back to top
15.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Letërsia shqipe e diasporës, – ose atdheu i mohuar i letrave shqipe… nga Jozef Radi dhe Rezart Palluqi

Gazeta

Leka Ndoja - Letërsia Shqipe e Diasporës
Leka Ndoja – Letërsia Shqipe e Diasporës

Letërsia shqipe e diasporës,

ose atdheu i mohuar i letrave shqipe…

nga Jozef Radi dhe Rezart Palluqi

mbi studimin e Leka Ndojës  “Letërsia shqipe e diasporës” 1944-1990

Leka Ndoja, vjen së fundi me një nga studimet më serioze dhe më objektive mbi letërsinë shqipe, atë të letërsisë shqipe të diasporës 1944-1990, me të cilën ai mbrojti edhe tezën e Doktoraturës.
Por, që në hyrje do të ndaleshim, mbasi mendojmë se titulli më i plotë i këtij studimi serioz do të ishte: “Arti shqiptar i diasporës”, mbasi aty jepen të plota vepra, personazhe, shtypi, jeta dhe veprimtaritë kulturore të diasporës, jo vetëm si letërsi po krejt si kulturë shqiptare, dhe bëhet edhe ai ballafaqimi i domosdoshëm midis letërsisë së ideologjizuar së epokës komunisto-hoxhiste dhe letërsisë se pa-ideologjizuar të diasporës shqiptare. Ky ballafaqim përmes këtij studimi vjen në një mënyrë të re e krejt të natyrshme, pa asnjë tendencë politike apo qëllime dashakeqase ndaj mjaft prej shkrimtarëve të njohur shqiptarë, gjë që i bën nder jo vetëm autorit Leka Ndoja, me kët studim voluminoz prej 410 faqesh, po edhe krejt atyre që do të merren në të arthmen me problemet e mëdha të letrave shqipe.

Jozef Radi dhe Rezart Palluqi 2015
Jozef Radi dhe Rezart Palluqi 2015

Në studim theksi vihet kryesisht mbi përballjet e letërsisë së diasporës me dy qendrat letrare: Tiranën dhe Prishtinën, po edhe mbi ndikimet që pati letërsia perëndimore ndaj letërsisë së diasporës shqiptare, gjë që letërsia brenda-shqiptare (Tirana dhe Prishtina) o nuk e njohën mirë ose më mirë mund të thuhet se e shmangën sa qe e mundur këtë ndikim. Kështu që mund të thuhet pa hezitim, se letërsia e diasporës, edhe pse nën trysni jo vetëm arriti të ruajë identitetin e saj letrar, të gjuhës e të mendësisë shqipe jashtë arealit shqiptar, po arriti të përthithë edhe pse me vështërsi gjithë elementët modernizues të letërsisë se pa-ideologjizuar perëndimore të shekullit të njëzetë.

Ky studim pasurohet edhe me kronologjinë e detajuar të jetës dhe veprës së shkrimtarëve, poetëve, piktorëve, studiuesve dhe albanologëve shqiptarë. Në libër nuk përmenden vetëm emrat e shkrimtarëve tashmë të njohur, si Martin Camaj, Ernest Koliqi, Bilal Xhaferri, Arshi Pipa, at Zef Valentini, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Mustafa Merlika, Tahir Kolgjini, Jusuf Luzaj, Karl Gurakuqi, Nermin Vlora -Falaschi, etje., por edhe shumë emra shkrimtarësh, piktorësh e studiuesish, pak o aspak të njohur për lexuesin shqiptar. Ky hulumtim skrupoloz dhe i gjithanshëm, e shndërron këtë libër në nji vepër ndër më seriozet, i jep atij vlera universale për tërë botën kulturore shqiptare, mbasi gjithnji e më tepër duhet të bindemi të gjithë se askush s’mund të përjashtohet nga hierarkitë letrare, dhe askush nuk ngrihet as më lart e as të ulet më poshtë, jashtë koncepteve, rrjedhave dhe vlerësimeve letrare. Ka ardhë koha, (ndoshta jemi pak vonë) ku secili autor shqiptar duhet të gjejë vendin e vet të merituar në Panteonin ende të shkapërderdhur të letrave dhe kulturës shqipe…
Studiuesi dhe kritiku Leka Ndoja, falë hulumtimeve shumëvjeçare e ka sjellë të gjallë frymën e kësaj periudhe, me krejt aktivitetet letrare të diasporës, po edhe me krejt vështërsitë e ndërkomunikimeve mes personazheve dhe veprave letrare, tashmë të detyruara të punonin e të krijonin jashtë trungut të Atdheut, e kryesisht në diasporën e Italisë dhe Amerikës, e më vonë edhe asaj në Gjermani të ngritur prej Martin Camajt. Aty shihen qartë edhe raportet ekonomike, politike dhe organizative, po edhe problemet me të cilat u përballën shkrimtarët shqiptarë të diasporës (ezilit) në harkun e nji gjysëm shekulli diktaturë në vendin e tyre, ku themelimi dhe mbajtja gjallë e revistave letrare, si Shejzat, Koha e Jonë, Krahu i Shqiponjës, apo Vatra, të cilat mbetën monumente të kësaj mbijetese të vështirë letrare e kulturore. Aty ndjehen qartë sakrificat e bëra nga shkrimtarët, kritikët dhe dashamirët e letërsisë po edhe nga mecenatë si Rosolin Petrotta dhe Isa Ndreu, për t’i mbajtur gjallë këto revista, në kushtet e nji presioni të egër, sa më gjatë e sa më cilësisht të qe e mundur. Aty ballafaqohesh me pengesat që haste diaspora letrare për botimin e prurjeve letrare, raportet e ndërsjellta midis autorëve, fakti që Prishtina asaj kohe shërbeu edhe si “kryeqytet letrar” i saj, apo dilemat e gjetjes së ndonji pike konvergimi të letërsisë së diasporës me letërsinë dhe kulturën shqipe të mbyllur në vetvete, për 45 vite diktaturë hoxhiste. Aty referohen krejt aktivitetet letrare të bëra nga shkrimtarët e diasporës deri në vitin 1991, pa anashkaluar edhe artet e tjera, si piktura, (piktorët Ibrahim Kodra e Lin Delija), studimet kritike e albanologjike (si At Zef Valentini e Namik Ressuli), teatri, ngjarjet historike deri edhe problemet e rrymat fetare të shekullit të kaluar, si fjala vjen ateizimi hoxhist, përballja dhe ndikimi i tij në letërsi apo artet në diasporë, si dhe reagimet e shkrimtarëve të diasporës ndaj atezimit shqiptar? Përmenden edhe albanologët e njohur si Zef Valentini e Namik Resuli për kontributet e tyre në studimin, lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Nuk nënvlerësohet as jeta private e autorëve, ndikimi i mjedisit social, raportet ndërintelektuale apo humbjet e personaliteteve… e deri tek oborri, lulet, sokakët, apo arsimimi i autorëve, dialektet, faktorët soc-politikë para ardhjes së diktaturës hoxhiste.
Studimi mbetet shumë i vlefshëm, jo vetëm për lexuesit dhe kulturdashësit shqiptarë, që dëshirojnë ta njohin këtë anë të pasme të letërsisë shqipe, asaj të syrgjynosur e të damkosur, por edhe për studentët, studiuesit, pedagogët dhe shkollat mbasi aty, shpjegohet me objektivitet dhe mënyrë sistematike se si ka funksionuar ky sistemi letrar kombëtar edhe në rrafshe më të gjera e më të ndërthurura me botën.
Mjaft nga veprat e autorëve të njohur analizohen deri në detaje, duke u kaluar në sita të imëta stilistike, kritike, humaniste, gjuhësore, poetike dhe historike.

Pjesë nga studimi "Letërsia Shqipe e Diasporës"
Pjesë nga studimi “Letërsia Shqipe e Diasporës”

Autori flet mjaft edhe për sistemet e nënsistemet letrare. Sistemet letrare, janë qendrat e mëdha të kulturës së nji kombi, që kur futen nën kontrollin autoritar të diktaturave dhe mbështeten vetëm në ideollogjitë politike hasin vështërsi mbijetese, ndërkohë që nënsistemet e krijuara jashtë këtij kontrolli, siç ndodhi edhe me letërsinë e diasporës, edhe pse në vështërsitë e mbijetesës, arrijnë të shfaqen edhe si sisteme letrare… Kjo letërsi, dhe ky nënsistem edhe pse u mallkua dhe u përbalt prej krejt mekanizmave propagandistikë hoxhiste, arriti të mbijetojë falë përkushtimit dhe idealizmit të shumë prej kontribuesve letrarë e kulturorë të këtij nënsistemi letrar.
Sa i përket nënsistemeve letrare, sipas autorit, shpesh janë letërsitë e përjashtuara për dy arsye: e para nga natyra disidente e letërsisë, si në rastin e letërsisë së diasporës, e cila vuri gjithmonë në vend të parë Humanitetin, dhe interesat kombëtare shqiptare; dhe e dyta Letërsitë komerciale, të cilat arrijnë të dominojnë edhe sistemet letrare duke u mbështetur kryesisht në përfitimet personale të shtëpive të mëdha botuese.

Ky studim, sipas gjithë gjasave do ta plotësojë e do ta pasurojë tablonë e letërsisë shqipe të shekullit të shkuar. Aty nënkuptohet se nuk duhet të ketë më shkrimtarë të përjashtuar, shkrimtarë të mallkuar e të mohuar mbi bazën e ideologjive politike, apo rivaliteteve letrare! Mbetet që ky studim serioz të përfshihet edhe në programet e letërsisë shkollore, e në veçanti në ato të mesme dhe universitare si model i korrektesës kritike, i skrupolozitetit shkencor, po edhe i thellësisë dhe paanshmërisë, me qëllim që studentët e së nesërmes të krijojnë ide dhe tablo sa më të qarta dhe sa më të plota rreth letërsisë shqipe, para, gjatë dhe pas diktaturë…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.