back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Letërsia serioze do heronj të vërtetë” Arlinda Guma intervistuar nga Ben Andoni

Gazeta

Arlinda Guma
Arlinda Guma

“Letërsia serioze do heronj të vërtetë”

Arlinda Guma intervistuar nga Ben Andoni

Titulli “Terma humanitarë si fjala bombardim” të bën “të largohesh” pak nga libri ose të step disi. Por përgjatë faqeve, lexuesi sheh një roman të strukturuar mirë dhe me shumë ide. Është vetë Arlinda tek personazhi kryesor dhe a ju ka penguar qenësia te një gjini tjetër? Tregu i librit në Shqipëri është përmbytur me tituj librash me zemra të plagosura që kullojnë gjak, ngaqë “shigjeta e dashurisë i ka përshkuar tej për tej”. Apo me tituj me prerje damarësh, dhe me trëndafila me gjemba, që sërish kullojnë gjak. Ngjan si një thertore. E në gjithë këtë kasaphanë patetizmi (pse largoheni kur unë ju flas për luftën; kasaphanën e vërtetë?), sigurisht që një titull i tillë do të të vrasë sytë, sepse aty gjaku është real, jo thjesht bojë e kuqe e dizajnerit!
Ju e kishit thënë edhe në shkrimin tuaj se titulli i romanit tim nuk iu dukej grishës. Ç’do të thotë grishës? Nëse një shkrimtar e vendos një titull për të grishur, apo me saktë; “për të zënë peshq”, që aty i kam hequr vizën. Unë lexuesit nuk i kam peshq që të përpiqem t’i zë me rrjetë. Unë jam shkrimtare, jo peshkatare… E respektoj inteligjencën e lexuesit tim. Në të vërtetë lexuesit e mi më cilësorë më kanë thënë se titulli i ka intriguar. Por edhe unë vetë si lexuese (jo si autore), i pëlqej librat që mbajnë tituj të tillë. Me krijojnë idenë se autori është tip i shpenguar dhe me shumë liri brenda vetes. Megjithatë, e pëlqejnë, s’e pëlqejnë, unë nuk e korruptoj artin tim për asgjë. Nuk kam si të vendos tituj komercialë për të zënë cironka.
Ju gazetarët (jo ju personalisht…) e keni zakon të vendosni tituj sensacionalë, që t’ju shiten gazetat. Ndonjëherë i nxirrni shkrimet nga konteksti, vetëm për të kapur ca “peshq”. Më dhimbsen ata “peshq” që blejnë një gazetë me titull bombastik, dhe kur e hapin nuk gjejnë asgjë nga ajo që kanë lexuar në titull. Por në letërsi nuk funksionon kështu. Në atë seriozen të paktën. Shumë përulësisht do t’ju sugjeroja ta lexonit edhe një herë romanin, sepse po ta bëni, ndoshta do të vini re edhe paragrafin nga është nxjerrë titulli. Fjalia nga është nxjerrë është kjo: “Që kur kishte filluar të përdorte terma “humanitarë” si fjala bombardim?”. Personazhi im, i cili bombardohet me lajme nga më të ndryshmet, sapo kthehet në qytetin e tij të lindjes, ndihet aq i neveritur nga termi “humanitar”, sa nuk do as ta përdorë më. Ai vjen nga një eksperiencë që mund të ketë qenë gjithçka, por vetëm humanitare nuk ka qenë.
Sa për atë që nëse jam unë në personazhin kryesor, më parë me duhet të ritheksoj se pjesa e bombardimit ka ndodhur me të vërtetë… gjatë kohës që një kolegia ime punonte në një organizatë ndërkombëtare në Afganistan. Kur Bushi bombardonte Afganistanin, dhe vendasit vetë ishin gati në një lufte civile mes tyre, kreu i Kombeve te Bashkuara bëri një deklaratë të fortë e cila dënonte bombardimet. Pikërisht në këtë kohë, ca avionë me ndihma humanitare u drejtuan për atje, dhe meqë burokratët e Kombeve te Bashkuara nuk deshën të uleshin në një vend aq të pasigurt, ku të gjithë luftonin me të gjithë, ua hodhën ndihmat si bomba dhe… i vranë të gjithë ata që duhej të ndihmonin… Ky është “humanizmi” i organizatave ndërkombetare… të cilin e kam evidentuar ironikisht në titull.
Pjesa tjetër e romanit është fiction. Si Déja Vù-ja, po ashtu edhe historia e dashurisë së personazhit. Besoj se trajtimi që i kam bërë Déja Vù-së në këtë roman është arritja ime më e madhe artistike. Dhe sado që ndonjë i ashtuquajtur “filozof” të përpiqet të ma vjedhë, siç është përpjekur, plagjiatura e tij do të mbetet një kopje e shëmtuar e trajtesës sime.
Unë jam te personazhi kryesor, H. në qëndrimet e tij idealiste. Në pafuqinë e trishtë që ai ndjen për të ndryshuar sadopak botën, në dilemat nëse duhet ta shkruajë artikullin për “The New York Times”-in, të cilat janë edhe vetë dilemat e mia nëse duhet ta shkruaj romanin… Por ngjarja është e personazhit, jo e imja. Pra pikëpamjet janë të miat, ngjarja jo.
Mendoj se një shkrimtar i mirë është ai që nuk e shfaq gjininë në krijimtarinë e tij. Shkrimtari i mirë është ai që futet në lëkurën e çdo gjinie. Dhe nuk mendoj se kjo gjë është e vështirë, pasi burrat dhe gratë, përpara se të jenë burra dhe gra, janë qenie njerëzore, që lëndohen dhe lumturohen njëlloj, por që steriotipet që u vesh shoqëria ku jetojmë, i detyrojnë t’i shprehin në mënyra të ndryshme këto emocione.
 
Arlinda Guma - “Terma humanitarë si fjala bombardim”
Arlinda Guma – “Terma humanitarë si fjala bombardim”
Fikshëni zakonisht e vesh me një vello të veçantë subjektin. Në ndryshim nga shumë krijime, ju i referoheni një vendi pa identifikim bazë dhe një personazhi, thjesht me një inincial. E kishit të vështirë identifikimin real apo ky lloj regjistri ju jep mundësi që të punoni më hapur? Asnjëherë nuk do arrij t’i kuptoj të ashtuquajturit kritikë letrarë shqiptarë, që kërkojnë me çdo kusht një realitet shqiptar në veprën e një autori shqiptar. Më ngjajnë si ata anëtarët e kryesisë së partisë dikur, që u kërkonin llogari shkrimtarëve se ku ishte traktori në veprat e tyre. Nuk mund të quheshe poet nëse nuk kishe një poezi me traktor. Ndoshta për këte arsye, çdo poet i asaj kohe e ka një poezi të tillë. Traktori të zgjidhte punë.
Nuk arrij të kuptoj si mund të kërkosh realitet në një vepër letrare… Përndryshe, përse do të na duhej arti? Nuk ka rregulla në art. Për mua letërsia është liri. Romanet e mi nuk kanë kordinata gjeografike. Unë krijoj një qytet dhe aty vendos ngjarjet. Në rastin në fjalë, gjithë çfarë dimë është fakti që personazhi im H. është nga një qytet mesdhetar. Nuk ka një sfond të caktuar gjeografik, por ka një sfond njerëzor, i cili është i përbashkët për çdo kombësi. Pra shqetësimi im në këtë roman është po aq shqiptar, sa ç’mund të jetë edhe amerikan apo somalez. Në letërsinë time nuk ka kufi dhe as naconalitete. Në letërsinë time ka një botë të përbashkët njerëzore
 
Është shumë interesant kompozicioni juaj dhe ndërthurja e narracionit. E keni qëllim në vetvete eksperimentin letrar apo ishte në funksion të idesë? Kompozicioni i romaneve të mi, është kompozicioni i tregimeve që kam shkruar dikur. Por kjo nuk vjen si qëllim në vetvete. Kjo vjen natyrshëm. Ka lexues që më ndjekin prej vitesh, dhe nëse atyre do t’u jepnin një tregim që e kam shkruar unë, por pa emrin tim të shkruar poshtë tregimit, ata përsëri do ta gjenin se kush e ka shkruar. Besoj se kjo është ajo vetia unike e shkrimtarit, të cilën nuk mund t’ia vjedhësh dot, edhe po të përpiqesh. Ёshtë njëlloj si kaligrafia.
Ju kujtohet në fillore, kur mësuesja ju jepte disa katrorë për t’i ngjyrosur? E pra, nxënësi që ngjyroste jashtë vijës merrte notën katër. Unë dua të ngjyros një botë jashtë katrorëve. Katrorët më rrinë ngushtë.
Ne vijmë të gjithë nga një shoqëri e ngurtë. Unë kam punuar në disa biznese private, dhe gjithmonë e fshihja këtë anën time artistike, sepse shpesh në ambjente të tilla njerëzit kanë ndjeshmërinë e një kanibali ndaj artit. Megjithatë, edhe pse e fshihja këtë anë, ndodhte ndonjëherë kur eprori më jepte ndonjë punë për të bërë, dhe aty e nxirrte kokën kreativiteti im. E kryeja punën sipas mënyrës sime, gjë që e inatoste eprorin, i cili fillonte të më bërtiste si kisha guxuar të sfidoja udhëzimet e tij. Dhe këtu më kujtohet një thënie e Steve Jobs: “Unë punësoj një njeri inteligjent të më tregojë si bëhet puna, jo t’i tregoj unë atij si bëhet”. Tani më thoni, a ka ndonjë mundësi që në një shoqëri kaq të ngurtë si shoqëria shqiptare të lindin -a? Për të lindur edhe mund të lindin, por për t’u bërë si ai dyshoj shumë. Që në shkollë dhe derisa del në jetë, një shoqëri e tillë ia pret me sopatë filizat e kreativitetit fëmijës. E lë si një trung të mërzitshëm gjithë klishe. Kështu ndodh edhe në letërsi. Sikur të tregoheshim të kujdesshëm, të mos ia prisnim me sopatë inovacionin dikujt që prodhon art, vetëm sepse ne vetë jemi mendjembyllur dhe tradicionalistë… Ku i dihet. Mund të kalojnë kohë dhe pas shekujsh të tërë mund të thuhet se artisti ka krijuar një rrymë të re. Kur lindi impresionizmi në Francë, piktorët e kësaj rryme nuk lejoheshin të ekspozonin në ekspozita shtetërore, sepse një metodikë e tillë konsiderohej e turpshme. Ndërsa sot, impresionistët jane ata që shiten me shifra marramendëse. Nuk ka hakmarrje më të mirë se kjo ndaj mendjembyllurve me sopatë në dorë.
 
Shqetësimi juaj është në këtë vepër një shqetësim që s’ka atdhe, por që i takon të gjithëve. A është libri një lloj përpjekje që publiku duhet të jetë më i ndërgjegjshëm? Romani im nuk është një përpjekje. Romani im është një denoncim. Në këtë libër janë dy romane në një, dhe që të dyja temat që trajtohen të nxjerrin nga zona e rehatise. Të vënë në pikëpyetje shumë gjëra që ti më parë i ke marrë si të mirëqena, të bëjnë të mendosh me kokën tënde.
Ju kishit shkruar se romani ju dukej i këndshëm, ndoshta e kishit fjalën për stilin, e kuptoj që ishte shkruar me pozitivitet dhe ju falënderoj, por unë jam për zhdukjen e këtyre termave, “i këndshëm”, “i lezetshëm”, kur flitet për letërsinë. E këndshme është një çantë, një buzkuq, por jo një roman që denoncon një masakër.
 
Pse nuk jeni thelluar më shumë në linjën e dashurisë në këtë roman, që e lini disi të pezullt? Kam thënë se në romanin e pare, “Bulevardi i Yjeve” unë nuk jam thelluar shumë në këtë linjë, jo në të dytin. Në romanin “Terma humanitarë si fjala bombardim” jam thelluar aq sa ia kam nxjerrë zorrët jashtë kësaj teme.
Sa për faktin që e kam lënë pezullt finalen, kjo vjen ngaqë nuk dua t’u jap opium lexuesve të mi me Happy-End-e.
Në një film anglez, me një skenar shumë elegant (dukej që skenari ishte dorë shkrimtari), kam dëgjuar një batutë interesante:
“Dashuria është si komunizmi; një ide e bukur, por e parealizueshme.
Besoj se tragjedia e dashurisë nis pikërisht aty, te Happy-End-i.
 
Çfarë shikoni si temat që duhet të jenë më tërheqëse për publikun shqiptar nga bota e letërsisë? Duhet të jenë tërheqëse? Kjo fjala “duhet” te pyetja juaj nuk më rri mirë. Gjërat që na janë tërheqëse, nuk na janë të tilla se duhet… Shpesh kur na tërheq diçka ne nuk ia dimë shkakun pse na tërheq. Kjo nuk bëhet duke i vënë vetes pikësynime. Unë në romanin “Bulevardi i Yjeve”, kam trajtuar një temë si çmenduria, ndërsa te i dyti kam trajtuar Déja Vù-në. Unë nuk i zgjedh temat për të cilat shkruaj. Janë ato që më zgjedhin mua. Ёshtë si diçka që vjen nga lart, e pashpjegueshme. Ndonjëherë të ashtuquajturit kritikë, i japin vetes të drejtë të të qortojne se përse nuk shkruan për gjërat që ndodhin aktualisht në Shqipëri. A thua se kjo punë është me normë! Letërsia nuk është gazetari. Letërsia do kohë të fermentohet. Tharmi i romanit të fundit më është vërtitur në mendje për 6 vjet të tëra, derisa u ula dhe e shkrova. Nëse këta të ashtuquajtur akademikë kanë shije mediokre, ata s’mund të më detyrojnë ta ul nivelin tim artistik për të kënaqur dritëshkurtësinë e tyre. Dhe për më tepër, për të shkruar duhet të të ngacmojë diçka. Mua nuk më ngacmojnë fare pubet, djemtë me X7-ta dhe vajzat që shesin veten vetëm për të bërë një xhiro me makinë. Këto janë tema të mjera, që do ta mjeronin edhe një shkrimtar të madh. Përgjithësisht heronjtë e mi nuk i gjej në jetën e metropolit… kjo e fundit është një jetë e cekët, e varfër shpirtërisht, e shtirur, aspak empatike dhe plot me shkëlqim të rremë, që pak po ta gërvishtësh i del ndryshku.
Letërsia serioze do heronj të vërtetë. Letërsia nuk është spektakël. Dhe heronj të tillë, të vërtetë, në Shqipëri mund të gjesh vetëm në zonat që nuk i ka rrahur modernizmi.
Marrë nga Milosao 02.04.2017
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.