshirë në antologji në shkollat e mesme të Shqipërisë!” – përfundoi kumtesën e tij Editori i Diellit.
Moderatorja e promovimit, gazetarja Marjana Zeneli Bulku deklaroi se letërsia e burgut prodhoi kolanën e saj të autorëve të cilëve edhe pse ju mohua e drejta, e deshën dhe mbrojtën atë, edhe pse ju mohua fjala, e gdhendën bukur atë në letërsi e gazetari, edhe pse ju mohuan shkollat dhe edukimi, e vetkrijuan atë si autodidaktë dijesh, gjuhësh, literaturash që njohin në mënyrë ekselente gjuhën universale atë të paqes e fisnikërisë, çka ishte e huaj dhe e urryer për mynxyrën komuniste që shpiku ndarjen dhe përçarjen, izolimin dhe persekutimin, luftën e njeriut nga njeriu; vëllai, miku e shoku, burgun, frikën, dhunën, injorancën duke e shndërruar në viktimë të kohës jo vetëm individin, por një shoqëri të tërë.
Sipas gazetares Marjana Zeneli Bulku, Vatra ka rastin që lirinë e letërsisë së burgut ta shndërrojë në pjesë të asaj kombëtare si ndjesë dhe reflektim e pse jo edhe si iluminim të ndërgjegjes dhe arsyes çka përbën trurin e çdo akti veprimi e ndërveprimi në të ardhmen tonë këtu dhe atje për të mos përsëritur një të kaluar që ende kullon plagë. Sipas gazetares Marjana Zeneli Bulku te novela “Alida” nuk mungojnë analizat e thella të ndërgjegjes, përshkrimet plot detaje reale hera-herë sarkastike ndaj një Shqipërie-burg që dhunonte tërë shoqërinë, duke ndërtuar kaq shumë burgje edhe të ndërgjegjes, kampe internimi dhe kufinj mes shqipëtarësh ku gjysma ishte përtej telash ndërsa gjysma tjetër mbeti në tentativën konstante për t’i kapërcyer ato, pak a shumë e njejta situatë siç është edhe sot” – përfundoi ajo.
Shkrimtari i mirënjohur Visar Zhiti, në letrën e tij përshëndetëse më rastin e promovimit është shprehur se Dine Dine përfaqësonte njerëzit më të denjë në qëndresën antikomuniste në burg dhe ishte një luftëtar i papepur i së keqes. Sipas z. Zhiti novela “Alida” është një novelë e shkëlqyer jo për dashurinë, por për pamundësinë e saj dhe fiksimin e pashpjegueshëm erotik si patollogji, me sfond vuajtjen në internime dhe burgje të rrëfimtarit. Kjo novelë sipas z. Zhiti të kujton rrëfimet alla Turgeniev e Cvajg, një klasicizëm që autori e ndiqte me ëndje dikur si letërsi e ndaluar. “Pathosi dhe e çiltërsia, moskokëçarje ndaj të vërtetës, dënimeve, familjes, etj janë përqendruar në një obsesion, që i tutet arritjes së një dashurie reale, duke e besuar këtë si dashuri dhe kështu iluzioni Alidë bëhet më fortë. Dine Dine tashmë është autor në letrat e ditëve tona. Unë sapo kam botuar librin “Kartela të Realizmit të Dënuar” një studim i gjerë mbi letërsinë që erdhi nga burgjet dhe internimet, e autorëve të dënuar, që vazhdojnë e shkruajnë dhe tani, pra të një letërsie theksoj se: “Letërsia e Realizmit të Dënuar” nuk erdhi që të zëvendësojë letërsinë shqipe, por për të sjellë vetveten, ato të vërteta të munguara, për të cilat letërsia ka aq shumë nevojë. Emrave të shkrimtarë të dënuar, një pjesë mizorisht si asgjëkund tjetër, me pushkatim nga regjimi gjakatar apo autorë të çmuar që janë shuar burgjeve, veprat e të cilëve e nderojnë letërsinë shqipe, që tregojnë se ajo qëndroi dhe dha vlera kombëtare” përfundoi fjalën e tij përshëndetëse në letrën e dërguar shkrimtari i mirënjohur Visar Zhiti.
.
Dine &Adriana Dine - Gjyqi i Shopenhauerit - Tregime dhe Novela
Dine &Adriana Dine – Gjyqi i Shopenhauerit – Tregime dhe Novela
Gazetari i Diellit Sokol Paja deklaroi se letërsia që na sjell Dine Dine është një letërsi morali, qëndrese, homazhi, kujtese dhe shprese. Në librat e tij heronjtë kryesorë janë bashkëvuajtësit e tij, njerëz të mrekullueshëm dhe fisnikë të cilët vuajtën padrejtësisht persekutim të pashembullt, veçse donin lirinë. Letërsia e Dines vjen e përsosur në gjuhë, rrëfime të gjalla që të mbërthejnë deri në fund të tregimeve, dhe shquhet për estetikë të lartë. Në letërsinë e Dines tha z. Paja dallohet një botë e shkëlqyer shpirtërore e autorit çka refleton betejën me sistemin totalitar që synonte të shkatërronte përveç trupit edhe shpirtin e të burgosurve. Bashkëvuajtësi i Dine Dines…
Lek Mirakaj rrëfeu vuajtjet së bashku me Dinen në kampet e Beratit, Tepelenës, Porto Palermos ku ata ishin fëmijë të vegjël e deri në internim. Ai kujtoi jetën në Savër ku jetesa e të persekuturve ishte në kushte çnjerëzore. Leka deklaroi se Dinen do ta kujtojë si një njeri të ndershëm, e krijues fisnik. Ky njeri ishte artist dhe në vitet më të tmerrshme në burgjet komuniste. Bashkëvuajtësi i Dine Dines në Savër të Lushnjës, Mark Mrnaçaj u ndal dhe solli në vëmendjen e të pranishmeve kujtimet në internim me familjen e Dine Dines ku deklaroi i prekur se xhaketën e parë që kishte veshur ia kishte qepur nëna e Dine Dines.
Veiz Belliun tregoi shpirtin artistik të Dine Dines dhe mbi të gjitha u ndal te fakti se si Dine kundërshtoi dhe refuzoi me përbuzje sigurimin e shtetit. Asllan Bushati në kumtesën e tij kushtuar novelës “Alida”, u ndal te cilësia e letërsisë që sjell shkrimtari antikomunist Dine Dine.
Në fund të promovimit fjalën përshëndetëse dhe përmbyllëse e mori shkrimtari Dine Dine, i cili shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë pjesëmarrësit dhe u shprehu falenderim për vlerësimet që mori për librat e tij.
Në fund të promovimit, Mark Mrnaçaj bashkëvuajtës në Savër të Lushnjës me shkrimtarin Dine Dine në shenjë nderimi dhe kujtese për kohën e kaluar së bashku në internim, shtroi një koktejl surprizë dhe shumë emocionues për vetë shkrimtarin Dine dhe gjithë miqtë e pranishëm. Ishte nje koktejl i pasur me ushqime e pije, ku u ftuan edhe mësuesit e nxënësit e shkollës shqipe “Children of the Eagel” me themeluese dhe drejtuse zonjën Drita Gjongecaj. Shishet e verës ilustroheshin me ballina e librave “Alida” dhe “Gjyqi i Shopenhauerit”.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.