back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Letërsia e migracionit – Gëzim Hajdari ende i pastudjuar… Lili Sula

Gazeta

Gezim Hajdari - Corpo Presente 2000
Gezim Hajdari – Corpo Presente 2000

Letërsia e migracionit –

Gëzim Hajdari ende i pastudjuar…

Lili Sula*

Krijimi i një poetike të së ndryshmes, të ndërkulturores në mërgim.
Si e sheh studiuesja Lili Sula letërsinë e Gëzim Hajdarit.
“Ai thekson se është e rëndësishme
që ‘kombi’ europian të dijë të jetë një ‘botë reale’,
ku të bashkëjetojnë të gjithë”- shkruan autorja.

Lili Sula
Lili Sula

Letërsia e migracionit nuk është një fenomen i kohëve të fundit; vende europiane me të kaluar koloniale të rëndësishme, shënojnë shkrimtarët e brezit të dytë a të tretë. Te ne, letërsia bashkëkohore e migracionit është dukuri e re që mori trajtë me hapjen e Shqipërisë, me valët migratore të viteve ’90.
Krijimtaria artistike e shkrimtarëve tanë, që jetojnë dhe shkruajnë në shtete të tjera, është pak e njohur e thuajse aspak e studiuar (ndërkohë është e vlerësuar dhe e studiuar nga kritika e huaj) edhe përbën një fakt të padiskutueshëm letrar e kulturor, po aq sa dhe një fushë të rëndësishme studimi.
Veprat e para të autorëve migrantë dominohen nga autobiografizmi: rrëfehen faza të ndryshme të udhëtimit drejt destinacionit të dëshiruar.
Shpejt, në raport të vijueshëm refuzues ndaj kulturës së ligjërimit burimor, autorët migrantë kalojnë në forma poetike shumë më të përpunuara; ata përdorin gjithnjë e më natyrshëm gjuhën e vendit pritës, gjuhën e “Huaj”. Tema e “ikjes” zhvendoset më shumë në rrafsh ligjërimor si: shpëtim, liri e pasuri artistike.
Për F. Sinopolin (Poesia dell’esilio, Itali 2010, f.95) dimensioni më i qenësishëm i poetikës së letërsisë së migracionit qëndron te lëvizja e brendshme, te migrimi i brendshëm, vertikal dhe i shtresuar, që ndërton e sjell vlera të rëndësishme në përvijimin dhe hetimin e ubi consistam të një poetike transitore, të një poetike që krijon subjekt/ tekstin dhe receptues të papërcaktuar.
Është fjala për krijimin e një poetike të së ndryshmes, të ndërkulturores kundrejt poetikës nacionalcentriste, të një modeli dhe veprimtarie të qëndrueshme brenda letërsisë dhe kulturës sonë nacionale, përvojë kreative që perceptohet si e Huaj, si e Tjetrit.
Gëzim Hajdari është poet biling dhe përfaqëson një nga autorët më të spikatur të letërsisë së migracionit.

Gezim Hajdari i ri
Gezim Hajdari i ri

U largua nga Shqipëria në 1991, pas një periudhe të vështirë jete nën regjimin komunist. Në Tiranë ka botuar përmbledhjen “Antologjia e Shiut”, 1990, po pas vendosjes në Itali, ku kreu studimet në Letra Moderne, në Universitetin “La Sapienza”, të Romës, publikoi mbi 20 vepra në dy gjuhë, shqip e italisht, si: Ombra di cane/ Hije qeni, 1993; Sassi contravento/ Gurë kundër erës, 1995; Corpo presente/ Trup i pranishëm, 1999; Erbamara/ Barihidhër, 2001; Stigmate/ Vragë, 2002; Spine nere/ Gjemba të zinj, 2004; Maldiluna/ Dhimbjehëne, 2005; Poema dell’esillio/ Poema e mërgimit, 2005; Peligòrga/ Peligorga, 2007; Delta del tuo fiume/ Grykë e lumit tënd, 2015, etj.
I patrajtuar dhe i pastudiuar, e thuajse i palexuar në Shqipëri, vepra e Hajdarit ka tërhequr jo pak vëmendjen e kritikëve të huaj, ku veçojmë tre libra me përmbledhje studimore e monografi, si dhe disa teza doktoraturash e shumë tema diplomash universitare. Krijimtaria e tij poetike qarkullon në disa gjuhë (italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht etj.) dhe është vlerësuar me çmime letrare, ndër të cilët: “Eugenio Montale”, 1997; “Fratellanza nel mondo”,1999; “Scritture di frontiere – Umberto Saba”, 2000; “Multietnicita”, 2006 etj.
Është një ndër autorët shqiptarë me veprimtari të spikatur në qarqet letrare italiane e ndërkombëtare e një nga poetët tanë më të ftuar në konferenca e ligjërata universitare në Europë, Amerikë, Afrikë etj.
Në krijimtarinë 25-vjeçare të poetit dallojmë dy vëllime poetike, që besojmë përfaqësojnë dy faza të veçanta të krijimtarisë së tij: Corpo presente/ Trup i pranishëm (1999) shënon kalimin nga poetika autobiografike tek ajo kreolizuese dhe Delta del tuo fiume/ Grykë e lumit tënd (2015) karakterizohet nga poetika ndërkulturore e ndërletrare.
Bilinguizmi i vëllimeve të para do të transformohet dalëngadalë në plurilinguizëm në vëllimin e fundit Grykë e lumit tënd, që del jashtë kufijve të ekzilit italian, në formën e një gjuhe të përzier, kreole deri në formimin e “Lingua franca” (gjuhë universale), që lind si nevojë për të komunikuar gjuhën universale. Grykë e lumit tënd, në dukje një udhëtim artistik ekzotik, paraqet udhëtimin poetik të krijimit të një atdheu tjetër, jashtë kufijve kohorë e hapësinorë të poezisë tradicionale.

Shkrimtari Gëzim Hajdari te varri i paraardhësve në Vendlindje
Shkrimtari Gëzim Hajdari te varri i paraardhësve në Vendlindje

Autobiografizmi i veprave të mëparshme, zbulimi i Vetes dhe i Tjetrit plotësohet e shtresohet me rrokjen e një game komplekse raportesh dhe me vetëdijen krijuese e ideologjike, që artikulohet në ligjërim të dyfishtë e të shumëfishtë të fuqishëm, që kapërcen Veten e bëhet pjesë e Tjetrit, e të gjithëve.
Të udhëtosh për të qëndruar te të Tjerët, si Tjetri mes të Tjerëve, si udhëtar i lirë i botës, atdheu i të cilit është vendi ku mund të jetohet me dinjitet, përfaqëson formë kreole të ezilit. Poeti “pa atdhe” e “pa shtetësi” kalon urën e dëshpërimit, vetminë e ankthin për t’iu dhënë aventurës, duke marrë statusin e metisit kulturor. Uni poetik braktis rolin e ndërmjetësit që luan te “Trup i pranishëm”; ai zgjedh të shkrihet me Afrikën në dhomën e zbrazët të së cilës vallëzojnë shpirtrat e savanës që i çshenjtërojnë Verbin.
Këtu nuk shtrohet më thjesht çështja e ndikimit dhe marrëdhënieve, por ajo e krijimit të poetikës kreole ndërkomunitare, që përballet me atë europiane në një katarsis dekolonizues që, për analogji, në rrafsh ideor do të nyjëtonte një Europë të “kolonizuar” nga popujt e Afrikës; një “revansh të bukur” ligjërimor artistik (T. Todorov, Konkuista e Amerikës, f.298), që lidh e strukturon stacionet e shtegtimit të poemës për Afrikën.
Ndryshe nga pesha e Gurit identitar në kërcitje të vazhdueshme gjatë përplasjes me tjetrin (Trup i pranishëm), tek Afrika përthithja thellohet në fitimin e identitetit të ri e në vetidentifikim, si shprehet subjekti lirik: humba emrin tim lindor/…/ Nga dashuria për ty jam bërë Afrikë. Në reaksion konstant me Europën, rospi e vjetër me huqe, Lamtumirë Europë e gjakut të derdhur në emër të kufijve vrastarë,/ shtegtimi hajdarian vijon si përvojë zbulimi e migrimi e më fort si ndërgjegje “pushtimi” ligjërimesh poetike: Do t’i vë zjarrin gjuhëve të vjetra gjithë ndryshk/ do të xhvas nga shpina identitare nënshtetësi dhe atdhera-njerkë.
Tek Afrika zgjerohet gjithnjë e më shumë pasuria kulturore e poetike dhe zëri i vetmuar socializohet e solidarizohet në vetëdijen artistike, që zbulon e bashkon botët përmes përvojave ekzistenciale nga më të ndryshmet në një ligjërim kompleks e të përpunuar, duke i hapur horizontin e pritjes lexuesit global.
Zgjerohet gjeografia e udhëtimit, me toposë afrikane, me të kaluar koloniale, si: me Kongon, Saharanë, Baharin, Sudanin, Ugandan, Kenian, Marokun, Malin, Etiopinë, Vietnamin, për t’u ndalur: “Në kufi me Kinën, ballë rojve të kuq/ nën hijen e Murit të Madh,” në ligjërim polifonik e ideologjik të revoltuar, që denoncon padrejtësitë.
Thellohet rrafshi vertikal, nga paganizmi në kohët moderne, në shtegtim sinkretik kulturor e ligjërimor, nga një atdhe te tjetri, në kërkim të gjuhës zanafillore që krijohet nga shkrirja e “Gjuhëve në gjuhë universiale-primordiale, – siç shkruan G. Linguaglossa, – e vetmja që mund të mirëpresë këngën e shtegtimit” (Prefazione: Delta del tuo fiume, Roma, 2015, f.7). Poeti preferon jo thjesht të ndërfusë gjuhë të “re” po t’i kombinojë e t’i ndërkallë ato si perspektivë e përbashkët artistike e sociologjike. Ja procesi i kreolizimit: “Si baticë e Zanzibarit përparonte e zeza jote zezake,/ përmbyste vargjet e mia të huaj,/ në dunat e dëshirës tënde, si vera e Shirazit…”
Pasurohet ligjërimi duke miksuar idioma e forma gjuhësore të vendeve të ndryshme, nga antikiteti e politeizmi (Uliksi, Medea, Circia, Penelopa, Jutbina, Bjeshkët e Nemuna, Zana, Orë e Xhind) me mitin, legjendën e baladën (Përtej Urës së Qabesë etj.) me poetë e filozofë të Lindjes (Saadi e Hafiz, Krishan Çandar, Rajnesh Osho, Li Bo, Du Fo etj.) dhe rrëfimin e riteve fetare e njerëzore, sa të krijohet përshtypja se po lexon shkrime për Afrikën:
“Përshkojmë territore shterpë me gjysma hëne/ për ta braktisur Jemenin herët në agim/ para thirrjes të muezinit për falje…” Konfigurohet e ndërtohet kështu identiteti letrar e kulturor përmes një ballafaqimi të vijueshëm me cilësitë e fituara të popullit tjetër, me gjithë ndikimet e pësuara në kohë, që trupëzohen si kushte ekzistenciale jete dhe poetizohen: nga balta jote ripërtërihet fisi njerëzor.
I shkrirë me Afrikën e verbin e saj, poeti gjen te femra objektin fizik e artistik të parrokur e të pakënduar më parë. Zbulues e “pushtues” këndelljesh hiresh femërore, që gjenden shpesh në vëllimin poetik, subjekti kulmon në poemat “Grykë e lumit tënd” e “Rojë e verës sime”, që përfaqësojnë raportin seksual femër-mashkull në një shkrirje sensuale dhe erotike kre(ol)ative: “…jam duna jote/ ikja jote/ kur ti vdes tek unë, unë ringjallem tek ty…”
Nëse migrimi i ligjërimit shqip te ligjërimi në gjuhën italiane, në një raport ngërthyes me Gurin (verbin), i ngjashëm me shtegtimin nga periferia në qendër, përfaqëson fazën tranzitore të kreolizimit (Trup i pranishëm), shkartisja e ligjërimeve e plurilinguizmi me tregues të gjuhës enciklopedike ndërton poetikën kreole, e kjo i jep liri G. Hajdarit të rimarrë procesin e krijimit poetik, në thelbin e vet më të qenësishëm, si një marrëdhënie origjinare, të njeriut (fshatarit) me tokën.

Gëzim Hajdari - para shtëpisë ku lindi Hajdaraj - Lushnje 2012
Gëzim Hajdari – para shtëpisë ku lindi Hajdaraj – Lushnje 2012

Fshatar i poezisë strukturohet në një ligjërim imperativ e programor që “rrëfen” e modelon manifestin jetësor, artistik e ideologjik të autorit, si një perspektivë poetike vetjake e sociale, qartësisht të angazhuar.
Poezia i bindet misionit, sepse për poetin, kreolizimi nuk mund të jetë vetëm ligjërim poetik panafrikan po mirëfilltësisht përkatësi e ideuar ekzistence: “[…] të jesh fshatar i poezisë do të thotë të krijosh çdo ditë një atdhe të ri në lëkurën tënde me majën e thikës e të vdesësh në një tjetër vend [..] të jesh fshatar i poezisë do të thotë të jetosh tek të tjerët [..] të jesh fshatar i poezisë do të thotë të jesh një i huaj në kalim…”
Armando Gnisci (Creolizzare l‘Europa. Litteratura e migrazione, Roma, 2003, f.9) e sheh letërsinë e migracionit si një fenomen raportesh mes botëve të botës. Shkrimtarët migrantë nuk i përkasin një, dy ose më shumë kombeve po një rrjeti raportesh, të formuar nga valët e migrimit transbotëror, pra një forme të re kulture, interkulturore, asaj të kreolizimit planetar. Fenomenet lokale e globale të takimit të kulturave përmes migrimit, shkrimtari i Karaibeve E. Glisant, i vlerëson vetëm në gjuhën kombëtare me të cilën poeti vendos të ndërtojë “shtëpinë e tij të dyfishtë” në kuptimin e një jetë të re në shtëpi, pas shizmës së migrimit, jetë e re në të cilën historia dhe arti transmetohen sot dhe në të ardhmen përmes një gjuhe të re, metise, siç e quan ai.
Sheshet popullore “bankarelat”, “pazaret” bëhen hapësira e përsosur e evokimit të gjuhëve të përziera, të gjuhëve metise, që bartin kulturën origjinare dhe atë të kolonizatorit: “…midis zhurmave dhe zërave në frëngjishte e në bambàra të peshkatarëve të lumit Nixher”. Pikërisht aty, poeti fekondon krijimin e tij të një “Burri/ Njeriu ezilant”, me tharmin e forcës konstruktive të ezilit vetë, në kushtet e idealit të përbashkët politiko-kulturor për Europën.
Zëdhënës i dukurisë së migrimit, Hajdari thekson se është e rëndësishme që “kombi” europian të dijë të jetë një “botë reale” ku të bashkëjetojnë të gjithë. Raportet me tjetrin konfigurohen në një tipologji të veçantë (të kundërt me atë të fazës kalimtare), nëse do të mund ta quanim me “asimilim” të pakushtëzuar të përqafimit të vlerave të Tjetrit, barazimi i tjetrit me veten që shkon në vetidentifikimi, duke i imponuar imazhin e vetes (Todorov, f.229). Një variant i ri i dashurisë për tjetrin, që është i ngjashëm me veten, një dashuri rrezatuese ku secili ka vlerat e veta e diversiteti gjen unicucus-in e vet të përbashkët.
Marrë nga http://www.panorama.com.al/sport

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.