back to top
19.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Letërsia minore… Refleksione letrare nga Emrije Krosi

Gazeta

Arti i të shkruemit...
Arti i të shkruemit…

Letërsia minore…

Refleksione letrare nga Emrije Krosi

Çfarë është letërsia “minore” si term, nuk ka ndonjë shpjegim, sepse lidhet më shumë me studiues minorë, me shkrues “minorë”, që shumë herë lidhet edhe me gjuhën minore në letërsi, që nënkupton një gjuhë të thatë, pa pasuri leksiko-stilistikore. Por, si term, përdoret fjala “minore” për letërsinë e vogël, minore të papërfillshme, që padyshim ka një zhvillim shumë të madh, pasi është një letërsi që po zë tregun kryesor sot, të librit shqip. Në nivelin e studimit të kësaj letërsie nuk ka ndonjë studim të tillë, (as brenda dhe as jashtë), por veprat letrare, nuk kanë përcaktesa “të mëdha” apo “të vogla”, sepse në kuadrin e studimeve letrare nuk ka ndonjë formulë të përcaktuar mes shkrimtarisë dhe letërsisë. Sipas kritikut frëng (Roland Barthes) për studimin e letërsisë, ka disiplina të ndryshme me objekt e metodë të ndryshme, kur objekti është krijimi letrar, kurse metoda, është kërkimi psikologjik (Barthes: 2002: 179), prej të cilave marrëdhënia mes njeriut të zakonshëm dhe artistit janë shumë të ndryshëm, se ky i fundit pasqyron përmes imagjinatës artistike, ku shumë herë krijuesit, historikisht, që nga lashtësia janë edhe anonimatë, edhe minorë, edhe individë me fuqi hyjnore artistike dhe krijuese, sepse edhe ato krijues, janë shprehje të një kolektiviteti të caktuar. Më përtej, kësaj trajtese, ku vetë termi “minor” flet për një letërsi më të vogël (jo si moshë), por krijues që nuk mund të dalin në sipërfaqe, por janë “nën tokë”, se vetë libri ka humbur interesin e lexuesit, sipas (Bashkim Hoxhës), për një lexues me inteligjencë dixhitale (Hoxha: 2023), tek romani “Dimri i librave”, që shkruan me të drejtë.

1.Letërsia minore vs letërsisë madhore

Letërsia nuk ka një vijë fundore, apo dhomë të mbyllur. Çdokush, është i pranuar nëpër labirintet e saj. Përfaqësimi letrar, definohet kur përzihet me rrëfimin (në kuptimin më të gjerë), nuk reduktohet dot vetëm në narrativë, por edhe përmes përshkrimit, sepse kundërvënia ndërmjet përshkrimit dhe rrëfimit, është një nga tiparet nga më të mëdha të vetëdijes sonë letrare (Zhenet:1985:56). Operacioni letrar, përmes aktit të përfaqësimit verbal, nëpërmjet logos e lexis, nuk përjashton askënd. Edhe pse poezia lirike është imitim, ajo i kushtohet krejtësisht ndjenjave. Se ndjenja është materia e saj, objekti i saj thelbësor, një mundësi e thjeshtë, e shprehjes fiktive, në një fiktivitet thelbësor të ndjenjave, që nuk ka dallime thelbësore; “letërsi e lartë” apo “letërsi e ulët”, ose më mirë, minore. Këto lloj procesesh i atribohen poetikës së tekstit, që nga koha aristoteliane. Nocionet e elementeve dominuese parësore, brenda një vepre letrare, përfshijnë edhe elementin joletrar, sepse dallimi mes “mjetit” dhe “funksionit”, mbetet gjithmonë letrarja
(Jeferson & Roby: 2006:51), që përsëri nuk ka ndonjë dallim mes letërsisë minore dhe asaj madhore, se përsëri lënda kryesore është letërsia (çfarë përfshin ajo brenda saj). Në logjikën e saj letërsia i jep atributet shoqërisë, edhe në marrëdhënien mes tyre, sipas (De Bonaldi-t), se letërsia është shprehje e shoqërisë (Wellek & Waren: 2007:95). Diskursi poetik i përditësisë, si konceptim abstrakt i botës, në formën e një ekstaze mistike universale, ku bota surreale dhe absurde, përmbys postmodernizmin, nëpërmjet ridimensionimit, kryesisht të botës femërore që “i dorëzohet” qenësisë së saj poetike, se perceptimi i poetikës është një përmasë nga realiteti (Chandler: 1990: 52). Por, realiteti i letërsisë, në Shqipëri, ka ndryshuar totalisht. Letërsia minore (e vogël), por edhe ajo e madhe, ka më shumë elemente femërore, por ky element dominion letërsinë minore sidomos. Duke shpallur “testamentin e feminizmit”, për hetimet e tyre të thella, të imta, të vogla, shikimi i jetës përmes një gjinie të caktuar të cilat trajtojnë temat e dashurisë, të dëshirave, të lakmive të femrave, si dhe pikëllimet, vuajtjet dhe zhgënjimet e tyre, do ishte natyra femërore “terra incognita” (tokë e panjohur) e femrës, gruaja e klasës së mesme po merret gjithnjë më shumë me shkrime (Woolf: 1925: 265). Gjithnjë e më shumë poezia, letërsia dhe arti në Shqipëri po femërizohet, pasi mentaliteti akoma patriarkal e ka asgjësuar lirshmërinë, çiltërsinë, mendimin, shkrimin poetiko-letrar femëror në Shqipëri. Në këtë përballje, do sjell ca emra që vërtetë janë në kufirin e letërsisë “minore”, por tematikat, problematikat, estetikat letrare, maten me lexuesin përmes cilësisë (dhe pse nuk janë emra të mëdhenj) i kanë shenjuar tashmë ato, në disa lëmi që lëvrohen çdo ditë, por përmes unit individualist që spikat:
-uni individualist në poezinë lirike të paradoksit dhe absurdit modern, vjen përmes një poeteje me një poezi të veçantë si ajo e (Suzana Malaj). Ndërthurja i elementeve mitologjike të asaj klasike dhe shqiptare, deri tek paradoksaliteti i shoqërisë, akoma patriarkale shqiptare, që thyhet përmes vargjeve: nga muret e Trojës tek muret mentale është një histori e gjatë murimi,/ se frika ka sy të mëdhenj./ Ka mure me gurë të rëndë,/ mure me frëngji të vogla ku drita të hyjë e pakët (Malaj: 2021). Poetja zgjedh metaforat, për të “rrëzuar muret”, ato muret tona të vogla të përditësisë, muret e shpirtit, muret e mendësisë, muret e ankthit, muret e frikës që nuk mund t’i kapërcejmë duke ndërlidhur mitologjinë me modernitetin tonë;
-uni individualist në poezinë lirike të klithmës kundër dhunës, ndaj femrave që dhunohen sistematikisht, përfaqësohet nga poetja (Barie Çupi – Boba), që nuk mund të quhet minore, por e shpëfillur nga ata që lëvrojnë letërsinë “e lartë”, përmes një metafore të fortë nga cikli poetik “Ej, ti grua”, me vargjet: “ej ti motër,/ vajzë,/ grua,/ femër,/ nënë… / dikur të njihja ndryshe,/ tani pas të jam vënë,/ të të mbroj,/ të të shplodh,/ me hijen e bukurisë tënde vargje të stiloj,/ me dritën e shpirtit, pa kushte të frymoj,/ me mirësinë e gjuhës, kotësinë të braktis,/ hapësirës të perëndoj,/ pa delire të nxitoj/, nuk kam kohë të pushoj…” (Çupi: 2022: 10), poetja rrëfen përditësinë e saj, përmes dhunës, një fenomen mjaft i njohur dhe i mirëfshehur në realitetin shqiptar, mëshimi estetiko-poetik përmes vargimit, të kësaj plage socio-shoqërore, kundër baltosjes së figurës së femrës, lartohet përmes penës femërore, kundër botës skllavëruese të heshtjes në shoqërinë patriarkale mashkullore shqiptare;
-uni individualist në poezinë lirike të humbjes dhe dhimbjes, vjen përmes një poeteje
shumë interesante, (Nezi Plaku – Velaj), në librin “Poema e Lotëve”, se fati e detyroj të rritej/ piqej/ martohej nëpër kampet e internimit (pasi i ati ishte i pushkatuar). Dhimbja buron përmes vargjeve: gulçon thirrja ndër vitet e pluhrosur,/ Shkallmon muret e kështjellës së gurtë/ Shpirti gulçon dallgën e trazuar të dhimbjes,/ Netëve, më shfaqet si përbindësh, vrasësi i babait tim (Plaku: 2022: 105). Ajo, akoma nuk ka gjetur eshtrat e të atit, që të ketë një varr për ta qarë, një varr për t’i hedhur pak dhé. Udhëtimi përmes lirikave të shpirtrave të trazuara femërore, ylberet e jetës herë me ngjyra herë bardhezi, nuk “tundohen” nga monotonia e jetës, duke shpërfaqur mijëra metafora, krahasime dhe analogji. Kryetema ose kryemetafora e gjithë këtij cikli është dhimbja, një dhimbje poetike e ngritur përmbi kultin e Unit poetik, shkallshmërisht, sjell zërin individualist, që ka endur fijet e jetës, dashurisë, guximit, triumfit, mirësisë, sakrificës, shpirtdlirësisë së autores, (në moshën pesëdhjetëvjeçare është diplomuar për drejtësi, madje shumë mirë);
-uni individualist në poezinë lirike erotike, përmes një poete si (Mimoza Eliana Osmani) si dhe (shumë të tjera), ku erotika e saj gjallmon nëpërmjet idilikes, përrallores dhe dashurores duke ngjizur kaq bukur, motivet nga erosi popullor i zonës së Labërisë, përmes vargjeve: ti nuk e prisje se do vija/ Si lule shkurti buzëpranvera/ Në buzë ende ka mbetur shija/ e saj putheje mjaltë-sheqer (Osmani: 2022:14), ajo nuk rresht t’i shkruajë bukurisë së femrës tek të gjashtë librat e saj, t’i këndojë dashurisë, asaj dashurie që përtej ngjyrave, herë-herë derdhet edhe në sfondin bardhezi, nga smira, zilia, urrejtja, pabesia, tradhëtia etj.;
-uni individualist në poezinë lirike të vetëvetes dhe atë të përshkrimit, ku një poete
minore, (Mercedes Gega), me librin “Frymëmarrje gruaje”, shpirtëzon lirikën e përshkrimit të natyrës dhe elementeve meditative, dhe herë-herë dhe me elemente të një poezie filozofike dhe mendimtare, përmes vargjeve: ra dhe gjethja e katërt këtë mëngjez/ Gushës së tokës iu bë hajmali/ Aromë vjeshte vesh trupi në ditë të re/ Aromë frutash përzjerë me dashuri, (Gega: 2022: 14). Përshkrimi i kohë-ditës si: mëngjezet/ mbrëmjet/ stinët/ ditët/ mund ta quajmë atë “një poete natyre”, ku meditimin e ka si motivin e saj parësor. Në këtë rradhë, vjen edhe një tjetër poete, por në një hapsirë dhe shtrirje më të gjerë, sidomos në tematikat sociale, siç është (Teuta Biçaku), me librin “Gjysmëpagëzuar”, ku ndërthuren shumë elemente, ku Uni Individualist, kërkon të përrokë hapsira të reja, por ajo duhet të mbështetet tek vetja e saj , përmes vargjeve: të dija të fortë vetja ime, por s’po të njoh…/ Të të jap një ndihmë a vend s’po mund./ Provo të paktën të bëhesh ”askushi”/ mbase se siguron një fron në “askund” (Biçaku: 2022: 125). Pra, autorja kërkon të identifikojë veten, në letërsinë minore, që nuk është aq minore, sepse vargu i saj, është maturuar, për të qenë “e madhe”;
-uni individualist në poezinë lirike të satirës dhe denoncimit, një zhanër letrar, ku
ironia dhe sarkazma, janë topose të modernitetit në poezinë e sotme shqipe. Imazhi gjuhësor, luhet me paradoksin, që merr përmasat e alegorisë ku “lexuesi” i ikën realitetit të përgjumur me frymë toksike moderne, përmes satirës. Një ironi e pastër e poetit dibran (Demir Rusi) me plot dhjetë libra (10), akoma mbetet një poet minor, kur tematika e tij, denoncon fenomenet aktuale socio-shoqërore, që “zymtësojnë” realitetin shqiptar dhe jo vetëm, përmes vargjeve: zullumi po trashet për ditë po shtohet/ Kështu si po ecët gjatë nuk kalohet/ Shpresa vetëm gjallë po na mban/ Lutemi Zotit t’na bëj derman (Rusi: 2022), ku mjegullnaja e vesit, e ligësisë, korrupsionit, urrejtjes, dhimbjes, mëshirës, imoralitetit, pangopësisë, është një plojë, që mbulon çdo mirësi, shpresë, vlerë, çiltërsi njerëzore. Një realitet, jo vetëm i sotëm, që ka “pisur” dhe “përbaltur” shoqërinë. Një tjetër poete, që përmes poezisë, me forcë denoncon çdo fenomen negativ, është (Lela Qejvani) me librin “Ajo natë”. Fenomenet shoqërore dhe sociale, që i ndeshin çdo ditë, ku njeriu “fsheh veten”, ajo i denoncon fuqishëm përmes vargjeve: pallate betoni/ Rrugë betoni/ Shtëpi betoni/ Politikanë betoni/ Popull betoni (Qejvani: 2023: 82). Ky zë proteste, kundër fenomeneve moderne të ndërtimeve me beton, kudo ka beton, ku hapirave të lira po “u zihet fryma”, s’ka më ajër, s’ka më gjelbërim, s’ka më pemë, s’ka më as vend ku të luajnë fëmijët, sendërton një poezi, pak të njohur në Shqipëri, atë të poetëve ambientalistë.
-uni individualist në sprovat romanore, sprova në romanin e (Ardita Lajçi-Gjonçaj) “Hijet që mbesin”, një romanciere e re, por që trajton një temë mjaft delikate dhe akoma tabu në hapsirën shqipshkruese të Kosovës, atë të krimeve të luftës, siç ishte përdhunimi i grave dhe vajzave (Gjonçaj: 2022). Por, ky roman ka një nënshtresë nga mitologjia greke-romake, pse jo edhe nga mitologjia shqiptare, një element që pak trajtohet, atë të rinjohjes/ ritakimit të nënës me djalin apo gruas me burrin. Apo, edhe romani “Kohë për qiri” e (Luftar Pepmarkut), si një ekspertizë e dekodimit të regjimit, përmes kujtesës librore, dhe pse një letërsi minore, autori na “troket” në kujtesën historike para 30-vitesh, kur më shumë se gjysma e shqiptarëve u persekutuan, pa asnjë arsye, vetëm për një fjalë goje, atëhere kur fjala/ shkrimi dhe letërsia ishin të ndaluara (vetëm me urdhër);
-uni individualist në sprovën e romancave, një zhanër ku rrëfimet, nuk kanë përcaktesa të fundme. Të ashquajturat “Romanca” të (Pirro Minella Millona), janë firmuar, si financieri romantik (Minella: 2022), janë ngasje, shtysa, ndiesi, rrëfime, kujtime, ndodhi nga përditësia. Autori, ka një memorje fantastike dhe shquhet si një detaist kaq i imët, saqë habitet çdokush, kur bisedon me të;
-uni individualist në sprovën e poezisë atdhetare, përmes poetes së re nga Medvegja,
(Linda Shaqiri), na sjell një tufë me poezi nga vendlindja e saj me titullin: “Zëri im për ty Medvegjë”. Duket se poetja, ka skalitur dhimbjen e asaj pjese që lëngon nga braktisja dhe harresa, siç është Lugina e Preshevës. Ajo kritikon, mungesën e një zëshmërie të bashkimit të kësaj pjese të Kosovës Lindore: “i them lapsit,/ Mos thur ngjyrën,/ Rrjetën mos harko,/ Të jap zërin,/ Të jap frymën,/ Bubullimën që rënkon” (Shaqiri: 2023: 23). Ajo nuk resht së thirruri dhe klithmuar, ndaj harresës së kastës politike gjithëshqiptare, por edhe atyre që thonë: atdheu na mungon! Po si? Ajo na kujtoin se jemi Dardanë dhe se padrejtësia historike na hoqi të drejtën e njësisë tonë gjithëkombëtare shqiptare;
-uni individualist në sprovën e letërsisë për fëmijë, kur kjo letërsi është më e goditura nga mungesat e shkruesve në këtë gjini, që domosdoshmërisht ka në bazë lexuesit fëmijë në çdo moshë. Një shkrues minor, në këtë lëmi është (Bekim Kelmendi), me librin “Ëndërrime”, ku kurreshtja e lexuesit të vogël, gjen veten në artin shkrimor për fëmijë, dhe liria është simbolika e metaforizuar në vargjet: “liria për mua është këngë/ në majën e gjuhës së një bilbili/ …/ liria është për mua gjaku/ I dëshmorëve që prehen në amshim (Kelmendi: 2023:9), ku fëmijët gjejnë mësime dhe këshilla për jetën, për shkollën, për sjelljen por edhe sesi të duan librin, atdheun, vetëveten etj;
-uni individualist në sprovën e shkrimit të fabulave, se çfarë janë në vetvete fabulat,
mjafton të kujtojmë Ezopin me “Dhepra dhe rrushtë”, por sipas RAE (Akademia Mbretërore Spanjolle), fabulat janë (histori të shkurtra imagjinare, në prozë ose vargje, me qëllim didaktik ose kritik të shfaqur shpesh në një moral përfundimtar, dhe në të cilën njerëzit, kafshët dhe qeniet e tjera të gjalla ose të pajetë mund të ndërhyjnë). Fabulat janë gjithmonë të lidhura me tregime për fëmijë. Por, ato “argëtojnë” edhe lexuesin e rritur. Mjeshtri i fabulave në Shqipëri është (Ferit Lamaj), por poeti (Luan Sheshi), shkruan fabula me subjekt kafshët, që ndëshkojnë veset e njerëzve, tek fabula: “Më mirë kal, apo gomar”: për një pyetje pylli në garë,/ më mirë kalë,apo gomarë???/ Sherr-shamatë sallës plot,/qajë me gaz e qesh me lot…/Të parën fjalë ç’e mer pata,/ga-ga-gave me val të gjata./Llap e llap, asgjë s’psomisi,/fill pas sajë një pulë kakarisi./S’di ç’të thoshte, pul e zezë,/ ra në gjunjë dhe bëri vezë./…/Diku tej, nga rrjeshti i tretë,/ngrihet dhelpra, qetë-qetë,/naze-naze, flet si krushkë,/ca më mirë të jesh mushkë. Në fabula gjithmonë ekziston: kritika dhe morali për sjellje të caktuara, ku personazhet kafshë “na japin mësime”, përmes simbolikave të butësisë dhe urtësisë, përmes mishërimit të zellit dhe durimit, kundër nënshtrimit dhe përuljes, si dhe kundër dhunës dhe dinakërisë etj.;
-uni individualist në sprovën e shkrimit të dramës, një dramë mjaft debatuese dhe me
një fabul delikate është ajo me titull: “Familja Teraba” e (Hysen Berishës), që vjen përmes qasjeve:
-qasja e parë, (ajo reale autoriale e fqinjësisë ku autori është pjesë e bashkëjetesës dhe
përditësisë dhe të marrëdhënieve vllazërore mes tyre),
-qasja e dytë, (ajo historike dhe marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, ku fqinjët ishin miq/ familjarë por shumë herë edhe armiq),
-qasja e tretë (konflikti objektivo-subjektiv mes dialogut/ monologut për dramat
kolektive dhe personale të luftës, zhbërjes së gjakut dhe etnisë, përmes elementeve moderne/ postmoderne, humorit, ironisë, sarkazmës dhe groteskut): drama mbart jo vetëm dramë por edhe tension, dhimbje, sepse simbolika e numrit tre (3): “bashkë kta tre mileta, aty nuk ka bereqet. Atje, n’Kosovë as dreqi nuk mund me zan vend, nëse nuk lidh marrëveshje me shqiptara, gabela e shkja…” (Berisha: 20). Një dramë, që fabula ndërtohet mbi personazhe të etnitetit rom (gabel në gjuhën e shqiptarëve vendorëve), ku roli i tyre në luftën e fundit ishte dyzues dhe dyshues, të akuzuar nga shqiptarët etnikë si bashkëpunëtorë në vrasjen dhe dënimet kundër shqiptarëve me serbët, po dhe serbët i kanë akuzuar se kanë bashkëpunuar me shqiptarët kundër serbëve;
-uni individualist në sprovën e shkrimit të prozës së shkurtër, përmes shkrimit të thukët,
një mënyrë të shkruarit të tregimeve të shkurtra, kanë fabula ku jetësohen motivet e përditshmërisë njerëzore. Një model i tillë shkrimi, vjen nga tregimtarja (Mimoza Leskaj) me librin “Qiell pa banorë”. Motivet janë nga jeta e përditshme, ku njeriu vërtitet përmes kujtimeve nga e shkuara, në kohën e tashme, nëpërmjet paragrafit: “para disa kohësh ndjeva një therje në gjoks. – foli qetë – Bëra një vizitë dhe pas pak minutash të një konsulte mjekësh, më thanë se duhej të hyja menjëherë në sallën e operacionit. Kanceri në gji nuk më linte më kohë as të mendoja…” (Leskaj: 2022: 61), nga tregimi “Flokët e tretë”. Janë copëza jete, plot ritëm, motive, njohje, dashuri, kujtime, dhembshuri, plot dritë, ku ne rrethohemi nga një botë e vogël, e ngrohtë, e thjeshtë, e gjallë njerëzore, që vjen kaq shpërthyese dhe befasuese, me ngjyra humanizmi, malli, loti dhe dashurie, ku lënda letrare ka shpirtin njerëzor.

2.Letërsia minore dhe rrjetet sociale

Letërsia minore e gjeti veten, shumë mirë përmes rrjeteve sociale sidomos facebooku-t. Aty shumë vargjeshkrues, filluan t’i besojnë lexuesit dixhital dhe botës virtuale të shkrimit, duke shpalosur artin e të shkruart, në shumë mënyra dhe plane, me një larushi tematikash. Normale, që nuk i besohet shumë kësaj fajeqe sociale (facebook = faqe libri në shqip), që padyshim dikush dokudo u bë vargjeshkrues, pastaj edhe poet. Duke matur edhe vetëm përmes likeve [pëlqesave], (janë shkruar shumë për atë temë më parë), por duke shpalosur secili ndjenjat e veta, janë krijuar edhe “klane”, “grupe” që mbështesin poezinë e njëri-tjetrit, por letërsia “ka brenda vetes kompleksitetin e qenies – autor, një gjuhë të figurshme, (kodin e vet specifik) të papërsëritshëm (Dado: 2006: 45), ku secili shpërfaq talentin e vet, por nuk është masë për qenësinë e çdo shkruesi apo vargimi, poet ose shkrimtar. Shumica, në internet, vetëm sa harxhojnë kohën kot me bejte, që përmes likeve (pëlqime) të sheqerosura, të miqve virtualë, iu rritet “egoja” duke u krahasuar edhe me “gjenitë”, por bejtet mbeten bejte, me cilësi të dobët, të ulët dhe madje bëjnë “pis” poezinë e vërtetë. Por, ka edhe talente të tilla, që përmes kësaj faqeje sjellin poezi cilësore si: (Aleksandër Shallvari) dhe (Marissa Rrasa), apo ndonjë tjetër. Por, rrjetet sociale kanë “fabrikuar” poetë/ poete me ca “poezi të vjedhura”, apo të mbledhura tek-tuk dhe të redaktuara nga ca pensionista me pampersa “të etur për seks”, me plot lëvdata nga “talente të spikatura” për ca para, dhe ca famë, që kalojnë përmes dy kolonave të (V-së), Venerës.

3.Letërsia dhe konkurset/ antologjitë/ çertifikatat

Marrëdhënia e kësaj letërsie, me konkurset/ antologjitë dhe çertifikatat, është si loja e maces me miun.
a.Konkurset, për shumë shkrues minorë kanë qenë njësi matëse, në përfaqësimet nëpër konkurset, ku kanë fituar edhe çmime (ia kanë qëlluar një poezie apo eseje), duke ua hapur “oreksin” e kafshatës së madhe si talente, por dhe janë maturuar, duke qenë edhe modele të një poezie madje shumë të lartë si ajo e (Nurie Emurllahu-t). Por, shumica kanë mbetur “në klasë”, në nivelin e poezisë së vogël, që nuk na thotë asgjë.
b.Antologjitë, janë botime më të shumta individuale ose bashkëpunëtorë, që dikush
kundrejt parasë dhe dikush për hobi, duke u munduar të mbledhin “ca vargjeshkrues” gjoja të “përzgjedhur”, (por në bazë njohjeje), totalisht, jashtë kriterit rreptësisht letraro-poetik. Kjo mënyrë ka zëvendësuar edhe mungesën e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë (apo ca organizma dhe grupe letrare), që procedojnë sipas preferencave personale. Për, hartimin e një antologjie duhen këto kritere:
-përzgjedhja mbarëshqiptare nga një grup pune profesionistësh (poetë laureatë, poetë
elitarë, kritikë të njohur, gazetarë elitarë të letërsisë, njerëz të shquar të kulturës dhe letërsisë etj.),
-përzgjedhja nga një grup tjetër pune, (me tematika të ndryshme dhe një estetikë të
lartë poetiko-stilistikore),
-përzgjedhja e fundit, bëhet nga titullarët e dikasterit (në rastin tonë, Ministria e
Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve). Çdo antologji, që nuk ka afërsisht, këto kritere, por është anësore, përjashtuese dhe refuzuese, nuk quhet antologji, por shprehje dëshirore për dikë që ka pasion letërsinë dhe poezinë.
c.Çertifikatat, janë akoma më të debatushme, apo akoma edhe më të pabesueshme, se
nga vinë dhe çfarë vlere kanë (zakonisht janë të printuara në internet me copy/paste), që as nuk ia vlen të shkruash, totalisht “non grata”.

4.Letërsia minore dhe plagjatura (vjedhjet)

Një problem i madh për këtë letërsi, janë edhe vjedhjet. Plagjaturat zakonisht ndodhin me tema të mëdha, (botime studimore-shkencore, temat e mbrojtjeve të masterave apo doktoraturat, rrallë në ndonjë poezi), sepse plagjaturë quhet kopjimi, fjalë për fjalë. Por, “vjedhjet” nga poetët minorë, janë të shpeshta dhe fare “normale”. Kjo, vjen nga ata që duan të bëhen “poete/ të me pahir”, duke vjedhur tek-tuk ndonjë gjë nga të gjithë, (ose dhe blerë me para), duke botuar libra në emër të tyre, por as nuk kërkojnë falje. Këto raste, janë të dënueshëm, sipas kodit të mbrojtjes së autorit (që fatkeqësisht nuk fuksionon) edhe po ta denoncohet. Zakonisht “vjedhjet” kanë ndodhur edhe nga “redaktorët ”, që për të dashurën X apo mikeshën Y, merr vargje nga libri që ka në dorë, dhe boton një tjetër libër me “vlerësime”. Nuk duhet dramatizuar shumë. Por, shumë poetë ndihen keq dhe “pësojnë edhe trauma”, nga “vjedhësit” e çertifikuar. (Desantila Qerimaj-Rranxa), që më librin e parë “qëlloj në shenjë” dhe menjëherë u katapultua në një poete madhore, pasi ka një poezi tejet cilësore. Ajo nuk e kërkoj “famën” në rrjetet sociale, as konkurse apo antologji dhe çertifikata, por me talentin nga natyra, nuk “e përleu” emrin e saj me vogëlsira.

5.Letërsia minore dhe kritika

A mund të quhen edhe këto poetë/e, dhe plot të tjera që (të më falin por nuk mund t’i përmendja të gjithë), që shumë prej tyre, dinë të shkuajnë: epigramin, (gjini e harruar), dramën, baladën moderne, fabulat, madje dhe hajkun, apo dreqi ta hajë, këto poete/ë në shumë libra të tyre, të botuara mbi pesë libra, nuk kanë të paktën dhjetë (10) poezi për të qenë, përjashtuar edhe ato/ ata që shkruajnë për veten dhe i mbajnë librat si koleksione, apo ua japin miqve të vet, si dhuratë. Kjo, poezi nuk paska asnjë lloj shqetësimi poetik (Aliu :2021:6), përmes lirikave reflektive, për fatin dhe fatkeqësinë e qenies tonë kolektive, të një marrdhënieje mes arsyes dhe refleksionit, mes emocionit dhe formësimit poetik? P.sh. (Bajram Torba) është (regjisor, redaktor, poet) në këtë të fundit pak njihet, por poezia e tij ka elemente moderne, ku realiteti shqiptar sendërtohet përmes surreales dhe reales. (Mirela Papuçiu), njihet (si përkthyese), por ka një poezi vërtetë moderne/ (post)moderne, që kritika duhet ta qëmtojë. Apo, (Xhevat Limani), (është aktor, skenarist, prozator dhe poet), poezia e tij përçon tejpërtej realitetin depresiv shqiptar, përmes satirës dhe sarkazmës, ku çdo ditë “dhunohet” njeriu shqiptar, nga politikat e mbrapshta. Pse jo edhe (Flutura Maçi) një (piktore, skenariste, poete) që luan me fjalën dhe me ngjyrat, duke dhënë një realit tjetër të shpirtit të njeriut shqiptar, shenjuar përmes penelatave të saj si piktore. (Të më falin shumë… shumë emra, me poezi të mirë, siç dhjetra të tjerë, që vetëm vargojnë për qejfin e tyre). Por, kritika, troket jo aty ku duhet, por aty ku nuk duhet. Troket mbi emrat. Troket, në portat e “mëdha” duke lëmuar dhe sheqerosur zërat e një letërsie të konsoliduar, por nuk thonë asgjë të re, në disa vepra të tyre, kur “kritika elitare” ua zgjat litarët që të kapen, kurse për letërsinë minore “i mbyt me litarët e refuzimit” dhe sidomos të mosnjohjes. Si mund të shpërfillet, romani “Anja” e (Ahmet Premçit), një roman, që zhbiron kohën dhe shoqërinë shqiptare, përmes ankthit të dashurisë dhe pritjes, se njeriu, nuk mund ta bëjë fatin e tij, por fati e bën atë, ama ne vetëm mund të përcaktojmë se çfarë duhet t’i marrim fatit tonë. Mahnit nga cikli poetik nëpër vite me titull “Feniksi” i (Shefki Karadakut), kur mendon se s’ke më ç’të lexosh, ose përtej “tejngopjes” së poezisë, papritur, një poet postmortun, “paska kaluar” ylberin, ngejshëm dhe plot drithërima “paloset” në errësirën e mykur të sirtarit, dokudo e herë-herë, me guximin e ringjalljes nga hiri i tij: “jam si feniks/ me dy fytyra njerëzish,/ me dy fuçi të mbushura me ndjenja”, dhe ajo ndjenjë, ajo kuturisje iluzive ndërton ekzistencializmin e rrejshëm të njeriut shqiptar.
Për të ndërtuar një pamje më reale, kritika duhet të jetë asnjanëse dhe profesionaliste dhe jo e drobitur, sepse “në kohën kur letërsia njohu një shpërthim në prirje letrare të larmishme, në kërkimet drejt një letërsie postmoderne, në shfaqjen e autorëve të rinj, me individualitet sa interesant, aq edhe të diskutueshëm, kritika letrare duket e drobitur” (Dado: 2006:44). Padyshim se kritika ka fajet e saj. Ajo, kurrë nuk merret me “kategorinë e ulët të letërsisë”, sepse ato janë “plebejtë”, por ndonjëherë nuk u shpëtojnë “qokave” që u imponohen nga politika, qëkur përballen me lexuesin, bëhen qesharakë, por edhe lexuesi, që shpeshherë quhet “tufa injorantësh”, nga ca -eksa/-isha, që ushqejnë kategorinë e mediokrëve, duke e stimuluar me “çmime”, “vlerësime”, kur edhe vetë “emrat e mëdhenj”, përsëritin vetveten. Çdo shkrimtar, mund të ketë një libër prozë/ poezi të kalibrit europian, pastaj dy ose tre që hahen, por kur “prodhon shumë”, ka edhe skarco. Të “gjykosh” apo të “mbrosh” këtë kategori shkruesish, nuk është sikur të pastrosh “ferrat”, nga letërsia moderne shqipe, por edhe të vaditësh ca filiza që sythet e tyre janë të shëndetshme.

6.Letërsia minore brenda vetes/ kundër vetes

Dukuritë e reja letrare, që u përkasin “lëvizjeve të brendshme” (Dado: 2020:11), nuk lidhen vetëm me marrëdhënien e lexuesit por edhe të studiuesve me proceset e zhvillimeve, vetë brenda letërsisë pas viteve ’90-të, një dukuri e re ideoestetike, por e keqinterpretuar ose e painterpretuar fare. Ndaj, dhe kjo letërsi, nuk ndihet mirë ose ndihet “jashtë vetvetes”, pasi shumë dukuri estetike, “gjykohen” në formën më të thjeshtë: më pëlqen ose s’më pëlqen! Vetëdija krijuese edhe e “letërsisë së madhe”, si një marrëdhënie jo e veçantë me lexuesin, ku e gjithë dukuria letrare e këtyre dekadave, ka patur edhe lëvrues apo shkrues minorë, që kanë përcaktuar ndoshta edhe koncepte të gabuara, pasi dukuritë letrare dhe kompleksiteti i vetë letërsisë, provon qasje të reja dhe të ndryshme, që duhen trajtuar nga studiuesit, si çështje serioze në dobi dhe të pasurimit të letërsisë në prozë/ poezi. Problemi i kësaj klase minore është, edhe përsa i përket leximit, jo vetëm si kënaqësi esetike, por edhe si dëshirë e jashtme apo e brendshme, për të kuptuar ndoshta edhe plotmërinë e një vepre te vogël apo të madhe, me shumë si “lexues vetmitar”, më përtej vetevetes, me një këndvështrim optiko-perspektiv (Pozzato: 2005: 80), ku lexuesi që lexon për vetveten, kupton edhe rolin e vetes, edhe rolin e tjetrit, që kjo kategori shkruesish shumë nuk tejkalon as vetveten. Planet lëndore, për tematikat/ problematikat dhe fabulat që shtresëzojnë realitetin në shumë kumte letrare, ku marrëdhëniet e shkrimtarit / kritikut/ lexuesit herë shkojnë në “pikën 0 të ngrirjes”, herë kurba lartohet, kur ndërgjegjshmëria shkon deri aty, sa çdo shkrimtar/ poet përfaqëson kombin e tij, kulturën e tij, identitetin e tij, qoftë edhe një letërsi e madhe apo e vogël, në çdo cep të globit. Por zelli i ca letrarëve, sidomos të letërsisë minore, për t’u kapultuar nga “politika”, përtej misionit të tij, ose dhe brenda misonit të tij, shpeshherë del kundër vetes, duke mos projektuar idealitetin dhe idea-nacionalitetin me forcë shpirtërore veprimi (Çaça: 2022:11), por për të përmbushur qëllimet, ndaj lexuesve të tyre mundohen të “kultivojnë vlera reale” të larta, por që nuk kalojnë as mimetismin (imitimin) ndonjëherë. Prandaj, kjo kategori shkruesish, (që të mos shihet me syrin e njerkës), duhet të ngrihet mbi vetveten, për ta bërë shkrimin armë të vetëdijes letraro-estetike, jo vetëm një medalion qafe, të shtuar për libërbërësit, si shkrues të “zellshëm”, falë lirisë së imagjinatës së tyre.

Emrije Krosi
Emrije Krosi

Bibliografia:

1.Aliu, Ali – (2021): Një lexim i poezisë, “Agora”, Tiranë.
2.Barthes, Roland
(2002): Oeuvres completes, Seuil, Paris.
3.Berisha, Hysen – (2014): Familja Teraba, “Arif Shala”, Oslo.
4.Biçaku, Teuta – (2022): Gjysmëpagëzuar, “Eja”, Tiranë.
5.Chandler, Daniel
(1990): An Introduction to Genre Theory, University of Wales, Aberystwyth
6.Çaça, Durim – (2022): Shenjime të letaritetit (esetikë letrare kritikë), “OMBRA GVG”, Tiranë.
7.Çupi, Barie – (2022): Ej, ti grua “ Arte & Grafic”, Tiranë.
8.Dado, Floresha – (2006): Intutitë dhe vetëdije kritike, “Onufri”, Tiranw
9.Dado, Floresha – (2020): Postmodernizmi poetikë e “antirregullit”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), Tiranë.
10.Gega, Mercedez – (2022): Frymëmarrje gruaje, “OMBRA GVG”, Tiranë.
11.Gjoçaj, L. Ardita – (2022): Hijet që mbesin, “Lena Grafik”, Prishtinë.
12.Hoxha, Bashkim – (2023): Dimri i librave, “Onufri”, Tiranë.
13.Jeferson, Ann & Roby, David
(2006): Teoria letrare moderne, përkth. Floresah Dado, “Albas”, Tiranë.
14.Kelmendi, Bekim
(2023): Ëndërrime, Lena Grafik , Prishtinë.
15.Leskaj, Mimoza – (2022): Qiell pa banorë, “Emal”, Tiranë.
16.Malaj, Suzana
(2021): Me trupin brenda trupit…një fije pa mend, “Editrice Urso”, Itali.
17.Millona, M. Pirro
(2002): Romanca… “Ada”, Tiranë.
18.Osmani, E. Mimoza – (2022): Fol dhimbja ime, “Ada”, Tiranë
19.Plaku, N. Velaj – (2022): Poema e lotëve, “Jakup Ceraja”, Prishtinë.
20.Pozzato, P. Maria. (2005): Semiotika e tekstit, përkth: Dhurata Shehri, “Shblu”, Tiranë.
21.Qejvani, Lela – (2023): Ajo natë, “Triptik”, Vlorë.
22.Rusi, Demir – (2022): Borxhi që s’ka të paguar, “Arte&Grafic”, Tiranë.”
23.Shaqiri, Linda. (2023): Zëri im, për ty Medvegjë, “Lena”, Prishtinë.
24.Wellek & Waren
(2007): Teoria e letërsisë, përkth: Abdurrahman Myftiu, “Onufri”, Tiranë
25.Woolf, Virginia
(1925): “George Eliot”, The Common Reader, New York: Harcourt, Brace, and World.
26.Zhenet, Zherar – (1985): Figura, përkth: S. Hamiti & B. Kelmendi, “Rilindja”, Prishtinë.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.